Gazeta Telegraf/ Frank Shkreli: Vlerat morale do na shoqërojnë në rrugëtimin tonë të madh

630
Sigal

Frank Shkreli

Fjala e ish-drejtorit të VOA-s për Euroazinë, Frank Shkreli në ceremoninë e dekorimit 

I nderuar President Nishani, qëndroj para Jush me përvujtërinë më të thellë
për nderin që më keni bërë, duke Ju falenderuar nga zemra për këtë dekoratë, të
cilën sinqerisht nuk e prisja për arsyen se nuk e konsideroj veten të merituar
për një nderim të tillë të lartë, nga Shkëlqësia Juaj. Sepse jam përpjekur të
gjithë jetën, në heshtje dhe pa bujë, të kryeja detyrat me përvujtëri, pa pretendime
për vlerësime ose shpërblime si ky. Por e pranoj vlerësimin Tuaj, me
mirënjohjen më të thellë, për Ju, Zoti President, për shtetin shqiptar që ju
përfaqësoni, por edhe ndaj atyre që kanë bërë rekomandimin. E ndjej veten të
privilegjuar gjithashtu edhe si pjesëtar i komunitetit shqiptaro-amerikan. Nuk
ka privilegj më të madh për një shqiptaro-amerikan që në këtë mënyrë, të ketë
patur mundësinë të jape kontributin e vet – megjithëse tepër modest – në
ndërtimin e urave dhe në ruajtjen e miqësisë historike midis dy popujve
tanë.  

Zoti President, në qoftëse më lejoni, dëshiroj t’iu shpreh mirënjohjen time
personale për kujdesin dhe përkushtimin që kini treguar si President i
Shqipërisë ndaj fatit të keq dhe ndaj vuajtjeve të të përndjekurve të regjimit
enverist. Interesimi Juaj për ‘ta i shërben pajtimit kombëtar dhe shërimit të
plagëve – për të cilat Shqipëria dhe kombi shqiptar kanë aq shumë nevojë.

Zoti President, si një shqiptaro-amerikan i lindur në trojet shqiptare nën
Malin e Zi, dëshiroj t’iu përshëndes gjithashtu edhe për kujdesin vëllazëror që
kini treguar për gjendjen e shqiptarëve në trojet shqiptare dhe më larg.
Interesimi dhe kujdesi për fatin madje edhe të një shqiptari kudo qoftë – është
interesim për të gjithë shqiptarët kudo që ata jetojnë.   Për këtë u jemi mirënjohës. Gjithashtu,
ndonëse jetoj për pothuaj një gjysmë shekulli në Amerikë, identiteti im mbetet
ai Shkrelit dhe i Malësisë së Madhe. Ju, Z. President, ndryshe nga të tjerët,
gjatë mandatit tuaj kini treguar gjithashtu vëmendjen e veçantë ndaj Malësisë
së Madhe – një krahinë e vuajtur dhe e presekutuar për gjysmë shekulli nga
regjimi komunist enverist – dhe kini vlerësuar vuajtjet dhe kontributin
kombëtar të kësaj krahine gjatë historisë. Me vlerësimet që i kini bërë kësaj mburoje
shekullore të kombit, kundër armiqëve historikë të shqiptarëve, Ju Zoti
President kini nderuar veten, por mbi të gjitha kini nderuar kombin, sepse
historia e Malësisë së Madhe është historia e kombit shqiptar.

I nderuar Zoti President, megjithë problemet me të cilat po përballen
shqiptarët gjatë 25 viteve të fundit, sfida të cilat miku im i ngushtë dhe
kolegu prej shumë dekadash, Dr. Elez Biberaj – të cilin e falenderoj nga zemra
për pjesëmarrjen me bashkëshorten Kadiren në këtë ceremoni, shprehet se ato
janë “probleme të rritjes”. Duhet të mbetemi optimistë se megjithë problemet me
të cilat përballen sot shqiptarët, kombi shqiptar do të dalë ngadhnjyes.  Sepse–siç është shprehur shkrimtari Ismail
Kadare me rastin e Shenjtërimit të Nënë Terezës – “Gjergj Kastrioti, simbol i
vullnetit tonë për liri dhe qytetërim evropian, libri i Gjon Buzukut, mëshirimi
i etjes së shqiptarëve për culture dhe dritë dhe Nënë Tereza–mëshirimi ynë i
madh i harmonisë, përdëllimit dhe dashurisë për popujt dhe njerëzimin mbarë –
janë vlerat tona morale ato që do të na shoqërojnë përherë në rrugëtimin tonë
të madh”.

Zoti President, edhe një herë u falënderoj nga zemra për vlerësimin duke
uruar që të jeni përherë të nderuar dhe që kombi shqiptar të jetë gjithmonë i
bekuar nga i Madhi Zot dhe i nderuar ndër shekuj. E përjetshme qoftë miqësia
midis kombit shqiptar dhe kombit amerikan!