Abaz Hado: Elementë të kostumit popullor në artin pamor shqiptar

851
Sigal

Vepra e Abaz Hados, kontribut kulturor kombëtar

Nga Arben Iliazi

“Elemente të kostumit popullor në artin pamor shqiptar” është botimi më i ri i piktorit, studiuesit dhe profesorit të njohur Abaz Hado

Vepra është një punim i shkëlqyer, që përmban një analizë të hollësishme të gërshetimit kreativ të artit pamor shqiptar me kostumografinë popullore, si dhe mjaft informacion kulturor dhe historik. Falë pasionit, dëshirës, përkushtimit dhe përvojës rreth 40-vjeçare, në këtë studim Dr Abaz Hado na ka dhënë të përmbledhur larminë e lidhjes dhe mbështetjes së artit pamor me kostumografinë dhe artin tradicional, i bindur se arti popullor ka luajtur një rol të veçantë sidomos në historinë e kulturës sonë artistike, “sepse me mijëra vjet me radhë ka qenë e vetmja traditë artistike me vijueshmëri të pandërprerë”, siç ka vërejtur edhe studiuesi Alfred Uçi. Si një produkt shpirtëror edhe materiali popullor, thotë Abaz Hado, është bërë pjesë organike e zhvillimit historik të shoqërisë shqiptare dhe është perceptuar me në mënyrë epike dhe me madhështi emocionuese nga piktorë të njohur shqiptarë, duke i kushtuar tërë veprimtarinë e tyre krijuese. Si Kol Idromeno, S. Rrota, S. Xega, A. Buza, K. Kodheli, Z. Shoshi, N. Bakalli, S. Kaceli, H. Capari, A .Zajmi, Q. Prizreni, N. Ivanaj etj. Këta artistë të mëdhenj e të kompletuar, të papërsëritshëm dhe origjinalë, i dhanë jetës një ndryshim të paperceptueshëm, me zbulimet e perspektives, ngjyrës etj. Ishin një gjeneratë e tërë artistësh, që e sollën artin shqiptar në një nivel madhështor me organizimet dhe mjeshtërinë punuese. Artistët shqiptarë të të gjitha kohërave “zbritën” me fuqi për të mbrojtur diçka që në çdo kohë ruan vlera të papërsëritshme-dashurinë për të bukurën! Ata ishin artistë që e nxorën në dritë artin shqiptar dhe e sollën në një nivel të barabartë me progresin dhe zhvillimin e çdo fushe njerëzore, si në kohët e vjetra, ashtu dhe në kohët moderne. Ata ishin njerëz që i dhanë konceptit për artin një linjë të re, që nuk ishte gjë tjetër përveçse pasqyrimi i një jete të rëndësishme për të gjithë. Edhe ditët e sotme në vendin tonë prodhohen vlera të mëdha artistike, sepse në çdo periudhë vlerat artistike janë të mëdha, sepse përfaqësojnë një ndryshim shpirtëror të botës dhe vendosin në pah vlerat e një shoqërie në zhvillim e sipër. Kjo vepër e autorit A. Hado, përveç shkollave të artit dhe institucioneve të mësimdhënies në përgjithësi, padyshim që i vlen edhe fushatave promovuese turistike, për t’i orientuar vizitorët drejt muzeve të artit viziv dhe trashëgimisë kulturore. Më ka bërë përshtypje diçka tërheqëse vitet e fundit që në të gjithë territorin e Shqipërisë, përgjatë bregdetit , dhe në të gjitha pikat turistike ku banojnë shqiptarë, ka filluar të paraqitet edhe filozofia e artit pamor si në pikturë, drugdhendje, gurgdhendje etj. Para së gjithash kjo është nxitje e atdhedashurisë, përmes pasqyrimit të vlerave tona artistike kombëtare, të kulturës së rrallë materiale dhe shpirtërore të popullit shqiptar. Nevoja e zhvillimit të turizmit kulturor sot në Shqipëri nuk mund të realizohet pa promovimin e traditave dhe trashëgimisë kulturore të vendit. Gjatë qeverisjes së këtyre viteve të fundit duhet thënë se janë marrë masa konkrete për të rijetëzuar shtëpitë e artizanatit dhe muzetë e artit të veshjes tradicionale, të cilat gjatë këtyre dekadave të fundit ishin në zhdukje, por që së fundi kanë tërhequr vëmendjen e shumë vizitorëve të huaj. Por më shumë duhet bërë për mbështeten financiare edhe të botimeve për etnografinë dhe realitetin viziv siç është arti pamor shqiptar. Kostumografia apo veshja e një populli gjithmonë është trajtuar si elementi kryesor i kulturës shpirtërore e asaj materiale të një përkatësie etnike. Po ashtu, veshja e një populli është edhe rezultat i një procesi të zhvillimit, transformimit, evoluimit dhe përsosjes gjatë shekujve. Veshja popullore identifikon njerëzit me një vend. Është shpirti dhe kultura e një kombi. Ashtu si vendet e tjera të Ballkanit Shqipëria ka një histori të gjatë dhe të pasur të veshjes popullore. Duhet thënë se, për shkak të pozicionit gjeografik të Shqipërisë dhe kushteve të zhvillimit historik, tipologjia veshjeve popullore shqiptare është krejt e veçantë dhe unike, pra nuk përngjason me ato të huajat. Gjurmët e kësaj kulture datojnë që në kohën e formimit të principatave feudale, në shek. XII dhe u ruajtën në formë autentike deri në shek. XX. Madje shumë prej tyre vazhdojnë të ruhen edhe sot.

Studime të tilla si “Elemente të kostumit popullor në artin pamor shqiptar” të Dr. Abaz Hado kanë rëndësi jo vetëm për të njohur këtë pasuri të madhe kulturore, elementet e të cilave vijnë që nga lashtësia dhe nga periudha mesjetës, por për të njohur njëkohësisht marrëdhënien kulturore me popujt e tjerë gjatë shekujve.

Për të kuptuar në ditët e sotme se çfarë është historia shqiptare na duhet pikërisht studime të tilla bashkëkohore, që ndihmojnë në krijimin vetëdijes dhe identitetit kulturor kombëtar.