Miku im Rama sot nuk është më ai piktori rebel i viteve të hershme pasi është kthyer në një figurë të rëndë politike, me gjithë barrën që sjell pushteti i gjatë apo nënshtrimi ndaj figurës së kryetarit.
Rama sot nuk është më ai piktori rebel i viteve të hershme pasi është kthyer në një figurë të rëndë politike, me gjithë barrën që sjell pushteti i gjatë.
-Kur një njeri qëndron shumë vite në drejtim, rrezikon të humbasë kontaktin me realitetin e përditshëm të njerëzve
– Mendoj se plagët më të mëdha janë emigrimi masiv, humbja e shpresës tek të rinjtë, korrupsioni, varfëria dhe mungesa e drejtësisë sociale
-Rama jeton më shumë në botën e politikës sesa në atë të artit, ai është shkëputur prej kohësh nga komunikimi i drejtpërdrejtë me komunitetin e piktorëve dhe skulptorëve shqiptarë.
-Berisha është padyshim figurë historike e pluralizmit shqiptar, por asnjë njeri nuk duhet ta konsiderojë veten të pazëvendësueshëm.
– Kur liderët qëndrojnë shumë gjatë, partitë humbasin energjinë e brendshme dhe krijohet një lloj frike apo nënshtrimi ndaj figurës së kryetarit
Albert Z. ZHOLI
Në botën e artit shqiptar, emri i Aleksandër Dragoti mbetet i lidhur me pasionin e pandërprerë për pikturën, me kërkimin artistik dhe me guximin për të mos heshtur përballë problemeve të shoqërisë. Prej vitesh kam zhvilluar mbi 20 intervista me të dhe çdo bisedë me Aleksandrin ka qenë një udhëtim jo vetëm në universin e ngjyrave, por edhe në mendimin kritik të një intelektuali që e jeton artin si mision qytetar. Në studion-galeri të tij ndodhen mbi 350 piktura, një pasuri e madhe krijuese që dëshmon energjinë, këmbënguljen dhe shpirtin e tij të palodhur artistik. Edhe sot ai vazhdon të pikturojë me të njëjtin pathos, sikur çdo tablo të ishte një rrëfim i ri për jetën, njeriun dhe kohën që jetojmë. Veprat e tij nuk janë thjesht kompozime estetike; ato mbartin emocione, revoltë, dhimbje dhe kërkim të vazhdueshëm shpirtëror. Një vend të veçantë në krijimtarinë e tij zënë edhe gjashtë pikturat “Athinaja nudo”, të ekspozuara në një galeri në Athinë, vepra që kanë tërhequr vëmendjen për mënyrën simbolike dhe artistike të trajtimit të figurës femërore. Kohët e fundit, Aleksandër Dragoti është pozicionuar më pranë pikturës abstraksioniste, duke kërkuar forma të reja komunikimi me publikun, ku ngjyra, ritmi dhe simbolika marrin përparësi ndaj realizmit klasik. Por përtej artistit, Aleksandri mbetet një intelektual që nuk pajtohet me heshtjen. Në bisedat tona ai ka folur shpesh për varfërinë, emigrimin, korrupsionin, zhgënjimin e njerëzve dhe krizën morale të shoqërisë shqiptare. Në këtë bisedë ai flet edhe për ekspozitën që është çelur në “Galerinë Societe” në Berlin apo “Krizalizimi” ku prezantohen skulptura të realizuara nga kryeministri Edi Rama. Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur për vizitorët deri më datë 27 maj.

– Në “Galerie Societe” Berlin, është hapur ekspozita e kryeministrit Edi Rama, “Chrysalizing”, ku prezantohen skulptura të tij në bronz. A jeni njohur me këtë kalim të Ramës nga piktura tek skulptura?
– E kam ndjekur në distancë dhe më duket interesante që Rama vazhdon të kërkojë forma të reja shprehjeje artistike. Ai ka qenë fillimisht piktor dhe vizatimi ka qenë identiteti i tij i parë publik. Kalimi në skulpturë është një sfidë tjetër estetike. Megjithatë, duhet thënë se sot Rama jeton më shumë në botën e politikës sesa në atë të artit. Ai është shkëputur prej kohësh nga komunikimi i drejtpërdrejtë me komunitetin e piktorëve dhe skulptorëve shqiptarë. Arti kërkon përulësi, heshtje dhe reflektim, ndërsa politika të konsumon dhe të largon nga ajo ndjeshmëri intime që ka krijuesi. Si pashë në gazeta skulptura e parë në hapësirë të hapur e Ramës ngrihet mbi dy metra. Forma të valëzuara në bazë shtrihen drejt lartësisë për t’u fragmentuar në një shumim zgjatimesh organike: një strukturë e degëzuar dhe gjeneruese që evokon rrjete ndërlidhjeje dhe lidhje në zhvillim, duke shtrirë gjurmët e shpikjes private në një përvojë hapësinore të përbashkët. Një skulpturë bronzi me përmasa të mëdha, e lidhur me këtë vepër, do të prezantohet në hapësirë të hapur përgjatë lumit Rin, pranë Clarastrasse, si pjesë e Art Basel Parcours në qershor 2026.
– A mendoni se Rama, duke qëndruar gjatë në pushtet, është larguar nga arti dhe njëkohësisht ka humbur rendiment edhe në qeverisje?
– Pushteti i gjatë e konsumon çdo njeri. Edhe artistin, edhe politikanin. Rama sot nuk është më ai piktori rebel i viteve të hershme. Ai është kthyer në një figurë të rëndë politike, me gjithë barrën që sjell pushteti i gjatë. Kur një njeri qëndron shumë vite në drejtim, rrezikon të humbasë kontaktin me realitetin e përditshëm të njerëzve. Kjo ndodh kudo. Arti të mban të lidhur me shpirtin njerëzor, ndërsa politika shpesh të mbyll në mekanizma pushteti.
– Nga ana tjetër, Sali Berisha po mbush 82 vjeç dhe vazhdon të drejtojë PD-në. Madje janë eliminuar figura që kishin pretendime serioze për drejtimin e partisë. A duhet të qëndrojë kaq gjatë në krye?
– Unë mendoj se demokracia ka nevojë për rotacion dhe frymë të re. Berisha është padyshim figurë historike e pluralizmit shqiptar, por asnjë njeri nuk duhet ta konsiderojë veten të pazëvendësueshëm. Kur liderët qëndrojnë shumë gjatë, partitë humbasin energjinë e brendshme dhe krijohet një lloj frike apo nënshtrimi ndaj figurës së kryetarit. Shoqëria shqiptare ka nevojë për elitë të re politike dhe mendim të ri.

– Shumë piktorë jetojnë me pensione qesharake. A duhej të bënte diçka Rama për artistët? Konkretisht çfarë?
– Patjetër. Artistët nuk mund të trajtohen si njerëz të harruar pasi plaken. Ata janë memoria shpirtërore e kombit. Duhej të kishte një status të veçantë për artistin, pensione dinjitoze, mbështetje për ilaçet, strehimin dhe jetën kulturore. Në shumë vende europiane artistët mbështeten nga shteti, sepse konsiderohen pasuri kombëtare. Tek ne shpesh kujtohen vetëm kur vdesin. Kjo është tragjike.
– Në pikturat tuaja ju trajtoni shpesh varfërinë, emigrimin, korrupsionin. Pse ndaleni kaq shumë tek problemet sociale?
– Sepse arti nuk mund të jetojë i shkëputur nga realiteti. Unë nuk mund të pikturoj vetëm bukuri dekorative kur shoh boshatisjen e fshatrave, largimin e të rinjve, varfërinë apo zhgënjimin e njerëzve. Piktura është edhe ndërgjegje sociale. Një artist duhet të reagojë ndaj kohës ku jeton. Ngjyrat dhe figurat janë mënyra ime për të folur për plagët e shoqërisë.
– Pse në Shqipëri ndodhin kaq shumë fenomene korrupsioni dhe abuzime me fondet e BE-së? A ka përgjegjësi personale Rama?
– Përgjegjësia kryesore bie gjithmonë mbi qeverinë dhe institucionet drejtuese. Kur korrupsioni bëhet fenomen i përhapur, do të thotë se sistemi ka probleme serioze kontrolli dhe morali. Natyrisht që kryeministri ka përgjegjësi politike, sepse ai drejton administratën dhe jep frymën e qeverisjes. Por problemi nuk është vetëm te një individ. Shqipëria ka trashëguar kulturë të dobët shteti, mungesë meritokracie dhe etje të madhe për pasurim të shpejtë.
– Cilat janë sipas jush problemet më të mëdha të shoqërisë shqiptare sot?
– Mendoj se plagët më të mëdha janë emigrimi masiv, humbja e shpresës tek të rinjtë, korrupsioni, varfëria dhe mungesa e drejtësisë sociale. Po humbasim energjinë më të mirë njerëzore. Kur të rinjtë largohen dhe nuk besojnë më tek e ardhmja në vendin e tyre, kjo është alarm kombëtar. Shqipëria ka nevojë për më shumë drejtësi, kulturë, ndershmëri dhe respekt për njeriun e zakonshëm. Vetëm atëherë mund të kemi një shoqëri më të shëndetshme.


















