Naxhi Kasoruho: Kontributi 60- vjeçar i Orkestrës Simfonike të RTSH-së

833
Sigal

Kontribut i jashtëzakonshëm në artin muzikor

Nga: Naxhi Kasoruho, “Mjeshtër i Madh

Më 15 maj të vitit 1962, 40 instrumentistë të rinj dhe të talentuar do të formonin Orkestrën Simfonike të Radiotelevizionit Shqiptar. Do të bënin pjesë në këtë formacion muzikor simfonik instrumentistë të  talentuar, që ishin kthyer nga jashtë shtetit pa i përfunduar studimet në konservatorët e kryeqyteteve në shtetet e Europës Lindore, si rezultat i prishjes së marrëdhënieve diplomatike në kampin socialist.

Kishte në këtë ditë themelimi orkestrues edhe instrumentistë, që sapo kishin filluar studimet në Konservatorin Shtetëror të Tiranës, që ishte hapur në 15 janar të atij viti. Gjithashtu do të bënin pjesë edhe instrumentistë, që punonin në institucione të artit në Tiranë.

Unë kam patur fatin që të isha pjestar i orkestrës qysh në ditën e parë të krijimit, prandaj e kujtoj me nostalgji dhe vlerësim të lartë këtë kolektiv artistic, që kontribuoi fuqishëm në zhvillimin e artit muzikor. Orkestra do t’i fillonte provat nën drejtimin e Maestro Mustafa Krantjes, që në atë kohë ishte kryedirigjent i Teatrit të Operas dhe Baletit.

60 vjet më parë në një sallë të vogël, që mezi i nxinte të 40 instrumentistët e orkestrës që ndodhej aty te godina e Radio- Tiranës tek rruga e “Kavajës” do të ishte ambienti i punës ku do të dëgjoheshin tingujt e parë të saj duke nisur kështu një rrugëtim të gjatë në 6 dekada deri më sot shumë të sukseshëm e të jashtëzakonshëm me kontribute të larta në zhvillimin e artit tonë kombëtar.

Në 25 gusht të vitit 1962 Orkestra Simfonike e Radiotelevizionit dha koncertin premierë të promovimit të saj në sallën e shfaqjeve të Teatrit të Operas dhe Baletit sot Universiteti i Arteve. Ishte një mbrëmje mbresëlënëse, emocionuese dhe e bukur për të gjithë orkestrantët dhe publikun artdashës që kishte mbushur sallën e shfaqjeve. Ky formacion simfonik i krijuar disa muaj më parë u ngjit në skenë nën  baketën e mjeshtrit Mustafa Krantja “Artist i Popullit”.

Pa dashur të bëj apelin e orkestrës në ditën e parë të fillimit të saj do të përmend ata instrumentistë siç më kujtohen tani të ndarë sipas instrumentistëve, që luanin dhe t’i përshëndes të gjithë, që ishin në ditën e parë më 15 maj 1962.

Orkestra Simfonike e RTSH-së.

Flaut- Gjovalin Shestani, Vladimir Leli. Oboe- Viktor Shiroka, Hasan Osmani. Klarinetë Naxhi Kasoruho, Remzi File. Fagot – Platon Mezini, Mentor Tela. Trombë- Prokop Nishku, Beniamin  Kureta, Alajdin Topçiu. Korno- Kristo Kote, Kristofor Qorri, Sotir. Trobon – Haki Katroshi, Mustafa Mumajezi, Ismail Troplini. Violina- Cin Simoni – spala e orkestrës, Didi Tartari, Leonora Driza, Proletare Ibrahimi, Kimete Berisha, Natasha Spiro. Violë – Gjergj Pekmezi, Zydi Fortuzi, Petrit Dervishi, Lushi Simoni. Violonçel – Piro Xhaini, Dejanira Krasta, Edi Strakosha. C/Basso- Mehdi Prodani, Ferdinand Nini.

Kompozitori i mirënjohur Abdullah Grimci, shefi i muzikës në Radio- Tirana do të ishte Udhëheqësi Artistik i parë i kësaj orkestre, që organizoi me pasion, përkushtim dhe profesionalizëm koncertin e parë si premierë më 25 gusht 1962 duke përgatitur rrugën e suksesshme të një orkestre simfonike që kishte filluar rrugën e suksesit.

Do të ishin të shumtë dirigjentët që do ta drejtonin këtë orkestër gjatë këtyre 6 dekadave që nisin me Mjeshtrin e Madh Maestro Mustafa Krantja dhe që vazhdoi me dirigjentët: Simon Gjoni, Ferdinand Deda, Emir Krantja, Eno Koço, Jetmir Barbullushi, Gridi Kraja etj, të cilët i dhanë emër këtij formacioni simfonik në interpretimin me nivel të lartë artistik nga veprat e shumta të kompozitorëve tanë të njohur si dhe  partiturat më prestigjoze të kompozitorëve më të mëdhenj të muzikës klasike botërore.

Ndër këta dirigjentë të mirënjohur mjeshtri i madh Ferdinand Deda do ta drejtonte këtë orkestër për 40 vjet rresht me pasion, përkushtim, dashuri dhe profesionalizëm të lartë duke u kthyer në simbol të Orkestrës Simfonike të RTSH-së institucioni më prestigjoz në muzikën tonë kombëtare.

Kur përmendet emri i orkestrës mendja të shkon menjëherë te Maestro Ferdinand Deda që qëndron përballë si personalitet emblematik dhe vlerë e patjetërsueshme e kulturës tonë. Kjo orkestër në përbërje të së cilës në këto 6 dekada ka patur si pjestarë instrumentistët më të talentuar të kohës ka zhvilluar një aktivitet artistik të jashtëzakonshëm duke interpretuar me qindra vepra vokale e simfonike në të gjitha gjinitë e muzikës si të autorëve tanë dhe atyre klasikë botërorë në nivelet më të larta artistike.

Nëse do t’i rendisja këtu të gjitha veprat, që ka interpretuar kjo orkestër dhe autorët e tyre në këto 60 vjet do të bëhej një listë shumë e gjatë ku do të përfshinte mbi 1.500 këngë të prezantuara në 60 Festivalet e Këngës nga viti 1962 deri më sot. Me qindra këngë në Anketat Muzikore dhe Dekadat e Majit, dhjetra koncerte sifonike në salla të ndryshme në Tiranë dhe qytete të tjera deri në turne jashtë shtetit. Incizimin e muzikës të të gjithë filmave të prodhuar nga Kinostudio “Shqipëria e Re”.

Vlera e kësaj orkestre në muzikën shqiptare është dimensionale mbasi ka promovuar gjithë krijimtarinë simfonike të autorëve tanë duke i interpretuar veprat e tyre në koncerte të ndryshme ku publiku i gjërë i ka ndjekur me interes dhe emocion duke i vlerësuar ato si kontribut në formimin e muzikës tonë kombëtare.

Përveç koncerteve në publik orkestra ka incizuar në mijëra metra në celuloid gjithë krijimtarinë muzikore të autorëve tanë duke e memorizuar atë që në vazhdimësi që Radio Televizioni Shqiptar do të  transmetonte duke i bërë prezent për publikun e gjërë artdashës. Për të shprehur vlerësimet, mirënjohjen dhe gjithë aktivitetin artistik të Orkestrës Simfonike të RTSH nuk përfshihet dot në një shkrim si ky madje as në një libër voluminoz e me shumë volume mbasi 60 vitet e aktivitetit të saj janë të jashtëzakonshëm dhe vlerë dhe aset në kulturën tonë.

Viti 1962 është vit historik në zhvillimin muzikor të vendit tonë. Më 15 janar u hap Konservatori Shtetëror i Tiranës, më 15 maj u krijua Orkestra Simfonike e RTSH, më 25 gusht u dha koncerti premierë i orkestrës dhe më 22 dhjetor filloi rrugëtimi i Festivalit të Këngës në RTSH.

Këto data dhe ky vit ka hyrë në trashëgiminë kulturore të vendit tonë si pikënisje e një rrugëtimi që ka nisur 6 dekada më parë dhe do të vazhdojë si  traditë pozitive duke kontribuar në zhvillimin e artit tonë muzikor. Sa herë që do t’i referohemi Orkestra Simfonike e RTSh-së, Festivalit të Këngës, Konservatorit Shtetëror të Tiranës do të kujtojmë dhe përmendim vitin 1962 si një traditë e jahtëzakonshme që i bën nder kulturës tonë kombëtare.

Në këtë 60 vjetor të Orkestrës Simfonike të RTSH-së të gjithë urojmë nga zemra: “Gëzuar 60 vjetorin , mirënjohje dhe konsideratë të lartë në lartësimin e muzikës tonë kombëtare”.

Faleminderit.