Sigal

“Lashtësia Historike e Popullit Shqiptar dhe e Gjuhës Shqipe”,  ishte tema e Simpoziumi i V-të Ndërkombëtar që u mbajt në qytetin e Vlorës nga data 19-20 tetor 2018. Një eveniment i rëndësishëm në fushën e studimeve albanologjike, që Biblioteka Publike “Shevqet Musaraj” Vlorë dhe  Qendra e Studimeve Pellazgjike Tiranë organizuan në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastrioti Skënderbeut.

Ky simpozium u organizua nënë kujdesin e veçantë të Kryetarit të Bashkisë së Vlorës zotit Dritan Leli dhe  kishte si mision të hidhte dritë përmes fakteve të reja, referencave  dhe argumenteve mbi prejardhjen e shqiptarëve dhe gjuhës shqipe nga pellazgët-ilirët, etruskët e deri në ditët tona.

Punimet e Simpoziumit i kanë përshëndetur Kryetari i Bashkisë së Vlorës zoti Dritan Leli dhe Deputetja e Vlorës në Parlamentin Shqiptar zonja Vilma Bello.

Më pas Kryetari i Qendrës së Studimeve Pellazgjike Prof. Dr. Luftulla Peza çeli punimet e Simpoziumit. U mbajtën 27 kumtesa ku studiuesit e ardhur nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Republike Çeke, Greqia, Italia, Gjermania e deri nga SHBA, por edhe përfaqësues nga Ministria e Arsimit të Kosovës, argumentuan me fakte prejardhjen e shqiptarëve nga pellazgët dhe më pas ilirët, duke zbuluar lidhjen e shqiptarëve të sotëm edhe me etruskët etj.

Gjithashtu, simpoziumi  dokumentoi me fakte vjetërsinë e gjuhës së shkruar shqipe, duke shtyrë edhe për disa qindra vjet  kufirin e gjetjes së një dokumenti të shkruar në gjuhën shqipe.

Zbulimi që Dr. Musa Ahmeti bëri në arkivat e Vatikanit në vitin 1998, duke gjetur dorëshkrimin e Teodor Shkodranit të vitit 1210, shtynë kufirin kohor të dokumentit të shkruar të gjuhës shqipe, nga Meshari i Gjon Buzukut i vitit 1555 dhe nga Formula e Pagëzimit e Pal Engjëllit të vitit 1462. Në këtë Simpozium ra në sy mungesa e përfaqësuesve nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Universiteti “Ismail Qemali”, që me sa u kuptua kishin marrë urdhër që ti abandononin punimet e tij. Sidoqoftë, Simpoziumi ia arriti qëllimit me sukses të plotë. Gjatë dy ditëve të  simpoziumit të pranishmit vizituan sallën e hartave të vjetra në Bibliotekën Publike “Shevqet Musaraj”, u ngjitën në Kaninë ku vizituan dhe vendosën një buqetë me lule pranë varrit  ku prehet eruditja Nermin Vlora së bashku me bashkëshortin e saj diplomatin italian Renxo Falaski, si dhe vizituan Parkun Arkeologjik të Orikumit. Të pranishmit morën në dorë revistën shkencore “DODONA” të Qendrës së Studimeve Pellazgjike, ku ishin përmbledhur kumtesat që u mbajtën gjatë punimeve të simpoziumit.

Autoktonus.

Një popull autokton e ka të vështirë të përshkruaj çfarë gjeti mbi tokën ku lindi dhe jeton prej shekujsh. E ka të pamundur të na dëshmoi  kontaktet me popuj të tjerë, të cilët nuk ekzistonin. Pra ky popull i parë ka për detyrë të emërtojë natyrën që pa së pari kur gjuha iu zgjidh dhe ajri u pastrua. Ti thotë tokës TOKË, ti thotë shkëmbit GUR, ti thotë malit MAL, ti thotë pyllit PYLL, ti thotë lumit LUM, ti thotë detit  DET, ti thotë diellit DIELL. Të flas, të këndojë, të punojë, të luftojë me egërsirat. Populli i parë nuk di si ta quajë veten e tij, fisin e tij, gjuhën e tij, por ama di si ta quajë mbretin e tij. Janë fiset e tjerë, popujt e tjerë që vijnë nga rajone të tjera të planetit dhe vendosen fqinjë me popullin e parë dhe e thërrasin me emrin e mbretit të tyre. Madje, duke dëgjuar se si i flisnin popujt e parë që ata gjetën MALIT, GURIT, PYLLIT, LUMIT ashtu nisën ti flasin edhe ata, por në gjuhën e tyre.  Po kështu mund të thuhet edhe për perënditë si Zeusi, Hera, Afërdita, Poseidoni, Hermesi, etj, të cilat gjuha pellazgo-iliro-shqipe i zbërthen pa më të voglën vështirësi. Historia, mitilogjia, perënditë dhe heronjtë shqiptar të agimit të epokës njerëzore, janë përvetësuar nga popujt e tjerë që erdhën nga rajonet e Afrikës dhe Azisë së Madhe, apo edhe nga diku më larg akoma dhe u formuan si entitete. Këta popuj fqinjë i quajtën popujt e parë që gjetën si Pellazgë për shkak se ata banonin së pari rreth pellgut të Mesdheut dhe se mbreti i tyre kështu quhej. Këtu lindi jeta së pari në Europë pas epokës së akullnajave, sipas gjeografëve dhe antropologëve të antikitetit, prandaj pellazgët dhe më pas ilirët e deri te shqiptarë e quajtën këtë det “Mesi i Dheut”. Qendra e botës që sapo kishte lindur dhe po popullohej nga njerëzit. Pra, merita i takon popullit të parë që emërtoi natyrën, por  edhe fqinjëve të tyre shekuj më pas, që emërtuan popujt e parë me emrat Pellazgë, Ilirë, Etruskë, Maqedonë, Epirotë, Alban, etj. Cilat ishin karakteristikat që i dallonin popujt e parë nga popujt që erdhën më pas dhe u bënë gjiton me ta? Natyrisht elementi i parë thelbësor  ishte gjuha. Gjuha me të cilën flisnin dhe komunikonin popujt e parë mes njeri-tjetrit ishte gjuha pellazge e përcjellë te ilirët e deri në ditët tona te shqiptarët. Gjatë shekujve kanë lindur dhe kanë vdekur mijëra gjuhë anë e këndë botës, të cilat morën nga gjuha e parë alfabete dhe fjalë, por nuk i rezistuan dot kohërave dhe vdiqën në kapilarët e tokës. E vetmja gjuhë e vjetër e Europës, ajo që hodhi themelet e latinishtes dhe greqishtes ishte gjuha shqipe që flasim sot me krenari. Por të gjitha këto nuk do të kishin fare rëndësi nëse ne nuk do ta dokumentonim këtë gjuhë. E pra, na duhen tekste të shkruara që dashakeqët e shqiptarëve ardhur pas berihait në Mesdhe, Ballkan dhe Europë, të mos na thoshin dhe të mos na thonë që, gjuha shqipe është një gjuhë e re, sepse nuk ka dokument të shkruar që në kohët e vjetra. Si rrjedhojë edhe populli shqiptar është një popull i ri, çka ngreh dyshime mbi autoktoninë e shqiptarëve në trojet e tyre etnike, por edhe në vendet dhe trojet ku kanë jetuar dhe asimiluar në shekuj. Për të gjitha këto është e domosdoshme të bëhen kërkime dhe gërmime në arkivat e Europës, sepse nuk ka mundësi që shqipja si gjuhë e vjetër dhe gjuhë e parë, të mos jetë dokumentuar në tekste dorëshkrimesh të vjetra, në sarkofagë varresh, në mure ndërtesash historike e kudo ku kanë jetuar pellazgët, ilirët, etruskët, maqedonët dhe epirotët. Ka kohë që bëhen demarshe për të pranuar ose jo që pellazgët janë paraardhësit tanë historik. Madje Akademia jonë e Shkencave nuk e pranon këtë teori, nuk ka fakte thonë, nuk ka vazhdimësi të dokumentuar që pellazgët janë stërgjyshërit e ilirëve dhe shqiptarëve. Historia kërkon fakte, gjuhësia kërkon fakte, arkeologjia kërkon të gjejë fakte. A ka fakte që të na vërtetojnë se shqiptarët rrjedhin nga pellazgët dhe gjuha shqipe rrjedh nga pellazgjishtja? Për këtë do përpiqem të sjellë disa prova dhe fakte duke i argumentuar shkencërisht. Homeri, që njihet gjerësisht edhe si babai i letërsisë antike europiane, por edhe shqiptare na thonë shumë studiues, na ka lenë shumë dëshmi mbi pellazgët në veprat e tij madhore dhe epike “Iliada” dhe Odisea”.

“ O mbret Zeus Dodoneas Pellazgjik. . . . . . . . . . . .

Kujdestari i Dodonës dimërmadhe. . . . . . . . . . . . .”

(Iliada e Homerit, Rap: Varg: 233.234).

Bota shkencore e njeh Dodonën si faltoren e pellazgëve, si vendin më shpirtëror që ka pasur kombi ynë në kohët e lashta, si vendin ku flitej gjuha e bukur shqipe edhe përmes gjetheve të lisin të shenjtë.

Ne nuk gjetën popuj të tjerë para nesh që të shkruanim dhe tregonim për ta. Erdhën të tjerët dhe na gjetën dhe shkruan për ne.

Është detyra jonë të çojmë përpara veprën që na lanë trashëgim dijetarët e brezave.

Xhelozia mes studiuesve, historianëve, arkeologëve, dijetarëve është një sëmundje e rrezikshme, sepse nuk i bënë dëm vetëm individit, por dëmton rëndë shkencën, bllokon të vërtetat dhe i bënë nder pseudostudiuesve të vendeve fqinje.

Duke studiuar librin madhor: “Shqiptarët dhe Problemi Pellazgjik” Tiranë 1964, të studiuesit brilant Spiro N. Konda, u ndala posaçërisht te disa kapituj që hedhin dritë dhe argumentojnë shkencërisht përmes gjuhës lidhjen e pellazgëve të lashtë me shqiptarët e sotëm.

Spiro Konda u përkrah fillimisht kur nxori në dritë veprën e tij madhore, aq sa udhëheqësi komunist e vlerësoi si një kontribut të çmuar në hedhjen dritë të trashëgimisë pellazgo-iliro-shqiptare. Por nuk do të ishte i të njëjtit mendim Profesor Çabej, i cili, ndoshta nga xhelozia apo nga kufiri i kufizuar i diturisë mbi pellazgët, ndikoi negativisht që vepra e Spiro Kondës dhe jehona që ajo pati në qarqet akademike të sfumohej padrejtësisht.

Spiro Konda ishte një studiues ekselent, një njohës i përkryer  me cilësi të jashtëzakonshme. Spiro Konda ishte një filolog helenist, një filolog latinist, një gjuhëtar (glosolog), një indolog dhe gjuhën shqipe e kishte gjuhën amtare dhe e zotëronte shkencërisht. Këto cilësi të nevojshme e kishin bërë Profesor Spiro Kondën të njihte mirë shkrimtarët e vjetër grekë dhe latinë, (poetët, historianët, gjeografët), si dhe historianët bizantinë, të cilët kanë shkruar shumë mbi të gjithë kombet bashkëkohës të tyre, mes të cilëve përfshihet edhe kombi shqiptar.

Po le të ndalemi konkretisht te pikëtakimi midis pellazgëve dhe shqiptarëve përmes gjuhës shqipe që Profesor Spiro Konda analizon në faqen 40, “Krahasimi i fjalëve të tabelës III” të librit të tij  “Shqiptarët dhe Problemi Pellazgjik” Tiranë 1964.

Spiro Konda e nis krahasimin e tij nga fjala pater. “Hesyhu nga Aleksandria në fjalorin e tij thotë: Pellazgët perëndinë e quajnë: Dipatyron. Kjo frazë e Hesyhut, në formën pësore, bëhet kështu: “Prej pellazgëve perëndia quhet Dipatyros. (Di-patur) Nga kjo fjalë po të heqim shtesën greke os-, mbetet dipatyr. Kjo fjalë përbëhet nga fjala Di dhe patyr. Di-ja = de; patyr = pater. Pra Dipatyr = depater = de (është për mua) At.

Kjo depater korespondon me: Pater-de. Pater = per, de = di = Per-di = Peren-di (në shqip). Pellazgët pra, duke e quajtur perëndinë: Dipatyron, është sikur thoshin “Dheu është për mua At” (përpara hyjnëzimit të Dheut). Pas hyjnëzimit thoshin: “At im është i hyjnëzuari dhe. (De).

Fjala Dipatyros është një me fjalën shqipe Perëndi me ndryshimin se në fjalën  Dipatyros vjen përpara Di-ja domethënë Perëndi dhe pas saj fjala pater;  kurse në gjuhën shqipe përpara vihet fjala per-pater dhe pason fjala di (de) domethënë Per-di = Perëndia është ati im.

Kjo frazë De-pater, domethënë Dipatyros që takohet në veprën e Hesyhut prej Aleksandrisë, (që korrespondon me gjuhën shqipe: Zeu Pater, ku emir i Perëndisë vihet përpara, dhe pas fjala pater, që tregon cilësinë e perëndisë. Rrallë përdoret trajta: Pater Zeu, po jo te Homeri. Shëmbull:

“O Zeu pater, mbret i hyjve të Olimpit”   

referuar (Antologjia Lyrica, Laipzig, 1813 f.58 – fragmentium: 26 (2) -)

Kjo dëshmi e Hesyhut nga Aleksandria që thotë se: “Ndër pellazgët perëndia quhej: Dipatyros” ka shumë rëndësi, se korrespondon me trajtën e shqipes së sotme: “Pater-de” dhe kështu vërteton se pellazgët e shqiptarët janë të një race.

Një shembull tjetër që na jep Spiro Konda në veprën e tij: “Shqiptarët dhe Problemi Pellazgjik” fq.21. Citojë: “Le të marrim fjalën: Demeter. Është fjalë e përbërë nga de edhe meter; kjo de dikur shqiptohej si De (Krah. Demosthenes etj.) kurse sot shqiptohet dhe. Pra Dhe-meter=Dhe-mëmë. Pra edhe fjala meter-mater është edhe shqip, mbasi formohet me fjalën shqipe de (dhe). Kjo është prova e parë, se fjala meter është edhe shqip. Prova e dytë është fakti që kjo fjalë ndodhet në gjuhën shqipe në trajtën; motër. Po fjala meter është edhe pellazgjike, se, e lidhur me fjalën shqipe de (dhe) domethënë nënë trajtën: Demetër, pastaj De me ter dhe së fundi Dimitër, shprehte teorinë kozmogonike të pellazgëve të vjetër, sipas së cilës.

“Dheu, mëma e të gjithave, Demeter pasuri-dhënëse”.

(Diod. Sikeliot I, Lib. E parë, 12,4-5).

Plus këtyre fjala Demeter është pellazgjike dhe kjo vërtetohet nga ky citat:

“Kundrejt monumentit të grave ndodhet faltorja e Demetrës e quajtur “Pellazgjidos” nga emri i pellazgut Triopa, që e ndërtoi këtë faltore; jo larg faltores ndodhet varri i pellazgut”

(Pausania, Vol. Primum liber II, 22)

Siç shihet, me këtë fjalë, pra Demeter bëhet takimi i dytë i pellazgëve dhe shqiptarëve, sipas Prof. Spiro Kondës.

Nga Herodoti mësojmë se në Arkadi kishin qenë pellazgë…”Arkades Pellazgë” (Lib.I, Kap.143-148). Siç shihet, Herodoti s’thotë “Arkades dhe Pellazgë” po “Arkades Pellazgë”, domethënë Pellazgë që banojnë në Arkadi. Edhe Pausania thotë gjithashtu se vend-banimi i parë i pellazgëve ishte Arkadia. “Arkadët thonë se Pellazgu erdhi i pari në këtë tokë”. Pellazgët e Arkadisë quheshin gjithashtu “Proselanaioi”, domethënë të lindur më parë se Hëna.

“Njeriun toka e lindi e para, duke sjellë dhuratë të bukur…Pastaj Arkadia Pellazgun “proselanaioi” (lindur më parë se Hëna)

(Antologjia Lyrica, faq. 300-301 Leipziae, MDCCCLC)

Profesor Spiro Konda i lutet lexuesve shkencëtar në librin e tij, “Shqiptarët dhe Problemi Pellazgjik”, që të mbajnë shënime në një fletore të veçantë, që të shënojnë me numër rendor, se, sa herë gjenden fjalë që shpjegohen me anë të shqipes aty do ti gjejë edhe pellazgët; se këtë fenomen – që s’është i rastit – do ta takojmë shumë herë. Dhe takimet – me anë të fjalëve – e shqiptarëve me pellazgët janë prova aq të shumta, sa që e detyrojnë lexuesin të formojë, edhe pa dashje, mendimin e drejtë se, shqiptarët dhe pellazgët janë të një fisi dhe race.

Enciklopedia e Madhe Greke, që në Bibliotekën Publike “Shevqet Musaraj” gjendet në disa volume, na paraqet fakte të shumta në faqet e saj lidhur me pellazgët, ilirët dhe shqiptarët, por shumë pak studiues të sotëm i referohen kësaj enciklopedie, apo librit të Historisë së Greqisë, ndërkohë që Prof. Spiro N. Konda u referohet në çdo kapitull të librit të tij madhor: “Shqiptarët dhe Problemi Pellazgjik” Tiranë 1964.

Ndërkohë, kam qenë shumë dyshues mbi alfabetin me të cilin shkruhet gjuha greke. Kam menduar se ky alfabet duhet të ketë lidhje me gjuhën shqipe, por kur e gjeta një fakt të tillë brenda faqeve të librit; “Pellazgët dhe Problemi Pellazgjik” të Spiro Kondës u befasova. Ja çfarë lexova aty:

“Në gadishullin e Ballkanit, në veri të Greqisë dhe në jug të Malit të Zi, në Shqipëri, u ruajt një gjuhë e veçantë japetike, gjuha shqipe që rrjedh nga ilirishtja. Ndahet në dy dialekte të mëdha: në gegërishten në veri, që shkruhet më shumë me shkronja latine, dhe toskërishten në jugë që shkruhet me shkronja greke”.

(Parime të përgjithëshme të gjuhësisë së krahasuar”  e gjuhëtarëve të dëgjuar Whitney dhe Jolly; të cilën e ka adoptuar në gjuhën greke G. Haxhidaqi, profesor i gjuhësisë në Universitetin e Athinës në vitin 1898).

Shikoni mbishkrimet e shumë kishave në jug të Shqipërisë dhe thoni se cilës gjuhë i përkasin?

Duke e mbyllur këtë punim, unë do të citoja një tjetër fakt kokëfortë që gjendet në volumin e 19 të Enciklopedisë së Madhe Greke, botimi Athinë 1932, ku në faqen 873 të saja flitet për pellazgët.

Ja se çfarë thuhet në këtë faqe:

“Pellazgët janë stërgjyshër të shqiptarëve të lashtë, që banonin në pjesën më të madhe të botës që njihej asokohe. Ata ndërtuan vepra me vlera kolosale që ia lanë trashëgim njerëzimit”.

Çlirim Hoxha