Busti i akademikut Aleks Buda, u vendos në sheshin para Akademisë së Shkencave

700
Sigal

Udhëhoqi një aksion të madh shkencor të studimeve ndërdisiplinore, të cilat mundësuan ndriçimin e proceseve kardinale historike

“Me propozim të Kryesisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe me vendimin nr.1, datë 12.02.2015 të Këshillit Bashkiak të Tiranës, qe vendosur që në lulishten para Akademisë së Shkencave të ngrihej busti i akademik Aleks Budës. Përurimi u zhvillua (datë 11. mars) në mjediset e lulishtes përpara Akademisë së Shkencave në orën 11:00. Të pranishëm në ceremoninë e përurimit ishin edhe Akademikë të Shkencave të Shqipërisë si dhe personalitete të njohura të jetës kulturore e artistike në vend. Fjalën e rastit e mbajti Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, profesor Myzafer Korkuti, i cili, bashkë me kryetarin e Këshillit Bashkiak të Tiranës, zotin Aldrin Dalipi dhe të bijën e prof Aleks Budes, Tatjanën, zbuluan bustin e historianit të madh shqiptar.

Prof. Aleks Buda është një personalitet i historiografisë dhe kulturës shqiptare, (në gjysmën e dytë të shek. XX), kryetar i parë i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe “Mësues i popullit”. Ai është arkitekt i projektit madhor të Historisë së Shqipërisë, vepër krejt e re, si nga përmbajtja e gjerësia e trajtimit, ashtu edhe nga kriteret shkencore të vështrimit të proceseve historike.
Me vizionin e një historiani që sheh thellë e larg, akademiku Aleks Buda, me mendimin dhe veprën e tij, me ekipin e udhëhequr prej tij, e nxori historiografinë shqiptare nga faza parashkencore në periudhën e mendimit historik shkencor. Prof. Aleks Buda udhëhoqi një aksion të madh shkencor të studimeve ndërdisiplinore, të cilat mundësuan ndriçimin e proceseve kardinale historike, si atë të vazhdimësisë iliro-shqiptare dhe të formimit të etnosit shqiptar, të gjuhës e kulturës së tij, të lindjes dhe formimit të shtetit të Arbrit dhe të rolit të shqiptarëve në historinë ballkanike. Në çdo vepër dhe aksion shkencor për historinë e shqiptarëve, të kulturës dhe qytetërimit të tyre, është mendja dhe kontributi i Aleks Budës. Ai është udhëheqësi i disa brezave studiuesish, të cilëve u dha gjithçka nga vlerat dhe pasuria enciklopedike e tij. Me vendosjen në Sheshin “Fan Noli” të bustit të akademikut Aleks Buda, të realizuar mjeshtërisht nga skulptori Hilmi Kasemi dhe të realizuar me cilësi nga Firma Leodekor, ne nderojmë një nga korifenjtë e shkencës albanologjike, historianin e mesjetës shqiptare, historianin e epokës së Skënderbeut e të Rilindjes Kombëtare, mjeshtrin e analizave historike e të sintezave të mëdha, personalitetin poliedrik të kulturës, arsimit dhe të shkencës shqiptare dhe një nga përfaqësuesit dinjitozë të albanologjisë shqiptare në botën shkencore ndërkombëtare. Vendosja sot e bustit të akademikut Aleks Buda e bën atë “qytetar të përjetshëm” të qytetit të Tiranës”, tha në fjalën e tij kryetari i Akademisë së Shkencave Muzafer Korkuti .
Busti i Aleks Budës është një vepër e skulptorit Ilmi Kasemi. Skulptori i njohur prej kohësh ka punuar për realizimin e këtij busti që është një vlerë e shtuar akademike dhe kulturore.

Jetëshkrimi

 Lindi në Elbasan më 7 shtator 1911, i biri i Dhimitër Taq Budës. I ati ishte farmacist, delegat i Elbasanit në Kongresin e Manastirit,  deputet në dy legjislatura në Kuvendin Kombëtar. Një ndër financuesit e Shkollës Normale të Elbasanit. Mësimet e para Aleks Buda i nisi kur ishte 7 vjeç në shkollën fillore të qytetit të lindjes. Pa kryer klasën e dytë i vijoi studimet në Leçe të Italisë. Më 1920 bashkë me dy vëllezërit e tij shkon me studime në Austri. Atje plotësoi filloren dhe kreu më 1929 gjimnazin në Salzburg. Më tej ndoqi studimet në Universitetin e Vienës, në Institutin Ballkanistik (1930 – 1935) ku mori mësime nga profesorë të njohur, si Karl Patsch, Reiniger dhe Norbert Jokl. Gjatë kësaj periudhe u aktivizua në Shoqërinë e studentëve shqiptarë Albania të Vjenës, së bashku me Lasgush PoradecinSkënder LuarasinEqrem ÇabejnKrist MalokinQemal Butkën etj., duke qenë edhe bashkëpunëtor i revistës “Dialëria” të kësaj shoqërie. Në vitin 1938 u kthye në Shqipëri. Punoi së pari, si arsimtar në Gjimnazin e Tiranës (që nga shtatori 1939), ndërsa më 1940 transferohet në Liceun e Korçës. Në fund të viti 1941 shkoi në Itali në Universitetin e Padovës pranë profesorit të njohur Karlo Taljavini për t’u kualifikuar në fushën e gjuhësisë së përgjithshme ballkanike dhe të shqipes, por pas një viti kthehet në atdhe, për shkak të luftës. U lidh me lëvizjen Nacional-Çlirimtare dhe më 1944 zgjidhet nënkryetar i Këshillit ANÇl të qarkut të Elbasanit. Menjëherë pas çlirimit të vendit punoi si drejtor i Bibliotekës Kombëtare (1945-1946), por shpejt (1946) u bë një nga organizatorët e Institutit të Shkencave, ku punoi si përgjegjës i seksionit të historisë, sociologjisë dhe ekonomisë. Aty ndihmoi në krijimin e sektorëve të arkeologjisë dhe të historisë së lashtë, të historisë së Mesjetës dhe të artit mesjetar, të historisë së kohës së re, të etnografisë etj. Së bashku me kolegët e sektorit të tij, bënë të mundur publikimin e studimeve e arritjeve në fushën e arkeologjisë e të etnografisë, që u ekspozuan në Muzeun arkeologjik-etnografik të përuruar më 1947. Fitoi përvojë si pedagog i historisë që në fillimet e Institutit pedagogjik dyvjeçar (1946); më 1955 u bë një nga organizatorët dhe studiuesit më me përvojë të Institutit të Historisë dhe të Gjuhësisë, i sapokrijuar. Me krijimin e Universitetit të Tiranës më 1957, A. Buda do të ishte një nga themeluesit e katedrës së historisë dhe të kursit të historisë së Shqipërisë në këtë universitet. Viti 1972 qe një vit i veçantë për jetën shkencore në Shqipëri, njëherazi edhe për A. Budën: U themelua Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Në mbledhjen e parë të asamblesë (1973), të çelur nga akademiku Eqrem Çabej, Aleks Buda zgjidhet kryetar i Akademisë, detyrë që e mbajti deri në fund të jetës, pasi u rizgjodh dy herë. Aleks Buda vdiq pas një sëmundjeje të rëndë, në Tiranë më 7 korrik 1993.

 Vepra

Veprimtaria kryesore e tij ishte studimi i historisë, veçanërisht në fushën e historisë mesjetare shqiptare dhe të Rilindjes Kombëtare. Ai është bashkautor dhe redaktor përgjegjës i tekstit të “Historisë së Shqipërisë, vëllimi I” dhe autor i disa studimeve për periudha të ndryshme të Historisë së Shqipërisë, sidomos për atë të “Skënderbeut” për etnogjenezën e popullit shqiptar si dhe autor i shumë shkrimeve publicistike. Buda ka shkruar edhe hyrjen 18-faqesh të botimit të veprës së Marin Barletit, “Rrethimi i Shkodrës”, e cila u përthye nga Henrik Lacaj dhe u botua në Tiranë në vitin 1962. Aleks Buda është bashkautor i Vëllimit të dytë të “Historia e Shqipërisë”, botuar në vitin 1965. Në hartimin e Fjalorit enciklopedik shqiptar (1985), e para vepër enciklopedike shqiptare, ai dha ndihmesë të çmuar në konceptimin e udhëheqjen shkencore, ashtu edhe si kryeredaktor.

Sali Onuzi