“Çfarë pa kryeshërbëtorja”–Komedia që vjen premierë në teatrin “Skampa” të Elbasanit dhe shënon premierën e 50-të të Kiço Londos

36
Sigal

“Çfarë pa kryeshërbëtorja”, një festë komike që kalon çdo kufi! Komedia vjen premierë në teatrin “Skampa” të Elbasanit. Veprën e autorit Joe Orton e sjell në skenë regjisori Kiço Londo.

Ishte një ftesë e bërë nga teatri i Elbasanit, që regjisori Kiço Londo të niste punën për këtë shfaqje teatrore, që vjen me një kast aktorësh të njohur për publikun dhe që premtojnë një spektakël në skenë. Shfaqja është produksion i teatrit “Skampa” të Elbasanit, por për Kiço London në aktivitetin e tij si regjisor është premiera e 50-të. “Çfarë pa kryeshërbëtorja” edhe pse e shkruar në vitet ’60-të të shekullit të kaluar, sipas regjisorit të mirënjohur Kiço Londo ajo mbetet aktuale dhe për kohën që jetojmë.


“Në vepër i kam mëshuar kaosit, pushtetit, familjes, marrëdhënieve prind-fëmijë edhe seksit. Vepra edhe pse e shkruar në vitet ’60-të të shekullit të kaluar tingëllon shumë bashkëkohore dhe për këtë është punuar shumë”, thotë regjisori Kiço Londo.

Në skenë interpretojnë aktorët: Helidon Fino, Egla Ceno, Linda Jarani, Mario Elezi, Ëngjëll Hoxha, Livjon Aliaj. Komedia “Çfarë pa kryeshërbëtorja” do të jetë në skenën e teatrit “Skampa” në Elbasan në datat 11, 12, 13, 14, 15, 16 prill në orën 19:00.

Regjisori Kiço Londo ndërsa shprehet për punën që është bërë për të sjellë këtë komedi premierë në skenë, tregon dhe ku qëndron e veçanta e saj në aktivitetin e tij me teatrin. “Komedia është produksion i teatrit të Elbasanit.

Ishte një ftesë nga ky teatër, në role aktorë të këtij teatri dhe me një përzierje me aktorë të Teatrit Kombëtar edhe të Teatrit Shëtitës “Çajupi”. Kjo është premiera e parë e teatrit të Elbasanit këtë vit. Por në karrierën time si regjisor kjo është premiera e 50-të në skenë”, thotë regjisor Londo.