Komedia “Boeing, Boeing” në teatrin e Universitetit të Arteve

880
Sigal

Komedia e suksesshme “Boeing, Boeing” rikthehet në fundjavë për publikun. Komedia do të jepet mbrëmjen e së shtunës dhe të dielës në Teatrin Veror të Universitetit të Arteve. Sipas Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, është komedia më e pëlqyer.

Me autor Marc Camoletti, përkthyer me mjeshtëri nga Nasi Lera, vepra është vënë në skenë me regji nga Kiço Londo.

Regjisori Kiço Londo thotë se publiku ka treguar shumë interes për këtë vepër teatrore.

“Një komedi që është pritur shumë mirë. “Boeing ,Boeing” ka pasur deri tani mbi 130 shfaqje. Nga publiku ka dyndje për biletat”, shprehet regjisori Londo.

Në këtë komedi në role janë aktorët Amos Muji Zaharia, Rudina Dembacaj, Gentian Zenelaj, Alesia Xhemalaj, Adriana Tolka dhe Katerina Fili. Komedia franceze e autorit Marc Camoletti ka pasur sukses në skenat e huaja, por dhe në ato shqiptare ku është prezantuar deri tani para publikut.

“Një komedi e mençur,  e zgjuar dhe që jep mesazh mjaft njerëzor që pavarësisht nga keqkuptimet dhe aventurat e shumta, kur aventurat që na kushtojnë përfundojnë mirë, çdo gjë është mirë”, thotë regjisori Londo për këtë komedi, që vazhdon të ketë sukses sa herë shfaqet për publikun.

Por dhe aktorët e kësaj shfaqjeje shprehen se është privilegj dhe kënaqësi që komedia “Boeing Boeing” po thyen rekorde shikueshmërie dhe vazhdon të pëlqehet e të kërkohet nga publiku.

Ngjarjet në komedinë franceze “Boeing, Boeing” ndodhin në Paris në ditët e sotme. Një komedi e bujshme, në venat e së cilës rrjedh gjak si ai i komeditë e Shekspirit, me ngatërrim identitetesh. Bazuar në një farsë klasike të shkruar nga dramaturgu francez, Marc Camoletti, në vitin 1960, kjo vepër arriti të rrëmbejë dy çmime, Tony Award në 2008 dhe Broadway Revival Edicion, po atë vit.

Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në shkurt të këtij viti e riktheu për publikun e Tiranës në skenë komedinë “Boeing Boeing”, që u shfaq te “ArTurbina”, por sërish kjo shfaqje do të vijojë dhe dy mbrëmje me radhë këtë herë në një ambient të hapur.

Londo shprehet që edhe pse në kushte shumë të vështira për shkak të pandemisë, ne shpresojmë që të rikthehemi serish pranë publikut dhe te japim kontributin tonë modest në përpjekje për t’iu rikthyer sërish edhe njëherë realitetit.