Këngëtari Denaj/ Provokimi i Drejtorit të RTSH-së këndon si Jugosllav

633
  • Flet kantautori Çlirim Denaj: “Pirati i zemrave” dhe ndihma e Adrian Hilës, Jorgo Papingjit, Agim Doçit, Alqi Boshnjakut dhe Alfred Kaçinarit
  • Si më turbulloi Drejtori TVSH  duke më thënë ke zë të ëmbël, por këndon si jugosllav
  • Ju ktheva Drejtorit: Do ankohem tek Ramiz Alia dhe KQPPSH për këtë fyerje, s’kam asnjë lidhje me jugosllavët
  • Heqja e  këngës së Gazmend Mullait në Festivalin e 22- të në RTSH
  • Si këngëtar kam bërë shumë mësime me artistin e madh Ramis Kovaçi por edhe me Pandi Peleshin e me Mihal Cikon
  • -Çesk Zadeja më vlerësoi me çmim të parë në Festivalin e Këngës Rreshtore, që e organizonte Shtëpia Qendrore e Ushtrisë
  • -Tek Asambli Ushtrisë më ka ndihmuar shumë kompozitori i madh Kujtim Laro, që e kishim udhëheqës artistik
  • Këngët më të bukura të miat janë “Vjola”, “Pirati i zemrave”, “Ave Maria”, “Xhelozia”, “Ikje pa kthim”
  • Besnik Kasa, hodhi idenë e këngës “Pirati i zemrave”
  • Në këtë këngë u angazhuan Adrian Hila, Jorgo Papingji, Agim Doçi, Alqi Boshnjaku dhe Alfred Kaçinari
  • Tek “Pirati i zemrave”, pallton ia mora Shpëtim Saraçit, shallin ia mora Suzana Shuteriqit

Albert Z. ZHOLI

Rreth 40- vjet në skenë ai ka marrë duartrokitje por edhe zhgënjime. Disa herë në sistemin komunist ka kaluar në fije të perit pa u dënuar. Por ai mbetet një këngëtar i dashur, miqësor por edhe plot të papritura në skenë. Për 12 vjet ka qenë Përgjegjës i Ansamblit Folklorik “Tirana” dhe Bandës së Tiranës. Tashmë është specialst i këtij ansambli. Tashmë po përgaitet për një recital që i ka munguar repertorit të tij.

  • Me origjinë nga Labëria por rritur në Tiranë, e ndjeni veten lab?
  • Pa diskutim! Sigurisht që nuk e kam mohuar nuk e mohoj dhe nuk do ta mohoj asnjëherë që jam nga Kuçi i Labërisë. Një krahinë e lavdishme që i ka dhënë emër dhe dijetarë
  • Si erdhi kënga te Çlirimi ,kush ishte shtysa që  u orientuat në këtë rrugëtim? Si dhe ku u formove si këngëtar kush ju ndihmoi, apo ju mbështeti më shumë?

-Qysh i vogël fare, im atë që i binte fisarmonikës më futi në kursin e fisarmonikës ku më vonë bleva dhe një kitarë dhe me këtë instrument këndoja dhe mësova të hedh hapat e para për të kënduar. Pra babai ishte shtysa. Im atë ka qenë oficer, por i binte edhe fizarmonikës shumë bukur, ai luante me të dyja duart. Isha në moshën  6-vjeçare kur babai më çoi në rrethin e kursit të fizarmonikës në Pallatin e Pionierit. Meqenëse ai nuk mundi të bëhej me profesion muzikant, kishte dëshirë të ma trashëgonte mua. Në Pallatin e Pionierit  shkoja rregullisht 2-3 herë në javë në prova . Mund të them se ky Pallat ka mbetur si një monument në memorien time. Aty ishte lidhur gjithë e ardhmja jonë me kurse të ndryshme.

-Po nëna nuk ka patur ndikim?

– Mëna ime ka qenë edukatore në kopsht dhe ajo mbështeste çdo nismë tonë dhe kujdesej maksimalisht për mua. Më vonë babai u lirua nga ushtria dhe mamaja nuk donte që im atë të vazhdonte për muzikë, si rrjedhojë e kësaj, ai zgjodhi studimet në degën e agronomisë në Institutin e Lartë Bujqësor në Kamzë. Por dua të theksoj se unë njëherazi  vashdoja dhe për akrobaci. Rrethi i akrobacisë ishte  ngjitur me rrethin e fizarmonikës, ku ishte një sallë ku zhvillohej rrethi i akrobacisë. Në akrobaci dhe në gjimnastikë më kampionatin e shkollave 8-vjeçare të Tiranës për gjimnastikë, zura vendin e parë. Po kështu në Berat, në Kampionatin Kombëtar për akrobaci, zura vendin e parë me klubin e “17 Nëntorit” . Akrobacinë e vazhdova deri në moshën 15-vjeçare.

-Si vazhdoi shkollimi juaj?

Mund të them se kam pasur  një shkollim interesant. Duket e pabesueshme. Konkretisht, pas shkollës 8-vjeçare, duke pasur rezultate në gjimnastikë më kërkuan të vazhdoja Institutin e Fizkulturës, por nuk donte im atë, sepse pretendonte që ai profesion ishte i rrezikshëm dhe mund të vritesha.  Kur s’e mendoja shkolla e mesme më doli për ekonomi dhe farmaci në Vlorë. Nuk pranova asnjërën nga këto. Por në ato kohë, sapo ishte hapur shkolla e mesme në degën elektronikë, degë e re për kohën. Më tërhoqi si gjë e re, u futa njëherë në degën elektrike për të kaluar më tutje në elektronikë. Pra, dy vjet i humba kot në këtë shkollë, pasi nuk po më pëlqente. Gjatë kësaj periudhe u mora me futboll, por babai nuk më ndahej. Ai donte të vazhdoja në art, sepse e shihte se isha më i përkushtuar ndaj artit. Atëherë vendosa përfundimisht, të vazhdoja Liceun Artistik “Jordan Misja”, derisa e mbarova. Më vonë vazhdova për gjuhë letësi…

Pas shkollës ushtar, a u aktivizove në aktivitete të repartit? Po pas ushtrie?

Unë ushtrinë e bëra  në Elbasan dhe aty jam aktivizuar në shumë koncerte këngësh. Atëhere jeta artistike ishte shumë e gjallë. Mbas ushtrisë, hyra në Ansamblin e Ushtrisë Popullore si këngëtar. Fillimisht në kor, pastaj si kënëgtar.

-Në Asamblin e Ushtrisë cilin nga muzikantët që ju ka dhënë shtysë do veçoje ?

-Më ka ndihmuar shumë kompozitori i madh Kujtim Laro që e kishim udhëheqës artistik

Kush ju ka ndihmuar më shumë për formimin tuaj si këngëtar?

– Si këngëtar kam bërë shumë mësime me artistin e madh Ramis Kovaçi por edhe me Pandi Peleshin e me Mihal Cikon, babai i  Zhani Cikos.

-Festivalet e RTSH-së mbahen edhe sot mend për mënyrën e organizmit, për seriozitetin, për korrektesën por edhe për bërrylat. Në cilin Festival  keni marrë pjesë për herë të parë dhe me cilën këngë konkuruat?

-Po është e vërtetë. Festrivalet e RTSH-së ishin më e veçanta në jetën artistike të çdo këngëtari. Të mirje pjesë kaloje në vrimë të gjilpërës. Nuk mund të mirte pjesë kushdo, megjithëse edhe kishte luftë bërrylash. Për herë të parë paraqitem në RTSH,  në festivalin e vitit 1982 ku mu afrua kënga e Feim Ibrahimit dhe unë nuk e pëlqeva. Këtu filloi rrokullima…Pastaj  kam marrë pjesë në Festivalin e 21-të në RTSH, me këngën e Shaqir Kodrës, “Qyteza e Rinisë”. Nuk mora ndonjë vlerësim të veçantë, por ishte një hap i madh në karrierën time. Pastaj në Festivalin e 22-të, më dhanë një duet me këngëtarin Kastriot Ago. Ishte një këngë marrsh, “Bora mbi mal” titullohej kënga. Këndova më tutje nëpër anketat muzikore ku, me njërën prej këngëve, mora çmimin e parë.

-Por ju keni pasur dhe një debat në një Festival me sa kam lexuar?

Po, disa vite më vonë, Gazmend Mullai bëri një këngë enkas për mua, e cila titullohej “Dy gjysma molle”. Më pëlqeu, ishte prerë për mua. Por ndodhi çudia…Ishte vitit 1986. Një ditë në korridoret e radios, bëra një debat me një këngëtare tepër të njohur në atë kohë, debat që më kushtoi shtrenjtë. Të nesërmen qysh në mëngjes, në provat që bënim me orkestrën, për përgatitjen e këngëve dhe të festivalit, vjen drejtori i RTSH-së enkas për mua.  E kuptova që  këngëtarja bukuroshe i kishte fryrë në vesh. Prisja furtunën. Ai s’më njhte, por unë nuhata diçka. Pa u futur mirë në sallë Drejtori  pyeti se kush është një këngëtar i ri, që ka ardhur këtu, pasi  dua ta dëgjoj. Parandjenja s’më gaboi, pasi unë isha ai këngëtar i ri, e kush tjetër. U çova dhe shkova pranë mikrofonit dhe, si i padjallëzuar në atë moshë, këndova me përkushtim. Bëra të ulesha por Drejtori me një ton autoritar më tha ftohtë:  -“Ti more djalë ke zë të ëmbël, por këndon si jugosllav”.  Shtanga! Ngriva i tëri! . Një fjalë e tillë ishte e rëndë në mes të të gjithëve. Nuk e mohoj që fillova të dridhem, pasi ishte vërejtje mjaft e rëndë për atë kohë, sepse mund edhe të dënoheshe. Por e mblodha veten. Më hipi ai damari i keq i labit. Duhej të mbrohesha. Me guxim I thashë: -“Të lutem shoku Drejtor, të lutem! Edhe shoku Ramiz Alia të m’i kishte thënë këto fjalë, do t’i thosha se unë s’kam të bëj fare nga ajo krahinë, që të mundem të këndoj si jugosllav. Jam nga Labëria me origjinë, jam familje dëshmori dhe punoj në një institucion ushtarak, ku këndojmë vetëm marshe. Që nesër do të shkoj të ankohem në Komitetin e Partisë!”  Shtangën të gjithë, asnjë fjalë! Ai pa njëherë rreth e qark reagimin e të tjerëve dhe m’u përgjigj:  -“Unë jam drejtori, nuk jam specialist. Këtu ka specialistë, le ta gjykojnë këta! Këndoje dhe njëherë këngën!”  E këndova përsëri, me më tepër përkushtim dhe më i kujdesshëm. Pas herës së dytë, Drejtori me të qeshur më thotë se unë kisha të drejtë, por urdhëroi të hiqej, sepse sipas tij, ishte me motive kosovare. Që atëherë, nuk mund të këndoja dot më. Këtë këngë e këndoi më vonë Robert Alia, nga vitet ‘90 më duket, në Koncertin e Pranverës.

-Kë do të veçoje nga krijimtaria juaj artistike?

Kam dhe unë momentet e mia. Në fund të viteve 1980 , mbaj mend se  u zhvillua Festivali i Këngës Rreshtore, që e organizonte Shtëpia Qendrore e Ushtrisë me korin dhe orkestrën e Ansamblit të Ushtrisë, aty ku unë punoja. Në këtë Festival sollën këngë korale kompozitorët më të mirë të kohës. Duke pasur parasysh  se kisha  eksperiencë me korin, bëra edhe unë një kënge korale. Kur nuk e prisja, mora çmimin e parë. Më e bukura ishte se kryetar i komisionit ishte Çesk Zadeja. Mbas ndarjes së çmimeve, u bë një banket ku merrte pjesë dhe ministri i Mbrojtjes i asaj kohe dhe profesor Zadeja më uroi në sy të të gjithëve dhe më pyeti çfarë arsimi kisha. I tregova se kisha mbaruar Liceun Artsitik dhe profesor Çesku më tha se, unë e kisha të fituar konkurrimin për degën e kompozicionit dhe më ftoi të vazhdoja studimet në Institutin e Lartë të Arteve. Unë nuk mundesha të vazhdoja dot shkollën në atë kohë kur isha familjar me dy fëmijë, sepse duhet të shkëputesha nga puna dhe vetëm kohë më pas mbarova Fakultetin për Gjuhë-Letërsi, pa shkëputje nga puna.

Por me ardhjen e demokracisë u hap dhe rruga juaj për të marrë pjesë në Festivalet e RTSH-së? Cilat janë këngët më të bukura në vitet e demokracisë?

Demokracia hapi shumë dyer. Jo vetëm për mua. Nuk ishte më ai izolim dhe mënyrë konkurrimi i ngurtë. Në këto vite mund të përmend këngët “Vjola”, “Pirati i zemrave”, “Ave Maria”, “Xhelozia”, “Ikje pa kthim”, etj. Edhe sot kam një repertor të pasur, edhe pse shumicën e këngëve e kam të pareklamuar, pasi duan shumë investim të shohin dritën e njohjes nga publiku. Xhepi im është shumë i ngushtë për një art kaq rë madh. Por mbase ndonjë ditë do vlejnë një ditë për të realizuar një koncert recital!

Le të ndalemi pak tek kënga, “Pirati i zemrave”, e cila ka mbetur shumë në kujtesën e publikut. Pse kaq jehonë kjo këngë?

 Po është e vërtetë. Kjo ëshyë kënga hit që dhe mua  gjithmonë  më jep forcë. “Pirati i zemrave”  erdhi në kohën e përgatitjes së festivalit. Gjithmonë në kësi rastesh  rrinim midis shokësh artistë, komentonim, merrnim dhe jepnim mendime me njeri-tjetrin për muzikën bashkëkohore, me orë të tëra. Një ditë, duke pirë kafe me shokët artistë, hodha idenë dhe mendimin që të më thoshin një titull kënge. E bëra si konkurs dhe u thanë gjithfarë lloj tituj këngësh. Besnik Kasa, bashkëshorti i Irma Libohovës, ka qenë nga miqtë e mi të mirë, (nuk jeton më, u prehtë në paqe!)  i cili hodhi idenë të titullohej  “Pirati i zemrave”. Pastaj konkursi vazhdoi më tutje, në hedhjen e vargjeve sa mori formë. Në këtë këngë u angazhuan  Adrian Hila, Jorgo Papingji, Agim Doçi, Alqi Boshnjaku…Kur kënga u mori formë, e orkestroi Alfred Kaçinari.

-Në skenë kjo këngë ka diçka shumë specifike. Pamja juaj u diskutua shumë. Pse u veshe ashtu dhe si të lanë inspektorët e skenës?

-Kjo është situatë me vete. Po është shumë e veçantë.  Kur duheshin dhe 5 minuta të dilja në skenë, unë isha veshur si pirat. Inspektori më thotë të hiqja pallton dhe shallin. Të sqaroj se   pallton ia mora Shpëtim Saraçit, shallin ia mora Suzana Shuteriqit pa dijeninë e saj. Ajo  e kishte varur në varëse. Mora atë shall pasi shalli që kisha nuk ma mbushte mendjen. Ja, erdhi çasti për të kënduar, inspektori i skenës  më  tha hiqe pallton. Por spikeret prezantuan këngën, dhe unë me vrap, dola në skenë pa e pyetur. Dola ashtu siç isha, me pallto. Pa filluar këngën salla shpërtheu në duartrokitje. Thjesht ju bëri përshtypje pamja ime. Ishte një moment që se harroj kurrë. Ishte diçk jashtë skemës.

-Po te koncertet “Kur vjen Pranvera” kë këngë veçon?

Te koncertet  “Kur vjen pranvera” si kantautor veçoj, me orkestrim të Shpëtim Saraçit, këngën “Ave Maria”. Pas kësaj kënge u largova disi nga Festivalet

-Kur mendove të ktheheshe?

U kujtova në vitin  2003, kur realizova një këngë me emrin “Putana”, po që u pranua me kusht që të ndërroja tekstin dhe ta hiqja emrin “Putana”. E hoqa atë tekst dhe u bë një tekst tjetër. Unë mendoj se kënga m’u prish. Ajo këngë e kishte vlerën pikërisht te ajo fjalë dhe atë e orkestroi, Adrian Hila. Disa këngë i këndova te festivali, “Kënga magjike”, në fillimet e tij, të orkestruara nga Petrit Tërkuçi dhe Sokol Marsi.

-Miqtë e tu këngëtarë?

-Kam shumë por veçoj Luan Zhegun,  Kozma Dushin me Edmond Mancakun, etj

-Cilët kompozitor veçoni ndër vite?

Kompozitorët e preferuar mbeten, Agim Prodani, Gazment Mullai, Kujtim Laro, Tish Daija, Avni Mula, Vladimir Kotani, Limoz Disdari, Petrit Terkuci,  Agim Krajka ..

-Por dhe bashkëpunimet më  pikante?

Bashkpunimet më të ngushta i kam pasur me kompozitorët  Shpëtim Saraçi, Alfred Kaçinari, Adi Hila, Sokol Marsi, Elton Deda dhe njeriu muzikanti miku im më i mirë orkestruesi, instrumentisti Petrit Terkuci me të cilin kam bërë dhjetëra këngë..

– Si e kaloi izolimin e pandemisë Çlirimi?

-Gjatë izolimit të Pandemisë ne disa miq jemi dukë bashkëpunuar për një album më këngë të reja që do dalë këtë vit.

-Ku punon sot Çlirimi?

Në art, në profesion.  Sot që flasim, kam mbi 22 e ca vjet që punoj në “Qendrën Kulturore Tirana”, ish-Estrada e Shtetit. Gjatë kësaj kohe kam bërë edhe këngë të tjera të pa dala në treg, i kam kënduar dashurisë, tradhtisë, atdheut, veseve të këqija që ka sot shoqëria, mashtrimeve, gënjeshtrave të politikanëve, por edhe femrës, trupit të saj, pikërisht pjesëve më të bukura, gjinjve,  ato pjesë nga kemi pirë dhe jemi rritur të gjithë. Përveç këngëve të lehta, kam kënduar dhe këngë popullore shqiptare, pa e deformuar melodinë e këngës.