Helena Fecanji: Këmbëngulja dhe ambicia të çojnë aty ku do

663
Sigal

Intervista/ Flet Balerina e  modelja shqiptare Helena Fecanji: Lidhja ime me modën dhe miqësia e ngushtë me modelin Hermes Nikaj

Helena u lind ne Qytetin e Korçës. Që e vogël ishte e apasionuar pas aparatit dhe ëndrrës për të qenë një modele. Është vetëm 20 vjeç dhe deri më tani ka arritur t`i realizojë të gjitha qëllimet që i ka vënë vetës. Pasioni më i madh i jetës së saj është pasarela, por nuk ngelen pas baleti, aktrimi, televizioni dhe udhëtimet në vende të ndryshme të botës. Helena ka përfaqësuar Shqipërinë në shumë evente dhe kompeticione mode duke marrë vlerësime për tiparet dhe fizikun e saj të veçantë të cilin e përkufizuan të tipit latin. Gjithashtu ka pozuar për koleksione veshjesh të firmave të ndryshme, duke u bërë pjesë e katalogëve përkatës. Tashmë u bënë 3 vjet që ajo po merret me balet & modeling dhe aktualisht është pjesë e Agjencisë Icon, si modele. Thjeshtësia dhe ëmbëlsia, janë dy nga cilësitë që e kanë identifikuar atë ndër personazhet e ekraneve shqiptare.

-Përshëndetje Helena, prej kohësh merreni me balet & modeling, cilat janë eksperiencat e deritanishme?

 Prej kohësh merrem me Balet & Modeling dhe mendoj se, sot jam profesioniste në këtë fushë. Fillimisht nisa bashkëpunime me shumë fotografë të njohur për sete të ndryshme, më pas kam qenë pjesëmarrëse (figurante) në disa klipe muzikore të shumë këngëtarëve të njohur. Gjithashtu, kam qenë pjesëmarrëse në disa spote publicitare & konkurse të ndryshme bukurie ku jam vlerësuar. Aktualisht jam pjesë e Agjencisë prestigjioze Icon në Tiranë.

-A ka industri mode në Shqipëri, ç’mund të na thoni?

Në fakt e kam dëgjuar shpesh dhe më vjen keq sepse e thonë pikërisht ata që ndërkohë merren me këtë gjë. Është mese normale që s`mund të flasim për industri si vendet e botës, por gjithsesi edhe këtu ka shumë përpjekje për të arritur. Stiliste, modele, fotografë, janë në gamën e modës, ku secili përpiqet në një mënyrë apo tjetër të sjellë diçka të re. Ndoshta, fakti është se shumë herë duke mos pasur dhe një edukatë mode shumë gjëra nuk perceptohen. Është më e thjeshtë të flasësh kundër sesa të ecësh me hapin e kohës.

-Ju kemi parë në disa foto me modelin Hermes Nikaj, cila është lidhja juaj me të?

Vetëm pak kohë më parë ne kemi realizuar një set fotografik duke reklamuar disa bizhu dhe syze te ndryshme. Me Hermes njihem prej vitesh dhe ai është një djalë i mrekullueshëm, për tu admiruar dhe marrë shembull në të gjitha drejtimet. Jemi shumë miq.

-Stilisti & fotografi më i mirë shqiptar, sipas jush?

 Janë të shumtë por do të veçoj këtu Anila Konomin, Enada Atnikolla dhe fotografin e njohur Sonny.

-Çfarë e bën një modele të jetë e suksesshme?

Në radhë të parë e bën vetëm këmbëngulja dhe ambicia për të arritur aty ku ajo dëshiron. Është shumë e thjeshtë të bëhesh modele sot, por e vështirë të arrish suksesin dhe famën. Unë personalisht kam tre parime në jetë, të synoj më të mirën, të punoj me shpirt për ta arritur dhe më pas të shijoj atë çka kam arritur. Nuk duhet kurrë të kënaqesh me pak, gjithmonë duhet të kërkosh atë që meriton, edhe pse pak e vështirë në ditët e sotme.

-Cila është pjata juaj e preferuar Helena?

Rizoto me fruta deti.

-Ndërkaq, le të kalojmë tek martesat gay, jeni pro apo kundër?

 Totalisht Pro. Jeta shfaqet me të gjitha ngjyrat e ylberit.

-Cili është idhulli juaj në botën e Televizionit & Spektaklit?

Do të veçoj këtu moderatoren e UTV news, Rozana Lati, e cila është një prezantuese plot sharm dhe elegancë.

-Dhe së fundmi diçka për ta mbyllur…

 Një përshëndetje shumë speciale për familjen time, në veçanti për miken time më të mirë, Adën gjithashtu dhe për lexuesit e gazetës. Ju kam xhan !