Naim Shingjergji, bilbili i këngës elbasanase

911
Sigal

Këngët e Bodinit dhe Isuf Myzyrit, krenaria e qytetit të lashtë

“Për  ty, oj shoqëni …”.  Vargje këto të një kënge, që para 20 vitesh meritonte vlerësimet dhe duartrokitjet frenetike të sa e sa admiruesve elbasanas, që vështirë të harrojnë kënaqësinë përjetuese që na dhuroi ai grup i vogël muzikantësh, në mes të cilit dallohej me fizarmonikën e tij, Mjeshtri Naim Shingjergji. Duke folur për bilbilin e këngës elbasanase, publicist i njohur dhe studiuesi Eduart Hoxholli tha se, “Pasionant, energjik, me temperament të fuqishëm , me zërin brilant që i buronte prej mirësisë e bukurisë shpirtërore, plot dhunti interpretuese , ai do t”i  jepte këngës popullore qytetare të Elbasanit, ritmin, autentitetin e vet”. Në kohortën e këngëtarëve elbasanas e më gjerë, Naim Shingjergji, falë talentit e pasionit, arriti t’u jepte dasmave dhe skenës elbasanase, melodinë dhe frymëmarrjen gjithpërtëritëse të këngës Myzyrit e Bodinit. E kush s’i kujton ndjesitë dhe impresionet që ka përjetuar , kur ka dëgjuar Naimin? Thjeshtësia e dashamirësia , dëshira e pasioni që natyra ia ka dhuruar, interpretimet brilante do t”i jepnin të drejtën këtij bilbili, që të respektohej, të nderohet duke u kujtuar dhe sot. Për njerëzit e ndershëm dhe punëtorë, pasioni dhe karakteri qenkan dhimbje e mundimshme prej fatit mizor, pa ç”ka se vite e dekada jete, mbase dhe vetë jeta, treten në harresë. Duke i dhënë vërtetësinë, lirizmin dhe shpirtin krijues, Naimi si rrallëkush me zërin dhe këngët që na ka dhuruar, u ngjit në skenën popullore denjësisht , duke na lënë të pashlyer kumtin e buzëqeshjes , mirësinë qytetare elbasanase- do të shprehej për “Telegraf” publicisti  Eduart Hoxholli. Besnik i aftësive të veta interpretative, i palodhur energjik , zemërmadh e dashamirës me shoqërinë , me përkushtim e ndjeshmëri te rrallë , përvijoi e krijoi me këngët e tij, portretin e njeriut, qytetarit fisnik, shokut e mikut të sinqertë . Naim Shingjergji , u rrit, jeton dhe përjeton prushin e këngëve të veta qytetare, pa ia fshehur askujt frymëzimin dhe dëshirën e tij po aq rinore si 20- 30 vjet më parë. Njohësit, admiruesit, shokët e dashamirësit e mirëfilltë të Naimit dhe të muzikës popullore, e kanë vlerësuar dhe e çmojnë me respekt, duke e patur të vështirë që ta harrojnë, pasi e gjithë përpjekja e tij artistike nuk i zhgënjeu . E kush më gëzueshëm e plot mall do ta këndonte “Këngën e shoferit”, e kush më me mallëngjim do ta priste me tingujt e shpirtit “Dallëndyshen gushëbardhë”, ku është sot “Djali që shet basma”, “Ke pusi Cerragës”  etj.,  që aq bukur u kënduan nga Naim Shingjergji? Shpirti, zëri dhe kënga e tij, qysh nga rinia e hershme, i dhuroi gjithkujt që e njohu, gëzimin dhe harmoninë. Vokali i tij ka qenë i veçantë, me një shtrirje harmonike dhe me një ngjyrim emocional që mahniste çdo dëgjues. E njerëzit me dhunti modeste e të pastra, nuk të mësojnë vetëm me fjalë të mençura, por edhe me madhështinë e heshtur të shpirtit e zemrës së tyre. Në lirinë përjetuese, publiku artdashës zgjedh vetë se cilin kujton, por zëri i bilbilit, qoftë dhe në kafazin vetmitar, të përmallon shumë e shumë butësisht se sa kori i harabelave. Melodia dhe kënga e tij jeton me shpirtin, me dhimbsurinë, me hallet me shoqërinë , paçka se fati, si për shumë njerëz të ndershëm sillet egërsisht … Sidoqoftë , Naim Shingjergji  i deshi dhe u rrit me këngët, duke i dhënë atë përndritje lirike, për të cilën ka nevojë çdo zemër njerëzore . I sigurt jam se nga thellësia e një shpirti që rinohet me meloditë dhe vargjet e këngëve të veta, dëgjohet ende dhe sot jehona e një trishtimi ngadhënjimtar. Naim Shingjergji e ngazëlleu publikun me më të lartën ndjenjë, si  dashamirësinë e tij. Ndaj, sofra dhe kujtesa elbasanase s’e harron…   Le të dëliret martirja zemër, në flladet kujtimtare  prej melodisë përdëllimtare … “Sa mas dore më ke lan …”.

Nga ARTUR  AJAZI