KLSH merr pjesë në Simpoziumin e 24-t të Përbashkët OKB-INTOSAI

1018
Në 31 Maj deri në 2 Qershor 2017 u zhvillua në selinë e Kombeve të Bashkuara në Vjenë simpoziumi i INTOSAI-t në bashkëpunim me Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB). Në këtë simpozium morën pjesë kryetarë dhe përfaqësues të lartë të institucioneve të supreme të auditimit (SAI-ve) nga 76 vende të botës. Simpoziumi organizohet çdo dy vjet nga Sekretariati i Përgjithshëm i INTOSAI-t në Vjenë, me mbështetjen e Kombeve të Bashkuara. Qëllimi i këtij simpoziumi është zhvillimi i kapaciteteve institucionale të SAI-ve duke trajtuar çështje aktuale në fushën e auditimit publik dhe kontribuar në zhvillimin e metodologjive në këtë fushë. Këtë vit simpoziumi u fokusua në dy tema: 

1. Digjitalizimi, të dhënat e hapura dhe përpunimi i tyre: rëndësia dhe implikimet në auditimet e SAI-t; 

2. Kontributi i SAI-ve në përmbushjen e Axhendës 2030 të OKB duke ndjekur dhe vlerësuar përmbushjen e Objektivave për Zhvillimin e Qëndrueshëm (OZHQ), në përputhje me angazhimin e marrë në Kongresin e XXII të INTOSAI-t të zhvilluar në Abu Dhabi.
Simpoziumi u hap nga Dr. Margit Kraker, Sekretare e Përgjithshme e INTOSAI. Në fjalën e saj Dr. Kraker dha mesazhin se digjitalizimi, përpunimi dhe analizimi i volumeve të mëdha të dhënash elektronike do të kenë një ndikim gjithnjë e më të madh në punën e audituesve publikë. Zhvillimet teknologjike dhe përdorimi gjithnjë e më i madh i të dhënave elektronike krijon sfida por edhe mundësi të reja për ta. Duke qenë se SAI-t e vendeve të ndryshme janë në stade të ndryshme të përshtatjes me zhvillimet në këtë fushë, Dr. Kraker argumentoi rëndësinë që ka shkëmbimi i eksperiencës ndërmjet SAI-ve. Për këtë arsye, INTOSAI ka ngritur një grup të posaçëm pune. Në lidhje me temën e dytë, duke patur parasysh rëndësinë e OZHQ-ve, INTOSAI ka vendosur si prioritet në planin e tij strategjik 2017 – 2022 pjesëmarrjen aktive në ndjekjen dhe vlerësimin e plotësimit të këtyre objektivave.Në simpozium përshëndetën dhe përfaqësues të larë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Nën Sekretarja e Përgjithshme Znj. Heidi Lloce Mendoza, nga zyra e shërbimeve të mbikëqyrjes së brendshme në OKB, vuri në dukje rolin kritik që SAI-t kanë për të garantuar hartimin dhe zbatimin e strategjive kombëtarë në lidhje më zhvillimin e qëndrueshëm si dhe integritetin, besueshmërinë, dhe krahasueshmërinë e statistikave kombëtare që i paraqiten OKB-së nga vendet e ndryshme për të vlerësuar progresin kundrejt Axhendës 2030. 
Simpoziumi vijoi me 14 prezantime nga përfaqësues të vendeve të ndryshme në lidhje me temën e digjitalizimit dhe të dhënave elektronike. Përfaqësues nga Gjykata Evropiane e Auditimit, u ndalën në prezantimin e tyre, në mundësitë e reja që digjitalizimi sjell në fushën e auditimit. Në anën tjetër, ky proces kërkon që SAI-t të zhvillojnë teknologjinë e tyre të informacionit si dhe të pajisin audituesit me njohuritë e përshtatshme teknike për të kuptuar çfarë këto të dhëna synojnë të përfaqësojnë, me qëllim analizimin e sakte të tyre. Pjesëmarrësit theksuan se digjitalizimi do të modernizojë punën e SAI-ve në të ardhmen si dhe do të mundësojë dhënien e shërbimeve që nuk mund të ofroheshin më parë. Këto shërbime përfshijnë kryerjen e analizave parashikuese (përpara se të ndodhin ngjarjet) si dhe sinkronizimin e përgjigjes ndaj gjetjeve me kryerjen e veprimeve nga subjektet nën auditim, si rrjedhojë e marrjes së të dhënave në kohë reale. Në pjesën e dytë të simpoziumit, pjesëmarrësit diskutuan mbi kontributin qe SAI-t kanë në përmbushjen e Objektivave të Axhendës 2030 të Zhvillimit të Qendrueshëm të OKB. INTOSAI dhe SAI-t respektive u angazhuan të punojnë së bashku më qëllim zhvillimin e kapaciteteve të përshtatshme për kryerjen e auditimeve të perfomancës në lidhje me OZHQ-të. Këto objektiva janë një mundësi për të rishikuar angazhimet e SAI-t në auditimin e veprimtarisë së qeverisë.Në përfundim, pjesëmarrësit miratuan Rezolutën e Simpoziumit. Ndër rekomandimet e Rezolutës, ishte ajo që SAI-t të zhvillojnë, në përputhje me kapacitetet e tyre, strategjitë e brendshme për të adresuar sfidat dhe mundësitë nga digjitalizimi dhe të dhënat elektronike. Këto strategji do të fokusohen në zhvillimin e burimeve të nevojshme njerëzore, investime në infrastrukturën e nevojshme, zhvillimin e metodologjive, mjeteve dhe teknikave të auditimit për të garantuar cilësi në përdorimin e të dhënave, dhe përshtatjen e proceseve të auditimit si rrjedhojë e këtyre ndryshimeve. 

Pjesëmarrësit në Simpozium theksuan se SAI-t mund të kontribuojnë në ndjekjen dhe vlerësimin e përmbushjes së objektivave të Axhendës 2030, si më poshtë vijon.

1. Vlerësimin e aftësisë së qeverisjes qendrore për të raportuar në lidhje me progresin dhe përmbushjen e OZHQ-ve, si dhe auditimin e veprimtarisë së saj dhe besueshmërinë e dhënave që gjenerohen.

2. Kryerjen e auditimeve të performancës në lidhje me ekonomicitetin, efektshmërinë dhe efiçiencën e programeve kryesore qeveritare që kontribuojnë për OZHQ-të.
3. Vlerësimin dhe mbështetjen e zbatimit të Objektivit të Zhvillimit të Qëndrueshëm Nr. 16 SGD 16, që lidhet me institucione transparente, efiçiente dhe llogaridhënëse.
4. SAI-t të jenë shembull i transparencës dhe llogaridhënies gjatë veprimtarisë së tyre.
Kontrolli i Lartë i Shtetit u përfaqësua në Simpozium nga një delegacion i kryesuar nga Kryetari i KLSH z. Bujar Leskaj dhe nga z. Azmi Stringa, Drejtor i Departamentit të Auditimit të Buxhetit të Shtetit. Gjatë vizitës së tyre në Vjenë, pjesëmarrësit në simpozium morën pjesë në një pritje të organizuar nga Kryebashkiaku i Vjenës në ambientet e bashkisë së këtij qyteti.
Sigal