Peter Tase*/Patriotizmi dhe vlerat e vargut: krijesa simbiotike e Lulzim Tafës

674
Sigal

Trashëgimia e shkruar, veçanërisht në lëmin e poezisë dhe kritikës letrare në Kosovë është për t’u admiruar

Republika e Kosovës është shteti më i ri i pavarur i Europës, por çuditërisht është njëra prej vatrave më të pasura të kulturës dhe poezisë europiane. Nuk është çudi të takosh një shkrimtar apo rapsod me emër në qytetet apo edhe zonat më të thella të Shqipërisë apo Kosovës. Njëri prej tyre është edhe Lulzim Tafa. Kjo nuk është rastësi, por në të vërtetë është treguesi kryesor i nivelit kulturor të një populli dhe kontributi i këtij kombi të syrgjynosur ndër shekuj, në promovimin gjithmonë e më shumë të kulturës vendase, por edhe asaj të huaj në gjuhën shqipe.

Trashëgimia e shkruar, veçanërisht në lëmin e poezisë dhe kritikës letrare në Kosovë është për t’u admiruar. Ajo është e mbushur me krijimtari nga shkrimtarë të përgatitur dhe poetë të afirmuar, ashtu siç është edhe Lulzim Tafa. Shkrimtari ndodhet krahas krijuesve të tjerë bashkëkohorë. Ndër më të njohurit duhen përmendur Azem Shkreli dhe Ali Podrimja i ndjerë, Sali Bashota, Ndue Ukaj, Anton Gojçaj, Anton Nik Berisha. Ndoshta e kam anashkaluar ndonjë emër tjetër, por sipas mendimit tim, këta janë disa nga shkrimtarët dhe prozatorët më të mirë që, shkruajnë mbi tema patriotike dhe historike, siç vepron edhe Lulzim Tafa.

Që nga momenti i botimit të librit të tij të parë me poezi, Lulzim Tafa ka demaskuar me mjeshtëri pushtimin dhe gjenocidin serb mbi popullin e Kosovës, dhunën e ushtruar mbi kulturën, fenë dhe letërsinë kosovare. Kjo letërsi, duke përfshirë edhe stilin e Lulzim Tafës, është një forcë origjinale e të shprehurit që ka magjepsur shumë studiues dhe antropologë, vizitat e të cilëve datojnë që prej kohës së Shën Palit, i cili kishte kaluar në këto treva dhe i quante territoret buzë Adriatikut me emrin “Illyricum”.  Këtë rigjenerim të historisë së përgjumur të një populli të lashtë, po e bën edhe Lulzim Tafa me poezinë e tij të spikatur. E tillë është edhe përmbajtja e poezisë

 “Reportazh i luftës së shenjtë”:

Ne robërit e luftës  ikim përpjetë,

 S’e dimë ku jemi nisur,

As ku arrijmë për dritë,

 Ata na ndjekin, na vunë në rreth,

Ata me këpucë e dhëmbë të hekurt lufte,

Ne të zbathur të uritur të pa rruar,

Një javë të pa pastruar me flokë të telta,

Fije-fije shpirtin përtypim zhgënjimin,

Pështyjmë copat e fatit të përgjakur,

E droçka të gjalla na janë ngjitur gjuhës,

Ato flasin ne heshtim biem në rreth,

Më në fund ngremë duart lart i dorëzohemi ujkut,

Biem në mëshirën e tij,

Të dhëmbëve të syrit të tij të shqyer,

Sytë tanë rriten,

Tre dhunuesit i rrinë sipër një gruaje,

Ç’betejë e pabarabartë e fatit,

Para syve të tanë porno e gjallë shfaqet,

Mund ta shohin edhe fëmijët e mitur,

Që gjenden në rresht krejtësisht ftohët rrimë,

Ereksion i seksit s’na nxitet dot,

Na kaplon ereksion i vdekjes,

E mjera ti o grua e mirë më në fund,

Mish i gjallë e thua shpëtuam u zgjuam,

Lufta kishte shkuar në tjetër jetë,

Dhe trimat e malit me fletë…

Këto vargje vendosin në kornizën makabre të vdekjes gjithë ato fatkeqësi, tortura, që kanë ndjekur kombin shqiptar në të dy anët e kufirit.  Në të mirë të historisë, ndoshta do të ishte akoma edhe më e përpikte nëse do të përfshinim në këtë kontekst, apo “Reportazh”, shqiptarët kokulur dhe kulturalisht të margjinalizuar në Mal të Zi, pse jo edhe Shqiptarët e “degdisur” nëpër lagjet Getto – të ngjashme me vendbanimet e Hebrenjve në Varshavë gjatë pushtimit nazist, mu në zemër të Shkupit. Imazhe të ngjashme i gjejmë edhe tek poezia e Anton Gojçajt, “Mrekullia e Ekzistencës”, ku vetë autori, i frikësuar, krijon imazhin e plotë të atyre ditëve të vështira ku dhuna dhe persekucioni kanë mbi zotëruar kryesisht në Shqipëri dhe Kosovë: “Rrugëve të Prishtinës/ studiova frikën/ Policët kah më ndiqnin/ Thërrisja Amerikën/ Lulet kur i shihja/ Pranë tankeve kur mbijnë/ E shaja Europën/ Lutesha për Shqipërinë/ Për miqtë e mi të atëhershëm/ Më pushton një mall/ Jo nuk bëmë çudira/ çudi që mbetem gjallë.”

Ndërsa Lulzim Tafa krijon dhe vizaton kontekstin e duhur nëpërmjet përshkrimeve rrëqethëse, barbare dhe të mjerueshme, aq sa  “Fije-fije shpirtin përtyp[te] zhgënjimin…/ Lufta kishte shkuar në tjetër jetë/ Dhe trimat e malit me fletë…”. Për të njëjtin përshkrim – apo skenar të  rrjedhjes së mendimit – Anton Gojçaj, me lapsin e tij “magjik” e sjell këtë vizatim më pranë lexuesit dhe mundohet të “qetësojë” Tafën duke i thënë se shpresa për ndihmë nga jashtë është e vetmja zgjidhje, dhe simboli i saj është Amerika, e cila ende është prezente në Kosovë. Megjithëse policët serbë e ndiqnin nëpër rrugët e Prishtinës, Antoni nuk bënte gjë tjetër vetëm “thërris[te] Amerikën” dhe për çudi nuk e lë me kaq, por fillon të mallkojë edhe Europën. Europa, ndryshe nga imazhi tepër pozitiv i Amerikës në Kosovë, ende njihet si strumbullari i sfidave në vendin e flamurit më gjashtë yje, të shfaqura jo vetëm tek krijimtaria e shkrimtareve të Kosovës, por siç e vërejmë këtu, edhe në penën e Gojçajt nga Mali i Zi, që është një shkrimtar me një filozofi të qartë kundrejt perfeksionimit intelektual dhe moral të krijimtarisë letrare shqiptare, e cila vlerësohet edhe tejmatanë brigjeve të Atlantikut.

Lulzim Tafa shpreh një pasion të veçantë edhe për vargjet e bukura të shqipes, që fatmirësisht ai i ka perfeksionuar përgjatë dy dekadave me krijimtari intensive letrare, poetike por edhe në fushën e drejtësisë. Në vargjet e poezisë “Poetët”, Tafa shpalos talentin e tij dhe dashurinë për metaforën, epitetet por edhe qëndrimin, modus vivendi, që Shqiptarët historikisht kanë ruajtur kundrejt fesë: “Kur zemërohen zotat/ Lindin poetët./ Në të parën shenjë jete/ Ngrihen kundër zotit të vet./ Protestojnë./ Kur rriten/ Bëhen çapkën/ Shpërndajnë afishe/ Kundër vetvetes/ Si demonstrantët nëpër qytet/ “Fëmija i tepërt i secilës nënë / Bëhet poet”…

Nga fëmija – tek vargjet e mësipërme – i cili ka prirje për t’u bërë poet, Lulzim Tafa me talentin e tij është në gjendje të rrëfehet dhe të “përqafojë” metaforat dhe figurat historike, ndonëse është në botën tjetër, dhe tek poema “Kur të Vdes” shkruan:“Kur të vdes/ Mos qaj e dashur/ Të kam tradhtuar/ Me çupat e planetit tjetër.// Kur të vdes mos qaj motër/ E ngas gjokun e Gjergjit/ Me bajlozë deti…// Kur të vdes mos qaj nënë/ Veç jepu gji/ Këtyre/ Metaforave/ Të pikëlluara/ Si mua dikur”. Me këto fjalë, Lulzim Tafa i jep gjallëri dhe jetë çdo vargu dhe personazhi historik, duke i kërkuar nënës së vet, të lërë mënjanë trishtimin dhe t’u japë “gji” metaforave, ashtu si vetë autorit kur ishte fëmijë. Gjergj Elez Alia është simbol kryesor në legjendën e Kreshnikëve që është në rrafshin ballkanik – madje disa studiues ndonëse janë të huaj dhe shqipfolës, Kreshniket i nxjerrin si figura historike Serbe – si një simbol i fuqishëm që gjen vëmendjen e duhur tek Tafa dhe vepra e tij.

Ndoshta përfshirja e Gjergj Elez Alisë në këtë poezi të trishtë, evokon sërish humbjen tragjike të Gjergjit por edhe sjell ndërmend vajtimet e shumta të motrës së tij, vajtime këto që Lulzim Tafa nuk do i dëshironte në ditën e vdekjes së tij. Me stoicizmin e tij klasik, Lulzim Tafa po krijon një frymë të re në letërsinë e shqiptarëve të Kosovës, një autor i talentuar për t’u admiruar, studiuar dhe marrë si shembull nga shkrimtarët tanë, por edhe tëhuaj. Depërtimi i thellë i metaforave, prania e subjektit historik, dhuna ushtarake serbe në Kosovë, dashuria për vargun dhe “rigjenerimi” i figurave historike janë elemente thelbësore në poezinë e Lulzim Tafës, që përveç përkthimit në gjuhët rumune dhe suedeze, e sheh botimin edhe në gjuhën angleze, sot, kurse nesër edhe në disa gjuhë tjera të Europës.

Jo më kot, Anton Gojçaj e ka cilësuar autorin si “një poet me emocione të thella që shndërrohen në mendime të shprehura, nëpërmjet metaforave rrezatuese që e bëjnë poezinë e tij të jetë më afër traditës letrare shqiptare”.

*asistent i programeve ndërkombëtare pranë sekretarit të përgjithshëm të Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave Inxhinierike të Arsimit