“Skenografia, sfidë me vetveten”

1495

Sot janë të pakta skenografet dhe kostumografet në skenat shqiptare, pasi në pjesën dërrmuese ato paraqiten si profesione burrash. Në fakt duhet thënë se shumë shfaqje të viteve të fundit të vënë në skenat shqiptare vuan nga skenografia dhe kostumografia. Shumë regjisorë e vlerësojnë atë si pjesën ndër më kryesoret të shfaqjeve. Një ndër to që ka dhënë jo pak rezultate në punën  e saj është Herolinda Koçllari

 Herolinda si nisi dëshira për t’u marrë me artet figurative?

Dëshira ime ka nisur që në vegjëli, kisha shumë dëshirë të pikturoja më pas kam ndjekur shumë teatër dhe më kanë tërhequr skenat e teatrit, magjepsesha kur shikoja skenën e “Gjenerali ushtrisë së vdekur”, Ishte një mrekulli për kohën.

Keni realizuar disa skenografi dhe kostumografi të shfaqjeve më në zë në kryeqytet. Kë do të veçonit?

Do të veçoja shfaqen “Zonja e Bujtinës” të regjisorit Ervin Çuli. Aty kam realizuar kostumet, të cilat kishin një larmi ngjyrash dhe bashkëpunimi me regjisorin Çuli ishte shumë komod dhe frytdhënës. Jam e lumtur që regjisori Çuli më dha mundësinë të jem pjesë e stafit të tij të punës, ku pata rastin të punoja me artistët më në zë të teatrit në Shqipëri.

Cilët janë regjisorët që do të veçonit dhe si i kujtoni bashkëpunimet me ta?

Unë do të veçoja bashkëpunimin me regjisorin Leonard Bombaj, Kiço London dhe Ervin Çulin. Të jem e sinqertë, Bombaj më ka bërë të ndjehem shumë mirë. Regjisori Bombaj të krijon hapësirën e duhur për të  krijuar e për të vënë në lëvizje fantazinë e imagjinatën. Mendoj që të tre regjisorët e sipër përmendur janë ndryshe nga njëri-tjetri. Bombaj të krijon hapësirën, të nxit fantazinë, Londo është tepër kërkues dhe i veçantë, ndërsa Çuli është tepër i vendosur dhe i talentuar.

Si e kujtoni periudhën e studentore në Akademinë e Arteve?

Ka qenë një nga periudhat më të bukura të jetës sime, njëkohësisht dhe më të çmendura. E kujtoj me nostalgji atë kohë pasi kam pasur rreth vetes miq, por edhe pedagogë të cilët më kanë bërë të ndjehem shumë mirë dhe më kanë dhënë nga profesioni dhe pasioni i tyre. Ndër ta do të veçoja pedagogen Berina Kokonën një pedagoge e një mikeshë e jashtëzakonshme; profesorin tim, udhëheqësin e diplomës sime Ilir Martinin, një njeri që edhe sot e kujtoj dhe flas me admirim. Perikli Çuli, një emër i madh e i njohur në artin figurativ shqiptar. Orion Shima një njeri shumë i veçantë për mua, i cili do të mbahet mënd gjatë në memorien time si pedagog, i cili më mësoi bazën e pikturës, ngjyrat. Një falënderim të veçantë do të bëja për artisin e madh, mjeshtrin madh skenografin e kostumografin Agim Zajmi dhe mikun tim skenografin Erald Bakalli.

Kujt ja dedikoni suksesin?

Suksesin ja dedikoj familjes time, në veçanti babait tim, i cili bëri të mundur ëndrrën time, të jem kjo që jam sot. Pa dashur të harroj edhe miqtë e mi të cilët më kanë mbështetur e kuptuar sa herë që unë qëndroja  me orë të tëra në studio përpara telajove.

Mendoni se keni zgjedhur profesionin e duhur?

E kam zgjedhur vetë dhe nuk jam penduar. Është një profesion që më jep kënaqësi. Ndihem mirë me veten.

-Cilat janë problemet më të pikante të femrës shqiptare sot?

-Problemet janë të shumta si p.sh dhuna ndaj femrës, papunësia e madhe, barazimi dhe nënvleftësimi.

-Mendimi juaj për bashkëjetesën? 

-Secili sipas dëshirës. Sot nuk është tabu.

-Motua nga e cila udhëhiqeni në jetë? 

Të jesh vetvetja.

-Një ditë pune e zakonshme?

-Normale si të gjitha ditët. Tashmë na është bërë rutinë.

-Ku preferoni t’i bëni pushimet?

– Në bregdetin shqiptar.

-Cili është për ju modeli i politikanes?

-Hilari Klinton

-Veshja e preferuar?

-Sportive, por edhe klasikja është veshja që preferoj shumë.

-Çfarë vlerësoni tek një njeri dhe çfarë kritikoni?

-Tek një njeri vlerësoj pamjen dhe inteligjencën. Kritikoj sjelljen edhe veshjen jo harmonike.

-Kur ndihesh keq?

Kur më gënjejnë me të padrejtë.

Ndiheni e vlerësuar?

Besoj se po. Me punë vlerësohesh.

-Jeni penduar për profesionin?

Aspak. Ndjehem e plotësuar.

-Po vetë gënjeni?

Bëj vetëm gënjeshtra të bardha fare, fare të padëmshme.

-Mbani dietë?

Jo sa të kaloj në bezdi dietë normale.