Albert Z. ZHOLI
Në qytetin e gurit, në Gjirokastër, ku historia dhe kultura ecin krah për krah mes kalldrëmeve shekullore, Universiteti “Eqerem Çabej” shënoi një nga momentet më të bukura akademike e kombëtare. Më 11 maj 2026, dy titujt prestigjiozë “Doctor Honoris Causa” iu akorduan dy figurave të njohura të botës intelektuale shqiptare, Prof. Ago Nezha dhe Prof. Pëllumb Xhufi, të dy bij të Labërisë krenare dhe mbajtës të titullit “Personalitet i Shquar i Labërisë”. Ishte një ceremoni, që ngjante më shumë me një homazh për dijen, përkushtimin dhe atdhedashurinë. Dy lebër që, secili në fushën e vet, kanë lënë gjurmë të thella në kulturën, historinë dhe mendimin shqiptar. Dy njerëz të urtë, korrektë dhe të përkushtuar ndaj së vërtetës, që e kanë parë dijen jo si privilegj personal, por si shërbim ndaj kombit. Prof. Ago Nezha ka ndërtuar ndër vite profilin e një intelektuali të kompletuar. Me librat publicistikë, tregimet, poezitë, monografitë dhe shkrimet e shumta në shtypin e përditshëm, ai ka dëshmuar nivel të lartë intelektual, kulturë të gjerë dhe aftësi të veçantë organizative në aktivitete me karakter kombëtar e kulturor. Kontributi i tij në arsim dhe në jetën akademike është po aq i vyer. Ai ka shërbyer si lektor i filozofisë në Universitetin e Universiteti i Tiranës gjatë viteve 1978–1980, më pas si lektor në Universiteti Bujqësor i Tiranës nga viti 1980 deri në vitin 2014, ndërsa pas viteve ’90 ka qenë pedagog edhe në gjashtë universitete private. Ka udhëhequr 35 tema diplomash, dy disertacione shkencore, ka qenë oponent dhe anëtar i komisioneve të mbrojtjes së doktoraturave, duke formuar breza studentësh me kulturë qytetare dhe akademike. Nga ana tjetër, Prof. Pëllumb Xhufi mbetet një nga zërat më autoritarë të historiografisë shqiptare. Tezat e tij shkencore përqendrohen kryesisht në Mesjetën Shqiptare, të mbështetura mbi kërkime të gjera e të gjata arkivore në arkivat e Venedikut, Firences, Vatikanit, Raguzës e qendra të tjera të rëndësishme europiane. Nëpërmjet analizës së raporteve etnike dhe politike në Ballkanin Jugperëndimor gjatë Mesjetës, ai ka sjellë argumente të forta shkencore për historinë dhe identitetin shqiptar. Studimet e tij janë vlerësuar jo vetëm në Shqipëri, por edhe në qarqe akademike ndërkombëtare. Në këtë ceremoni të veçantë morën pjesë edhe kryetari i Shoqatës Labëria “Nderi i Kombit”, Agim Çiraku, si dhe Sekretari i Përgjithshëm i shoqatës, Kastriot Muço. Prania e tyre i dha ceremonisë frymën e krenarisë labe dhe dimensionin e një feste kombëtare për dijen dhe kulturën shqiptare. Në këtë aktivitet madhështor akademik dhe kulturor merrte pjesë i gjithë stafi pedagogjik i Universitetit Eqerem Çabej, studentë të shumtë, studiues, intelektualë dhe personalitete të njohura të ardhura nga Tirana e qytete të tjera të vendit. Mes tyre ishte edhe Prof. Arben Malaj, si dhe figura të tjera të jetës akademike, kulturore e publike shqiptare, të cilët me praninë e tyre i dhanë ceremonisë një atmosferë të veçantë respekti dhe vlerësimi. Salla ishte e mbushur me emocion, duartrokitje dhe krenari, sikur vetë fjala shqipe, historia dhe kultura shqiptare të ishin ngritur në këmbë për të nderuar dy personalitete që për dekada i kanë shërbyer kombit me dije, qytetari dhe përkushtim. Takimi i studentëve me këta profesorë ishte edhe një mesazh frymëzimi për brezin e ri: se vlerat e vërteta ndërtohen me punë, kulturë, ndershmëri dhe dashuri për atdheun. Dy “Doctor Honoris Causa” për dy lebër nuk janë vetëm një vlerësim akademik. Janë një nderim për mendimin e lirë, për atdhedashurinë, për korrektësinë njerëzore dhe për njerëzit që ia kushtuan jetën Shqipërisë me penë, dije dhe dinjitet.

Ago Nezha, një jetë në shërbim të Atdheut, shkencës dhe shoqërisë
Prof. Dr. Shyqyri Hysi
Atje ku dy dete freskojnë me flladin e tyre ballin e burrave zot vatani, ku Zeusi vështron me zili nga Akrokeraunet vdektarët që sfidojnë mbretëritë, atje ku Çezari u mahnit nga natyra, ku shpirti, djersa dhe kënga mjaltojnë jetën me fjalë zemre, ku shpellat e Gramit, Haxhi Aliut etj., luajnë aktet e simfonisë bethoviane, ku Pisha Flamur dhe Qafa e Llogarasë janë dëshmitarë të historisë dhe rrinë roje të nderit e lirisë, ku Sazani qëndron si pishtar lajmëtar i furtunave të pabesa, ku nënat si Sado Koshena me një fjalë bëjnë të dridhen burrat që gjykojnë valiun kaluar, atje ku qytetërimi i Orikut prek kufijtë tremijëvjeçar, e ku vendi quhet Dukat, atje lindi më 4 shtator 1945 Ago Faik Nezha. Pasi kreu në vendlindje arsimin parauniversitar, ai studioi në ILB sot Universitetin Bujqësor dhe u diplomua në Fakultetin e Agromisë në vitin 1971. Si nxënës i zellshëm e student ekselent, Agoja ka mësuar gjithë jetën, ndaj në vitin 1976 u diplomua edhe në degën e Filozofisë. Në vitin 1996 mbrojti Doktoraturën në fushën ekonomisë. Në vitin 2004 mori titullin Prof. Asoc. dhe në 2009 -tën titullin Profesor Doktor. Profesori ka kryer disa detyra akademike si: Lektor i filozofisë UT(1978 – 1980), Lektorë në Universitetin Bujqësor (1980 – 2014) dhe duke filluar nga viti 1990 e në vazhdim, ka qënë lektor në gjashtë universitete private. Ka udhëhequr, 35 tema diplomash, 2 disertacione është oponent shkencor dhe Ago Nezhatëtar i komisioneve të mbrojtjes së Doktoraturave etj. AGO NEZHA është botuesi i: 7 monografive, 17 librave universitarë dhe shkencorë, 5 vëllimeve me poezi, 8 vëllime në prozë, 6 vëllimi në publiçistikë. Ai është autor i dy dokumentarëve në RTSH, ka 36 artikuj shkencorë 300 artikuj publiçistikë, të cilat janë botuar në 55 organe të shtypit. Pjesëmarrës në 9 konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare, është drejtues dhe anëtar i 18 bordeve shkencore dhe forumeve kombëtare e ndërkombëtare, organizator dhe pjesëmarrës në 10 panaire kombëtare dhe ndërkombëtare. Gjatë aktivitetit shkencor është udhëhequr prej parimit qemalist për shkencën, duke e konceptuar atë si udhërrëfyese e nëpërmjet saj kuptoi se: “Natyra është një libër i shkruar me daltën e arkitetktit të mbinatyrshëm që duhet shfletuar e mbrojtur me kujdesin prindëror”. Ndaj, e promovoi atë në disa panaire ndërkombëtare si në: Gjermani, Itali, Francë, Poloni, Spanjë, Greqi etj. Për punën voluminoze, aktivitetin më spektër të gjerë akademik, shkencor, shoqëror, kulturor, botues, atdhetar, humanitar, organizator, drejtues i OJQ-ve, qëndrimin ndaj problematikave sociale, kombëtare e ndërkombëtare, marrëdhëniet e ngrohta me njerëzit dhe institucionet etj., AGO NEZHA është vlerësuar me disa urdhëra e medalje:

-Urdhëri “Mjeshtër i Madh” nr. 7547, datë 22.06. 2012. Urdhëri “Kalorës i Skënderbeut”. Nr. 9370, datë 18. 12. 2015. Personalitet i Labërisë, 29. 01. 2007. Personalitet i Qarkut të Vlorës nr. 26/2, datë 22. 11. 2012
-Nder i Qarkut të Gjiroikastrës nr. 1. Datë 20.05. 2014.
-Qytetar Nderi i Bashkisë Orikum, nr. 10. Datë 07. 05. 2015.
-Qytetar Nderi i Tepelenës, nr. 35, datë 29, 05, 2020
-Qytetar Nderi i Vlorës, nr. 88, datë 16. 12. 2021.
-Medalje për shërbim të shquar shtetëror dhe shoëror”, nr. 685, datë 28. 12. 1979.
-Gjithashtu tetë shoqata, fshatra dhe redaksi shtypi e kanë vlerësuar AGO NEZHA me medalje e çertifikata të ndryshme. Në moshën 81 vjeçare Ago Nezha është vazhdimisht në luftë me kohën e në konkurim të përjetshëm për ta sfiduar atë. Arma më e fortë e AGO NEZHËS për të përballuar sfidat e jetës dhe të kohës gjendet tek vendosmëria dhe vullneti që e karakterizojnë profesorin, me të cilët ai ka dhënë simbolikën e atdhetarit, intelektualit, personalitetit dhe profesionistit. AGO NEZHA është një simbol i mirësisë për familjen, fisin e Nezhajve, fshatin Dukat, krahinën e Labërisë dhe intalektualët shqiptarë. Profesori për çdo problem që trajton, lë pas hijen e dritës dhe mençurisë labe. Ai ka aftësi të bëjë për vete zemrat e njerëzve dhe kjo dhunti është pasqyra e karakterit dhe personalitetit të tij. Ndaj, titujt që sapo rendita mund të përmblidhen në “dekoratën” që i ka dhënë populli. Ago Nezha meriton titulli NJERI dhe është shqiptar 24 karatësh. Kushdo që e njeh sadopak AGO NEZHËN, e di se integriteti dhe dinjiteti i tij, nuk matet me medalje, por me vetëdijen që e meriton si simbol i mirësisë. Agoja është kujdesur që nëpërmjet shkrimeve të tij të depërtoi në ndjenjat e lexuesit. Shkrimet dhe publicistika e Ago Nezhës me një gjuhë magjike popullore dhe tokësore. Ato përpihen dhe lexohen me një frymë, sepse në to pasqyrohet gjithçka që profesori ka ndjerë në konshiencën dhe subkonshiencën e tij. Ai ka folur me gjuhën e zemrës dhe karakterin e labit të pathyeshëm. Ato shprehin mendimin, psikologjinë dhe brengat shpirtërore të popullit, e veçanërisht ato të Labërisë. Ai e bënë lexuesin mik, partner, pjesë të ideve, problematikave a ideator të mendimit për vlerat dhe çështjen tonë kombëtare. Sot dy titujt “Doctor Honoris Causa” akordohen për dy lebër, e me këtë rast më lejoni të perifrazoj Çajupin, i cili kur flet për Labërinë shkruan: “Si thotë fjala dhe kuvendi,/ trimat e mir’ i bënë vendi”… të lumtë për burrat që nxore s’të çmohet nderi që more”! Urime i nderuar profesor!

**
Akademik Pëllumb Xhufi – Personalitet i shquar i shkencës, kulturës dhe qytetërimit shqiptar.

Zv. Rektor
Prof. Dr. Gëzim Sala
Sot është një ditë e shënuar për komunitetin akademik të universitetit “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës. Jemi mbledhur këtu për të nderuar një ndër mendjet më të ndritura të albanologjisë dhe historisë sonë kombëtare. Akordimi i titullit “Doctor Honoris Causa” për profesor Pëllumb Xhufin nuk ështe thjesht një formalitet por një akt mirënjohje i komunitetit akademik të universitetit tonë për jetën dhe veprën e profesor Xhufit kushtuar së vërtetës shkencore dhe zbardhjes së rrënjëve tona historike. Është e vështirë të gjesh një njeri që i ka shërbyer Shqipërisë me kaq shumë cilësi në të njëjtën kohë: si historian erudit, si diplomat i matur, si deputet parimor dhe si njeri publik me integritet të lartë. Le ti trajtojmë shkurt këto aspekte të personalitetit të profesor Xhufit.

Së pari si historian profesor Xhufi me veprën e tij studimore në lëmin e historisë na ka dhënë një dhuratë të çmuar, vetëdijen për rrënjët tona historike. Me veprën e tij studimore në fushën e historisë të shpalosur në dhjetra monografi, libra dhe artikuj shkencor akademik Pëllumb Xhufi ka shtruar dhe zgjidhur me përgjegjësi të lartë shkencore e intelektuale probleme të rëndësisë parësore të dijes historike shqiptare dhe ka si cilësi themelore origjinalitetin. Tezat kryesore të profesor Xhufit përqëndrohen kryesisht në Mesjetën Shqiptare duke u bazuar në kërkime të gjëra e të gjata arkivore në arkivat e Venedikut, Firences, Vatikanit, Raguzës etj. dhe në analizën e raporteve etnike e politike në territorin e Ballkanit Jugperëndimor gjatë Mesjetës. Shtyllat kryesore të punës studimore të punës të profesor Xhufit janë:
1.Vazhdimësia dhe vjetërsia etnike: ai mbron tezën se shqiptarët janë një popull autokton me një vazhdimësi gjenetike dhe etnike të pandërprerë në trojet shqiptare që nga antikiteti. Sipas profesor Xhufit rezulton se kapërcimi nga antikiteti në mesjetë në territoret ku banonin shqiptarët nuk u shoqërua me ndryshime rrënjësore etnike pavarësisht dyndjeve sllave.
2.Shteti i Arbërit si bërthamë shtetërore e shqiptarëve: Në studimet e tij profesor Xhufi argumenton se Shteti i Arbërit në shekullin e XII shënon daljen e parë të qartë të shqiptarëve në skenën politike mesjetare të Ballkanit, duke shërbyer si bërthama e formacioneve të mëvonshme shtetërore të shqiptarëve.

3.Karakteri shqiptar i Epirit dhe “Arbërit e Jonit”. Një nga kontributet dhe veprat e tij më voluminoze (Arbërit e Jonit) argumenton tezën se rajonet e Vlorës, Delvinës, Janinës e Çamërisë kanë patur një prani dhe dominim etnik shqiptar të pakontestueshëm gjatë shekullit XV-XVII. Në këtë vepër profesor Xhufi kritikon me argumente bindëse dhe dokumente arkivore autentike historiografinë greke për përpjekjet e saj të vazhdueshme për të tjetërsuar këtë realitet etnik.
4. Mesjeta e ndritur shqiptare: Në studimet e tij historike akademiku Pëllumb Xhufi sfidon nocionin e Mesjetës si një kohë e errët për Shqipërinë. Përkundrazi ai e konsideron Shqipërinë Mesjetare si një qendër të rëndësishme për shkak të pozicionit gjeografik “rruga Egnatia dhe Durrësi” dhe marrëdhënieve intensive me Bizantin dhe fuqitë perëndimore si Venediku.
5.Vetëdija kombëtare e hershme te shqiptarët: Profesor Xhufi në studimet e tij argumenton me dokumente arkivore, fakte që dëshmojnë për një vetëdije të qënies shqiptare shumë me herët se Rilindja Kombëtare duke cituar figura shqiptarësh të shquar si Mërkur Bua që vetëdeklaroheshin si shqiptarë që në shekullin e XVI.
6.Historia fetare dhe Voskopoja: Profesor Xhufi ka studiuar gjerësisht tolerancën dhe dinamikat fetare të popullit shqiptar gjatë Mesjetës dhe rolin e Voskopojës si një qendër e iluminizmit evropian në Ballkan gjatë shekullit të XVII. Profesor Xhufi ka virtutin shkencor të përballet me çdo pikëpamje të albanologjisë evropiane mbi bazën e argumentit, njohjes së burimeve vetëdijes kritike dhe vështrimit të ngjarjeve në sistem. Ai është afirmuar si medioevisti me kompetent i kohës së sotme dhe është pranuar si i tillë në fushën ndërkombëtare.




















