Behar Gjoka : Libri nuk është një mall i çfarëdoshëm, ai është simbol

679
Sigal

INTERVISTA/ Flet për problemet e botimeve të sotme, kritiku letrar dhe shkrimtari Behar Gjoka

Kritiku dhe shkrimtari Behar Gjoka është nga intelektualët më aktiv në fushën e letërsisë, në një kohë që kritikë dhe specialistë të tjerë heshtin, dhe, ç’është më e keqja, bëjnë hossanara në promovime librash, në studio televizive apo faqe gazetash. Ja ç’thotë ai për problemet e letërsisë në një intervistë që bëmë këto ditë:

Zoti Behar, cilat janë problemet e letërsisë së sotme shqipe?

Letërsia e sotme është një nocion që  thotë shumçka, por njëkohësisht dhe fsheh shumëçka. Ajo gjendet në udhëkryqin  e një bashkëluftimi të asaj që kemi nga e djeshmja dhe të  një perspektive që ka të bëjë tek e fundit edhe me  atë çka do të ndodhë të nesërmen e ardhme. Ne fakt mendoj  se letërsia e sotme ende nuk ka arritur që të  shkëputet nga letërsia e djeshme kam parasysh këtu modelin e realizmit socialist i cili ishte më shumë se sa ideologji, ishte më shumë se sa orientim, më shumë se sa direktivë. Pra ajo ishte detyrë që  shqiptarët do të duhej të viheshin në shërbesë  të ideologjisë së kohës.  Në këtë moment duke mos qenë serioz në lëvrimin e saj,  sa vjen dhe po sendërtohet një letërsi  e realizmit demokratik. Dmth,  është e dhimbshme, por e drejta morale  nuk mund të reflektohet, balancohet, me shansin dhe gjasat e  shijeve estetike. Unë jam i prirur të lexoj çdo libër, por jo çdo libër  që ka një kopertinë që ka një kapak,  mund të përçojë vlera.  Kam parasysh shumëçka që  hera herë  është vlerësuar me çmime pikërisht nga  kjo lloj letërsie. Jemi në një moment që kemi shumë botime, por pak tekste letrare, ka një situatë paradoksi (që unë e shoh)  ku shumëkush shkruan pambarimisht, pakkush ndalet për të gjetur vlera letrare. Unë nuk mendoj se ndryshimet sociale dhe politike, do të duhen  të sjellin dhe mendime dhe sjellje të menjëhershme letrare. Jo!. Letërsia dhe arti nuk kanë këtë inerci, nuk kanë këtë devizë. Pra unë kam mendimin se letërsia e sotme ka tendencën e mosshkëputjes nga letërsia e djeshme.  Letërsia ndodhet në një situatë që pakkush  merr mundimin të ndaje vlerën nga jo vlera, sepse çdo shenjë, çdo dëshmi na mundëson  komunikimin real  gati të pamundur, sepse mungon një revistë letrare një gazetë  e mirëfilltë letrare apo kritike,. Na mungon një lidhje e dikurshme shkrimtarësh (letrare) e cila mirë apo keq  i lidhte interesat e krijuesve pavarësisht fushës, pavarësisë, apo llojit.  Tani çdo gjë është një çorganizim i organizuar dhe në këtë çorganizim të organizuar shyqyr  që autorët përpiqen që ta mbajnë letërsinë gjallë.  Ka  dhe një problem tjetër…. Botuesit shqiptar,  kanë një marrëdhënie absurde me shkrimtarët saqë nuk e di deri ku do të shkojë kjo marrëdhënie. Pasi librin e paguan autori. Pra jemi në një situatë, ku libri  gati-gati po shndërrohet në mall. Libri nuk është mall. Libri është simbol.  Është pasqyrë e një kohe të caktuar, e një rrethane të caktuar, . Është një marrëdhënie e cila e kapërcen kohën. I kapërcen këto lloj sinoresh të cilat në fund fare nuk ka se si të na krijojnë mundësinë të komunikojmë realisht.  Letërsia shqipe tashmë gjendet tani diku në periferi, të mendjes së Institucioneve shqiptare, në periferi vëmendjes së lexuesit shqiptar, vëmendjes së botuesve shqiptarë. Është tek e fundit në nderin e atyre që marrin përsipër që kjo zonjë e rëndë (siç është letërsia),  të mos lihet të largohet (të përzihet) nga jeta e përditshme sepse, nesër  jeta do të jetë pak më e shëmtuar se sa sot.

Disa nga të metat e letërsisë së sotme mos ndoshta vijnë sepse mungon dhe një kritikë e mirëfilltë letrare?

Janë disa institucione si Ministria e Arsimit, Ministria e Kulturës, Akademia e Shkencave,  Universiteti i filologjisë etj…që  kanë punuar në mënyrë institucionale që të mos ketë kritikë letrare. Nuk po them një gjë të re, se dhe këto institucione e dinë vetë këtë gjë, por problemi është se të ndodhur në situatën ku kritika e para viteve 1990 ishte  kritikë në formë heshte, shtize, asgjësuese ndaj letërsisë, sot unë mendoj se kritika pavarësisht formave latente ekziston në një mënyrë tjetër. Ekziston se në çdo televizion ekziston vitrina e librit, në mediat shqiptare ka qasje  të ndryshme  ndaj letërsisë, debate televizive, emisione për letërsinë, ekziston sepse në të gjitha takimet e ndryshme  dhe  krejt rastësore ne themi se ky është një libër i mirë.,  lexohet, apo ky është një libër i keq që nuk lexohet. Por  institucionet, kanë punuar në mënyrë institucionale, që ne të gjendemi tek ky moment që të mos ketë një lexim apo kritikë të specializuar por të mjaftohet me këto vitrina apo diskutime në këmbë. Nuk do të them që kritika e specializuar do të bënte ndonjë gjë të madhe por do të merrej   me atë që quhet vlerë jo e konfirmuar  por vlerë me shanse, sepse kritika letrare merret me letërsinë aktuale, me letërsinë që botohet në këtë moment,  dhe në momentin  që x personalitet merr përsipër të thotë që ky libër do të prezantohet nuk  ka pse kjo të shërbejë si recetë për lexuesin, por  që është një tregues formal që ky libër e ka një farë vlere. Emrat e kritikëve po rrallohen se ekzistojmë (jemi) në një moment se jemi një shoqëri që mendojmë se i dimë të gjitha. Nuk ekziston sensi kritik, nuk ekziston sensi vetëkorrigjues, nuk ekziston, ajo, të menduarit kritik jo e të shkruarit. Pra ka shumë gjëra të debatueshme. Ka shumë momente që do të duhet që institucionet të politikëbërjes arsimore, kulturore, të japin sadopak kontributin e tyre  ligjor që kjo punë të marrë udhë. Ministria e Kulturës ka zënë si objekt atë të Lidhjes së Shkrimtarëve. Ç’mund të themi më tepër se sa i përkrah ky institucion shkrimtarët apo kritikën letrare?

Sot ka shumë përkthime të autorëve ta huaj dhe kjo është diçka e mirë. Po cilësia e këtyre përkthimeve si është?

Uria  e shqiptarëve për kulturën e huaj perëndimore, nga do që të vij  është e shpjegueshme. Kemi qenë të mbyllur dhe në momentin e hapjes  filluam të ushqehemi me shumëçka.  Çfarë ndodh? Le të themi se përkthimi ndodhet pak më ndryshe nga pjesa  që folëm pak më para por dhe ajo ndodhet në një nivel  jot ë lakmueshëm. Por në fund  fare letërsia ka nevojë për përkthime. Por duke qenë se ka nevojë herë- herë gjenden dhe përkthime të mira, por në shumicën e herëve, ka përkthime shkel e shko. Por në fakt është dhe një punë e pa paguar. E pamatshme. Dhe  për këtë arsye çfarë ndodh. Tjetri  sa ka filluar të mësojë dhe të shkruaj anglisht  i kërkohet të përkthejë nga anglishtja  apo një gjuhë tjetër, Natyrisht çmimi  që vlerësohet në këtë rast përkthyesi është për tu vënë ën dyshim. Por kryesorja është se nuk kemi një shkollë të përkthimit. Nuk kemi një shkollë reale. Pse? Sepse në shkollë tendenca është që të mësohet (ajo që pretendohet të mësohet) ajo çka mendojnë pedagogët, profesorët, dekanët..Në fakt, kryesorja është të mësosh metodën e përkthimit, sepse përkthimi është një proces zinxhir, është një përgjegjësi dhe duke mos pasur një shkollë të mirëfilltë të kritikës së përkthimeve  ne gjendemi në situate të tilla që dhe pse emri i një libri mund të ketë shumë i madh për përkthimin të zë lemeria.  Dhe për të detyrohesh të blesh këtë libër që të duhet në disa variante. Problemi tjetër është se sot kemi shumë botues  që duhet të kenë kujdes që të mos bëjnë përkthime që nuk kanë pikën e vlerës, sepse kjo do bëjë që do të lexojmë Shekspirin, por të mos flasim dot me Shekspirin.

Po për përkthimet e autorëve shqiptarë në gjuhë të huaja ku qëndron problemi?

Diktatura ka bërë shumë mbrapshti, por ka pasur një strukturë të përkthimeve të letërsisë shqiptare. Në këto momente janë disa mbetje të asaj kohe që vazhdojnë të marrin përsipër përkthime të autorëve tanë. Jam i mendimit që shteti duhet të marrë përsipër përkthimet.  Shtetit duhet të hartojë politika kulturore që të  ruaj komunikimin e gjuhës shqipe me gjuhët e tjera. Politika në këtë drejtim të letërsisë lëviz shumë avash, ose mund të them në vend numëro. Por ajo duhet ta ketë parasysh se atë që bën sporti, kultura, s’ka shans ta bëjë asnjë parti politike, asnjë politikan. Këta janë ata dy ambasadorë që e lartësojnë imazhin e Shqipërisë kudo në botë më mirë se çdo politikë. Vlerat shpirtërore nuk janë makiazhe  si mund  të jetë politika, ku kjo  politikë përbetohet për kulturën, por ata bëjnë pak për të. Por shkrimtari shqiptar, s’ka një godinë, s’ka një status real, por ata janë pjesa më e harruar e shoqërisë. Shkrimtarët janë të përndjekur të mendimit ndryshe. Nuk ka shkrimtarë që të jetë dakord me politikën e një qeverie sepse në atë moment  i nuk mund të përçojë zërin e së vërtetës tek lexuesi.

Bëhen shpesh herë konkurse për letërsinë. As dihet kur shpallet konkursi, as dihet  kush dhe si fiton. Të njëjtat fytyra në disa juri…

Ka disa kohë që përdor një term, “letërsia e çmimeve”. Ka gati 7-8 vjet që është krijuar një paradoks që në çdo vit  janë ndarë në mënyrë të çrregullt, nga  10 çmime letrare. Është pak e vështirë që një letërsi si e jona të mbajë  mbi kurriz 10 çmime letrare. Duhen të reduktuara  pasi prurjet nuk janë të tilla që të formulojnë vlera që  të justifikohen këto çmime. E dyta, dihet që në këtë periudhë çmimet kanë qenë pjesë e politikës. Emrat janë të njohur të ditur, kanë qenë pjesë e qeverisjes, pjesë e Ministrisë së Kulturës, kanë qenë deputet, kanë qenë ushtar të partisë të kësaj  qeverie apo asaj të mëparshme. Është krijuar një marrëdhënie absurde. Duket sikur çmimet janë prodhimtari e Filologjikut dhe profesorë apo doktorë meritojnë çmime. Duket sikur ata kanë marrë hipotekën e letërsisë. Në fakt ky është mediokriteti më i madh sepse letërsia nuk ka hipotekë.  Hipoteka e letërsisë është në tekstet që shkruajmë .  Jam rrekur të kërkoj se ku gjenden  këto vlera kaq të çmuara lartësisht dhe me thënë të drejtën e pamundur që unë të kem shkuar më shumë se faqja tre e librit të tyre. Po flas me shijen time  që deri diku është dëshmuar me 16 libra. Por letërsia e çmimeve po bëhet një pengesë serioze për të parë vlera të tjera të cilat nuk janë thjesht tek çmimet, sepse ka  shkrimtarë që nuk jetojnë në Tiranë, por kane libra, tekste të shkëlqyera. Letërsia shqipe nuk është një nocion që mbyllet me çka ndodh në Tiranë, pasi letërsia shqipe zhvillohet edhe në  Prishtinë, Shkup, diasporë. Tek arbëreshët. Sistemi i programimit të Ministrisë së Kulturës për çmimet, mënyra e formimit të jurisë ka bërë që të të zërë lemeria të marrësh pjesë në një konkurs letërsie. Ky nuk është konkurs për krijuesit, për letrarët, por thjesht një konkurs mes disa teksteve që duhet të hyjnë në Bibliotekën Kombëtare. Konkurs letërsie është kur autori shkon në Ministri, dorëzon librin, është i gatshëm të marrë pjesë, merr informacionin e duhur, njihet me kushtet, jurinë. Realisht nuk ekziston diçka e tillë, pasi ky konkurs është një përzgjedhje  klanore e një grupi të caktuar që ndan dekorata, jo si “Hero i Punës Socialiste”,  por dekorata që X shkrimtar është më i miri, një shkrimtar që është pjesë e asaj partie ose ka çmime që ndahen ca të PS ca të PD.