Firma “Ujori” e Sejdinëve, nën hetim për 213 procedura doganore me “njolla” abuzimi

582
Arjan ZADRIMA
Nuk është rastësi, që 70% të volumit të procedurave doganore në Shqipëri, i kryen “Ujori” i Sejdinëve, ashtu siç nuk është rastësi procedura e rastit të trafikut të 8 tonëve drogë që kaloi në linjën Maqedoni-Elbasan-Durrës e Ankona, ku u kap, pa harruar faktin që shumë procedura të kryera nga “Ujori” janë me probleme…
Verifikimi i shërbimit të anti-krimit policor, zbuloi se firma “Ujori”, pronë e “Sejdinëve” të Elbasanit kishte plotësuar letrat doganore të drogës së kapur në Itali dhe të kaluar transit nëpër Shqipëri nga Maqedonia, lejuar pa kontroll për udhëtimin me traget nga Durrësi, për në Ankona të Italisë, ku edhe është kapur ngarkesa mbi 8 ton drogë e gatshme për shitje tek rrjeti trafikantëve! Ky rast, nuk mendohet se mund të jetë i vetmi kalim “malli”, ndaj dhe po “gërmohet” në letrat e firmës doganore që “certifikoi” kalimin transit të maunes së ngarkuar me drogë. Burime nga organi i akuzës dhe shërbimet e tjera të specializuara që po “skanojnë” e kalimin e kësaj droge në doganën dhe kufirin portual të Durrësit, bëjnë me dije se ka nisur një hetim i plotë për gjithë veprimtarinë e zhdoganimeve që ka kryer në 15 vitet e fundit firma “ujore”, me pronare bashkëshorten e kryebashkiakut Qazim Sejdini, që përkon me kohën kur Qazim Sejdini ka qenë Prefekt i Qarkut të Elbasanit dhe ka “vuajtur shumë” për mbylljen dhe zhdukjen e ish-kompanisë së tij “Miqësia”. Por dhe për disa probleme të tjera me APP, afro 9 vite më pas, për shkak të “ngatërresave” të letrave të firmës “Ujori”. Në informacionin konfidencial që kemi siguruar nga organet e hetimit për letrat doganore “Kadilli”, të bëra në emër të shoqërisë “Ujori”, thuhet se hetimi ka dalë nga korniza e rastit të fundit të trafikut të 8 tonëve drogë të kaluar në Durrës e të kaluar në Itali, duke përfshirë veprimtarinë e “Ujorit” në 15 vitet e fundit. Faktikisht, ka pasur sinjale e denoncime për abuzime të kësaj firme me procedurat e zhdoganimeve për llojet, origjinën, subjektet, destinacionet dhe sasitë e “mallrave” të zhdoganuar. Por ato, ose nuk janë vlerësuar qëllimisht prej policisë ose janë lënë në harresë prej organeve të hetimit që kanë nisur e arkivuar proceset e hetimit dhe kuptohet se përse është heshtur! Kush ka guxuar të vazhdojë të kërkojë “shpjegime” është “këshilluar miqësisht” të mbyll gojën ose i është mbyllur goja me “kulaç e me kërbaç”! Sipas informacionit, thuhet se në hetimin e veprimtarisë së 15 viteve të fundit të firmës “ujori” janë “skeduar” 213 procedura, pra kate zhdoganimi që ka bërë kjo kompani, e cila ka aktivitet në pothuajse gjithë pikat doganore kufitare e ato në qytete dhe rrethe, porte e pika kufitare tokësore apo ajrore. Thuhet, se organet e hetimit, kanë kërkuar “skanimin” e dosjeve të 213 procedurave doganore kalim transit, importe dhe eksporte mallrash të çdo lloji! Nuk është rastësi, që 70% të volumit të procedurave doganore në shkallë vendi, i kryen “Ujori” i “Sejdinëve”, ashtu siç nuk është rastësi procedura e rastit të trafikut të 8 tonëve drogë të kaluar në linjën Maqedoni-Elbasan-Durrës e deri në Ankona në Itali, ku u kap! E po kështu nuk është as rastësi, që shumë procedura të kryera nga “Ujori: janë me probleme, madje deri në pjesëmarrjet e saj në procedura prokurimesh publike, ku flitet e, madje dokumentohet, që ka marrë pjesë me letra antiligjore! Referuar gjithë denoncimeve të dërguara, të sekretuara e të bllokuara në polici, prokurori e SHISH lidhur me veprimtarinë antiligjore të firmës “Ujori” në shërbimet doganore, por edhe informacioneve që kanë vërshuar ditët e fundit pas plasjes së skandalit të drogës së kapur në Itali, thuhet se janë marrë dosjet përkatëse të 213 procedurave doganore. Nëpërmjet këtyre procedurave, do të bëhet zbardhja e shumë rasteve të trafiqeve të ndryshme, të kapur në Shqipëri dhe kufirin me vendet fqinje, të cilat kanë vulën “Ujori.
Sigal