Presidenti Nishani, nderon gjuhëtarin Beci: Gjashtë dekada në shërbim të shqipes

463
Kreu i Shtetit ka vlerësuar sot me titullin “Për Merita të Veçanta Civile” akademikun dhe gjuhëtarin Bahri Beci. Në një ceremoni solemne në Presidencë, Nishani çmoi lart figurën e Profesor Becit për kontributin e çmuar dhe veprimtarinë e vyer shkencore në shërbim të gjuhësisë dhe studimit krahasues tipologjik të sistemit fonetik të shqipes letrare, si dhe historisë së formimit të shqipes së sotme standarde. “Në vlerësim të kontributit të çmuar dhe veprimtarisë së tij të vyer shkencore prej gati gjashtë dekadash në shërbim të gjuhësisë dhe studimit krahasues tipologjik të sistemit fonetik të shqipes letrare, si dhe historisë së formimit të shqipes së sotme standarde”¬ është motivacioni i titullit dhënë akademikut Nishani theksoi se gjuhetari ka prezantuar në mënurë dinjitoze gjuhën shqipe, si gur themeli i një trashëgimie të pasur të një kombi ndër më të vjetrit në Ballkan dhe në Evropë, edhe përmes botimit të mbi 150 artikujve studimorë në revista brenda dhe jashtë vendit, si në Austri, Greqi, Francë, Itali, Rumani, etj.

“Jam informuar se një nga tiparet dalluese e më të veçanta të punës së tij të palodhur ka qenë se studimet dhe përfundimet shkencore janë mbështetur gjithmonë në vëzhgimet që ka kryer vetë në mënyrë të drejtpërdrejtë në terren, aty ku gjuha gjallon e pulson përditë, duke hulumtuar me durim dhe stoicizëm për rreth njëzet vite.” – theksoi Presidenti. “Kontributi i vyer i Profesor Becit, – nënvizoi Kreu i Shtetit – ka përfshirë edhe hartimin e dhjetëra teksteve shkollore dhe gramatikave, të cilat përdoren dhe studiohen me ëndje nga fëmijë dhe breza të rinj të etur për të nxënë dhe zotëruar siç duhet gjuhën letrare anembanë Shqipërisë, Kosovës, dhe Malit të Zi.” Presidenti Nishani gjatë fjalës së rastit bëri apel për ruajtjen dhe pasurimin e mëtejshëm të gjuhës shqipe nga gjuhëtarët, gazetarët, shkrimtarët, figurat publike, mësuesit. “Në vlerësim dhe nderim të punës dhe përpjekjeve të tij të palodhura dhe kontributit të çmuar shkencor e ndiej veten të privilegjuar që si President i Republikës ta vlerësoj në mënyrë më se të merituar Profesor Bahri Becin me dekoratën ‘Për Merita të Veçanta Civile’.” – tha në mbyllje të fjalës së tij Kreu i Shtetit.
Sigal