“Plis në Luvër”, i poetit Gjokë Beci, ka si kryemetaforë, identitetin nacional
– Vaçe Zela, Gaqo Çako, Kastriot Tusha, Afërdita Laçe, Frederik Ndoci, Myfarete Laze, Bashkim Alibali, Arif Vladi, Ilir Shaqiri, Nertila Koka, ishin bashkëpunëtorët e Gjok Becit.
Ditëlindjet e njerëzve që lënë gjurmë të arta me veprat e tyre shënohen si ngjarje në historinë e kulturës së një krahine, nacioni a mbarë njerëzimit. Relievi etno-kulturor e historik i Mirditës, ka malet e veta në roje të identitetit arbnor si Malin e Shenjtit që e ngritën deri në qiell abatët historik që nga i përndritshmi Prend Doçi, Zarishi e deri tek martiri i fundit, Frano Gjini, ka malin e shtetit etno-kulturor të vetëqeverisjes, që mban emrin e Derës Princërore të Gjomarkajve, Malin e qëndresës përball dimrit osman e dimrave të kohërave moderne që mban emrin e një fisi krenar e luftarak, filiz i pastër i identitetit arbnor, Mirdita. Ka gjithashtu, malin e kangës që mban e do të mbajë emrin e Mjeshtrit të madh Gjokë Beci. Në këtë ditë jubilare të 75- vjetorit të lindjes po e kujtomë nëpërmjet bashkëbisedimit për librin e tij të fundit botuar në gjallje të tij, “Plis në Luvër”.
Ky është 30 korriku i parë pa poetin e panteonit të këngës.
Jetëshkrimi
Gjokë Beci u lind në Zajs të Mirditës, më 30 të korrik 1939, në një familje me tradita liridashëse. Ai mbeti herët jetim, por pranë ndjeu gjithherë dashurinë e përkujdesjen e njerëzve më të afërt të gjakut. Kështu djaloshi imcak e i etur për dije e la vendlindjen e zambakëve të gurit e të lulezonjës për të vazhduar shkollën pedagogjike. Aty, do takonte shkrimtarin e shquar Petro Marko, i cili do të ndikonte fuqishëm për rrugëtimin poetik të Gjokës. Kështu poeti iri mirditas do shfaqet në faqet e shtypit letrar të kohës që nga mesi i viteve ‘60-të. Më 1969, boton vëllimin e parë “Kur zgjohen bjeshkët”. Pastaj, në kulmin e krijimtarisë së tij, kur po kalonte në shtyp vëllimin e dytë, që nuk u botua kurrë, Mirdita zyrtare, me platonizmin e saj të njohur e largon nga biblioteka e qytetit dhe e dërgon punëtor në ndërtim, duke i hequr edhe të drejtën e botimit. Pas 5 vjetësh “riedukimi”, thirret për të punuar e krijuar për Festivalin Kombëtar të Gjirokastrës. Poema folklorike që ai kompozoi ishte e një niveli të lartë dhe u mirëprit e u vlerësua me flamurin e festivalit. Shtypi i kohës e vlerësoj, gjithashtu, shumë lart për frymën dhe nivelin artistik sepse muza e tij ishte ngjizur në mitrën e muzës popullore dhe atë të Homerit të gjakut tonë poetit kombëtar Gjegj Fishta. Kthehet në sektorin e kulturës dhe nuk vonojnë ftesat për bashkëpunim nga etrit e muzikës si: Zadeja, Dajia, Feim Ibrahimi, Kujtim Laro, David Tukiçi, Edmond Zhulali, Aleksadër Peçin, etj., duke u lauruar me shumë çmime e duke u bërë pjesë e panteonit të këngës shqiptare.
Gjokë Beci bashkëpunoj me të gjithë kompozitorët mirditas dhe me ata që punuan në Mirditë si me të paharruarit Dorian Nini e Fran Vorfi, me Mark Gjokën, Servet Carën, Dod Prendin, Zef Tushen, etj.. Fjalët e tij u kënduan nga zërat më të spikatur të melosit shqiptar, që nga aureora e këndimit shqip, Vaçe Zela, Gaqo Çako, Kastriot Tusha, Afërdita Laçe, Frederik Ndoci, Myfarete Laze, Bashkim Alibali, Arif Vladi, Ilir Shaqiri, Nertila Koka etj.. Të gjithë tekstet e këngëve autori i botoi në kolanën “Antologjia e shpirtit”, vepër e cila është një gjerdan në visarin e këngës shqipe.
Autori botoi edhe vëllimet poetike: “Qiell e dhe”, “Ligjërime” dhe “Plis në Luvër”. Si çdo krijues tjetër edhe mjeshtri Beci kishte shumë pengje si: Të botonte romanin eseistik për Mark Brungën ose Nastradinin mirditas si dhe ato, që mes miqsh i quante vjershat e bllokut. Pasi vëllimi i fundit, “Plis në Luvër”, u vlerësua me çmimin “Gjergj Fishta”, që organizon dhe mbështet financiarisht Qarku i Lezhës, na thoshte sa të bahëm pak më mirë, do mblidhemi e të bisedojmë për librin. E kishte peng …Dhe i tillë mbeti se:
FLUTUROI DHE SHTERG I FUNDIT,
MADHËSHTOR ME SHPIRT TË GJORË…
Lumi heroik i tij u ndal. U ndal në një ditë të madhe, në ditën e të dashuruarve jo për të çartun festën e bekuar, por për të na thënë dhe atëbotë kur zemra tij e madhe jetoi rrahjen e fundit, kur sytë prej shkaboje u fikën e drita e përjetësisë shkroi plot shkëlqim në qiellin arbëror:
Qoftë mallkue kush s’na don bashkë!
Në çdo çast na dashti bashkë, mish e gjak, bashkë si malin me borën se në ketë jetë me diell mbi krye, kemi ardh’ me e dasht njëri -tjetrin e kurrë me urrye. Kurrë!
Gjoka ynë i dashur!
Zoti e pat thënë të rriteshe jetim, pa babë, por edhe pa vëlla. Edhe shoqja e jetës iku shumë para teje. Ti me guxim i the vetes: Ec! Dhe hapat lanë gjurmë të arta në rrugëtimin tënd dinjitar e të pa epur, duke na lenë një visar të vyer në gjerdanin e vlerave shpirtërorë të popullit tonë.
Mirdita, të cilës i këndoi me madhështi, Kosova e Çamëria, mbarë shqiptaria, do e mbajnë në buzë refrenin madhështor:
Po ku ka si ti, o Shqipëria ime
O fisnikja përmbi gur,
Rrjedh në këngë e ligjërime,
Ballëlarta me flamur .
Për tiparet dalluese dhe frymën thellësisht kombëtare të poetikës Gjokebeciane, kanë shkruar studiuesit Ndue Dedaj, Mark Marku, Behar Gjoka etj., etj..
Veprimtaria e tij poetike dhe atdhetare është nderuar me urdhrin “Naim Frashëri” si dhe me titujt: “Mjeshtër i Madh “, nga Presidenti i Republikës, “Personalitet i Shquar i Qarkut Lezhë”, nga Këshilli i Qarkut Lezhë, “Qytetar Nderi ”, nga Këshilli bashkiak i Rubikut, “Nderi i Klubit Kulturor Mirdita” etj.. Edhe libri, “Plis në Luvër”, ka si kryemetaforë, identitetin nacional . I shkruar në gegnisht dhe në gjuhën standarde ashtu si e ka thënë dhe studiuesi i njohur Behar Gjoka: Kuptohet, se me këtë përmbledhje kemi të bëjmë me një eksperiment të dyfishtë, gjuhësor, ku rimerret gegnishtja si gjuhë e autorit dhe e poezisë dhe vihet krahas ligjërimit të gjuhës së njësuar, por këtu kemi dhe një fakt poetik, që na jep shansin, që brenda një libri të lexojmë dhe shijojmë poezinë e autorit, tashmë në dy variante.
Nga Viktor Gjikola