Frank Shkreli/ Një yll i ri i partisë Republikane në SHBA?

506
Sigal

Këtë të martë, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, si çdo vit, mban fjalimin e tij mbi gjendjen e kombit.  Gjatë këtij fjalimi, Presidenti Obama sigurisht që, do të mburret me arritjet e administratës së tij gjatë vitit të kaluar dhe do të përpiqet të jap hollësi dhe të njoftojë popullin amerikan mbi programet dhe iniciativat që ai ka në plan t’ua paraqes ligjvënësve amerikanë për aprovim gjatë këtij viti. Është gjithashtu traditë që partia në opozitë të paraqesë edhe ajo planet dhe programet e saj, të kritikojë politikën e administratës dhe t’i përgjigjet fjalimit të Presidentit. Partia në opozitë, zakonisht cakton një politikan popullor në nivel kombëtar, për  të mbajtur fjalimin dhe për t’ju përgjigjur pretendimeve të Presidentit.

Këtë vit, Partia Republikane në opozitë ka zgjedhur Senatorin e ri republikan nga shteti Florida, zotin Marc Rubio, popullariteti i të cilit duket se është në rritje, jo vetëm në shtetin Florida që ai përfaqëson, por edhe anë e mbanë Amerikës, sidomos pasi ky përqafoi kauzën për zgjidhjen e çështjes së imigracionit ilegal në këtë vend. Gazeta “Washington Post” citon udhëheqësin e republikanëve në Kongres, John Boehner, se senatori Rubio u caktua t’i  përgjigjet fjalimit të Presidentit Obama mbi gjendjen e kombit,  sepse senatori republikan nga Florida, si rrallë ndonjë tjetër,  “është  bartës i parimeve të Partisë Republikane dhe  i vlerave të lirisë, mundësive dhe begatisë  që ajo promovon”.

 Është një fenomen ky i politikës amerikane në përgjithësi që lejon dhe mundëson angazhimin e politikanëve të rinj në jetën politike të vendit dhe në veprimtarinë e politikës brenda partisë të cilës i përkasin.   Kështu ndodhi edhe me Presidentin Barak Obama, i cili pothuajse nuk njihej aspak nga votuesit amerikanë, kur për herë të parë ai iu paraqit amerikanëve me fjalimin që  mbajti me 2004 në Kuvendin e Partisë Demokrate, duke i hapur atij rrugën për zgjedhjen e tij president të Amerikës, katër vjet më vonë.    Edhe Partia Republikane po vendos përballë Presidentit Obama dhe para popullit amerikan Senatorin Marc Rubio, një  ligjvënës të ri me prejardhje kubane duke i dhënë  atij rastin dhe mundësinë për të shpjeguar idetë e tija — dhe të partisë që ai përfaqëson — për zgjidhjen e problemeve me të cilat përballet sot Amerika.   Ai do të flasë në anglisht dhe spanjisht,  që është gjuha e prindërve të tij dhe të cilën ai e flet rrjedhshëm.

Por kush është Senatori Marc Rubio, të cilin revista amerikane Tajms e quan si, ”Shpëtimtarin e Partisë Republikane”, ylli i të cilit duke se po rritet brenda kësaj Partie, dhe të cilin strategu republikan Karl Rove e ka quajtur atë si, ”komunikuesin më të mirë ç’prej Ronald Reganit.”  Udhëheqësi i republikanëve në Senatin amerikan, senatori  Mitch Mçonnell, tha se: “Marc Rubio mishëron optimizmin  që është në zemër të vizionit të Partisë republikane për të ardhmen e Amerikës.  Përvoja e tij si bir imigrantësh e ka bindur atë  mbi përfitimet që vijnë nga kufizimi i kompetencave të qeverisë si edhe në lirinë ekonomike.”

      Z. Marc Rubio, i cili është 41 vjeç,  ka shërbyer në Dhomën e Përfaqësuesve të shtetit Florida nga viti 2000 deri në 2008, dhe është zgjedhur Senator i  Shteteve të Bashkuara nga ky shtet,  në vitin 2010.

 Në biografinë e tij, Senatori Rubio thotë se, besimi i tij në Amerikën u formua herët nga prindërit e tij, të cilët emigruan nga Kuba më 1956 dhe pasi diktatori komunist Fidel Kastro soldifikoi regjimin e tij, ata nuk u lejuan të ktheheshin më në atdheun e tyre. Ishte përvoja dhe kujdesi brenda familjes, thotë ai,  që e ndihmuan të formonte  jetën e tij si person dhe si politikan.  Ai falënderon prindërit e tij për punën e rëndë të tyre për të siguruar që ai dhe vëllezërit e motrat e tij të kishin mundësitë për të shkuar përpara, mundësi të cilat ata nuk i patën kurrë në jetën e tyre. Duke shprehur filozofinë e tij konservatore të qeverisjes, ai shprehet se,  ”ishte angazhimi i Amerikës për një qeveri me kompetenca të kufizuara, si edhe liria ekonomike, që hapën dyert e suksesit për mua” , thotë ai.   Ai shton se, si anëtar i Senatit Amerikan, ai ka përkrahur me krenari ata që kanë hapur vende të reja pune, dhe ka mbështetur prindërit amerikanë, misioni i të cilëve në jetë është që për fëmijët e tyre, të ndërtojnë një Amerikë të fortë e të begatë.   Përsa i përket politikës së  brendshme, ai ndër të tjera është në favor të  balancimit të buxhetit federal dhe për shkurtimin e shpenzimeve të qeverisë federale.

Senatori Marc  Rubio, si bir imigrantësh nga Kuba, dhe si pjesëtar i një grupi senatorësh, të cilët janë duke përpiluar legjislacionin për zgjidhjen e problemit të imigracionit ilegal në këtë vend ka thënë se: ”Shumica e Amerikanëve besojnë se, kemi nevojë për një sistem imigracioni legal që funksionon, pasi ky që kemi tani nuk i përshtatet kushteve të shekullit 21.”   Ai, në të njëjtën kohë, ka marrë pjesë në debatet mbi politikën e jashtme amerikane, duke përmbledhur qëndrimet e tija  duke thënë  se, ”me krenari ka artikuluar qëndrimin e tij në lidhje me interesat e Amerikës për të kundërshtuar tiranët e rrezikshëm,  dhe në mbështetje të luftëtarëve të lirisë”, dhe se ka ngritur zërin e tij në ”përkrahje të demokracisë dhe të të drejtave të njeriut”, anë e mbanë botës.

I vetëdijshëm  për popullaritetin e tij në rritje, Senatori Rubio ka mbajtur një numër fjalimesh në të cilat ai ka prononcuar qëndrimet e tija, duke dhënë hollësi, nga pikëpamja e tij, mbi një numër çështjesh aktuale për Amerikën dhe për  botën.  Ai ka theksuar qëndrimet e tija konservatore mbi politikën e brendshme dhe të jashtme, përfshirë politikën ekonomike dhe financiare, që sipas tij, duhet të krijojë taksapagues të ri dhe jo të imponojë taksa të reja; dhe të merren masa mbarëkombëtare për të siguruar që shekulli 21, të jetë një  “Shekull tjetër Amerikan”.   Senatori Rubio  ka folur mbi rolin që duhet të luaj qeveria në Amerikë dhe mbi rolin që Shtetet e Bashkuara duhet të luajnë në botë.   Ai ka thënë se do të vazhdojë të jetë i angazhuar në politikën e jashtme, pasi shumë njerëz, anë e mbanë botës, “gjithnjë brutalizohen dhe skllavërohen nga qeveritë e tyre”.

E ardhmja politike e senatorit Marc Rubio është bërë tanimë një burim spekulimesh në qarqet politike dhe në median amerikane – dhe caktimi i tij për t’iu përgjigjur fjalimit të Presidentit Obama mbi gjendjen e kombit, vetëm do t’i nxisë edhe më tepër këto spekulime, duke e ngritur edhe më shumë profilin e tij si një kandidat i mundshëm i Partisë Republikane për President në vitin 2016.