Gëzim Llojdia/ Plazhi i Zvërnecit më i madhi në Gjirin e Vlorës

1122
Sigal

1.

Në turizmin e rërës dhe diellit, plazhi i Zvërnecit në gjirin e Vlorës është plazhi më masiv dhe përbëhet nga disa plazhe private dhe një publik. Plazhi shtrihet në gjatësinë e vijës detare, ku dikur shtrihej Treport i vjetër. Dy janë, rrugët që të shpien në bregdet. Nga parku i tregtisë, një udhë për çdo vizitor kur udhëton nëpër të, të kujton Shqipërinë e viteve ’60. Përse udha në fund të transballkanikes duhet të jetë gjithë gropa e çakëll si dikur, udhët e katundeve në ndonjë cep të Shqipërisë? A ka funksionuar pushteti lokal në këtë qytet turistik, ku udhët duket se i kanë ngrënë qentë e Coles? Pak bitum dhe ca thasë çimento. Bashkë me ty udhëtojnë cisternat e naftës, që shkojnë te petrolifera. Kamionistët me cisterna të reja, gjithë dimrin bëjnë këtë udhë dhe për të treguar zemërimin e tyre, që ka aq shumë automobila ata, ecin si të çmendur në një garë me jetën. Përmes pyllit të sodës endet era e rëndë e ndonjë qeni të ngordhur apo mbeturinat e peshkut. Udha e dytë, kalon nga fshati Nartë. Një udhë me bitum e rrezikshme për shpejtësinë dhe kthesat, ngase është ndërtuar për të kaluar vetëm një automobil.
2.
Kufiri mes Nartës dhe Zvërnecit, nuk shquhet lehtë, aty ndanë udhës dhe as në vijën detare. Ka shumë pushues. Ka çadra me kashtë, lokale të mrekullueshëm, një plazh publik, një kullë për vrojtim dhe dy policë me uniformë nëpër turmën e zhveshur. Ky është peizazhi i një dite. Bisedat e ditës. Kafeja ka çmime të ndryshme. Nga 50-70-90 lekë. Peshku i shtrenjtë. Anijet e peshkimit qëndrojnë si relike në molin aty pranë petroliferës. Mijëra pushues, që shfrytëzojnë plazhet e rërës dhe diellit. Ku janë peshkatarët në këtë mes? Peshku vjen nga gjoli i Nartës. Peshku tjetër kapet në vaskat e Karaburunit. Markat e automobilave, që parkojnë nën tendat e rrjetave jeshile të bareve buzë detit janë si ndër udhët e Parisit, Vienës apo Milanos. Muzika si në plazhet e botës, ajo tipike shqiptare është muzika popullore, që vjen diku nga “plazhi Kapiteni”. Shitësit e misrave, farave, letrave, kokoshkave bredhin mes çadrave. Dëshpërimi i tyre është i lexueshëm, por ata ende nuk kanë kuptuar se produkte e tyre u përkasin një kohe të perënduar.
3.
Qyteti i flamurit ka një karakteristikë edhe të veçantë sepse deti, plazhet me diell e rërë, monumentet e kulturës, historia, tradita ndërthurin një pjesëmarrje qindra vizitorëve nga globi. Duke qene se qyteti ka potenciale për te qene një destinacion turistik, atëherë duhet te bëhen përpjekje qe te krijohen kushtet minimale për ti arrire, rruga, ushqimi dhe në fund tradita.
4.
Treporti sot. Toka ku sot pushojnë plazhistë, ka një të kaluar historike. Aktualisht aty ku zinte fill muri, janë ndërtuar dy godina të mëdha 4-5 kate bar restorante, gjatë qeverisjes së kaluar, të cilat duken se kanë cënuar pjesë të murit. Nëse bankina ishte gjuhë e ngushtë për 200-300 m në thellësinë e detit, rrënoja mund ti shikosh me sy të qetë nga kodra ku dikur ishte pjesë e një garnizoni ushtarak. Shkëmbinjtë e gjuhës, që ngrihen 0.5-1 m mbi ujë, luajnë rolin e një valëthesi natyral, i cili krijon një zonë të qete të mbrojtur mjaftë mirë prej dallgëve. Në të vërtetë këta shkëmbinj, që thyejnë dallgët ngjasojnë me ca nëndetëse të vogla, gjysmë të zhytura nënë syprinën e ujit. Gjurmët e kohëve te hershme gjenden fare pranë bregut dhe kodrës prej materiali shtufi, që zbret thikë në det. Çfarë ndërtimi i kohëve të vjetra i përket një ndërtesë me përmasa të rregullta katrore, që shquhet jo më shumë se 30m nga bregu në brendësi të ujit? Një barrierë e madhe prej blloqesh në distancë prej 500-600 m nga bregu shquhet nga përplasja e dallgëve përmbi barrierë. Kjo barrierë, që mund të ketë qenë pjesë e portit mund ta ndjekësh në fare pak sekuenca kohe, ndërsa shuhen dallgët për tu rikrijuar ose në ditët kur moti është i qetë dhe deti s’ka valëzim. Gjithë hapësira e madhe e këtij kepi tregon se përmasat e tij edhe sipas mendimit të studiuesve kanë qenë ndër më të mëdhatë për kohën e vet. Kur është gërmuar për herë të fundit në Treport? Ka 20 vjet kohë, që nuk janë dukur më këtej arkeologët për të gërmuar në tokë dhe në det. Sa për server mund të jenë kryer gërmime kurrsesi. Treporti sot është në pritje të kohës së vet për të nisur gërmimet.

Ku shtrihej qyteti i Treportit dhe kalaja e tij?

Tre- porte si mund të quhet ky qytet që gjendet në afërsi të Vlorës. Një distance rreth 7-8 km, për t’u gjendur në gjirin e Vlorës. Gjiri i Vlorës është i rrethuar nga brigjet e sheshtë, me thellësi të vogla, ndërsa është mbyllur nga shpatet e malit Lungara dhe gadishullit me lartësi rreth 840 m. Treporti: është një rrip toke, në forme istmi që shtrihet 8 km në veriperëndim të Vlorës. Treporti: është një rrip toke shkruan në planin e zhvillimit të saj Komuna Qendër, në forme istmi që shtrihet për 8 km në veriperëndim të Vlorës, midis lagunës së Nartës në lindje dhe detit në perëndim. Relievi i këtij rripi toke krijohet nga kodrina të ulëta që shkojnë deri në 80 m. Në zona të tjera rripi i tokës është shumë i ulët dhe përbëhet nga një rërë e hollë edhe e bardhë (zona e Kavalonësnë lindje të Nartës). Në të kaluarën lidhja e lagunës së Nartës me detin realizohej nga tre hyrje nga të cilat sot funksionon vetëm një. Në pjesën me të gjerë e më të lartë të Treportit gjendet fshati i Zvërnecit, në pjesën jugore të së cilës që zgjatet drejt detit janë zbuluar mbetje të një porti antik. Komuna Qendër ka një sipërfaqe prej 12 000 ha, nga të cilat 42 km katror janë të përbëre nga pasqyra ujore e Lagunës së Nartës. Komuna Qendër ka nën administrimin e saj një vijë bregdetare prej rreth 10.5 km në detin Adriatik. Pjesa tjetër e territorit shtrihet në lartësitë e kodrave, që rrethojnë qytetin e Vlorës në pjesën verilindore dhe lindore. Komuna kufizohet në jugperëndim nga Bashkia Orikum dhe në veri verilindje nga komuna Novoselë. 
Ishulli i Sazanit dhe Laguna e Nartës. Laguna e Nartës është e njohur në nivel ndërkombëtar për shkak se përmbush kërkesat e Ramsar-it. Laguna mbyllet me kepin e Treportit, i cili së bashku me kodrën e pyllëzuar përbën një kompleks natyror mjaft të bukur turistik. Gjiri i Vlorës i përcaktuar me këto përmasa:19 km i gjate dhe 16 km i gjerë. Fillon me Kepin e Treportit dhe përfundon me Kepin e Gjuhëzës. Kepi i Treportit ndodhet në lagunën e Nartës.

Treporti në listën e qyteteve antike.

Vlora ka 5 qytete antike: Amantia, Olympia, Cerja, Orikum, Treporti. Ka qytete antike apo qendra të fortifikuar si Olympia, Cerja, Treporti.
-Studiues të huaj kanë bërë këtë emërtim për këtë qytet pak të njohur. Në zonën bregdetare në jug të Apolonisë dhe në shpinë të Orikumit, një qytet tjetër,shtrihej territori i fisit të amantëve, me qendrat e tij të fortifikuara. Qendra e këtij fisi ishte Amantia. Që nga Vjosa deri në malet Akrokeraune, ku shtrihej territori, i këtij fisi, ndodheshin një sërë kështjellash dhe qytetesh të fortifikuara. Lugina,qafa dhe vendkalime të tjera natyrore lidhnin zonat e brendshme malore me bregdetin. Në bregdet ose në një pozicion ndërmjetës e ndërlidhës midis zonave të brendshme dhe bregut, ishin kalaja e Treportit, (skelë) e Kaninës, e Himarës (Himera) dhe qyteza e Borshit. Më në brendësi ndodheshin kalaja e Mavrovës (Opympa), Amantia dhe Qyteza e Ceries. Kjo e fundit zotëronte një zonë blegtorale dhe kontrollonte rrugën, që lidhte territorin Amant me Kaoninë.
-Neritan Ceka: Një qytet tjetër, prapë në Gjirin e Vlorës, më pak i njohur, por shumë i rëndësishëm, ishte dhe Treporti, i zbuluar nga Karl Paç në vitin1904, një mur i çuditshëm që zgjatet nga kodra në drejtim të bregut. Ka ngjallur gjithmonë diskutime, pasi ishte një rrugë që lidhte qytetin e vogël në kodër me pjesën tjetër, duke menduar se ka pasur një lagunë, apo mund të kishim një skelë. Gjatë gërmimeve të viteve ‘70 u sqarua se ishte një mur rrethues që jep idenë e një vendbanimi shumë të madh, një qytet të rëndësishëm.
-Dr. Moikom Zeqo: “Shkenca faustiane e arkeologjisë nënujore”. Ka disa legjenda siç është p.sh. ajo e Kepit të Treportit në Vlorë. Këtu me të vërtetë kemi gjetur trakte muresh të një ndërtimi urban antik. Legjenda se ekzistonte një qytet i mbytur verifikohet dhe ndoshta në këtë rast kemi të bëjmë me një pozicion më të hershëm ose të një qyteti tjetër ose të vetë qytetit të Vlorës. Treporti-pozicioni dhe rëndësia e kalasë
A.Bace: Treporti në skajin verior të gjirit të Vlorës në Treport gjendet një varg i ulët kodrinor, që vazhdon prej veriut në jug, shtrihet deri në buzën e detit. Në veri të tij gjendet liqeni i Nartës, në perëndim dhe në jug deti, ndërsa në lindje, ndërmjet tij dhe një vargu që vazhdon paralel me të, por pa e arritur bregun, gjendet një truall rreth 1 km i gjate dhe 0.5 km i gjerë. Kodra më jugore e vargut në lindje, ku gjenden dhe disa burime uji të pijshëm, bie me pjerrësi 30-35, ne veri ku një qafë e bashkon me vargun, ka një pjerrësi më të butë, ndërsa nga anët e tjera thepiset me shkëmbinj të lartë. Qyteti i fortifikuar dhe skela përmenden prej Çelebiut, ku sipas tij “në perëndim të fshatit Zvërnec, në një shkëmb në buze të detit, gjendet kështjella e Jengjeçit, prej se cilës ruhen vetëm rrënojat e mureve dhe një liman shumë i madh. Me gurët e tyre Sulltan Sulejmani ndërtoi fortesën e Vlorës. Fakti që muret e kalasë së Vlorës janë ndërtuar me blloqe të thyera, të periudhës antike, na shtyu të vëzhgojmë më me kujdes zonën e mësipërme. 

Përshkrimi historik i këtij Treporti

Gjurmët që u gjetën nga sondazhet treguan se linja e mureve ndiqte kodrën 2/3 e lartësisë së saj, duke rrethuar një sipërfaqe prej 3 ha. Blloqet e murit identike me ato që qenë përdorur në kalanë e Vlorës, është dëmtuar ne mënyrë sistematike edhe me vone, duke shërbyer si gurore për ndërtimet që kryheshin përreth. Megjithëkëtë poshtë pasqyrës se ujit dhe në pjesët e saj të fillimit, ruhen ende gjurmët, të cilat se bashku me disa sondazhe dhe një skice të K. Paçit, na japin mundësinë që të rindërtojmë në vija të përgjithshme planimetrinë e saj. Bankina nis në rreze të kodrës, atje ku ajo vazhdon si gjuhë e ngushtë për 200-300 m në thellësinë e detit. Shkëmbinjtë e gjuhës, që ngrihen 0.5-1 m mbi ujë, luajnë rolin e një valë hedhësi natyral, i cili krijon një zone të qete të mbrojtur mjafte mire prej dallgëve. Bankina vazhdon ne vije të drejte për 650 m, duke qenë kështu një nga më të mëdhatë e kohës. Kjo gjatësi jepte mundësi të ankoroheshin shumë anije. Trualli ndërmjet dy vargjeve kodrinore që përmendem më sipër është i mbushur me gjurmë ndërtimi dhe fragmentesh qeramike, togjet me skarcitete dëshmojnë për praninë e punishteve në afërsi të shpatit të kodrës së fortifikimit. Lind pyetja: nëse Kanina, qytet bregdetar, në një zone të përshkruar prej korentesh të fuqishme ekonomiko-politike i ka shpëtuar vëmendjes se historianeve dhe gjeografëve antike? Siç dihet në këtë zonë përmendet vetëm një qytet me emrin Amantia, me koordinata që përkojnë mjaft mirë me ato të Kaninës. Pozita e tij e kushtëzuar nga lidhja e njëkohshme me detin, në një zone të përshtatshme për qëndrimin e anijeve dhe hinterlandin Amantin( luginën e Lumit të Vlorës), në një vend që kontrollon kalimin nga pjesa jugore e gjirit, e zënë prej Orikut në atë veriore të zënë prej amantëve, dëshmon mjaft mirë se këtu kemi të bëjmë me një qytet amant. Zhvillimi i Amantias ne shek. IV-III p.e.s dhe kthimi i saj në një nga qendrat më me rëndësi të bregdetit të poshtëm të Adriatikut sigurisht që kërkonte një qendër buze detit për kryerjen e tregtisë detare, qendër që sipas nesh ishte pikërisht Kanina. Vete emri mendojmë se do të ketë mbetur i fshehur nen emrin e fisit dhe qytetit meme Amantie. Përsa i përket qendrës tjetër Straboni, ndërmjet Orikut dhe Apolonise ne bregdet vendos Bylliakin ndërsa Ptolemeu pas Apolonisë rreshton Aulonen (qytetin dhe rrënojat e Treportit) është jashtë dyshimit, pasi asnjë qendër tjetër nuk i përgjigjet me mirë përkufizimit të Ptolemeut. Por në këtë zone siç e pamë më sipër gjendet vetëm një qytet bregdetar ai në Treport, duke u nisur nga kjo Tomashek hedh mendimin se ndoshta Aulona fillimisht ka qenë Bylisi. Ky supozim na duket i drejte pasi një qytet i vetmuar pa lidhja të forta me hinterlandin, si ekonomike ashtu edhe ushtarake do të që eliminuar me kohe prej Apolonisë fqinje e cila duhet të ndiente mirë konkurrencën e saj tregtare .Për më tepër vetë emri i përveçëm vendas, siç do të pritej për një qytet ilir, por një emër grek, që për me tepër me vonesë, kur tutela e Bylisit ndaj qendrave të tjera ishte dobësuar së tepërm.