Opera “Bijtë e Skenderbeut, sfida e amatorëve durrsakë

1128
Opera “Bijtë e Skënderbeut” është një nga ngjarjet kulmore të skenës së Teatrit të Durrësit gjatë shekullit të kaluar. Ajo ka hyrë në historinë kulturore të qytetit antik, si përpjekja e parë dhe e vetme në gjininë më të vështirë muzikore, ndërsa suksesi i saj në skenat e vendit ka dëshmuar pjekurinë dhe mundësitë e forcave artistike të Durrësit. Sprova e fillimvitit 1968 vinte pas disa arritjeve në një nivel tjetër muzikor. Përgjatë një dhjetëvjeçari në Pallatin e Kulturës ishin përgatitur një sërë operetash, që nga “Era e lirë” e Dunajevskit dhe më pas krijimet e autorëve vendas, Pjetër Dungu dhe Enver Mara.
Grimci dhe Gjeluci, bashkëpunimi i kompozitorit me poetin
Kompozitori Abdulla Grimci, që ishte bërë i njohur me këngën “Fëmija i parë”, fituese të Festivalit të parë të këngës në radio dhe Matish Gjeluci, autor i disa libreteve për operetat e vëna në Durrës, që në fillim të vitit 1967, morën paralelisht detyrën e bashkëpunimit për të realizuar diçka ndryshe me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. Grimci, i cili nga Tirana ishte transferuar në Durrës si drejtor i shkollës 8-vjeçare të muzikës “Dalip Tabaku” tashmë konsiderohej si një nga forcat më të mira krijuese të qytetit bregdetar, dhe me përvojën e fituar në të njëjtën kategori futej edhe Matish Gjeluci. Ja si e kujtonte Gjeluci këtë periudhë: “Drejtori i pallatit të kulturës, Llazar Ziu, nguli këmbë për bashkëpunimin tonë dhe mua mu desh të merrem të paktën dy muaj me libretin. Mbaj mend vërejtjet dashamirëse të disa kolegëve, por edhe të shkrimtarit Dhimitër Shuteriqi, i cili kur lexoi aktin e parë më tha: Vargjet janë shumë të bukura, por nuk di ç‘të them për dramaturgjinë”. E kuptova që duhet të kujdesesha jo vetëm për tregimin, por edhe për konfliktin brenda veprës-dëshmon Matishi për ngjarjet e 46 vjetëve më parë. Ndërkaq bashkëpunimi me Abdulla Grimcin kishte ecur përpara dhe në mesin e vitit 1967 opera ishte gati. Tani fillonte puna më e vështirë, vënia në skenë. Në kryeqytet kishin nisur përgatitjet për operën “Skënderbeu” me muzikë të Prenk Jakovës dhe libret të Llazar Siliqit. “Ka pasur një rrethanë të veçantë për situatën e Durrësit, kur kompozitori Prenk Jakova u sëmur dhe nuk përfundonte dot orkestracionin e veprës, -kujton libretisti i operës “Bijtë e Skënderbeut”, Matish Gjeluci. Megjithëse kolegët e tij të shquar Tish Daija dhe Çesk Zadeja po punonin për të vijuar orkestracionin, tashmë sytë e organizatorëve të festës kombëtare u kthyen edhe drejt Durrësit.
Interpretuesit, që të gjithë amatorë
Përgjegjësia e autorëve dhe interpretuesve po rritej. “Me këngëtarët solistë ka punuar me shumë pasion këngëtari i shquar lirik Lluk Kaçaj, – kujton prof. Gjeluci. Ai përgatiti edhe Skënderbeun e operës sonë, Napolon Llalla, i cili vinte nga lëvizja amatore. Interpreti tjetër i heroit, Ibrahim Nova, kishte kënduar më parë si bas bariton në Ansamblin e ushtrisë. Po ashtu nga lëvizja amatore vinin edhe Dashamir Gjata, i cili krijoi figurën e komandantit turk, apo Naim Nova e Qemal Golja. Ferial Kamata ishte e njohur si aktore, por jo si këngëtare dhe përjashto Qemal Kërtushën e Sotir Afezollin, të cilët kishin një përvojë të mirë skenike të tjerët ishin artistë diletante-tregon Gjeluci. Interpretimi dinjitoz i solistëve u mbështet edhe nga formacionet e korit si dhe ato të valleve. Gjeluci kujtonte me respekt mjeshtrin Koço Uçi, i cili përgatiti të gjitha koralet e operës, e po ashtu vlerëson ndihmesën e paçmuar të koreografit Ramazan Bogdani, që përgatiti vallet e aktit të dytë, ku dallonin akinxhinjtë të egër e kërcënues përballë luftëtarëve shqiptarë krenarë dhe madhështorë. Enver Plaku i mbështetur nga Jorgjie Truja do të punonte për regjinë e shfaqjes. Mjafton të kujtojmë korin e fëmijëve dhe gjallërinë që i dhanë ata skenës-flet Gjeluci. Krijuesit e operës janë befasuar kur në sallën që përgatitej për provën e përgjithshme kanë gjetur dhjetëra spektatorë, miq dhe të afërm të interpretuesve. Opera ishte kthyer në një ngjarje të rëndësishme për qytetin dhe suksesi i saj do të sigurohej pa mbërritur ende në shfaqjen zyrtare të premierës, më 16 janar 1968. “Thuajse çdo arie apo korale mbyllej me duartrokitjet e të pranishmëve, madje edhe akti i parë nisi me të njëjtin entuziazëm-shprehet Gjeluci. Skenografia e mjeshtrit Hysen Devollit, të cilin e kishin sjellë në kantierin detar të Durrësit, siç thuhej atëherë me qarkullim, pas një periudhe të gjatë pune në Teatrin e Operas dhe Baletit, skenografia e përgatitur prej tij ishte e mrekullueshme, veçanërisht në aktin e dytë. Uvertura do të fashiste edhe shqetësimin e kompozitorit Grimci për dirigjentin Ermir Dizdari, ende student në Institutin e Lartë të Arteve, por që debutoi me sukses plotësisht të merituar. “Unë thosha me humor se Ermiri, ky djalë trupvogël e plotësonte dyshen e Grimcit (grimca) e Gjelucit (gjel i vogël)”, bënte shaka Matishi, duke nënvizuar: “Ka qenë një ndërmarrje shumë e vështirë për një ansambël amator, në të cilin u përfshinë më shumë se 100 pjesëmarrës”. Mendoni, – dëshmonte Gjeluci, që drejtor administrativ i operës u caktua drejtori i fabrikës së cigareve dhe ai përkujdesej jo vetëm për pjesëmarrjen, por edhe për shëndetin e artistëve amatorë.
Suksesi i merituar
Opera “Bijtë e Skënderbeut” pati një jehonë të madhe jo vetëm në Durrës. “Besoj se për këtë ka ndikuar muzika e thjeshtë, me motive shqiptare dhe mjaft profesionale që kishte kompozuar Abdullai, -nënvizon prof. Gjeluci. Shfaqja udhëtoi në disa nga qytetet kryesore të vendit dhe kudo qëndrimi zgjatej me disa ditë për shkak të interesimit të spektatorëve. Jo vetëm në Shkodër e Korçë, Elbasan e Durrës, por edhe në Tiranë pritja e publikut ka qenë shumë e ngrohtë-kujton Gjeluci, sipas të cilit në kryeqytet opera e Durrësit është shfaqur të paktën 8 mbrëmje radhazi. Brenda një viti kemi arritur numrin e 98 shfaqjeve, thotë prof. Matishi. “Bijtë e Skënderbeut” ishte tregues i pjekurisë së forcave artistike të qytetit dhe dëshmonte nivelin e lartë të këngëtarëve të tij. Veçse, pas kësaj nuk pat asnjë tentativë për të riprovuar, qoftë edhe një operetë tjetër. Ndoshta, sepse ishte një gjini më e kushtueshme nga pikëpamja financiare apo se forcat artistike ishin kryesisht amatore.
Gëzim KABASHI

Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 15.01.2016
Sigal