Elizabeta Marku:“Është një mashkull në jetën time dhe jam çmendurisht e dashuruar pas tij”

7999
Sigal

INTERVISTA/ Flet këngëtarja e mirënjohur e muzikës popullore, “bilbili i veriut”, Elizabeta Marku

Elizabeta Marku, një ndër ikonat e muzikës popullore shqiptare është një femër plot energji dhe pasion për profesionin që ka.

Së fundmi, ka lançuar në tregun muzikor albumin e saj më të ri me vulë të kompozitorit të mirënjohur Edi Balili, i cili u mirëprit nga publiku. Sot, ajo është një ndër këngëtaret më të njohura dhe përsëri mbetet e thjeshte dhe komunikuese . E bukur, si gjithmonë dhe me shumë adrenalinë duket sikur kohën e sfidon dhe është gjithmonë në formë, sikurse ditën e parë që ka dalë në skenë. Sekretin e suksesit të saj nuk e di askush edhe pse ajo shprehet se publiku i jep gjithë energjinë e duhur . Në intervistën e mëposhtme, do të mund të lexoni gjithçka mbi jetën aktuale te Këngëtares Elisabeta Marku …

Përshëndetje Elizabeta, si po kalon në këto ditë të ftohta dimri?
Në fakt unë çdo lloj stine e kaloj bukur. E përgjithshmja mirë, por pak e ngarkuar me koncerte dhe aktivitete të ndryshme muzikore brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Së fundmi keni lançuar në tregun muzikor shqiptar albumin tuaj të ri “Po digjem prej malli”. Si u prit nga publiku?
U prit shkëlqyeshëm dhe ishte një sukses i padiskutueshëm. Ky album mbante vulën e kompozitorit të mirënjohur Edi Balili, me të cilin bashkëpunoj prej disa vitesh.

Të pëlqen të jesh në qendër të vëmendjes?
Të gjithë personazhet publikë janë në qendër të vëmendjes, dashur pa dashur.

Ndërkohë, ju keni dhe shumë bashkëpunime (duete). Cili vlen për t’u përmendur si më i suksesshmi?
Është e vërtetë, bashkëpunimet kanë qenë të shumtë në albumet e mia muzikore. Do të veçoja këtu duetin me motrën time të dashur Pranvera Marku & duetet me këngëtarin e njohur Zef Beka.

Cilat janë impenjimet aktuale të Elisabetës?
Sigurisht që janë të shumtë. Koncerte dhe aktivitete të ndryshme muzikore brenda dhe jashtë Shqipërisë, punët në studio etj..

Kujt i beson më shumë këshilla në lidhje me veshjet që përdor nëpër koncerte?
Më pëlqen stili im personal dhe jam vetë ideatore e veshjeve të mia.

Të kanë cilësuar si “bilbili i veriut”, si të bën të ndihesh ky fakt?

Sigurisht që ndihem e vlerësuar dhe shumë e nderuar.

A merresh me palestër, pasi shohim që linjat e tua trupore janë perfekte?
Mirë do të ishte, por fatkeqësisht koha ime është e limituar. Linjat e mia janë natyrale, por sigurisht mosabuzmi kurrë me ushqimin apo pijet alkoolike .

Le të kalojmë pak tek jeta private e Elizabetës. Vazhdon të jesh single, apo është një mashkull në jetën tënde ?
Jeta private shkon shkëlqyer. Ekziston një mashkull në jetën time dhe jam shumë e dashuruar pas tij.

E re në moshë dhe me sukses mbi supe, ky quhet guxim?
Edhe guxim, edhe punë, edhe ëndërr, edhe një horizont drejt të ardhmes time. Përqindja e guximit është e madhe, por 100 % është puna ime, pasi ëndrra tashmë po bëhet realitet. Më pëlqen të qëndroj tek e para, pasi po nuk guxove nuk arrin të mësosh as suksesin, as dështimin. Njeriu mundohet t’i ketë të dyja këto gjëra dhe mes tyre të bëjë një balancë të ndershme.
Çfarë ëndërroje të bëheshe kur ishe e vogël, më thuaj dëshirat e tua fëminore.
Ëndrrat e mia fëminore kanë qenë të ndryshme, saqë kur i kujtoj më vjen për të qeshur . Fillimisht doja të bëhesha ministre, më pas aktore, ka qenë një moment që doja të bëhesha dhe ambasadore.

Cilët janë miqtë më të mirë të Elisabetës?
Mikja ime më e mirë është parukierja ime e dashur, Rita e cila kujdeset, ideon dhe stilon pamjen time .

Nëse jetës tënde do i vendosje një ngjyrë, cila do ishte?
Ngjyra e bardhë, pa diskutim .

Ju etiketojnë si një femër e bukur, në fakt do të donim të dinim , cili është sekreti i bukurisë dhe freskisë tuaj?
Siç e thashë dhe më sipër, gjithçka është natyrale dhe sigurisht gjenetike, mendoj unë .

Elizabeta & kuzhina. Cila është pjata juaj e preferuar ?
Supa me perime & sallatë frutash .

Lidhjet me librin?

Kohët e fundit s’i kam të mira. Jam shumë e lidhur me punën. Dua të lexoj si më parë. Kam shumë qejf romanet dhe tregimet me dashuri.

Po me shtypin?

Kur zgjohem herët hap televizorin dhe dëgjoj titujt në televizion. Pastaj blej atë gazetë që më intereson.

 Je supersticioze?

Jo. Besoj vetëm tek puna ime dhe tek zëri im.

Si e kalon kohën e lirë?

Duke dëgjuar muzikë apo duke diskutuar me shoqërinë.