Feti Brahimi, Babushi i Labërisë

827
Sigal

Rrojti pa u bë kryezot i  jetës, jetoi e punoi pa u bë kryezot i polifonisë dhe rapsodisë vlonjate

Rrojti pa u bë kryezot i  jetës, jetoi e punoi pa u bë kryezot i polifonisë dhe rapsodisë vlonjate. E kemi fjalën për Feti Brahimin dhe librin e tij të fundit me titull: “Berberi që rroi mbretin. ”Është i fundit nga botimet, por ai ka të tjera nëpër duar, nëpër mend e nëpër sirtarë. Bashkë me moshën e  arrirrë rritet edhe krijimtaria e tij rapsodike. O po kush është ky Fetiu, xhanëm?

Një babush nga Labëria,

Fshati qe themeli tija,

Punë e tij qe blegtoria.

Në fshat ishte ngul me shekuj

Me të gjallë e me të vdekur.

Dhe një natë të zezë me hënë,

I çante malet në këmbë.

Pyesin të tjerët, pyes dhe unë: Si është e mundur që ky bari na u bë kryezot i rapsodisë labe? Feti Brahimi, ai burrë i shquar i Labërisë, nuk di të bëjë punë të keqe. Ai punën e quan punë, prandaj ishte bari i mirë, ekonomist i mirë dhe u bë rapsod i mirë. Nuk i pëlqejnë njerëzit  ngacës e cmirëzinj, por nuk hyn kurrë në konflikt me ta. Ai ka një armë pa plumba që i godit heshturazi. Gjithmonë është mpiksur me djersën e tij të pastër dhe nuk ka hequr asnjë vertebër për  t’u falur të tjerëve.Për të tjerët,

Polli dhe ajo që s’pjell,

Pollën mushkat bënë kërriça,

Pollën qetë e bënë dobiça’

Për babushin s’polli gjë.

Feti Brahimi nuk priste të pillnin të tjerët që të fitonte vetë. Nuk shikoi as nga qielli as nga mielli, por u bë rob i punës dhe djersës së tij. Nuk foli dy muaj me një djalë që nuk përputhej me ndërgjegjen e tij. Nuk ka treguar përse e ka bërë hasha, por ky burrë nuk mban dot pluhur mbi vete edhe kur ja hedhin njerëzit e tij.

Me djalin sot u pajtova,

Nuk u them pse jemi zënë,

Se atë që mbolla korra,

Kështu e korrim të tërë.

Kur lexon librin e Feti Brahimit ndihesh i ngacmuar, sepse ai të çokit atje ku e meriton. Nuk të bie në qafë kot së koti. I ka shumë zët ata që të grisin xhaketën për të përfituar kur nuk u takon.Ai nuk i do njerëzit kurrizthyer, as të porrogitur. Tërë jetën që është marrë me rapsodi i ka qëlluar befasisht e drejtpërdrejt sipas pozicionit që ka patur.

Po deshe raki vërtet,

Po pate dhe burrërinë,

Hajde vile rrushin vetë,

Ta pish me shëndet dollinë.

Fetiu ka një bagazh të madh në njohjen e realitetit. Në rapsoditë e tij shfaqen të gjithë sektorët ekonimikë e shoqërorë. Kur i lexon ato me aq kulturë,harron që  i ka shkruar një bari në themel.Ai është kundër atyre që ngrejnë duart përpjet e rrojnë me shpresa mos u bjerë  gjëkafsh nga qielli. Me dy vargje ai të godit ashpër:

E fundit ka vdekur shpresa,

Por ama dhe vitet shkuan…

Ke ardhur që të jetosh,

Me djersë jo me lëmosh

Tema e fshatit është më e njohura, sepse ai u ka rënë maleve anë e mbanë dhe ua di hallet dhe bukurinë e tyre. Herë e gjejmë nëpër monetë e bagëtive duke  mjelë bagëtitë, herë me kërrabë në dorë duke kullotur bagëtinë nëpër livadhe, ku të bën zarar mendja. Mirëpo kur u kthehet sërish problemeve të fshatit dhe i shikon të zhveshur e braktisur, vë duart në kokë dhe ulet e shkruan:

Edhe ti o fshat u shkunde,

Kanë mbet mosha anemike,

Qyteti  do ketë katunde

Dhe jeta do ketë mërzitje.

Dobësinë ai e ndjen tek kënga. Me këngë lindi, me këngë u rrit, me këngë jetoi e jeton. Nuk besoj të ketë lënë figura të shquara, vende historike e fshatra pa u thurur këngë. Ai ka dëshirë që gojën ta ketë të mbushur vetëm me këngë. Vlora ka shumë rapsodë, por tek asnjëri nuk ka xhelozi . Më çifçiu është Fetiu, por të gjithë i thurin rapsodi njëri-tjetrit. Me këngë e ka tronditur odën, me këngë e ka mbushur Vlorën. Vlonjatët nuk kanë nevojë për kompozitorë, mjafton të bëhen dy veta dhe gjëmon kënga sikur është mbledhur e këndon e gjithë Vlora:

Ty moj këngë s’të ndaj nga goja,

Do këndoj sa të jem gjallë,

Ty të desha e të doja,

Si nëna që ka një djalë.

Kënga e ka shpënë Feti Brahimin shtëpi më shtëpi të atyre viseve, ku nënat e mira labe e kanë pritur e përcjellë ashtu si pret nëna djalin e saj. Një gotë dhallë që e ka pirë i ulur nëpër ato sofate të këndshme të shtëpive, e kanë bërë mik me të gjitha nënat. Por ka rastisur që ndonjë nëne nuk i ka shkuar dot në sebepe dhe i kërkon ndjes:

Unë erdha të kërkoj ndjesë,

Po vij të falem te varri.

Dy lule lagur me djersë,

Po t’i bie siç t’i bie djali.

Fetiu është ndjerë keq kur vite më pas është takuar me ato nëna të përlotura dhe ka dëgjuar ankesat e tyre të rënda.U ropatën nënat e shkreta për t’i rritur fëmijët e t’u kthenin shpërblimin, jo me pasuri por me fjalë dashamirëse. Këtë nuk e kanë gjetur tek të pjellët dhe vazhdojnë t’i qajnë përsëgjalli fëmijët e tyre batakçinj. Feti Brahimi është zbrazur kur i ka dëgjuar:

O moj ti e mira nënë,

Si t’ia bësh asaj që s’bën?

Si t’ia bësh asaj që linde,

Nga fëmijë u kthye në xhinde.

Kush ia bën borxh pleqërisë,

Borxh ia bëfshin dhe atija.

Por Feti Brahimi nuk shkulet nga fshati. E ka marrë malli për aromën e ftonjve dhe trëndelinës, ka dëshirë të vërë buzët mbi ato burime të akullta në mes të vapës. Ja ka ënda të ulet atyre hijeve me shokët e tij. E ka marrë malli për një bukë gruri,që të mos bier erë det.Do të ulet atyre kopshteve me perime dhe të hajë një trangull, që të mbetej në gojë. Atje, në ballkonin e tij në Skelë, na tregon domatet dhe fasulet bio, që i ka mbjellë për qejf jo për pasuri. Atje është ulur dhe ka formuar vargjet:

Shqipërinë e ka marrë malli,

Qysh i ka fletët duhani.

Si i ka misri kallinjtë,

Si i thonë grurit në shqip.

Ai po u afrohet të tetëdhjetave, por pleqërinë e dënd me këngë. I dhimbsen shokët që po i ikin, i dhimbsen dhe ata që e lëshojnë veten. Fetiu i ka të forta frenat e jetës, sepse i ushqen çdo ditë me këngë. Duke u marrë me to ai harron se prapa i rri dhe atij vdekja. Të gjithë  prapa e kemi, por Fetiu e përze me këngë.

Sot u mblodhën veteranët,

Për Kotën qe dita e parë.

Ata që kanë ngjitur shkallët,

Tani zbresin dalëngadalë.

Një pjesë e këngëve të tija i takojnë të shoqes, Lumturisë, sepse ajo i është bërë krah. Pjesën më të mirë të punëve dhe halleve të familjes ja ka hequr nga shpina. Fetiu e ka vlerësuar mbështetjen e saj me këngë, që nuk i ka kursyer për të. Kur e ka ndjerë se e ka rënduar të shoqen i ka kërkuar ndjes:

Dhe kur jemi kundërshtuar,

Jam pishman se kam gabuar.

Kur pija njëçikë raki,

Që i bën burrat veri,

Ti më thoshe: “Pse je lagur?”

Flisje,por ishe e matur.

———-0———