Medata Petro:Civilizimi përballë një brezi të ngujuar, një libër që po tërheq lexues të panumërt

505
Sigal

 Intervistë me autoren Medata Petro: Femra ishte dhe është përballuesja direkte e pasojave

Alarmi në libër synon përmirësimin e situatës apo realitetit, synon informim, ndërgjegjësim, sensibilizim, madje dhe lëvizje të instancave që preken nga ky alarm” Kështu u shpreh dje, në një intervistë për “Telegraf”, Medata Petro, autorja e këtij libri që ka tërhequr lexues të shumtë për argumentin që trajton. Dhe më tej ajo vijon, të thotë, se: “Alarmi mund të jetë për këdo, sepse çdo lexues mund të gjejë, pjesë të alarmit që i drejtohen atij si individ, familjar, qytetar, anëtar i shoqërisë sonë, apo drejtues institucioni”.

– Zonja Petro, ngujimi i së ardhmes, në një kohë kur hidhen kaq shumë slogane për ndërtimin e së tashmes, tingëllon si një kambanë e vërtetë alarmi në librin tuaj të ri  “Civilizimi përballë një brezi të ngujuar”. Alarm ndaj kujt? Për të mbërritur ku?

– Alarmi në libër synon përmirësimin e situatës apo realitetit, synon informim, ndërgjegjësim, sensibilizim, madje dhe lëvizje të instancave që preken nga ky alarm. Alarmi mund të jetë për këdo, sepse çdo lexues mund të gjejë, pjesë të alarmit që i drejtohen atij si individ, familjar, qytetar, anëtar i shoqërisë sonë, apo drejtues institucioni.

– Një nga idetë më të fuqishme të studimit tuaj është dhe ajo se ekzistojnë qarqe të huaja të cilat për të arritur interesat e tyre në lidhje me Shqipërinë mbajnë në këmbë gjakmarrjen.  Mund të na flisni më hollësisht?

– Diferencat e dukshme zhvillimore në raport me shtetet me të njëjtën tokë, det e me histori të përbashkët provojnë pengesat për realizimin e interesave  tona. Në fakt, gjakmarrja  i ka rrënjët e veta në Mesjetë e ndoshta më tej dhe ishte karakteristikë e popujve të Mesdheut. Ajo është aktuale edhe sot në Italinë e Jugut, Korsike, në Kretë/Greqi si dhe në pjesën europiane të Turqisë së sotme. Madje, ka dhe një hipotezë nga historianët, sipas së cilës mund të jetë e bartur tek ne nga koha e pushtimit turk. Por në mes helenëve me tendecë për të pronësuar antikën, sllavëve të Mesjetës dhe romakëve të përtejdetit, shqiptarët duket se kanë vuajtur barrën e qarqeve të huaja….

– Në librin tuaj preket dhe roli i gruas në nxitjen apo parandalimin dhe deri diku në shuarjen e fenomenit të gjakmarrjes. A mund të na thoni cili është thelbi i këtij roli?

– Femra ishte dhe është përballuesja direkte e pasojave dhe rrobat e zeza e rritja e fëmijëve të ngujuar apo shërbimi ndaj atyre që pritet të vriten, janë heroizmi i saj i tejskajshëm, por dhe burimi për të gjetur ujin, përveç lotëve, për të shuar zjarrin që edhe kur na mungon edhe kur shpejton na merr jetën. Nuk duhet të harrojmë se gruaja është ajo që lind jetën dhe rrit të ardhmen, është ajo që na mëson të sillemi, të duam dhe të urrejmë, është ajo që edukon brezat e rinj, që i ushqen me dije dhe dashuri, ashtu siç mund t`i ushqejë me injorancë dhe mosvlerësim për veten, për tjetrin dhe për vetë jetën.

– Si do i përmblidhnit rekomandimet e nxjerra nga ky studim i juaji?

– Studimi nuk është gjë tjetër, veçse një përpjekje për të ndriçuar kufijtë pa i zhbërë ato, duke i lënë aty për të folur me gjuhën e historisë dhe zhvillimit dhe për të vendosur kufizime të reja ligjore të mbështetura fort në rrafshin social. Një ëndërr që bëhet reale udhës për tek parajsa dhe një civilizim që na shërben për të mos u kalbur brenda mureve të mendimit që nuk mbështeten në përvojë, arsye, besim dhe organizim modern politik e shoqëror. Një jetë akademike që ka përgjegjësi dhe di të harmonizojë avantazhet e kohës për t`i lidhur njerëzit me njeri – tjetrin, me tokën dhe gjithë ambientit përreth, pa patur nevojë të ikë prej vendeve të gjakmarrjes dhe pa ngarkuar shoqërinë me barrë fiskale për të urbanizuar zona nga asgjëja dhe për të shkatërruar zona në mundësi urbanizimi, pavarësisht distancave nga qendra. Një përpjekje për të thënë se ruajtja e pastërtisë së detit nis në male dhe ngrohtësia e zbutja e maleve buron nga avujt e detit, si një marrëveshje e përjetshme mes ujit dhe gurit. Shpellat, kullat, kështjellat, bunkerët, le t`i përkasin të shkuarës dhe turizmit, ndërsa të sotmen le t`ia kushtojmë urbanizimit të gjithë territorit dhe qytetarisë, përmes dijes, miqësisë, dashurisë dhe ligjit të zbatueshëm.