Lufta Italo-Greke dhe Shqipëria

1783
Sigal

Me rastin e 72-vjetorit të një aventure historike që i kushtoi shumë popullit shqiptar

Qeveria italiane për të realizuar planin e vjetër për pushtimin e Ballkanit, më 7 prill të vitit I939, e pushtoi Shqipërinë për të vazhduar më pas me shtetet e tjera të Ballkanit. Qeveria tradhtare e asaj kohe  e kryesuar nga Mehdi Frashëri, pranoi pushtimin e atdheut dhe u vu në shërbim të tyre. Nga ky shkak mbreti i Italisë Viktor Emanueli III u bë dhe Mbreti Shqiptarëve. Gjatë periudhës së pushtimit u zhvillua një propagandë e madhe për bashkimin e Shqipërisë me Çamërinë. Kryesoret e kësaj propagande ishin ministri i Jashtëm i Italisë, Konti Çiano dhe gjenerali Badoglio, të cilët vizituan shpesh Shqipërinë. Edhe kryeministri i asaj kohe, Mustafa Kruja u bë palë me ta dhe i falënderoi për bashkimin e pashmangshëm midis shqiptarëve të përtej kufijve. Me këtë rast ministri i Jashtëm i Italisë, Konti Çiano tha: “Viva la grande Albania”. Planet e Italisë për pushtimin e Ballkanit u intensifikuan shumë aty nga viti 1940, kur Benito Musolini nisi të mendonte rreth ndërmarrjes së veprimeve të mëtejshme ushtarake në Ballkan. Italianët për të ndezur luftën me Greqinë, organizuan vrasjen e kaçakut Daut Hoxha. Shqipëria nuk kishte arsye të hynte në luftë me Greqinë, aq me tepër që ajo vetë ishte e okupuar. Qeveria tradhtare e Mustafa Krujës me urdhër të Romës dhe me gojën e saj i shpalli luftë Greqisë. Lufta filloi më 28 tetor të vitit 1940. Aso kohe shqiptarët mbajtën anën e Greqisë, prandaj dhe dy batalionet shqiptare “Tomori” dhe “Shpiragu”, që u dërguan të luftonin në frontin grek, pothuaj dezertuan të gjithë duke mos dashur të luftonin kundër fqinjëve. Populli Shqiptar asnjëherë nuk ka menduar të krijojë konflikt me shtetin grek. Për këtë qëndrim të shqiptarëve qeveria greke duhet të jetë e ndërgjegjshme për të kuptuar kush ishte shkaktari i kësaj lufte. Lufta filloi me furi. Ushtria italiane vërshoi drejt kufirit të Greqisë me të gjitha llojet e armëve. Artileria qëllonte pa pushim në thellësi të tokës greke për t’i hapur rrugë këmbësorisë dhe tankeve. Në ndihmë të sulmit ishte dhe aviacioni, i cili mitralonte dhe bombardonte pozicionet e ushtrisë greke. Italianet pasi përparuan disa kilometra, u gozhduan keq në frontin e Kalibaqit në malin e Gramozit. Atje u zhvilluan luftime të ashpra, ku italianët lanë me qindra të vrarë dhe me pak grekët, që luftonin nga pozicionet mbrojtëse të fortifikuara. Këto luftime vazhduan gjithë muajin nëntor dhe në javën e parë të dhjetorit, ushtria italiane megjithëse në numër dhe armatim ishte superiore ndaj grekeve, ajo u tërhoq me turp dhe frontin e luftës e vendosi në Tepelenë. Mbas largimit të italianëve në Gjirokastër hynë ushtarët grekë. Nën zhurmën e kambanave të kishave ata hodhën përpara prefekturës vallen e tyre të preferuar “Elenaqi”. Komandanti i tyre në një fjalim të shkurtër i tha popullit të Gjirokastrës: Eliniqi – Arvani (Greqi dhe Shqipëri) o italos o barbaros, thato petasome sti fallasos (Italinë barbare do ta hedhim në det) dhe në do të kthehemi në vendin tonë. Mbreti Zog që ndodhet në Athinë do të vijë përsëri në Shqipëri! Fjalët e komandantit grek ishin vetëm mashtrim i ditës, së të nesërmen në kështjellën shekullore dhe në godinën e prefekturës u ngrit flamuri grek. Nga ana tjetër mbas disa ditësh pronarët e dyqaneve u detyruan të heqin tabelat shqip, duke i zëvendësuar ato me shkronja greke. Qyteti i Gjirokastrës, i cili ishte në vijë të parë të frontit të luftës, iu nënshtrua bombardimeve shkatërruese dhe vrasëse të aviacionit italian. Gjendja ekonomike në qytet ishte shumë e vështirë. Populli arriti të hajë dhe tërshërën e kafshëve. Mungonte kripa, ndriçimi dhe drutë e zjarrit. Dimri i vitit 1940-1941 ka qenë shumë i ftohtë, me shira e dëborë të madhe. Lufta në frontin e Tepelenës midis palëve vazhdonte shumë e rreptë. Artileria e te dy palëve godiste pa pushim malin e Leklit, Qafen e Gllavës, Kurveleshin dhe Tepelenën. Ne zonat e luftës u shkatërruan me dhjetëra shtëpi dhe u dëmtuan rëndë blegtoria e bujqësia. Nga luftimet ne frontin e Tepelenës veçojmë ato të Qafë- Kiçokut në grykën e Këlcyrës, ku grekët dhe italianet u ndeshen trup me trup me bajoneta. Kjo ishte beteja me e ashpër pas asaj të Kalibaqit. Në këtë luftë u shkatërrua plotësisht divizioni i famshëm italian “Lupo di Toskana” (ujku i Toskanës). Por edhe grekët patën shumë të vrarë. Kurse ushtarë grekë që ktheheshin nga fronti i luftës, me këmbë të ënjtura, të pa rruar e “të rraskapitur, trokisnin ne dyert e shtëpive gjirokastrite me gjuhen e tyre “barba, anikse porta” (xhaxha, hape portën). Dyert e shtëpive u hapën dhe ushtarët grekë u priten me bujari dhe morën ndihmën e duhur. Duke patur parasysh se ushtarët italianë në këtë lufte kishin rënë moralisht, në Tepelene mbërriti me urgjencë për t’iu ngritur moralin ushtarëve të tij, Benito Musolini. Në këtë kohë gjermanët i erdhën në ndihmë aleateve italianë duke hedhur me mijëra parashutistë brenda territorit grek, sa që qeveria greke deklaroi kapitullimin. Kjo ka ndodhur, në mos gabofsha, në prill të vitit I941. Sipas Athinës zyrtare në Shqipëri kanë rënë 12 mijë ushtare. Lufta Italo-Greke për deri sa zhvillohesh në tokën greke ishte një luftë e drejtë për popullin grek. Po kur italianet u thyen në frontin e Kalbaqit dhe frontin e luftës e vendosën në Tepelenë, hyrja e grekëve në Gjirokastër mori karakter pushtues. Grekët të gëzuar menduan se kishte ardhur koha për të vënë në zbatim platformën politike të “Megali Idesë”, e cila qysh në vitin 1884 parashikonte krijimin e një Greqie të madhe, që përfshinte një pjesë të madhe të Shqipërisë deri në Shkumbin. Po grekët e humbën luftën dhe u kthyen të dëshpëruar në shtëpitë e tyre. Në kujtim të ushtarëve italianë të rënë në Shqipëri, qeveria e tyre e ka ngritur përmendoren në Qafen e Kiçokut në grykën e Këlcyrës.

Jonus KARAULLI

_____________________________________________________________________________________

ÇIANO PËR SHQIPËRINË E MADHE

Konti Çiano për të realizuar planet dhe synimet e tija strategjike për pushtimin e Ballkanit, mendonte që të angazhonte drejtpërsëdrejti shqiptarët në atë çështje. Gjatë vizitës së tij në Shqipëri, në mesin e muajit gusht 1939, sipas porosive që kishte dhënë më parë, ai mbeti i kënaqur nga shkalla e mobilizimit që kishin shqiptarët. Në fjalën e tij të mirëseardhjes, Prefekti i Tiranës, shprehu dëshirën e tij për bashkimin e të gjithë shqiptarëve dhe krijimin e një Shqipërie të madhe, gjë e cila do të vinte nga ndihma e perandorisë së madhe fashiste. Mbas fjalës së prefektit, Konti Çiano, u premtoi të pranishëmve se Italia do të bënte çmos që Shqipëria të realizonte aspiratat e saja më të thella dhe e përfundoi fjalimin e tij duke thënë “Viva la grande Albania”. Po kështu si rezultat i porosive të tija, autoritetet e partisë fashiste ishin përkujdesur që të bënin parulla të shumta me hartën e Shqipërisë së madhe, të cilat valëviteshin nga italianët me uniforma të zeza, (uniforma e partisë fashiste) në mitingjet që bëheshin për nder të tij, së bashku me flamurin Kombëtar të Shqipërisë. Në mes të këtyre parullave, binin në sy ato ku thuhej “Duçe, të mendojmë për shqiptarët që jetojnë kudo në botë” dhe “Duçe, mendo për vëllezërit tanë”.

_____________________________________________________________________________________

VARREZAT GREKE

Qeveria Greke përmendoren për ushtarët e tyre të rënë në trojet shqiptare, e ka ngritur përpara parlamentit Grek me mbishkrimin: Këta dhanë jetën e tyre për mbrojtjen e qyteteve Eleniste”! Shprehja mashtruese e qeverisë greke në përmendoren dhe varreza e qëllimshme, që ka bëre kohët e fundit ne Bularat të Dropullit kërkon të mbajë ngrehur pretendimet që ajo ka për Vorio-Epirin. Greket e dinë mirë se në Shqipërinë e Jugut nuk ka qytete Eleniste, por ka vetëm një grusht minoritare greke, të cilët janë të integruar në jetën e vendit dhe jetojnë në komunitet. Populli shqiptar nuk e kupton përse qeveria greke, akoma dhe sot që është anëtare e Bashkimit Evropian vazhdon pretendimet se Vorio- Epiri është pjesë e atdheut të tyre. Ai nuk ka qenë ndonjëherë territor i tyre. Përkundrazi atyre i është aneksuar padrejtësisht Çamëria nga fuqitë e mëdha në vitin 1913. Në trajtimin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe popujve fqinj, historikisht, i janë kushtuar më shumë miqësisë, jo përbuzjes. Kane vënë sidomos theksin në bashkëpunimin e dy popujve në luftën e përbashkët, veçanërisht gjate viteve 1940-1944 me pjesëmarrjen e minoritetit grek në Luftën Nacionalçlirimtare Shqiptare. Me këtë rast urojme që në kuadrin e integrimit te gjendet mundësia e trajtimit me subjektivitet të zhvillimeve historike.