Kastriot Tusha: Tesera ime është muzika e popullit tim, magjia e tingujve

509
Sigal

 Takimet me të janë gjithmonë mbresëlënëse. E shikon gjithmonë të qeshur dhe miqësor. Kur takon studentët e tij të thonë se, është një pedagog që ta heq emocionin si me magji. Pra, ai është jo vetëm një tenor i mrekullueshëm, por dhe një pedagog korrekt dhe një njeri paqësor dhe modest. Sukseset në jetë nuk e kanë  bërë delirant, përkundrazi ai me thjeshtësinë, prezencën njerëzore, vazhdon të punojë dhe studiojë me intensitet që të eci me hapin e kohës. Është një ndjekës i rregullt i ngjarjeve në atdhe dhe botë dhe të befason me përgjigjet por dhe pyetjet jashtë profesionit të tij. Në këtë bisedë ndenjëm paksa larg këngës, por  dialoguam për zhvillimet e fundit në atdhe, provimet e pranimeve në Universitetin e Arteve, rolin e femrës në shoqëri.

 Ju këtë vit ishit Kryetar i Jurisë për studentët që do të pranohen në kanto? Si ishte cilësia e konkurruesve dhe juria a ka vend për hatëre, tarafe, ndërmjetësi, por edhe mitmarrja, etj.?

Ky vit ishte një vit me konkurrentë shumë dinjitoz, me konkretë shumë të përgatitur, ku ne e kemi pasur shumë të vështirë vlerësimin real. Kjo vjen pasi tashmë janë të gjitha mundësitë që konkurruesit të parapërgatiten nga pedagogë apo mësues profesionistë dhe të nxjerrin ën pah paraprakisht aftësitë e tyre, pa ardhur ende në konkurrim. Pra çdo konkurrent vjen në këtë ditë, i konsoliduar, i parapërgatitur, i mirë informuar dhe me dije të vazhdueshme në këtë degë. Sot nuk vijnë kurrë konkurrentë të rastësishëm, apo konkurrentë spontan. Asnjëherë. Konkurrenti vjen pasi i kanë dhënë vlerësim paraprak specialistët, pasi kanë bërë mësime parapërgatitore. Këtë vit me sa mbaj mend kanë ardhur mbi 25 konkurrentë të gjithë me përgatitje të mirë. Ndërsa përsa i përket pyetjeve a hyn miku, njohja, apo e tjera mund ët them me bindje se as nuk e çoj në mend. Ky profesion nuk do mik. Skena nuk do mik. Skena është skenë, ajo të nxjerr blof. Të skarcon. Zërin nuk ta fal askush, përveç zotit. N.q.s ke zë, ti ke fituar. Nuk mund të mbulohet dielli me shoshë, n.q.s ne bëjmë akrobatllëqe në dëm të cilësisë, në dëm të talentit dhe aftësisë, pasi aftësitë e konkurruesit janë të dukshme, janë konkrete. As e kam menduar ndonjëherë një vlerësim mbi këto baza, mbasi dështimi do ishte i dukshëm, do ishte i pafalshëm. Ndaj jemi kokë lartë si çdo vit, për mënyrën e zhvillimit të konkurrimit çdo vit. Kurrë nuk jemi përgojuar, kurrë nuk jemi përfolur. Respektojmë kodin tonë si profesionist, si edukator të brezit të ri dhe jo shpërfytyrimit të tij. Në këtë konkurs çdo konkurrent ka  katër pjesë të ndryshme dhe një detyrë zgjidhjeje. Vlerësimi merret si mesatare, ku dominon ajo e zërit, këngës në anën profesionale. Ndërsa për mitmarrjen? -Nuk mund ta imagjinoj një pedagog të kryej aktin e mitmarrjes!

Kur është momenti më i vështirë tek konkurruesit?

Momenti më i vështirë është ai i fillimit, kur konkurrenti do fillojë të këndojë apo të përgjigjet. Këtu del roli ynë si pedagog si drejtues. Kurrë nuk duhet të mbash një qëndrim autoritarist, të ashpër. Pasi ka shumë konkurrues që nuk e kalojnë këtë gjendje. Detyra jonë si juri është t’i flasim bukur, t’i flasim me qetësi, t’i flasim me dashuri, t’u heqim emocionet se vetëm kështu ata heqin emocionet dhe japin maksimumin. Këtë e kemi pasur parasysh në të gjithë punën tonë ën vijimësi.

Universiteti i Arteve nuk ka pasur kurrë probleme me mitmarrjen po ashtu dhe debate mes pedagogëve, meritë e kujt është?

Kjo është meritë vet kolektivit, e vetë pedagogëve por dhe e rektorit z. Petrit. Kolektiviteti, puna në grup, fryma pedagogjike, mendoj se kanë qenë elementët që dominojnë në radhët tona. Sot është e vështirë të kesh një kolektiv kompakt, të mirëkuptueshëm larg thashethemeve dhe tymnajave pa bosht. Por të gjitha mund të eliminohen, kur ka seriozitet në punë. Nivel të lartë pedagogjik dhe aftësi profesionale bashkëkohore. Të gjitha këto elementë i shmangin të gjitha problematikat që po diskutojmë. Dhe unë mendoj se në katedrën tonë  ekziston fryma e përgjegjshmërisë dhe e emancipimit që dalin mbi vogëlsirat  dhe ngushtësitë  e situatave që të përcjell koha. Kudo, në çdo institucion, në çdo katedër apo dhe kolektiv pune në grup n.q.s ekziston frymë çdo punë lehtësohet ndjeshëm. Pra FRYMA e ndërtimit të  bashkëpunimit, është pikënisja e çdo suksesi.

Aktualisht shkolla shqiptare e kanto, vazhdon të jetë shkollë ruse apo ka ndryshuar?

Në vitet e demokracisë shkollës shqiptare të Kantos  vazhdimisht i është ndryshuar kursi, duke ju përshtatur shkollës italiane, që ka qenë pararendësja e shkollave të tjera. Për çdo vit ne kemi rritur nivelin pedagogjik të mësimdhënies duke i dhënë përparësi shkollës italiane dhe pa i mohuar vlerat shkollës ruse. Mund të themi se sot është një kombinim pro me përparësi shkollës italiane. Kjo për vetë arsyen se tashmë shumë pedagogë tanë janë shkolluar, apo kanë marrë mësime suplementare, kanë marrë pjesë në seminare apo kurse të ndryshme në shkollën italiane të kantos. Kjo për shumë arsye por tashmë edhe për arsyen e thjeshtë se e kemi më afër gjeografikisht, sikundër dihen rezultatet e shkollës italiane të kantos, aq më tepër që nga këngëtaret dhe këngëtarët tonë lirik, janë me dhjetëra që këndojnë në skenat e operave italiane.

Si do ta cilësonit vizitën e papës në Shqipëri?

Ishte një vizitë madhështore, e bukur, plot gjallëri, siguri, pra me një fjalë e realizuar në mënyrë perfekte. Rralla në botë ndodhin organizime të tilla kaq të mrekullueshme. Një vizitë që u transmetua nga gjithë televizionet në botë dhe ku të gjitha dolën për një vizitë të arrirë në të gjitha drejtimet. Organizimi, siguria, protokolli, pritja, entuziazmi, qetësia, brohoritjet në kohën e duhur, fjalimet ishin në mënyrën më të mirë të mundshme. Me këtë vizitë populli ynë tregoi se është një popull me kulturë, një popull me dinjitet, një popull i emancipuar, mikpritës, largpamës, luajal, dhe me vlera shpirtërore të paimagjinueshme. Pa vënë në diskutim rolin e qeverisë, popullit me mënyrën e pritjes ën mënyrë spontane, me qetësinë, dashurinë njerëzore, tregoi vlerat dhe virtytet më të spikatura që na karakterizojnë ne si komb. Popullin tonë e kanë keqdrejtuar, pasi ai brenda vetes ka energji të tilla pozitive, sa të shtang. Gjithë bota u habit me këtë pritje të dashur, korrekte, dinjitoze, me kulturë, pritje që i tregoi botës se populli ynë duhet ta kishte marrë me kohë statusin brenda gjirit të familjes së madhe Evropiane. Nga ana tjetër dhe vetë Papa Françesku nuk e besonte këtë lloj pritjeje të parën në Evropë. Fjala e tij, më ka impresionuar së tepërmi. Ai nuk u imponua si i krishterë por si njeri i thjeshtë i zotit, si besimtar, për rregullat që duhet të kemi brenda vetvetes  për të respektuar fenë, familjen, njeriun. Kam lexuar shumë nga thëniet e tij ku dua të veçoj: – Mos provoni t’i ndryshoni të tjerët; respektoni bindjet e të tjerëve. “Ne mund t’i inspirojmë të tjerët përmes dëshmisë se askush nuk bashkohet në komunikim. Por, gjëja më e keqe është kur dikujt mundohemi t’ia ndryshojmë religjionin, që tingëllon si: “Po flas me ty për të ta mbushur mendjen. Jo. Çdo njeri dialogun, duke filluar me identitetin e vet. Kisha rritet duke i tërhequr njerëzit e jo duke i detyruar ata”,- ka thënë Papa.

Pedagog dhe tenor, këngëtar, ku ndiheni më mirë dhe ku më me përgjegjësi?

Unë ndihem mirë në të dy profesionet, por dhe ndihem keq përpara një përgjegjësie të dyfishtë. Kënga të jep popullaritet, të qenit pedagog të jep seriozitet, të dyja bashkë përbëjnë një përgjegjësi të madhe që duhet ta përballosh me çdo kusht. Një gabim në një profesion detyrimisht ndikon dhe në prestigjin e profesionit tjetër, ndaj hapi duhet të jetë i kujdesshëm. Janë dy profesione që kanë të  përbashkëta por edhe veçantitë e tyre, ndaj them se në këtë autostradë, përgjegjshmëria është e madhe, kujdesi ndaj vetes i madh, maturia maksimale dhe ekuilibrat mes studentëve dhe fansave duhen ruajtur me elasticitet.

Keni menduar të merreni me politikë?

Kërkesat në këtë drejtim kanë qenë të vazhdueshme, por unë ju jam shmangur. Unë jam këngëtar, përcjell melodinë e shpirtit të popullit që i përkas dhe kalimi në njërën apo në tjetrën parti do të përgjysmonte fansat apo dashamirësit e mi. Unë i përkas popullit tim, këngës së tij, dhe ngjyrimi partiak do ti zbehte lidhjet e mia me popullin. Kënga nuk ka parti. Muzika është e të gjithë kombit e pa parcelizuar. Melodia dhe himni që unë i përcjell popullit shqiptar është tesera ime, pasaporta ime më e mirë në shërbim të identitetit kombëtar.

Si do ta cilësonit rolin e femrës shqiptare në qeverinë “Rama”?

Mund të them se unë ndihem mirë me çdo qeveri që vlerëson femrën, gruan që është gjysma tjetër dhe më e shumëvuajtura historikisht në shoqërinë shqiptare. Në të gjitha qeveritë postkomuniste, kur kam parë vlerësime në poste ministrore apo Kryetare Kuvendi, më është bërë zemra mal, pasi  kam parë që në vendin tonë po fryjnë erërat e ngrohta të mirësisë dhe të vlerësimit real të femrës shqiptare. Ndaj dhe emërimet e qeverisë Rama i përshëndes. Aty, ku vlerësohet femra, emancipimi i shoqërisë njeh vlera maksimale. “Po të mos frynte era në det nuk do të kishte stuhi, por edhe anija nuk do të lëvizte. Po të mos ishte gruaja në botë, asnjëri nuk do të ishte i mjerë, por nuk do të ishte as njeriu”,- ka thënë Sami Frashëri

Albert Z. ZHOLI