Dritëro Agolli: Lexoni fabulën “Kali dhe gomari”

918
Sigal

Ekskluzive me shkrimtarin Dritëro Agolli, i cili nesër mbush 81 vjeç. Biseda në shtëpinë e tij bashkë me shkrimtarin dhe publicistin Ymer Minxhozi

Nesër shkrimtari ynë i madh ka ditëlindjen. Dritëroi këtë 13 tetor mbush 81 vjeç. Miqtë e tij të shumtë gjejnë rastin të takohen, ta marrin në telefon e t’i urojnë jetë të gjatë poetit që ka shkruar aq shumë për Shqipërinë dhe hallet e shqiptarëve. Shtëpia e Dritëroit qëndron vazhdimisht e hapur këto ditë për të pritur e përcjellë mysafirë nga të gjitha anët. Është thuajse e pamundur ta gjesh të vetëm në shtëpi Dritëroin. Shkrimtari dhe publicisti i njohur Ymer Minxhozi më sugjeroi diçka interesante para disa ditësh. Vemi më përpara, më tha, që të kemi mundësi të rrimë ca vetëm me Dritëroin. Dhe kështu bëmë pardje më 10 tetor pasdite, pikërisht në ditën që Shqipëria mori statusin e vendit kandidat për në BE. Ishte ky një rast shumë i mirë për të nisur një bisedë për politikën me Dritëroin. Por ai na e pret që në fillim udhën: nuk jap intervista, thotë. Hajde të bisedojmë si miq, por jo për shtyp, se jo të gjitha muhabetet dalin në gazetë…

Kështu nisim një bisedë të shtruar për punët dhe hallet e përditshme të këtij vendi, pasi Sadija bën adetin e nxjerrjes së gotës së rakisë për miqtë. Unë po e riprodhoj më poshtë bisedën që bëmë pardje me Dritëroin, të cilën nuk po e quajmë intervistë. Në fund të fundit është një bashkëbisedim mes miqsh…

E nisDritëroi: – Gazetat sot bëjnë shumë gabime, vënë ca tituj bombastikë që nuk kanë të bëjnë shumë me thelbin e intervistës apo të shkrimit. Këtë e bëjnë për të tërhequr lexuesit. Në kohën tonë kishte më shumë kujdes. Bëri njëherë një gabim ortografik Qako Dangoja në një lajm për politikën e jashtme në “Zërin e Popullit” dhe u bë nami… Atëherë gazetari që bënte gabime ndëshkohej. Por ndëshkoheshin edhe ata që e kishin kontrolluar shkrimin dhe nuk e kishin kapur gabimin. Pale po të ishte ndonjë gabim politik…

Sadija: – Sa herë ka dhënë intervista Dritëroi nëpër gazeta, nuk e zë gjumi nga meraku. I rri mendja tek ato që ka thënë apo shkruar, por mbi të gjitha tek titulli. Titujt i ka merak të madh. Ç’titull i kanë vënë, thotë dhe mezi pret të marrë gazetën. Sepse nuk do që të keqkuptohet.

Dritëroi: – Prandaj dhe nuk dua të jap intervistë. I kam refuzuar edhe të tjerët. Ju doni të dini mendimin tim për politikën e ditës, për ngjarjet, por mendoj se ka të tjerë që i dinë më mirë ato. Unë jam tërhequr tani. Por, mund të merrni e të botoni fabulën “Kali dhe gomari”. Unë atë e kam shkruar në vitin 1984 në vëllimin “Udhëtoj i menduar”. Botoje edhe vitin kur e kam shkruar se edhe data e botimit flet shumë.

Unë: – Do ta ribotojmë me kënaqësi. Ajo fabul ka një aktualitet edhe sot e për të gjitha kohët dhe përmendet shpesh në bisedat e lira mes qytetarëve.

Dritëroi: – Ashtu është. Por nuk e kam thënë unë atë. E gjeta në tregimet e popullit dhe e bëra poezi. Ai që ka mend e kupton vetë nëntekstin e fabulës. Ja boto edhe këto dy fibula nga i njëjti vëllim, “Guri në pellg” dhe “Breshka dhe pula”. Edhe ato e kanë vitin e botimit në fund. Mos harro t’i shënosh. Ja, po vete t’i fotokopjoj vetë… (Dritëroi ngrihet dhe në dhomën bibliotekë bën fotokopjimin e tri fabulave).

Ymeri: – Dritëro, pse Zylua yt ka ngjitur aq shumë dhe mbetet edhe sot një libër i madh, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në shumë vende ku është përkthyer?

Dritëroi: – Sepse Zylot dhe Demkat janë njerëz konkretë. Ti Ymer i ke njohur ata, ua di emrat se unë e ti jemi bashkëmoshatarë, aty-aty jemi me vite dhe kemi punuar me ta.Pounë mendoj se nuk kanë shumë rëndësi emrat konkretë, por vërtetësia e personazhit. Sepse Zylo dhe Demkë ka me shumicë edhe sot e kësaj dite. Madje mund të ketë më shumë sot se atëherë.

Ymeri: – E çuditshme, por këtë ma kanë thënë edhe në Rusi, ku Zylua yt është përkthyer dhe ka patur një jehonë të madhe. Në Moskë unë jam takuar me Modestovin, përkthyesin e Zylos. Dhe më thoshte: ja Zylot dhe Demkat tanë. Për mua ishte një e papritur e këndshme vizita në Shtëpinë Botuese “Hudozhestvenaja literatura”. Zëvendësdrejtori i saj për anën artistike, Valeri Modestov, megjithëse nuk kishte qenë asnjëherë në Shqipëri, ishte një njohës dhe dashamirës i kulturës shqiptare. Në këtë Shtëpi botuese ku dalin rreth katërqind tituj librash në vit (85 milion ekzemplarë), për një periudhë mjaft të gjatë ka zënë një vend edhe letërsia shqiptare. Këtu u botuan veprat e para të letërsisë shqipe në gjuhën ruse: Naim Frashëri, Çajupi, Migjeni, vëllime me tregime dhe përralla popullore. Modestovi më tregon se edhe tani, në vitin 1990, janë në procesin e përkthimit e të botimit vepra të shkrimtarëve shqiptarë bashkëkohorë. Ai e njeh shumë mirë gjuhën shqipe, megjithëse nuk e flet dot. Së bashku me Ira Voroninën, pedagoge e gjuhës shqipe në Universitetin e Leningradit, Modestovi ka përkthyer veprën e Dritëro Agollit, “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, e cila sapo ka dalë në qarkullim. “Një vepër e mrekullueshme – më thotë Valeri – Humor i këndshëm, jetësor e pse jo, një disidencë e mirëfillte kundër burokracisë “socialiste”.Po, po, Dritëroi më pëlqen shumë, sidomos për humorin e tij të hollë e pa sforcime, është i natyrshëm. Mua Zylo mëdelgjithnjë përpara! Sa herë jam ndeshur me ‘të edhe në zyrat tona, edhe në kafene. Për fat të keq shoqëria janë ka shumë Zylo. Këta lloj njerëzish – bufonë, kujtojnë se bota sillet rreth tyre. Pastaj, ç’të them për Demkën? Mua më vjen keq për ‘të, ai është punëtor i mirë, por është shërbëtor. Me aftësinë e tij për të shkruar fjalime me porosinë e shefave, Demka kujton se po i shërben shoqërisë, në fakt veç dëme sjell. Mua më duket se shumë shefa të mëdhenj e kanë nga një Demkë pranë kolltukut të tyre. Këta Zylo dhe këta Demka janë ajo mola që bren jo vetëm kostumin në raftin e rrobave por edhe sistemin. Nuk e di nëse u shpreha drejt. Në shqip “mola” dhe “dhemja” janë e njëjta gjë, apo jo?, më pyeti Modestovi.

Dritëroi: -Ponjëlloj janë Zylot dhe Demkat jo vetëm në Shqipëri e Rusi po në gjithë botën. Mund të kenë emra të ndryshëm por sjelljen e kanë njëlloj. Këta janë tipa.

Ymeri: – Në atë kohë janë shkruar libra të mirë se ka pasur shkrimtarë të mirë që zor se arrihen dot…

Dritëroi: – Ke të drejtë, Ymer. Jakov Xoxa, për shembull, ka qenë shkrimtar shumë i mirë, me një gjuhë shumë të pasur. Sa të bukura I ka tregimet dhe novelat. “Përsheshi i Paput” është një mrekulli artistike… Proza e Jakovit hyn në prozën tonë më të mirë.

Ymeri: – Mua më pëlqen shumë Ali Asllani. Ishte një artist i vërtetë i fjalës, një poet i mrekullueshëm dhe një njeri shumë fisnik. Librin “Ku merr zjarr rufeja” unë e kam nga librat më të preferuar. “Hakërrim” sikur e ka shkruar për sot, megjithëse kanë kaluar 70 vjet që kur e shkroi. Hanko Halla nuk ka të dytë. Ja si shkruan te “Hakërrimi”: “Ja, ja grushti do të bjeri përmbi krye të zuzarëve,/ koha është e maskarenjve, po Atdheu i shqiptarëve!” Ose: “Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka, të pabrekë’ ju gjeti dreka, milioner’ ju gjeti darka!”

Dritëroi: -Po, po. Ke të drejtë. Aliu ka qenë një poet i shkëlqyer. Ka një art që është sa popullor, aq dhe i kultivuar. Mbahet mend kollaj. E bukura mbahet mend. “Rroj për ty e vdes për vete”. Si mund të shprehet më bukur dashuria?! Ose: “Kam një këmbë në yzengji/ jam udhëtar eterniteti”, thotë Aliu. “Me qerpik të syrit tënd, do fshij vendin ku do rrish…”

(Më tej biseda vërtitet në emra konkretë shkrimtarësh dhe njerëzish të njohur, politikanë dhe intelektualë dhe në mënyrë të natyrshme vjen tek Pavarësia).

Unë: – Dritëro, në këtë 100-vjetor të Pavarësisë po flitet shumë për rishikimin dhe rishkrimin e historisë. Ju jeni dakord me rishkrimin e historisë?

Dritëroi: – Rishikimi i historisë… Dakord, duhet bërë, por jo të ndryshojë duke e redaktuar. Nuk redaktohet dokumenti historik. Nuk redaktohen dot ngjarjet që kanë ndodhur. Për shembull, rinia është si një libër që njeriu e shkruan vetëm një herë. Nuk e shkruan dot rininë për së dyti. Iku, u arratis Ahmet Zogu. Si të themi ne sot, që nuk u arratis Zogu?Poky është fakt dhe këtë fakt e dinë të gjithë. Ka dokumente për këtë. Këto dokumente e këto fakte nuk i redakton dot… Iku dhe Fatos Nanua shumë vite më vonë, në 98-ën. Unë e kam thënë në një mbledhje në Partinë Socialiste, në prani të Fatosit: Dy njerëz njeh historia e Shqipërisë që janë arratisur: Ahmet Zogu dhe Fatos Nano. U vjen mirë apo nuk u vjen mirë disave nga këto fakte, kjo është tjetër punë. Ose le të marrim punën e ballistëve. Thonë se u është ngrënë haku, se ata paskan luftuar, por lufta u është mohuar. Unë them diçka të thjeshtë dhe konkrete: Për partizanët ka këngë dhe marshe si “Malet me blerim mbuluar” marshe të brigadave sulmuese, “Bashkohu, o shok, me ne në çetë” etj. Por, a më gjeni ndonjë këngë a ndonjë marsh për ballistët? Jo nuk gjen dot. Nuk gjen se nuk ka. Këngët nuk bëhen dot me porosi. Populli i ngre këngët vetvetiu se e ndjen. Kur nuk e ndjen, nuk këndon. Prandaj nuk ka këngë e marshe për ballistët.

(Vijon nesër)