Prof. Murat Gecaj* / Taçi Oil “çon” Petro Nini Luarasin në Çair të Shkupit…

525
Sigal

Paraqitet libri i Prof. Alfred Uçit, 150 kopje dhuratë për shkollat shqipe në Maqedoni

Kishte kohë që Prof. Alfred Uçi ndjente në vetvete një shqetësim të natyrshëm. Ky lidhej me një ngjarje të shënuar jo vetëm në kujtim të gjyshit të tij, Petro Nini Luarasi-“Mësues i Popullit” dhe “Nderi i Kombit”, por dhe të kësaj figure shumë të njohur dhe të shquar të arsimit kombëtar shqiptar. Vitin e kaluar ai mbushi 100-vjetorin e vdekjes dhe  prandaj publikoi shkrime në shtyp e në internet, për atë. Gjithashtu, në vijim të merakut të tij për ta përjetësuar sa më mirë këtë figurë dhe për t’ua lënë brezave të shkruar jetën dhe veprimtarinë e shumanshme atdhetare e arsimore, e përfundoi shkrimin e biografisë së tij. Me atë rast, u botuan disa kopje të këtij libri, por ato mbeten të padërguara në vendin e dukur, pra në shkollat e vendit tonë, si dhe në ato të trojeve tjera shqiptare.

Botimi, si detyrim për vendlindjen

Kështu, në përgjigje të kërkesës së tij, në prag të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Kompania e njohur “Taçi Oil”, aq e lidhur edhe me rrethin e Kolonjës, vendlindjen e Petro Nini Luarasi, mori përsipër që të botonte një sasi të konsiderueshme librash të Prof. Alfred Uçit, me titullin domethënës, “Petro Nini Luarasi- Mendimtari martir i Rilindjes Kombëtare: 1865-1911-Jetëshkrimi, Studime, Vepra”. Por nuk mbaronte çdo gjë me kaq, pasi duhej që ky libër të shkonte në duart e lexuesve të interesuar. Pas bisedave me intelektualin e njohur shqiptar Azis Pollozhani, ish-ministër i Arsimit e Kulturës në Republikën e Maqedonisë, ky mori përsipër që të interesohej për paraqitjen e këtij libri në  Komunën e Çairit të Shkupit dhe pastaj për shpërndarjen nëpër shkollat shqipe, aty dhe në Tetovë e më gjerë. Sigurisht, për këtë gjë ai gjeti mbështetje të plotë nga kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti dhe punonjësit e arsimit aty.

Miq e vëllapritës…

Të informuar për përgatitjet, që ishin bërë për sa thamë më sipër, ne u nisëm së bashku për në qytetin e Shkupit. Me vete kishim 150 copë libra kushtuar Petro Nini Luarasit, të cilat do t’i dhuronim për kolektivat e shkollave shqipe atje. Siç kuptohet, e përjetuam rehatinë e kalimit nëpër Udhën e Kombit, e cila po zgjatohet si arterie gjigande, brenda Republikës së Kosovës. Pasi arritëm në Prizren, ndalesën e parë e bëmë te Shtëpia Muze e Lidhjes së njohur historike të shqiptarëve, e cila sivjet u përkujtua me madhështi, në 134-vjetorin e saj. Pastaj udhëtuam  nëpër Grykat e Kaçanikut, ku na ranë në sy edhe tabelat për drejtuesit e mjeteve: “Kujdes, shkollë!” Më tej, shkuam drejt kufirit dhe ndjemë kënaqësi, që doganierët nuk na penguan për librat në fjalë, pasi ato nuk i dërgonim atje për shitje a tregti. Takimet e bisedat e rastit me mikpritësit e vëllapritësit ishin të ngrohta. Bashkë me punonjësin e arsimit në Komunën e Çairit, Nuhi Dardhishta, që është dhe kryetar i Shoqatës së Arsimtarëve, kujtuam vizitën e bërë, më shumë se një vit më parë, nga një grup i Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare, me qendër në Tiranë, të kryesuar nga i ndjeri Dr. Ibrahim Gashi. Synimi i atij udhëtimi aty dhe më tej në Preshevë, Prishtinë e Ulqin ishte që të bisedohej dhe të krijohej te të gjithë mendimi për t’i njësuar programet dhe tekstet për shkollat shqipe. Tashmë, jemi dëshmitar që kjo punë ka hyrë në udhë të mbarë dhe fëmijët e Shqipërisë e Kosovës po i mësojnë sivjet shkronjat e alfabetit të gjuhës amtare, me Abetaren Mbarëkombëtare. Sigurisht, shpresojmë e besojmë që kjo punë e dobishme, atdhetare, arsimore e profesionale do të vazhdojë drejt arritjeve të reja, në këtë fushë të bashkimit shpirtëror të shqiptarëve.

Veprimtaria

Për tubimin e organizuar në Shtëpinë e Kulturës së Komunës së  Çairit, ku do të paraqitej libri kushtuar Petro N.Luarasit, kishin marrë njoftim dhe ishin të pranishëm mësues e drejtues të shkollave shqipe, si dhe nga media e shkruar e ajo elektronike etj.. Fjalën e rastit e mbajti Prof. Ali Aliu-Akademik, i cili e vlerësoi lart këtë nismë vullnetare të Shoqatës “Lisi i Arbërit” dhe Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë, për të organizuar veprimtari të tilla dhe për të dhuruar libra të ngjashëm, me temë atdhetare e arsimore, për shkollat shqipe në të gjitha trojet tona amtare. Në vazhdim, autori i librit Prof.Alfred Uçi u ndal në disa çështje, që trajtohen në të dhe theksoi se, për ta paraqitur sa më të saktë jetën dhe veprimtarinë atdhetare e arsimore të Petro Nini Luarasit, ka përdorur mjaft dokumente arkivore, shtypin e kohës, studimet dhe botimet e ndryshme etj.. Ndërsa Prof. Murat Gecaj foli si për vlerat e çmuara të këtij libri, por dhe për simbolikën, që përfaqëson Petro N. Luarasi, në udhën plot sakrifica të martirëve dhe gjithë mësuesve të gjuhës amtare, si në Shqipëri e Kosovë, por dhe në trojet tjera shqiptare, në Maqedoni, Mali i Zi, Preshëvë, Çamëri etj..

Përshëndetja e zotit Mustafa Taçi

Tubimin e përshëndeti edhe Mustafa Taçi, përfaqësuesi i Kompanisë “Taçi Oil”, e cila bëri të mundur botimin e këtij libri, mjaft të dobishëm për të gjitha shkollat shqipe. Publikimi i tij është një ndihmesë tjetër, që të njihet sa më mirë udha nga kemi kaluar për mësimin e gjuhës amtare, e cila i armatosi bashkatdhetarët tanë me “armën” e dritës e të diturisë. Në këtë mënyrë, krahas armëve në kryengritjet e mëdha antiosmane për liri e pavarësi, shkronjat shqipe luajnë një rol të jashtëzakonshëm. Së bashku, ato na çuan në ditën e madhe historike të 28 Nëntorit 1912, kur “Heroi i Popullit” Ismail Qemali, duke shprehur vullnetin njëzëri të gjithë delegatëve të atij Kuvendi nga mbarë trojet shqiptare, e valëviti lart,  në Vlorë, Flamurin e Pavarësisë së Shqipërisë. Sipas parashikimeve, libri kushtuar jetës dhe veprimtarisë atdhetare e arsimore të Petro Nini Luarasit do të dërgohet e dhurohet: në Kosovë, në Luginën e Preshevës e Malin e Zi dhe, bile, deri te arbëreshët e Italisë, ka thënë ndër të tjera zoti Taçi.

 *publicist e studiues-Tiranë

Tiranë, 10 tetor 2012