Neki Sula, nderim njeriut që la pas një emër të mirë

1033
Asllan DUÇELLARI

Me rastin e 100–vjetorit të lindjes
U lind në Zaloshnje të Skraparit më 15 maj të vitit 1917, në një familje me tradita dhe angazhim të hershëm atdhetar, gjë që ndikoi shumë në formimin e mëvonshëm politik të Nekiut. Që fare i ri përqafoi idetë më progresiste të kohës, të cilat më vonë e shoqëruan gjatë jetës, duke krijuar tek ai profilin e një luftëtari të paepur e të palodhur, që gjithmonë mbajti krahun më përparimtar që i shërbente zhvillimit të vendit. Formimin kulturor, siç ishte në atë kohë, megjithëse me mungesë shkollash, ai me përpjekje maksimale e mori përmes vështirësish, herë në shkollë e herë në mënyrë autodidakte. Në vitin 1923 në Vërzhezhë të Skraparit ngrihet shkolla unike, e cila kishte edhe internat (konvikt) dhe ku dihet se në të kanë qenë nxënës Mehmet Shehu, Kahreman Ylli, Neshat Hysi e shumë djem të tjerë skraparllinj, që u shquan në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe një pjesë e tyre ranë edhe dëshmorë në këtë luftë. Për fatin e tij, Nekiu kishte në Vërzhezhë një hallo, ku ai ndenji deri në përfundimi të shkollës unike. Pasi kthehet në Zaloshnje, Mahmut Zaloshnja, beu i fshatit, patriot dhe antizogist me kontributin dhe autoritetin e tij dërgoi në shkollën e mesme bujqësore të Kavajës, që ishte ngritur në atë kohë, disa djem nga fshati, midis tyre edhe Neki Sulën. Pasi mbaroi në vitin 1935, kthehet në vendlindje, ku ishte ndezur atmosfera kundër Zogut dhe Riza Cerova ishte vënë në krye të një lëvizjeje, e cila dështoi me atë që u quajt Kryengritja e Fierit e vitit 1935. Riza Cerova pas kësaj gjatë arratisjes kalon në fshatin Zaloshnje, ku takohet me fshatarët. Pas dy ditësh, ai u vra nga xhandarët e Zogut në Marjan të Pogradecit. Lajmi i vrasjes së Riza Cerovës pikëlloi forcat përparimtare në të gjithë Shqipërinë, aq më tepër ato të Skraparit që e kishin në krye, dhe aq më tepër akoma fshatarët e Zaloshnjes që e kishin parë e kishin biseduar me të në çastet e fundit të jetës. Natyrisht vrasja e Riza Cerovës, veç pikëllimit, shërbeu edhe për edukimin dhe mobilizimin e rinisë kundër regjimit dhe pushtimit fashist. Nekiu e filloi veprimtarinë si luftëtar antifashist me një akt domethënës, atë të dezertimit nga radhët e ushtrisë italiane ku e kishin çuar me mobilizimin e detyrueshëm. Pasi qëndroi një vit në ilegalitet, i detyruar, pasi fashistët kishin persekutuar rëndë familjen, duke i burgosur dhe kanosur se do t’i internonin, kthehet dhe dorëzohet në zyrat e mobilizimit ushtarak, të cilat, çuditërisht, nuk e dënuan, por e mobilizuan si ushtar rezervist të gatshëm për në frontin e Luftës Italo-Greke. Pas katër muajsh në Berat me detyrim paraqitjeje, pak para fillimit të Luftës Italo- Greke, bashkë me disa shokë arratiset. Që këtu e më pas, ai hidhet me lëvizjen e madhe që kishte filluar në një nga çetat bijë të Çetës Plakë të Skraparit, që u formua më 14 mars të vitit 1942 në Kulmak me komandant Mestan Ujanikun dhe komisar politik Gjin Markun. Pas takimeve të shpeshta me Ramiz Aranitasin dhe Gjin Markun, më maj të vitit 1942 formon organizatën Antifashiste të Rinisë të Zaloshnjes dhe më pas duke bashkëpunuar me Ajet Xhindolen, sekretarin e Rinisë Antifashiste të Qarkut të Beratit dhe bashkë me shokë të tjerë, si Mojsi, Shkëlqim, Përpari dhe Cane Zaloshnjen, formojnë organizata rinie antifashiste pothuajse në çdo fshat të Tomorricës. Neki Sula ka qenë një ndër aktivistë kryesorë të Rinisë Antifashiste Nacionalçlirimtare që ndihmoi dhe përgatiti terrenin për organizimin e Konferencës së Kombëtare të Rinisë Antifashiste që u mblodh në shtëpinë e patriotëve Mahmut dhe Hysen Zaloshnjes, konferencë, ku merrte pjesë dhe drejtoi punimet Nexhmije Hoxha dhe që përgatiti terrenin për ta kthyer organizatën e rinisë nga Rinia Antifashiste Shqiptare në Rininë Komuniste Shqiptare. Gjatë gjithë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare Neki Sula veproi në zonën e Tomorricës, për organizimin e saj në këtë zonë, por edhe duke marrë pjesë aktivisht në batalionin partizan territorial deri në çlirimin plotë të vendit. Gjatë këtyre viteve ka marrë pjesë në shumë aksione e beteja, si në çarmatosjen e milicëve të Xhaf Balit në Mëlovë në gusht të vitit 1942, në aksionin për çlirimin e Çorovodës më 5 shtator 1942 si dhe në ndihmë të të gjitha betejave që u zhvilluan në Tomorricë, në Kulmak, në Gurin e Prerë, në Qafën e Gjarprit, në Qafën e Beçit etj. Më 24 tetor 1944 pranohet anëtar i Partisë Komuniste Shqiptare, që më vonë mori emrin Partia e Punës së Shqipërisë. Krahas kësaj ai ka kontribuar fuqishëm në zonë për ngritjen dhe funksionimin e Këshillave Antifashist Nacionalçlirimtar në fshatrat Gradec, Shpatanj, Trebël, Dunckë, Rromas, Tërrovë e gjetkë. Veçse vetë Nekiut, në Luftë mori pjesë edhe i vëllai i tij, Xhevahiri, fillimisht në çetat e zonës e më pas në Brigadën e 7-të Sulmuese. Në betejën e Qafës së Skozës kundër nazistëve gjermanë, Xhevahiri plagoset rëndë dhe vdes nga plagët në spitalin partizan të Çepanit. Sot ai është Dëshmor i Atdheut dhe prehet në Varrezat e Dëshmorëve të Çorovodës. Pas çlirimit, ishte e natyrshme që një njeri i tillë aktiv, me shpirt luftarak, nuk mund të rrinte i qetë. Ashtu si në Luftë, edhe tani në ditët e para të Çlirimit, ai u vu në ballë të punës dhe aksioneve që u ndërmorën për rindërtimin e vendit. Ai ishte mbështetje dhe propagandist i zjarrtë i masave që mori pushteti i ri popullor për të vënë në jetë reformat e shtetit të ri të dalë pas një prapambetje shekullore dhe pas një lufte të tmerrshme vëllavrasëse. Ku nuk e gjeje Nekiun, si punëtor të palodhur partie, si aktivist të zellshëm, si shok të sinqertë e të dashur, si familjar shembullor. Në pushtetin e ri, fillimisht u emërua shef bujqësie e finance, ndërsa më vonë me detyrën Sekretarit të Dytë të Komitetit të Partisë të Rrethit të Skraparit. Në vitin 1957 i del bursa për në shkollën e lartë, Akademinë “Lenin”, në Bashkimin Sovjetik, për filozofi. Pas kthimit nga Moska në vitet 1960-1965 emërohet sekretar i Parë i Komitetit të Partisë të Rrethit të Skraparit, detyrë që e krehu me përkushtim të madh dhe me besnikëri ndaj vijës politike që ishte atëherë. Për shumë vite si sekretar i Parë, por edhe si një komunist i thjeshtë, ai është zgjedhur në forumet më të lartat drejtuese të rrethit. Pa e ndërprerë karrierën, punoi si kryetar i Këshillit të qytetit të Çorovodës. Me daljen në pension, ai u zgjodh kryetar i Komitetit të Veteranëve të LANÇ të Skraparit, detyrë që e kreu përkushtim dhe ndershmëri për të ruajtur dhe evidentuar vlerat e Luftës Nacionalçlirimtare dhe kujtimin e gjakun e Dëshmorëve të Atdheut. Neki Sula, ky kuadër i shquar dhe i njohur në Skrapar dhe më gjerë, u nda nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë më 3 shtator të vitit 1978. Për meritat në Luftë dhe në ndërtimin e vendit, Nekiu është nderur me shumë urdhra dhe medalje nderi. Ai mban gjithashtu titulli “Nderi i Tomorricës”, akorduar nga Këshilli i Komunës së Gjerbësit, Skrapar. Eshtrat e tij prehen në një parcelë të veçantë në varrezat e qytetit të Çorovodës, bashkë me figura të tjera patriotike. Si në jetën politike, shoqërore edhe në atë familjare, Neki Sula ka qenë një njeri i veçantë, i përkushtuar ndaj familjes. Fryt të jetës bashkëshortore me Gjyrxhinë nga fisi i Buzalëve të Potomit, e cila në këtë 100-vjetor të Nekiut, krahas kujtimeve për bashkëshortin, u gëzohet nipave dhe stërnipave të saj. Nekiu dhe Gjyrxhia rritën pesë fëmijë: katër vajza, Safeten, Myfareten, Florën dhe Lorencën, si dhe një djalë, Fatosin, të cilët, nën shembullin e prindërve të tyre korrekt e të rregullt në çdo gjë, janë të nderuar e respektuar kudo që jetojnë dhe punojnë.
Sigal