Prof. Servet PËLLUMBI / Antonio Gramshi, frymëzim për ideale sublime

649
Sigal

Studiuesi Jovan Jano, pas monografive të suksesshme kushtuar figurave të tilla të njohura si “Mahat’ma Gandi”/’Martin Luter King”dhe Çe Guevara – heroi i mitologjisë revolucionare”, i ofron lexuesit një botim tjetër interesant dhe me vlera të spikatura në vigjilje të 100- vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Është fjala për monografinë “Antonio Gramshi – Jeta dhe vepra e antifashistit të madh”. Jo rastësisht është përzgjedhur prej tij një figurë e për masave të tilla, i njohur si themelues i Partisë Komuniste Italiane, si politikan antifashist dhe mendimtar marksist, që ndryshonte nga ata, që u përmbaheshin në mënyrë dogmatike skemave të “marksizëm-leninizmit”, të sanksionuara në Kongresin e katërt të Kominternit.  Që në vitin 1924 Musolini e shpalli “një mendje tepër të rrezikshme që duhej mbyllur 20 vjet në burg”! Realisht vuajti 11 vjet në burgun fashist (1926-1937) dhe ndërroi jetë në moshën 46 vjeçare. Jovan Jano, në monografinë e tij na sjell materiale të shumta nga jeta dhe vepra e Antonio Gramshit, jo dhe aq të njohura për lexuesin shqiptar, veçanërisht për brezin e ri. Ndërkohë, libri ka ngarkesë të veçantë emocionale edhe për faktin se, siç argumenton e dokumenton autori, Antonio Gramshi është me prejardhje nga Shqipëria, pra është edhe një “Arbëresh i Madh”. Gjurmimi i vendlindjes së të parëve të këtij njeriu të madh është një kontribut hulumtues me vlerë i librit të Jovan Janos. Veçse, rrethanat konkrete-historike bënë që Antonio Gramshi të hyjë në histori, jo aq për prejardhjen apo veprimtarinë praktike revolucionare, të ndërprerë shpejt, se sa për idetë filozofike, që ai shtjelloi dhe mbrojti edhe në kushtet tepër të vështira të burgut. Shumë nga pjesët e “Ditarëve të burgut” (disa dhjetëra fletore) janë vepra studimore shkencore me vlera filozofike, historiko-sociologjike dhe deri kontribute në fushën e kritikës për letërsinë e kohës. Ndryshe nga ata, që kritikonin pragmatizmin, Gramshi mbronte tezën se po të jetë e vërtetë që çdo filozofi është politikë dhe që çdo filozof, në një formë apo në një tjetër, është veprimtar politik, atëherë përligjet plotësisht që filozofia të ndërtohet dhe të kuptohet në mënyrë utilitare, pra si “filozofi praktike”. Kjo është arsyeja që mendimi filozofik i Gramshit më ka tërhequr që herët. Që kur isha student kam bërë një temë kursi (1959) dhe një vit më vonë (1960) mbrojta diplomën për filozofin dhe politikanin Antonio Gramshi në Universitetin e Sant Petërburgut. Kurse sot, jo vetëm Jovan Jano, por dhe studiues të tjerë, e shohin origjinalitetin dhe tonin kritik të mendimit gramshian, disi larg “linjës zyrtare” të Kominternit, prandaj bashkohem me ta, kur Antonio Gramshi përfshihet në “grupin e neomarksistëve”. Në këtë rrafsh është e kuptueshme pse po rritet popullariteti i trashëgimisë teorike marksiste të Antonio Gramshit. Kjo e bën librin e Jovan Janos një botim të kohës, të munguar dhe me vlera jo vetëm njohëse. Me këtë rast do të desha t’i uroja autorit për botime të reja po kaq interesante dhe të dobishme.