Karikatura, mjeti im për të ironizuar politikanët shqiptarë në tranzicionin pa fund

725
Sakip Cami

Jetëshkrimi
Ka lindur më 22 mars 1944 në Tiranë. Babai i tij ka ardhur në Tiranë nga Dibra e Madhe, bashkë me mijëra dibranë të tjerë të përzënë me luftë nga serbët pas vitit 1913. E ëma nga Korça. Pra me një baba dibran dhe më një nënë korçare, Bujari mori nga të dy prindërit cilësitë e tyre më të mira, zgjuarsinë dibrane dhe civilizimin korçar. Dibra e Madhe ka qenë ndër vite qytet me zhvillim dhe ndikim nga Stambolli, epiqendra dhe nyja e civilizimit europian dhe aziatik. Ka një proverb për Dibrën. Stambolli u përpoq ndër shekuj ta sundonte Dibrën, por nuk arriti dot, Dibra e bëri çorbë Stambollin. Kapexhiu studioi për aktor në shkollën e lartë pranë Teatrit Kombëtar, si edhe kursin e lartë pasuniversitar për regjisor po aty. Më 1968 filloi punë si regjisor në Teatrin e Estradës së Tiranës ku shkroi shumë skeçe, parodi, kuplete si edhe u mor me karikaturë për organet e shtypit.
Modernizmi dhe civilizimi i Bujarit
Modernizmi dhe civilizimi i Bujarit u dukën edhe në Festivalin e 11 të RTSH, ku Bujari ishte prezantues së bashku me aktoren Edi Luarasi. Kjo i kushtoi atij një largim dyvjeçar nga Tirana. Pas këtij largimi u rikthye më 1975 si regjisor dhe piktor në sektorin e sapo ngritur të filmit vizatimor pranë Kinostudios “Shqipëria e re”. Filmi “Zhgarravinat” (1977) ku Kapexhiu krijoi vizatimet, skenarin dhe regjinë u vlerësua me çmimin e Parë të Festivalit të III-të të filmit Ballkanik të organizuar në Stamboll, Turqi, 1979 ; me Kupën e Festivalit të III të Filmit Shqiptar, 21-28 prill 1979 si dhe me çmim në Napoli të Italisë në 1984. Deri në vitin 1985 xhiroi rreth 20 filma vizatimorë në shumicën e të cilëve është skenarist ose bashkëskenarist, regjisor dhe piktor. Midis tyre spikat edhe Pipiruku, personazhi i dashur për fëmijët i ndërtuar prej tij. “Pipiruku pret 2 miq” u vlerësua me çmim të dytë në Festivalin e VI të filmit dokumentar e vizatimor. Pas vitit 1985 iu përkushtua zhanrit të kinokomedisë duke u shquar për individualitetin e spikatur. Në një kohë mjaft të shkurtër xhiroi katër filma artistikë : “Dy herë mat”, 1986, “Tela për violinë”, 1987, “Stolat në park”, 1988, “Edhe ashtu, edhe kështu”, 1989.
Shumë njerëz mendojnë…
“Shumë njerëz mendojnë se unë jam ndëshkuar nga vetë personazhi i Bepinit” në filmin “Duel i heshtur” . Kështu e nis rrëfimin e tij Bujar Kapexhiu. Nëse i rikthehemi kujtesës dhe ndalojmë në vitin 1967, vit kur Kapexhiu interpretoi rolin e tij të parë në kinema, atë të një të riu të pakënaqur, që kërkon të arratiset përtej detit, para syve na del një personazh mjaft interesant, i vërtetë, me stil perëndimor dhe ide demokratike perëndimore. Një rol shumë impresionues, në kohën kur ishim mësuar të shihnim heronj të realizmit socialist, të fortë, të paepur, me bindje të pastra… Aq mirë është mishëruar ky rol sa të duket që vetë Bujari ka qenë i tillë, njëri prej atyre njerëzve që donin të kapërcenin kufirin. “Aktorit i takon shpesh të interpretojë vetveten, mendon Bujari. Mesa duket, Bepini kishte një lloj ngjashmërie me mua në atë kohë, kishte rininë, aspiratat, dëshirat e mia. Madje ka edhe diçka interesante që ndodhi pas filmit. “Kur unë u dënova për të vajtur në prodhim, për tendenca moderniste, kryeredaktori i revistës “Hosteni” në atë kohë, Niko Nikolla, më thotë: “Ti Bujar e pësove pikërisht nga filmi. Sepse ata e kanë parë filmin dhe kanë thënë, përderisa luan kaq bukur, edhe ky duhet të jetë i poshtër me siguri, me këto mendime dhe këto tendenca”.
Roli i parë
Ky ishte roli i parë i imi, asaj kohe isha student në vitin e katërt të Institutit të Arteve për aktor. Të them të drejtën si aktor, e kam pasur me shumë dëshirë teatrin. Teatrin e adhuroja dhe nuk mendoja se do të luaja në film, ndonëse këmbëngulja e regjisorit Dhimitër Anganosti më mbushi mendjen që unë duhet të interpretoj tek “Dueli”. Aty jam munduar të bëj mjeshtri aktori. Ndoshta ky rol qëlloi i suksesshëm, pasi ka edhe një afërsi, ndoshta me moshën, aspiratat, dëshirat dhe kështu, përputhja e atij personazhi me veten time, bëri që Bepini të dukej, ashtu, i besueshëm, i pëlqyeshëm dhe i admirueshëm. Aq më tepër që në atë periudhë, personazhet negative pëlqeheshin shumë, sepse thonin batuta që ndoshta i mendonin të gjithë, por nuk guxonin t’i shprehnin. Kurse ne si personazhe na lejohej që t’i deklaronim. Për shembull, aty ka batuta kur unë them: “Si është e mundur që doni ta ndërtoni socializmin me kuleçë ?”, ose kur pyes për atë vajzën në fotografi : “E keni dashnore kolektive ?”, ose kur shprehem për komisarin: “Burrë i pashëm kodoshi !”. Janë disa batuta që kanë ngelur edhe sot. Atëherë punohej me një pasion të jashtëzakonshëm, vijon kujtimet e tij Bujar Kapexhiu, dhe punonim në kushte shumë të vështira. “Mendo, të udhëtosh me anije, që nuk është kollaj. Niseshim nga Durrësi dhe dilnim në det të hapur, sepse duhej që kamera kur të lëvizte, të mos kapte breg”. Të gjithë i zinte deti përveç Rikard Ljarjes dhe nuk e di pse. Mbase ngaqë kishte rol pozitiv”, shton duke qeshur. “Rikardi në atë kohë ishte edhe provokativ me ne, pasi na afrohej me cigare, na hidhte tymin në fytyrë, bënte zhurmën e të vjellës dhe ne të gjithë tmerroheshim nga kjo gjë, pasi na zinte vërtet deti. Por, vërtet që ruaj nostalgji për atë kohë. Për pasionin, për punën e bukur artistike që kemi bërë me regjisorin. Ishte një eksperiencë e re, e para në film dhe shumë interesante”.
Kinokomedia “Dy herë mat” mban autorësinë e Bujar Kapexhiut
Bujari që fëmijë thotë së ka pasur një prirje natyrore ndaj humorit, mbase të mbartur nga familja. Babai i tij, një burrë nga Dibra e Madhe me një humor fin dhe elegant, ndërsa e ëma, një korçare me shpirt të pasur artistik. “Nga e kam marrë unë humorin ?, përsërit pyetjen e bërë Kapexhiu… Epo, shpesh e kam thënë, nëse palosim në mes hartën e Shqipërisë, Dibra bie mbi Korçën, dhe unë nuk kisha nga dilja ndryshe…”. “Më pëlqente gjithmonë të bëja humor në shoqëri, familje”, kujton ai. “Interpretimi i filmit “Dy herë mat” ka qenë edhe si një vazhdë e punës sime si regjisor në Estradën e Tiranës. Aty u caktova, sapo mbarova shkollën. Gjatë gjithë këtyre viteve jam marrë me humorin, si me shkrimet, ashtu edhe me regjinë. Kështu që kur shkova në Kinostudio, fillimisht shkrova një komedi e cila u pëlqye mjaft.
Atëherë isha piktor dhe skenarist i filmit vizatimor
Mirëpo dëshira ishte që të kaloja në filmin artistik. Ndaj shkrova skenarin, që në atë kohë titullohej “Tre herë mat”. Por meqë filmi dilte shumë i gjatë, hoqëm një “mat” dhe e bëmë “Dy herë mat”. Por unë nuk e kisha menduar që do ta interpretoja vetë rolin kryesor të këtij filmi, e kisha taksur këtë rol për aktorin Agim Qirjaqi. Atë e kam pasur student në Institutin e Arteve dhe më kishte lënë përshtypje të jashtëzakonshme, si një student i rrallë dhe më vonë, si një aktor i mrekullueshëm. Mirëpo kur kërkova Agimin, ai ishte i angazhuar në një film tjetër. Kështu që u vendos që këtë rol ta interpretoja unë. Padyshim nuk është lehtë që edhe të interpretosh, edhe të drejtosh. Gjithmonë duhet të kesh një sy tjetër që të shikon dhe të korrigjon. Por kam bashkëpunuar shumë me operatorin Lionel Konomi, i cili më ka ndihmuar në këtë drejtim dhe ka qenë ai që ka bërë syrin korrigjues gjatë filmit”.
Pas vitit 1990
Pas vitit 1990 Kapexhiu është marrë më shumë me fushën e pedagogjisë dhe të karikaturës. Ai ka qenë pedagog dhe rektor i Arteve të Bukura. Sot është pedagog i estetikës dhe artit në UET (Universitetin Europian të Tiranës). Gazeta “Mapo” çdo ditë hapet me karikaturën e ditës së Bujar Kapexhiut, ku autori sintetizon ngjarjet politike dhe stigmatizon politikanët shqiptarë. Me anë të këtyre karikaturave Bujar Kapexhiu vë në lojë hipokrizinë, veset dhe babëzinë e politikanëve.
Ai ka hapur disa ekspozita me karikatura në UET, Durrës etj.
Maja e mprehtë e lapsit të Kapexhiut, në një mënyrë a në një tjetër, kritikon politikanët e të gjithë krahëve dhe të gjitha ngjyrave. Me humorin e tij të hollë dhe shpotitës, pa asnjë ligësi, madje do të thosha, me një sinqeritet dhe dashamirësi të pazakontë njëkohësisht duke kthyer farsat e tyre në komedi. Karikatura e tij evidenton inflacionin mbisundues të hipokrizisë, veset, etjen për lavdi, por edhe babëzinë për pasuri dhe pangopësisë me pushtet.”
Sigal