Enver Cakaj: Skrapar kush ta dogji xhanë?

1224
Doni të hyni në viset e Skraparit? Kujdes se ka ende gjak. Para se të hidhni këmbën mbi këtë truall uluni në gjunjë dhe nderoni, se ai është gjaku i të rënëve. Nderoni ata që me humbjen e tyre ia dogjën xhanin kësaj krahine. Gjaku i hershëm me të riun janë mpiksur dhe janë shndërruar në lapidarë. Natyrisht nuk janë tamam sa meritojnë, por çdo kodër, shpat e lëndinë konsiderojini si lapidarë, se edhe atje ka gjak të pastër,se,
Si gjithë vendi dhe Skrapari,
Në luftë ishte i pari.
Burri i parë i Skraparit shwtiti Evropwn njëmbëdhjetë vjet për interesat e vendit të tij. I la fëmijët e nënën vetëm, se e kërkonte nëna e madhe. Luftoi me dy armë të fuqishme. Të gjitha gazetat e kohës kishin shkrimet e tij në mbrojtje të Shqipërisë. Ao nuk ishin shkrime, por plumba. Kush na e vrau Heroin e Popullit? Ka një informacion të prefektit të Korçës,që falënderon edhe dy skraparas, që kanë ndihmuar për vrasjen e tij. Ky është turpi më i rëndë. Skraparasit vrasin skraparasin, se luftoi për Shqipërinë. Po ata përse luftuan? Le t’i mbulojë turpi, se Rizanë tonë e mbuloi lavdia.
Ç’kanë dushqet që gjëmojnë,
Ç’kanë lulet që lotojnë?
Pse qan Gora dhe Opari?
Qajnë trimin nga Skrapari
Qaje moj nëne Rizanë,
Qaje birin që ta vranë.
Qaje,qaje,moj nëne,
As u çmalle,as e pe.
Kapinova zuri luftë me Sulltanë. Vrau, po dhe e vranë. Atje luftuan të parat gratë. Dhe Sulltani i çuditur, pyeti pazvanët e tij:
Ç’është ky fshat, o padishah,
Që na sjellka kaq bela?
Dhe padishahu i përgjigjej i drithëruar: 
Kapinovë e thërresin,
I kanë thirrur gjer tani,
Po kur gurë të mos mbesin,
Do të shuhet emir i tij! 
Mira dhe Lauresha,dy femrat kapinovase u treguan turqve, se në këto vise, burra dhe gra janë një, kur është fjala për të mbrojtur truallin tonë. Çfarë pasuri mbronin në Kapinovë, veç gurëve? Po ata gurë u duheshin banorëve,sepse ishin si pozicione lufte. Mira u përlesh me turqit,luftoi me gurë e me hobe dhe mbeti përjetësisht atje. Nuk vdiq pa lënë amanetet shoqes së saj:
Laureshë të kam rixha,
Më varrosni atje la,
Te Çukë e Shkabës i thonë,
Të jem roje përgjithmonë! 
Turqit nuk tërhiqen me gjithë humbjet e shumta, por Lauresha me shoqet e saj nuk i lënë të depërtojnë drejt fshatit të tyre.
Bimbash mos të mbiftë fara,
Ku i ke gradat e lara?
Dhe i shtije me hobe,
Bimbashi i vdekur bie.
Në luftë me turqit,edhe pse të pa armatosur morën çmimin e parë. Nuk u bë ndonjë konkurs,por u bënë beteja,ku fituan,se,
Hasan Gjeli me Alinë,
Portës lartë nuk iu bindë.
Në këmbë e ngritën Kazanë,
Mehmet Qorri me Hasanë! 
Kapinova kishte radhonj trima,që zëvendësonin njëri-tjetrin. Ajo kishte Mustafanj e Avninj të tjerë. Të gjitha ushtritë që hynë në viset e Skraparit, frikën e kishin nga kapinovasit e hershëm. Komanda Eprore e Karabinierisë Mbretërore, në relacionin e saj nr.11 janar 1942, jepte këtë njoftim: “Arma e Çorovodës indetifikoi tre të panjohurit e Kapinovës: Shaqir Çela, Sali Hasa, Jonuz Bakiasi, të gjithë të armatosur.” I indetifikuan, i kërkuan, po nuk i zunë dot. Shaqiri krijoi çetën dhe nuk kishte burrë nëne t’i dilte përpara. E vranë Muço Bakiasin befasisht kriminelët e Zogut, po Muçua është ende atje, me kobure në dorë, siç ra. Se,
Trim,o Muço Kapinova,
Në Devoll zënë ta dëgjova..
Skraparasi besëdhënë,
Si të lindur nga një nënë.
Ti ishe burrë i vërtetë,
Në çdo fshat ngrite një çetë. 
Ç’kanë malet që rënkojnë,
Pse kanë rënë në zi?
Qajnë Muço Kapinovën,
Që s’e kanë në gji.
E kërkonin lirinë djemtë e Skraparit ku të ishte. Që nga Backa e Kapinova e largët kaluan kufirin për të mbështetur Lidhjen e Prizrenit. Kolona e luftëtarëve ra në pritë në Çermenikë ,ku gjatë luftimeve mbetën të vrarë 20-djem si dielli. Populli i futi në këngë trimat e tij:
Çermenika në një gropë,
Rëntë kolera e shoftë,
Që na mbetën njëzet shokë!
U çuditën pjesëmarrësit kur morën vesh, se skraparasit e largët ishin bërë aq të afërt për vëllezërit e tyre kosovarë. Ata pyetën të befasuar:
-Ç’u solli juve nga Juga,
Shtatë ditë u bëri rruga? 
-Avdyl Frashëri dhe vatani,
Më të dhëmbshura se xhani.
Ikën djemtë e mirë dhe ja dogjën xhanin Skaparit, po kjo ishte rruga për të hyrë në histori. I dhanë emër vetes dhe vendit. Prandaj duhet të ulemi në gjunjë kur të kujtojmë Skraparin me trimat e tij. Nuk mund të kishim Skrapar pa trima,as trima pa Skrapar.
Dëborë,breshër apo llohë,
I tha vendit: Ku më do?
Ku e deshi atje vajti,
Fjalën si burrat e mbajti.
Gjak e djersë bashkë i përzjeu,
Ashtu siç e desh Atdheu. 
Ata luftuan e lanë rininë maleve,ne na takon nderimi. Uluni, pra, në gjunjë përpara tyre! Jo, mos i qani, se ata qanë vetë përpara se t’i qanim ne. Të gjitë i kishin sytë të përlotur kur ranë. Përse qanë,vallë? Nuk qanë për dhimbjet e plagëve që morën, por lanë shokët vetëm. Po t’u dhimbsej jeta nuk do të shkonin në luftë.
U godit shëmtuar trimi.
“Qasi shokë e më ngrini.”
Edhe me plagë të rënda nuk donin të rrinin rënë. Donin të vdisnin në këmbë. Edhe pse humbi dritën e syve dhe nuk gjente dot armën, Ferit Bregu, qëllonte me gurë duke thirrur: “Më jepni pushkën!” Dhe mbeti atje në mes të luftës. Po mbeti me dinjitet dhe u shpall Dëshmor i Atdheut. Skrapari edhe sot i ka nëpër male lotët dhe plumbat. Kishte dhimbje, që i kalonin kufijt e saj. Po, po, i kalonin. Po të kthehemi tek viti 1914, do ta prekim rëndë dhimbjen e dhimbshme. Nga Potomi morën bekimin e nënë Merjemës djemtë Deshe dhe Halil Braho. Luftuan e ku s’luftuan kundër andartëve grekë. Nëna gjakngrirë i priste djemtë e saj. Ajo kishte dëgjuar tmerret që kishte bërë greku. Dhe një ditë ata u kthyen. Nëna nuk ngopej së puthuri e përqafuari. Pas tri ditëve bëri darkë për të ndarë gëzimin. Sa ishte vrarë Lace Backa. Martinat e brahollarëve ishin varur dhe po kërkonin të zotët. Themistokli Gërmenji e kishte ngritur Skraparin në këmbë. Edhe djemtë e Merjemës i morën martinat dhe ikën sërish në luftë. Kur lufta mbaroi, po kërkonin njëri-tjetrin, që të ktheheshin në shtëpi. Po Halili ku ishte? Deshja i përlotur u nis ta gjente. U ul në një gur,thirri dhe vështroi mos i vinte zëri i vëllait. Hodhi sytë në një shpat dhe diktoi se tek një lis diç nxinte. Kur vajti atje dalloi të vëllanë. Martinën e kishte pranë, qylafi i ishte rrokullisur tatëpjetë lëndinës. Trupin e kishte të ngrohtë dhe gjaku vazhdonte të rridhte. Torbën e bukës e kishte ende mbi supe dhe një opingë i mungonte. I ra të vëllait mbi trup dhe qante si gratë me kuje. Shokët,që vajtën më pas e gjetën duke qarë. Si të bënin? Grekët ishin tërbuar e ishin nëpër këmbë .Duhet të largoheshin sa më shpejt ,se mund të pësonin fatin e Halilit .Po Halilin ku ta linin? Ta varrosnin aty? Po me se? Po vampirët që kërkonin gjak të ri? Po nënë Mërjemës çfarë t’i thoshin?
Të gjithë i hodhën sytë nga Deshja. Situatë më i dhimbshme se dhimbja. Deshiu bie sërish në gjunjë përpara vëllait të vrarë. Qan e qan sa dëndët, e puth në ballë,në sy, në faqe,në duar dhe e mbulon të vëllanë më lot! Qajnë të gjithë. Po si do të iknin e çfarë t’i shpinin nënës? Deshja heq thikën nga brezi dhe i pret kokën vëllait me duar të dridhura! E merr në dorë, e mbështjell me xhamadan dhe e fut në torbët. Me thonj e me thika e sheshojnë vendin dhe vendosin trupin pa kokë të Halilit! E mbulojnë me gjethe e dega lisi, i vendosin gurë treth e rreth dhe ikin për në fshat si ai që ngrihet nëpër gjumë. Nënë Merjema vështron se bregut të Senovës kanë marrë rripën përpjetë burra më shumë se ç’duhen. E ngrirë në shpirt, merr zemër dhe bën bregut përpjetë. I shikon ata burra që zbresin e qëndron përballë tyre. Shikon që djali i saj mungonte e thërret me ngashërim! Deshja, i mbytur në lot e dhimbje, i thotë: “Këtu e kemi dhe Halilin.” Dhe nxjerr kokën nga torba dhe ia jep! Cila nga nënat e botës do ta duronte këtë skenë, kur mori kokën e djalit në dorë? Ishin ato nëna të hekurta, që i përcillnin djemtë drejt luftës. E, se mos i ndodhi vetëm nënë Merjemës kështu.
Ky Qazimi me Amenë,
Gjashtë muaj mbi dhe u trenë.
Obobo, moj Backë e mjerë,
Kjo s’pat ngjarë ndonjëherë,
Dy mandata nga një derë. 
Skraparasit luftonin kudo që ishin,brenda dhe jashtë vendit. Ata që ishin jashtë nuk kishin armë po fjalët dhe veprat e tyre lëshonin plumba. Gazeta “Lirija” në 8 maj 1910 botonte këtë letër: “I nderçmi atdhetar i flaktë z.Hasan be Koprëncka. Tek ishnja në hidhërim e në habitje të madhe qysh qyteti im i ndriçmi, Skrapari, me malë e shenjtë Tomor, nuk u dëgjua të mpronte shkronjat kombëtare? Po lëvdatë pastë zoti, hidhërimi im u bë zëzim i madh kur pashë këtë javë te gazeta e nderçme “Bashkimi i Kombit” mbledhjen e nderçme të Z-isë tuaj që bëtë për shkronjat e shenjta tona kundër shkronjavet arabisht. U uronj nga thelbi i zemrës për mbledhjen tuaj dhe Zoti u faltë kurajë e punofshi pa rreshtur për përparimin e gjuhës bukuroshe tonë.Rrofshin shkaktarët e mbledhjes së Skraparit!Rrofshin shkronjat kombëtare!
Hysni Ismail Potomi” 
Priti Këzeja sa lindi,
Një djalë mezi e rriti.
Në vitin shtatëmbëdhjet,
Në arë vetë i ngiste qetë.
Kur armiku shkeli vendë, 
I la qetë në parmëndë.
O Skrapari shkëmb e male,
Trimëri mbi trimëri.
Bienë djemtë në beteja,
Ngrihet lart një Shqipëri.
Ku e kemi Heroin e Popullit Zylyftar Veleshnja? Thonë se nuk jeton më,po plumbat i la në Tendën e Qypit tok me Këmbën.Dhe nuk ikte nga beteja,po kërkonte pushkën. Në vend të këmbës vuri një copë dru dhe nuk e pranoi invaliditetin. Nuk qau nga plaga e rëndë,por qau kur e nxorën nga luftimet. Nuk e kemi të gjallë,po ka mbetur në kujtesën e çdo shqiptari,ka mbetur në betejën e Tendës së Qypit.La pas shumë kujtime,por më shumë i mori me vete. O njerëz të ndershëm!Bëni zahmet dhe uluni në gjunjë ta nderoni këtë hero,se ai për ju e la këmbën në betejë.
Në atë luftë të rëndë,
Ti e flake njërën këmbë.
Zylyftar të paçim fatin,
Nderove vendin dhe fshatin.
Po Heroin e Popullit Estref Cakaj,ku e kemi? Thonë se është ende në Suharekë të Kosovës, ku punon për të zbrazur repartin fashist. Me forcë i morën ushtar shqiptarët e me forcë ikën. E ndoqën, po nuk e vranë dot. Ai kishte lindur për t’i shërbyer popullit të tij. Donte dhe gjashtë ditë të çlirohej kryeqyteti. Ishte 11 nëntor mbasdite, kur u përball me gjermanët. Qëlloi dhe vrau dy, por befasisht u qëllua dhe mbeti atje. Nuk arriti të thërriste dhe ai “Fitore!” siç thirrën shokët. Ju lutemi,uluni në gjunjë për ta nderuar heroin! U shpall Hero i Popullit, se luftoi për popullin. Dhe populli i ngriti këngë:
Një dyzinë e ca armiq,
Ç’i dergove në atë jetë.
Ndriç,o ndriç,o djalë Skrapari,
Që vrave sa deshe vetë! 
Na thërret një zë nga mali:”Shokë, ku është Kahremani?” Ai fliste heshturazi. Që nga Tirana komunikonte me të gjithë hallexhinjtë e Skraparit. Po nuk përtonte as të vinte. Shtrohej vendshe me ta dhe ata nuk e harronin kurrë. Deputet i Skraparit deri në fund të jetës,por më shumë miku më i mirë i tyre. Nuk mund t’i themi të gjitha për të,se ai flet ende edhe Brenda varrit,prandaj uluni në gjunjë ta nderojmë siç na nderoi.
Malet tona janë krenarë,
Për burrat që kanë nxjerrë.
Burë burrash Kahremani,
I vetëm e s’ka të tjerë.
Mal më mal ku zjente jeta,
Kullove djersën dhe ti.
Kur themelet hidhte shkenca
I dhe djersë e mençuri.
Ku e le Qafën e Martës,
Kroin Mbret që pikon mjaltë,
Malin e bukur të Leshnjes,
Ndaj të cilit je më i lartë.
Ku je,o levend i rrallë, 
Që ecje posi veriu? 
Kahreman mbete në trakte,
Ku nënëshkruaje “Bariu”
Kur zbresin ujërat rrëmbyer,
Si nga pylli dhe nga mali,
Ne hedhim sytë e shikojmë,
Mos vjen ngadalë Kahremani.
Këto ditë u festua beteja e Tendës së Qypit. Atje ranë në gjunjë në nderim të asaj beteje, Fidel Ylli, Silva Caka, Nasip Naço,Gëzim Musabelliu, Nesim Spahiu, Fadil Nasufi…Të gjithë bij të popullit,të zgjedhur dhe emëruar. Disa prej tyre kishin ardhur rrallë dhe dukeshin sikur rrinin kokëulur. Po ky përkujtim solli në Tendën e Qypit shumë nishicas të larguar. Erdhën nga Tirana Resmi Bregu, Përparim Musabelliu, Behar Spahiu. Në këtë pjesëmarrje kaq të madhe kishte gisht Nesim Spahiu, që di t’i organizojë. Kur i shikonim këta djem na dukej sikur ishin ngjallur ata që përmendëm më lart. Skrapari ka gjak për të gjithë dhe ka marrë nga i gjithë kombi. Gëzim Musabelliu,Zv.ministër i energjitikës foli si fajtor,por dhe justifikoi: ”Kam ardhur vetëm dy herë në fshatin tim, po gjakun e kam prej Skrapari.” Na vjen mirë, që Skrapari ripërtërihet me kuadro të zotë. Gjaku i djemve të luftës është ende në Tendën e Qypit,prandaj ejani e mos nguroni të uleni në gjunjë para tij. Ata burra ia dogjën xhanin Skraparit. 
Riza Cerova Mustafa Bakiasi Zylyfar Veleshnja
Kahreman Ylli Ruze Cerova Estref Caka 
Tenda e Qypit
Çorovoda
Çuka e Frëngut
Sigal