Që në agun e parë të mëngjezit, rruga që të çon drejt teqesë së Turanit nis të marrë jetë. Njera pas tjetrës, makinat ndalen qetësisht në oborrin e saj,duke sjellë besimtarë, miq e dashamirës të shumtë të Dervish Mikelit. Nuk vijnë thjesht për një vizitë ,por vijnë me një dëshirë të brendshme për t’u ndalur, për t’u çlodhur shpirtërisht, për të shkëmbyer një fjalë të ngrohtë dhe për të marrë me vete një grimcë paqeje. Mes gjelbërimit të harlisur dhe qetësisë që të fal ky vënd magjepës ,çdo hap të duket sikur të afron më shumë me veten.Ajri i pastër i mbushur me aromën e natyrës dhe me një ndjesi të shpjegueshme qetësie që të pushton dalëngadalë.Në këto ambjente si në përralla ,ku besimi dhe tradita ndërthuren natyrshëm ,nisin bisedat e thjeshta ,por të ndjera. Rreth Dervish Mikelit krijohet një rreth i ngrohtë njerëzish. Dikush rrëfen hallet ,një tjetër kujton të shkuarën ku regjimi komunist nuk i la njerëzit që të besonin ,dikush kërkon një këshillë për jetën.Dhe ai,Dervish Mikeli,kryefjala e këtyre bisedave mes shokësh e miqsh,mbetet ,në mëndjen e gjithsecilit bashkë me bindjen dhe besimin për të ardhur këtu përsëri e përsëri.Se kjo teqe pret njerëz në çdo kohë,se kjo teqe është një derë e hapur për të gjithë ata që besojnë ,që duan paqen,dinjitetin njerëzor ,dashurinë dhe afrimin me njeri – tjetrin. Dervish Mikeli ,i dëgjon me vëmëndje ,flet ëmbël duke lënë pas çdo fjale një jehonë mendimi dhe shprese .

Bisedat rrjedhin natyrshëm njera pas tjetrës,si rreshtat nëpër faqet e një libri.Flitet për bektashizmin ,për vlerat njerëzore,për jetën e përditshme ,për besimin që i mban njerëzit të lidhur me njeri – tjetrin dhe me të mirën. Teqeja nuk është vetëm një vënd kulti ,ajo është një strehë shpirtërore ,ku secili gjen diçka nga vetja dhe largohet më i lehtësuar.Dhe kështu dita kalon pa u ndjerë.Njerëzit largohen një nga një ,ashtu siç erdhën ,por jo më të njëjtë: me zemrën më të qetë ,me mëndjen më të kthjellët,dhe me një kujtim të bukur nga një ditë pranë Dervish Mikelit në Teqenë e Turanit. Në jug të vëndit ,aty ku gurët e bardhë të shtëpive mbajnë mbi shpinë historinë dhe ku era sjell zëra të vjetër lutjesh, ndodhet Fushëbardha, vëndlindja e një njeriu të heshtur,por me një botë të brendshme të pasur,Dervish Mikeli.Që në vitet e hershme të fëmijërisë ,ai nuk ishte si bashkmoshatarët e tjerë .Ndërsa fëmijët e tjerë rendnin pas topit ,grindeshin në një ndeshje e sipër,dhe çonin zërat sa herë që mërziteshin nga loja ,Mikeli dukej krejt ndryshe nga ata,sikur jetonte në një tjetër ritëm më të heshtur,më të thellë. Ai nuk e kërkonte zhurmën .Në vënd të saj ,kërkonte kuptimin.Në vënd të garës ,përqafonte mendimin.Shpesh e gjeje të tërhequr në një cep godine ,me sytë që shikonin përtej asaj që dukej ,sikur kërkonin diçka më të madhe se loja e ditës. Librat u bënë shokët e tij të parë ,ndërsa heshtja ,mësuesja më besnike.Në atë heshtje ,ai nisi të ndërtojë botën e tij shpirtërore ,një botë ku fjala” dashuri ” nuk ishte thjeshtë ndjenjë,por mision. Ende pa e kuptuar plotësisht rrugën që do të ndiqte ,brenda tij po rritej një dëshirë e veçantë.Të bëhej një njeri që u shërben të tjerëve ,një njeri që sjell paqe dhe mirësi. Ndoshta në mënyrë të pafjalë ,ai ëndërronte të bëhej një ndërmjetës i së mirës ,një udhërrëfyes shpirtëror për ata që kërkojnë dritë në kohë të vështira. Nuk ishte një ëndërr e zakonshme për një fëmijë ,por pikërisht kjo e bënte atë të veçantë. Vitet kaluan dhe Mikeli me dashuri iu përkushtua maksimalisht dhe ndjehej i sigurt në atë që bënte.I bindur në rrugën që mori ,edhe pse ndonjë gojë u mundua që ta pengonte disi,ai nuk dëgjoi askënd,por mori rrugën që të çonte sa më shkurt për tek Teqeja e Zallit,në vëndin ku besimi dhe tradita bashkohen në një pikë ,për të mbajtur gjallë frymën e njerëzores .Aty Dervish Mikeli nuk ishte thjesht një shërbestar ,por një njeri që përpiqej të mbillte atë që kishte nisur të rritej brenda tij që në fëmijëri:dashurinë për njeriun ,qetësinë e shpirtit dhe besimin në më të mirën. Kjo është historia e një rrugëtimi që nuk nisi me bujë ,por me heshtje.Një heshtje që fliste më shumë se çdo fjalë. Ishte vetëm 17 vjeç Mikeli,kur një ditë mori rrugën për tek Teqeja e Zallit në Gjirokastër.Në një farë mënyre ai ishte stacioni i parë i jetës që kishte nisur. Që në atë moshë ,rruga e tij mori një kthesë të qartë.Një ditë ,pothuajse ,pa zhurmë ,por me një bindje të brendshme,që nuk kishte nevojë për fjalë,Mikel Onjea, u gjënd në Teqenë e Zallit në qytetin jugor ,pranë Baba Haxhiut.Nuk ishte një rastësi e zakonshme ,por një hap i natyrshëm i një kërkimi që kishte nisur herët ,në heshtjen e fëmijërisë së tij. Ajo teqe u bë për atë një stacion i parë ,një portë hyrëse drejtë një bote që ai e kishte ndier ,por ende nuk e kishte prekur plotësisht.Brenda mureve të saj ,ai nuk gjeti vetëm ritet dhe traditat e besimit, por mbi të gjitha gjeti njerëzit ,me hallet ,shpresat dhe kërkimet e tyre shpirtërore. Pikërisht aty ,Mikeli nisi të kuptojë se rruga e tij nuk ishte thjeshtë një përkushtim personal ,por një mision që lidhej ngushtë me të tjerët. Jeta në teqe nuk ishte e lehtë.Ajo kërkonte disiplinë ,përulësi dhe një përkushtim të vazhdushëm.Ditët nisnin herët dhe mbaronin vonë,të mbushura me shërbim ,lutje dhe reflektim. Por për Mikelin, kjo nuk ishte barrë.

Kjo për atë ishte një mënyrë jetese që i jepte kuptim çdo çasti. Në atë mjedis, ai dëgjonte më shumë se të fliste ,të kuptonte më shumë se të gjykonte dhe të jepte pa kërkuar shpërblim.Në kujdesin dhe ndikimin e Baba Haxhiut ,ai u formua jo vetëm si besimtar ,por si njeri.Mësoi se fjala e mirë ka peshën e floririt,se një këshillë e thjeshtë mund të lehtësojë një shpirt të rënduar dhe se kjo është ndihma më e madhe që mund t’i japësh dikujt. Ishte një shkollë më vete,por me mësime të mëdha ,që nuk shkruhen lehtë,por jetohen çdo ditë. Njerzit që trokisnin në derën e teqesë vinin nga shtresa e mosha të ndryshme. Disa kërkonin ngushëllim ,të tjerë një fjalë shprese e disa thjeshtë një vënd ku të ndiheshin mirë.Në këtë përditshmëri të thjeshtë ,por të mbushur me emocione, ,Mikeli nisi të ndërtojë lidhjen e tij me njerëzit.Ai nuk ishte ende ai që kishte ëndërruar të bëhej ,por çdo ditë po afrohej më shumë me atë që kërkonte të bëhej. Ka episode të vogla ,ndoshta të padukshme për syrin e zakonshëm ,por domethënëse për ata që i kanë përjetuar.Një bisedë e zakonshme në një mbrëmje të vonë ,një dorë e vendosur mbi supin e tjetrit në një moment të vështirë për të ,një këshillë e thjeshtë që mbetet gjatë në mëndje .Këto janë gjurmët që ai nisi të lërë që në ato vite të para.Jo me bujë,por me një prani të qëndrueshme dhe të sinqertë. Kështu,Teqeja e Zallit ,nuk ishte vetëm një ndalesë në jetën e tij ,por një themel mbi të cilin do të ndërtohej më tej rrugëtimi i tij shpirtëror. Aty u farkëtua durimi, u thellua besimi dhe mori formë më të plotë ajo thirrje e hershme që e kishte shoqëruar që nga fëmijëria.Fati e deshi Mikelin që të shërbente në Kryegjyshatën Botërore në Tiranë.Aty ai do të ndjente nga afër ndihmën e madhe të Dede Reshat Bardhit.Fati e deshi që rrugëtimi i tij të mos ndalej vetëm në Teqenë e Zallit .Në një moshë ende të re ,kur shumëkush është ende në kërkim të vetvetes ,Dervish Mikeli u gjend në një nga qendrat më të rëndësishme të besimit Bektashian,në Kryegjyshatën Botërore në Tiranë.Ishte një hap i madh.,një përgjegjësi e re,por njëkohësisht edhe një mundësi e rrallë për t’u rritur më tej shpirtërisht dhe njerëzisht.Aty ,në atë mjedis ku përvoja dhe përkushtimi ndërthuren me traditën ,ai pati fatin të ishte pranë Dede Reshat Bardhit,një figurë e respektuar dhe udhërrëfyese për shumë besimtarë. Prania e tij nuk ishte thjeshtë një privilegj ,por një shkollë më vete.Në heshtje,në vëzhgim dhe në përditshmërinë e shërbimit ,Mikeli përthithi mësime që nuk jepen në libra,por trashëgohen nga një brez tek tjetri. Nga afërsia me Dede Reshat Bardhin ,ai mësoi se forca e një udhëheqësi shpirtëror nuk qëndron tek fjalët e mëdha ,por në thjeshtësinë ,durimin dhe dashurinë për njerëzit. Mësoi se besimi nuk është vetëm ritual ,por një mënyrë jetese që kërkon sakrificë ,drejtësi dhe mbi të gjitha dashuri për ata që kërkojnë një ndihmë prej teje.Ishin këto vlera që e formësuan më tej karakterin e tij dhe i dhanë një drejtim më të qartë rrugës që kishte zgjedhur.

Jeta në Kryegjyshatë ishte më e ngarkuar ,më e përgjegjshme ,por edhe më e pasur në përjetime.Çdo ditë e re sillte takime me njerëz nga treva të ndryshme ,me histori të ndryshme ,por me një kërkesë të përbashkët:të gjenin paqe dhe kuptim.Në këtë rrjedhë të pandërprerë ,Mikeli nuk ishte më vetëm një nxënës i heshtur ,ai po bëhej pjesë aktive e një misioni që kërkonte jo vetëm përkushtim ,por edhe zemër të hapur. Kjo periudhë do të mbetej ndër më të rëndësishmet në jetën e tij, sepse aty iu përforcua bindja, se rruga që kishte zgjedhur nuk ishte e përkohshme,por një ndjenjë e brendshme që do ta shoqëronte për gjithë jetën. Pas kësaj përvoje të vyer,në Kryegjyshatën Botërore,rrugëtimi i Dervish Mikelit ,mori drejtimin e vet të natyrshëm.Ai u kthye për të shërbyer më pranë njerëzve ,në një mjedis ku fjala dhe prania e tij do të kishin peshë të drejtëpërdrejtë.Kështu ,ai u vendos në Teqenë e Turanit të Tepelenës ,një vënd i njohur për traditën dhe besimin që mbart.Në këtë teqe Dervish Mikeli nuk erdhi thjeshtë si një shërbëtor ,por si një njeri që kishte kaluar një rrugë të gjatë për t’u përgatitur për këtë mision.Ai solli me vete jo vetëm mësimet e përfituara ,por edhe një qasje njerëzore më të afërt me besimtarët. Prania e tij u bë gradualisht një pikë referimi për shumë njerëz të zonës dhe më gjerë. Dita e tij në teqe është e thjeshtë në dukje, por e mbushur me kuptim.Ai pret njerëz që vijnë , me hallet e tyre ,i dëgjon pandërprerë, flet me ta çiltër . Nuk u premton asnjerit mrekulli, por afron atë që shpesh mungon:vëmëndje të sinqertë dhe një fjalë që buron nga zemra.Dhe ndoshta pikërisht kjo është arsyeja pse njerëzit kthehen sërish tek Dervish Mikeli këtu në Teqenë e Turanit. Të vish dhe të kalosh një ditë ndryshe nga të tjerat,këtu në këtë teqe në jug të vëndit,do të njihesh nga afër me ato që ka ndërtuar ky dervish këtu në Turan , me kujdesin e tij,me ndihmën edhe të Baba Mondit nga Kryegjyshata.Shto këtu edhe ata besimtarë, shokë dhe miq të tij, që kanë mundësuar ndërtimin e kësaj teqeje që ndrit që nga larg dhe u thotë njerëzve mirseerdhët!



















