Kozma GJINI / Piktori që goditën në rini, ngre kokën pas 40 vjetësh

967
Sigal

Intervista e parë në jetë e piktorit Pavli Shandro, pas 40 vjetësh karriere në heshtje

Shumë i nderuar dhe i vlerësuar nga qytetarët e vet, krijuesit e artit pamor, autoritetet vendore dhe nga prezenca e mbështetja e “Piktorit të Popullit”, z. Skënder Kamberi, këto ditë, piktori i talentuar, z. Pavli Shandro, përuroi ekspozitën e parë të pikturës, pas 40 vjetësh heshtjeje dhe jep për herë të parë në jetën e tij një intervistë për t’u publikuar në gazetën “Telegraf”.

 -Z.Pavli, si shpjegohet që hapni për herë të parë një ekspozitë të pikturës pas 40 vjetësh? Është paksa e vështirë t’i përgjigjem siç e ndjej dhe siç e kam përjetuar ndër vite trysninë e  ndrydhjes së pasionit tim për pikturën. Kjo lidhet me faktin se më kanë frenuar që në moshë të vogël dhe kur të godasin në vegjëli, të ulet koka tërë jetën.

 -Përse e keni fjalën? Kush ju ka ndaluar të dilnit me një ekspozitë me pikturat tuaja?

Ishin vitet…….pas plenumit të katërt. Këtu u hap një ekspozitë me disa autorë të qytetit. Pikturat e mija që ishin vlerësuar nga elita e artit të vendit drejtpërdrejt, kur u diskutuan në rrethe të ngushta jurie, dolën në konkluzionin se paskam qenë i ndikuar nga arti sovjetik. (Ishte koha kur qemë prishur me rusët). “Mos! më tha nëna kur mori vesh se isha cilësuar me ndikim rus. Mjaft vuajta me tët at…edhe pse ka qenë mik i Spiro Moisiut”. Kështu që unë u godita për të mos e ngritur më kokën, por kam punuar në heshtje dhe mes drojës e lotëve kam akumuluar kaq shumë sa u bënë qindra piktura që po i paraqes sot me kënaqësi dhe emocione për publikun.

 -Cila ka qenë piktura juaj e parë?

-Piktura e parë ka qenë vizatimi i një këpuce, atlete, në orën e mësimit në shtatëvjeçare dhe mësuesi u habit që e kisha bërë kaq të saktë, me hije e dritë e më dha shumë kuraje.

 -Kujt ia dedikoni mbështetjen që nuk i jeni ndarë artit pamor?

Në ushtri bëra një hop. Atje gjeta mbështetje e ngrohtësi të prof. Proletar Hasani, i cili m’i botoi pikturat në disa organe të shtypit dhe kjo më dha krahë. Në Shkodër, atë kohë, u çel një ekspozitë dhe unë u paraqita me disa piktura të cilat u pëlqyen nga piktori Skënder Kamberi etj., dhe mora një çmim simbolik. Në këtë kohë më vinin e më jepnin kurajo Tahsim Demiri, Visar Zhiti, Kujtim Haxhiu etj. Pasi lirohem nga ushtria, erdha në qytetin tim dhe gjeta përkrahje nga piktori Besim Golemi, Faslli Haliti, etj.

 -Si operoni me një pikturë? Shkoni me tendencë në Divjakë, p.sh apo pikturoni ç’të dalë përpara?

Unë e dashuroj natyrën. E vizatoj në letër …hedh shpirtin tim në orare të ndryshme të ditës. E shëtis pyllin në çdo kohë dhe e skicoj në letër. Shyqyr përfytyrimin e kam mjaft të fortë. Divjaka zë një vend të mirë në pikturat e mija. Arma ime është vetëm spatula dhe lapsi.

 -Ku e gjen veten më mirë Pavli Shandro, në cilën rrymë?

Me rehat ndjehem në natyrën e qetë …në stilin e pikturës në hartë. Një pikturë mund ta shikosh nga afër dhe nga larg. Piktura nuk ka fund… te unë gjen natyrën e qetë… peizazhin, portretin etj. Me portretin jetoj brenda vetes. Unë jetoj me portretin kur përdor spatulën.

-Para se të dilnit me këtë ekspozitë i ka parë ndokush pikturat tuaja?

Po i ka parë z. Skënder Kamberi dhe më ka dhënë shumë kurajo. Më ka bërë një vlerësim real dhe më ka ngrohur si artist.

 -Ndonjë kritikë të bëri z.Skënder Kamberi?

Po. Më tha i ke ndrydhur ndjenjat. Ke humbur shumë kohë, më tha ai. Te natyra e qetë dhe peizazhi e gjeja veten më mirë, sipas tij.

 -Si e ndjeve veten pas këtij vlerësimi?

-Si në qiellin e shtatë.

 -Ç’vend zë nudizmi në punimet tuaja?

Pak. Dhe kjo është pjesë e jetës. Femra është bukuria vetë dhe kur është në pozicione të ndryshme ka domethënien e bukurinë e saj. Por këtu kam edhe kompozime që flasin për simbolikën e copëtimit të vendit nga shtetet përreth. Këtu gjen realen, impresionizmin, neorealizmin edhe abstrakten. Pikturat falin dashuri dhe mua më dhimben të gjitha se kam derdhur mundin tim

  -Cilët janë piktorët tuaj botërore më të preferuar? 

Dy janë:Van Gogu dhe Shishkini. Këta janë të skalitur në zemrën time. Unë i studioj sa herë ata. Të ishte gjallë Shishkini s’do të rrinte pa ardhur në pyllin e Divjakës.

 -A ju mbështet familja në këtë profesion të bukur?

Unë pa familjen nuk do të isha asgjë. Më kanë përkrahur dhe inkurajuar gjatë gjithë kohës gruaja, djemtë, shoqëria. Me kurajën e tyre kam ardhur deri me sot. Më kanë përkrahur sidomos në ditë të vështira, kur më goditën për devijim në art. Unë ia kam borxh familjes këtë kujdesje. Këto piktura janë pasuria e familjes sime …e shpirtit tim. E jap këtë intervistë shumë të heshtur, vetëm me ju dhe për herë të parë në jetën time.

 -Këshilla që do t’u jepnit piktorëve të rinj?

-Të mos ndalen. N.q.s ke pasion, puno. Zoti vonon, por nuk harron. Të mos merren me fjalë…se gjoja nuk shitet,… sepse një ditë do të shitet… se piktura është si puna e floririt sa më i vjetër të jetë më shumë i rritet vlera. I bëj thirrje institucioneve tona, shtetit, shkollave, të mos harrojnë të venë mureve edhe pikturat që pasqyrojnë qytetin e Lushnjes. Mëkati im është se nuk kam punuar akoma me Ardenicën, por e kam në plan së afërmi.

 -Në ekspozitë ju nderuan titullarët e rrethit, mjaft krijues, si rrallë herë plot qytetarë si dhe “Piktori i Popullit” z. Skënder Kamberi. Çfarë ju ka mbetur në mendje nga përshtypjet e “Piktorit të Popullit” Skënder Kamberi?

-Skënder Kamberi është ai që më dha jetë… më dha forcë… dhe më tha se çdo gjë mund të bësh… po pikturës mos iu ndaj. Jam vonë i thashë unë. Jo tha ai, ti je në kohë. Nuk do të ndalesh. Kur të çelësh ekspozitën tjetër do vij sërish se je talent, njeri me vullnet të hekurt. Unë e kam pikë të dobët Prof. Skënder Kamberin. Kur po dilte nga ekspozita ai më tha përfundimisht: Shandro: TI JE PIKTOR !                                   

 -Ju faleminderit !