Naske Afezolli: Kontributi im si ideatori, themeluesi dhe nxitësi kryesor i projektit TAP

893
Sigal

Intervistë me z. Naske Afezolli, shqiptari që mundësoi projektin TAP: Ky projekt do shndërrohet në dy vjet në një realitet shumë premtues

Shumë pak vetë janë në dijeni të faktit që shqiptari z. Naske Afezolli, si një nga drejtuesit kryesorë të kompanisë zvicerane EGL nga viti 1995 (aksioneri kryesor i TAP), ka dhënë ndihmesën e tij të paçmuar në realizimin e këtij projekti gjigand, me përfitues kryesor Shqipërinë, por dhe rajonin (përfshirë dhe Kosovën). Megjithë vështirësitë dhe pengesat nga projektet paralele si dhe nga fqinjët “xheloze”, z. Afezolli ka deklaruar se ka punuar pa reshtur për 10 vitet e fundit për ta çuar përpara këtë projekt. Me krenari ai e sheh projektin e tij të realizuar me sukses, duke i hapur rrugë një epoke të re në tregun shqiptar të energjisë. Në një interviste për Portalin e Energjisë, z. Afezolli ka folur për kontributin e tij si ideatori, themeluesi dhe nxitësi kryesor i projektit TAP. Z. Afezolli është vlerësuar në 100- vjetorin e Pavarësisë nga Portali i Energjisë me çmimin “Energy Man 2012”, me motivacionin “Për kontributin e shquar në përfshirjen e Shqipërisë në projektin TAP si dhe rritjen e transparencës në tregun energjetik shqiptar dhe atë rajonal”.

 1. Ju jeni shqiptari që keni mundësuar suksesin e projektit TAP. Si ndiheni tani që ëndrra u bë realitet?

Në radhë të parë jam shumë i lumtur që ëndrra ime dhe përpjekjet e pareshtura 10 -vjeçare që ta rreshtonim Shqipërinë në një nga korridoret strategjike të gazit natyror që lidh Europën me burimet e reja të gazit në Detin Kaspik e shumë më gjerë u aprovua përfundimisht e më sukses të plotë nga investitorë të rëndësishëm në fushën e prodhimit të gazit dhe nga faktorët ndërkombëtare në rrethana mjaft komplekse dhe në kushtet e një konkurrence të jashtëzakonshme për t’u përfshirë në një korridor të tillë. Projekti TAP e pozicionon Shqipërinë të barabartë me fqinjët e saj dhe vendet e tjera europiane sikurse e meriton për pozicionin e saj gjeo-strategjik si edhe për kontributin që populli jone vital i ka dhënë qytetërimit europian e botëror në mijëra vjeçarët e kaluar e që do të vazhdojë t’i japë në të ardhmen. Ky projekt do shndërrohet në dy vjet në një realitet shumë premtues për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të vendit e të gjithë rajonit të Europës Juglindore dhe sigurimin e stabilitetit politik afatgjatë. Duhet theksuar se shpenzimet fillestare për alternativat e reja do të ishin të konsiderueshme dhjetëra deri më shumë se njëqind milionë Euro dhe në rastin e mosaprovimit të variantit final të zgjedhur do të përballoheshim me humbjen e gjithë investimeve të kryera. Ky rrezik na ka shoqëruar gjatë gjithë këtyre 10 viteve deri në ditën që TAP u shpall fitues.  Për mua shqiptarin e lindur dhe rritur në Shqipëri dhe që e kishte lënë vendin e tij ky ishte shansi i madh që mund t’i vinte Shqipërisë një herë në shekull. Lindi shpresa që Shqipëria Europiane e meritonte prej shekujsh, të integrohej sa më shpejt “de fakto” ekonomikisht dhe politikisht në Europë nëpërmjet një korridori energjetik. Përfshirja në Korridorin Jugor Europian të Gazit Natyror do të ishte licenca energjetike “de fakto” e një Shqipërie më të ardhme të garantuar Europiane sepse korridoret madhore strategjike të gazit konceptohet të kalojnë në vende me stabilitet të garantuar politik. Pritej dhe ndodhi shumë shpejt që ky aspekt të trajtohej edhe si Thembra a Akilit nga projektet konkurruese ose nga forca të caktuara që nuk iu intereson një Shqipëri Europiane dhe e stabilizuar. Dhe me të vërtetë në shumë konferenca e takime përballë apo në prapaskena u ndesha shpesh me argumentin e stabilitetit të Shqipërisë. Të gjitha këtyre argumenteve në mënyrë konstante iu vija përballë rolin stabilizues që prej shekujsh faktori shqiptar ka luajtur në Ballkan e Europë si një nga popujt me të vjetër dhe më shumë dinjitet. Argumentoja në shumë prezantime me krahasimin e TAP me një “Egnatia” të gazit natyror. Edhe fakti që Shqipëria u anëtarësua në NATO na ka ndihmuar jo pak në të gjitha forumet e konferencat, ku kam prezantuar projektin TAP për dhjetë vjet rresht nga viti 2002 deri në 2012. Duhet theksuar se në studimet e para-fizibilitetit janë analizuar tre rrugë kryesore e një nga ato e përjashtonte Shqipërinë. Por edhe dy projekte te tjera rajonale konkurronin për të njëjtat burime të gazit natyror dhe nuk e përfshinin Shqipërinë. Kompanitë dhe vendet që zhvillonin ato projekte ishin shumë të fuqishme dhe jo rrallë herë jam ndeshur me argumentet e tyre se perse Korridori Jugor i Europës i Gazit Natyror duhet të anashkalonte Shqipërinë. Argumentet tona themelore në të gjitha forumet e gazit, ku e kam prezantuar projektin në emër të EGL kanë qenë dy. Së pari, ana ekonomike sepse kalimi nga Shqipëria ishte projekti me koston më të ulët dhe së dyti, ndikimi që TAP do t’i sillte Shqipërisë dhe mbarë rajonit të Europës Juglindore që ende deri me sot është plotësisht i varur vetëm nga një burim furnizimi e për më tepër disa vende, si Shqipëria, Mali i Zi dhe Kosova nuk kanë asnjë akses në import. Gërshetimi i argumenteve e shndërronte TAP në një projekt unik e të pakrahasueshëm me asnjë tjetër. Kjo sepse TAP nuk është vetëm një projekt për Europën Perëndimore, por një projekt që do të sillte një zhvillim rajonal të paparë përfshirë dhe Shqipërinë dhe gjashtë vendet fqinje që nuk janë ende anëtare të Bashkimit Europian, por që aspirojnë të gjitha të jenë. Këto argumente të rëndësishëm strategjike na shoqëruan dhe ndihmuan pa masë në 10 vitet e përpjekjeve të vazhdueshme, duke filluar nga 2003 dhe 2004, kur edhe e kam prezantuar dy herë projektin në Bankën Botërore dhe USAID në Washington DC, por edhe i ftuar në dhjetëra konferenca, forume, ambasada, etj.. Më kujtohet kur u pyeta në vitin 2004nga drejtori i ECA në Bankën Botërore, Peter Thompson se ç’më shtyu t’i drejtohem Bankës Botërore për të prezantuar projektin TAP sepse ky projekt do të sjellë gaz natyror në Itali dhe Europën Perëndimore nga burimet e reja, përgjigja ime ishte se së pari, ky projekt është i vetmi projekt i korridorit Juglindor që në dallim nga të gjithë të tjerët kalon në Shqipëri (që është anëtare e Komunitetit të Energjisë të Europës Juglindore (EnC)); së dyti, është projekti me koston më të ulët, sepse kalimi nga Shqipëria është më pak i kushtueshmi (pra kursehen disa qindra milionë Euro); së treti, nuk do të duhen kosto shtesë (përsëri kursehen disa qindra milionë Euro) për të sjellë gaz natyror nga burimet e reja të gazit në Shqipëri dhe rajon, sepse TAP në të dy fazat e tij e kryen atë automatikisht pa kosto shtesë për investime në gazsjellës shtesë. E para Marrëveshje Mirëkuptimi u nënshkrua në 26 Maj të Vitit 2004 me Shqipërinë. E kujtoj me emocion  të veçantë dhe jam shumë krenar që ajo marrëveshje e parë me Shqipërinë ka firmën time personale. Megjithatë sot dëshiroj të përmend në këtë pikë edhe historinë e vezës së Kolombit. Në fillim vjen ideja dhe me pas vijnë realizimet e idesë. Shumë projekte janë diskutuar në 20 vitet e fundit që nga rënia e sistemit të centralizuar në 1991, shumë prej tyre janë realizuar dhe shumë mbeten vetëm në letër, por asnjëherë nuk duhen harruar dhe më keq akoma sulmuar pionierët dhe ideatorët idealistë, ata që u përpoqën për vite rresht e që morën rrezikun e u përplasën që në fillim me kundërshtarët e projektit. Mos iu duket e çuditshme, por shpesh më therte në zemër, kur përmendeshin mungesa e stabilitetit dhe e rreziqeve politike që Shqipëria paraqiste. Meditoja shpesh se si do të kishte vepruar një “Isa Boletin” inxhinier në ditët e sotme po të kishte qenë në vendin tim i pajisur me të gjitha mjetet e moderne, por përsëri shumë i ndjeshëm dhe gjaknxehtë ndaj armiqve të atdheut tonë. Kishte edhe ndonjë rast ekstreme ne disa konferenca kur hiqej nga harta e projekteve të mundshme TAP. Një herë u justifikua se ishte përdorur një hartë vjetër. Por unë asnjëherë nuk i humba shpresat dhe në disa raste edhe vjet i kam kritikuar haptas veprime të tilla në Forumet Europiane. Gjithmonë kam besuar që në shqiptarët kemi vetëm një Zot, atë të shqiptareve dhe atëherë, kur kemi bërë gjithçka dhe bindet që në e meritojmë na ndihmon. Dikush do të më pyeste, kush është ky zot i Shqiptareve dhe përgjigja ime do të ishte “SHQIPTARIA”.

Ndihma e padiskutueshme amerikane

Më kujtohet ku i prezantova projektin TAP për herë të tretë administratës amerikane (këtë radhë me iniciativën time personale dhe me ndihmën e miqve amerikanë simpatizantë të Shqipërisë) të dërguarit të posaçëm të Presidentit amerikan për Euro Azinë, Ambasadorit Richard Morningstar në mes të nëntorit 2009. Ai u entuziazmua dhe ftoi në prezencën time dy drejtuesit e kompanive të mëdha Europiane me seli në kryeqytetin amerikan për të diskutuar projektin TAP. Unë e mbylla prezantimin me argumentin që TAP dhe IAP bashkojnë edhe dy antarët e fundit të NATO’s Shqipërinë dhe Kroacinë. Ambasadori më pyeti për origjinën time. I thashë thjesht jam me origjinë shqiptare dhe me dy nënshtetësi. Përsëri më pyeti mos je kosovar sepse kam njohur disa dhe më duken burra trima. Jemi njëlloj iu përgjigja.

 2. Cilat mendoni se ishin avantazhet kryesore për zgjedhjen e TAP vs. Nabuço?

Së pari duhet theksuar se zgjedhja e TAP nga Konsorciumi i Shah Denizit konfirmoi që projekti TAP është gazsjellësi më i avancuar nga pikëpamja ekonomike dhe teknike për transportin e gazit natyror të Shah Deniz ne Europe. Mbështetja në të kaluarën dhe vazhdimi i mbështetjes nga ana e Komisionit Europian dhe qeverive të ndryshme të Europës thekson rëndësinë e veçantë të TAP në axhendën Europiane të energjisë. Nuk duhet harruar që në fund të fundit, pavarësisht nga avantazhet gjeopolitke të TAP investitorët e Shah Deniz janë të interesuar në radhë të parë të kenë garanci që do të mbulojnë koston e investimit dhe të arrijnë një fitim që justifikon investimin. Si rezultat tregjet ku do të shitet gazi natyror që do të transmetohet nga TAP dhe çmimet e negociuara deri në marrjen e vendimit kanë luajtur gjithashtu një rol shumë të madh. Është e kuptueshme që projekti me koston më të ulët është kompromisi themelor në kënaqjen e prodhuesve dhe blerësve paralelisht sepse projektet me kosto më të lartë nuk mund të konkurrojnë ato me kosto më të ulët. Në këtë rast na ndihmoi përsëri edhe pozicioni i Shqipërisë.

Vendimi final konfirmon avantazhet e projektit

 3. Cilat janë përfitimet kryesore për Shqipërinë nga realizimi i TAP-it?

TAP do të jetë një nga burimet më të mëdha të investimeve të huaja të drejtpërdrejta në Shqipëri që mund të arrijnë në 1 deri edhe në 1.5 miliardë Euro. TAP do të jetë një nga burimet madhore të gjenerimit të të ardhurave në vend. Gjatë ndërtimit TAP do të stimulojë punësim në industritë që lidhen drejtpërdrejtë ose tërthorazi me projektin, përfshi fabrikimin dhe shërbimet publike, transportin, komunikacionin si edhe shërbimet financiare dhe të shumë bizneseve. Por do të kontribuojë edhe në zhvillimin e rrugëve dhe infrastrukturave të tjera. Gjatë ndërtimit TAP parashikohet të krijojë 1’500 deri 2’000 vende pune të drejtpërdrejta dhe 5’000 deri në 10’000 të tërthorta. Gjithashtu, projekti do të luajë një rol të jashtëzakonshëm në zhvillimin a tregut të energjisë në Shqipëri dhe do të mundësojë shndrimini e Shqipërisë në një korridor të gazit natyror për Europën Juglindore si edhe lidhjet me vendet fqinje të saj përfshirë edhe Kosovën. Në këtë aspekt ndihmon shumë edhe pozicioni gjeografik. Duhet të përmend në këtë pikë se TAP mundëson ne mënyrë ekskluzive edhe projektin IAP (lidhjen e Shqipërisë me Kroacinë) dhe së bashku janë pjesë e rëndësishme strategjike e unazës së projektuar të gazit natyror të Europes Juglindore. Ndërkohë pikat e daljes për furnizimin e konsumatorëve vendas dhe mundësimi i livrimeve të gazit në dy drejtime, pra edhe siç quhet edhe në drejtim të kundërt (reverse flow) do të ndihmojë në garantimin e sigurisë të furnizimit të konsumatorëve jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Greqi dhe vendet e tjera fqinje. Ekziston, gjithashtu, edhe alternativë për të zhvilluar rezervuar të gazit natyror në zonën e Fierit.

 4. Gazi natyror konsiderohet si energji e pastër me kosto të ulët. A mund të përfitojë Shqipëria nga TAP-i për furnizimin e popullatës dhe industrisë me gaz?

Sigurisht përfitimet për popullatën dhe industrinë shqiptare mund të jenë të jashtëzakonshme nëse shfrytëzohen mundësitë që do të krijohen. Për ketë qëllim duhet të fillohet menjëherë nga puna sepse do të duhen projekte shtesë e investime për infrastrukturat e reja, të cilat do t’i shërbejnë krijimit të tregut të brendshëm të gazit natyror në Shqipëri.

5. Çfarë roli do të ketë Shqipëria në skakierën gjeopolitike rajonale me fillimin e TAP-it?

Së pari, fitorja më e madhe në realizimin e TAP është ç’mitizimi i Shqipërisë nga propaganda e atyre forcave, të cilat e shohin popullin tonë me smirë. Ato lloj forcash nga një anë lidhen me elementët më të korruptuar dhe janë miq të ngushtë me ‘ta dhe nga ana tjetër flasin gjithë ditën prapa krahëve kundër nesh, shqiptarëve. Gjithashtu, janë të pajustifikueshme vonesat për realizimin e lidhjes 400 kV me Kosovën. Unë nuk dëshiroj të analizoj këtu arsyet, sepse justifikimet mund të jenë të shumta, por shikoj rezultatet dhe përgjegjësitë janë të qarta. Edhe këtu na vjen në ndihmë historia e strucit që për t’i fshehur përpiqet të fusë kokën në rërë, por qafën e ka aq të gjatë saqë nuk mund të fshihet. Me realizimin e TAP Shqipërisë i hapen realisht perspektiva të reja të jashtëzakonshme për projekte të tjera sikurse interkoneksioni kabllor nënujor me Italinë (kjo që ka qenë ëndrra ime po aq e madhe sa edhe TAP), terminale të gazit natyror të lëngët (LNG) në infrastrukturë, termocentrale me gaz, etj.. Shqipërisë i hapet edhe mundësia e lidhjes me Kroacinë nëpërmjet IAP dhe të shndërrohet në një autostradë rajonale e gazit natyror. Me kujtohet kur përfundova studimet punova disa vjet në Kombinatin Metalurgjik në Elbasan, që ishte me të vërtetë një gjigand industrial për Shqipërinë e asaj kohe. Tani konceptet për interesat kombëtare kanë ndryshuar shumë. Por përsëri në mbetemi shqiptare dhe nuk duhet të shesim të gjitha interesat tona kombëtare tek të huajt. Koncepti i shitjes 1 dollar ka qenë nga më të shëmtuarit dhe mohon çdo dinjitet kombëtar. Ne duhet të mbrojmë interesat tona kombëtare që trashëgimtarët tanë të kenë dinjitet dhe mos trajtohen si sahanlëpirës dhe shërbëtorë të huajve në atdheun e tyre. Një aspekt tjetër është që në duhet të rrisim kontributin e elementit shqiptar në çdo projekt dhe këtë t’iu kërkojmë të huajve zyrtarisht. Për fat të keq një pjesë e politikës shqiptare gjatë 20 vitet  e fundit është përpjekur në të kundërt t’i pastrojë projektet sa më shumë nga elementi shqiptar në mënyrë që të kenë rrugë të hapur për shitjen e interesave kombëtare për interesa klubesh personale!? Gjatë realizimit të tij jam i bindur se TAP do të ketë nevojë për shumë më tepër se tani për elementin shqiptar. Shpresoj se do t’i trajtojë shqiptarët me respekt e dinjitet si të barabartë dhe jo si raja në role sekondare. Në fund të fundit TAP po ashtu ka nevojë për Shqipërinë po aq sa ka nevojë Shqipëria për TAP sepse çdo rrugë tjetër do t’i kushtonte të paktën 300 deri 500 mio Euro më shumë. Së fundi është detyra e të gjithë shqiptarëve kudo që jemi ta kthejmë çdo projekt strategjik madhor në një element zhvillimi të mëtejshëm e në platforma të reja për shumëfishimin me projekte të tjera që lidhen drejtpërdrejtë apo tërthorazi. Unë kam jetuar që nga largimi nga Shqipëria në fillim të viteve ‘90 kryesisht në Zvicër dhe SHBA. Në Zvicër politikanët nuk kanë kohë të organizojnë mitingje elektorale me zëra të ngjirur, por i publikojnë idetë e tyre me qetësi në media dhe sikurse edhe në shumicat e demokracive perëndimore organizojnë debate të hapura të qeta dhe pa tam-tame. Populli është ai që vendos për çdo ndryshim me rendësi për vendin dhe kjo në shumicën e rasteve organizohet edhe me referendume popullore. Po i mbyll përgjigjet me respektin tim për urtësinë, thjeshtësinë  dhe krenarinë shqiptare. Rrofshin përjetë!

 Marrë nga energjia.al

Përgatiti: Ledjana Saliu