Bashkim Hoxha, “Mjeshtri i Madh” që në mëngjeset e 20 viteve ka dëgjuar mbi 100 mijë zëra në emisionin “Koha për t’u zgjuar”

1879
Ëngjëll MUSAI
Drejtor i “Telegraf”

Historia e 7000 ditëve të komunikimit telefonik me qytetarët, të cilët denoncojnë abuzimet, padrejtësitë e shpërfilljen shtetërore dhe kërkojnë ndihmë prej tij
Nesër në mëngjes, publicisti, gazetari, romancieri, dramaturgu dhe moderatori produktiv, cilësor e mirënjohur, miku im Bashkim Hoxha, do ta hapë emisionin e tij “mbarëpopullor” me telefonatën e 100 mijë e 1 të emisionit të tij “Koha për t’u zgjuar”! Nesër në mëngjes, në orën 07.00, në këtë emision do të dëgjojmë për herë të 100 mijë e 1, shprehjen me të cilën Bashkim Hoxha nis komunikimin me njerëzit, me sloganin: “Alo, Bashkim”! Është bërë aq i afërt e i afërm, i dashur e i besueshëm për shqiptarët ky emision dhe përmes tij Bashkim Hoxha, sa çdo mëngjes shqiptarët brenda Shqipërisë dhe ata jashtë Shqipërisë sipas orëve lokale të vendeve ku jetojnë e punojnë, ditën e nisin duke çuar televizorin “Te Bashkimi”. Ata që janë në kafene, i kërkojnë kamerierëve ta çojnë stacionin “Te Bashkimi”. Ata që janë në udhëtim e çojnë radion “Te Bashkimi”, ata që ndjekin mediat nëpërmjet telefonave celularë, klikojnë “Te Bashkimi”. Dëgjojnë titujt e gazetave, por edhe bëhen pjesë e emisionit “Koha për t’u zgjuar”… 
Çdo mëngjes prej 20 vitesh: Mbi 100 mijë herë “Alo Bashkim”! 
Çdo mëngjes, qysh prej 21 marsit 1997, njerëz të shumtë të profesioneve, kategorive, komuniteteve e grupimeve sociale të çdo lloji, të tejlodhur nga hallet që u ka shkaktuar e vazhdon t’u shkaktoj prej 25 vitesh politika dhe qeverisjet me tranzicionin masakrues, të shpërfillur nga administrata shtetërore, të shfrytëzuar nga punëdhënësit për “një copë bukë”, të kërcënuarit nga krimi i rrugës, të varfëruar deri në vetë-vrasje, të viktimizuar nga prapësitë dhe hajdutëritë e shërbimeve publike, “trokasin” me telefonatat e tyre të sinqerta te emisioni “Koha për t’u zgjuar”, me atë thirrjen “O Bashkim”! Dhe Bashkimi, me atë zërin e tij të butë, me atë shpirtin e tij paqësor, me atë durimin e “hekurt” dëgjon çdo zë që denoncon, ankon, kërkon, paralajmëron e kërcënon për hakmarrje ndaj “iks” e “ipsilon” politikani, shtetari, ministri, deputeti, kryebashkiaku, drejtori…, që nuk i hap telefonin, që i kanë mashtruar për punësim, për ndërtimin dhe riparimin e rrugës së fshatit, të ujësjellësit, qendrës shëndetësore, të shkollës e shumë halle të tjera, ashtu siç edhe flasin gjithë pasion për partitë politike dhe liderët e tyre. Denoncojnë e mallkojnë deputetët dhe kryebashkiakët, që u kanë marrë votat dhe nuk u shkojnë më në zona e as I presin në zyra, që nuk u përgjigjen në telefona, që kanë punësuar familjarët e tyre nëpër zyrat dhe punët e shtetit, që së bashku me ministrat vjedhin fondet e investimeve lokale dhe lejojnë kthimin e qendrave të banuara në qendra plehrash. Në mëngjeset e 20 viteve të këtij emisioni, “Mjeshtri i Madh” Bashkim Hoxha, ka dëgjuar mbi 100 mijë “Alo, Bashkim”, që kanë shkuar në “veshin” e tij nga shqiptarët brenda e jashtë vendit deri në SHBA, Kanada e Australi. Por, siç thotë Bashkim Hoxha, çdo ditë, javë, muaj e vit, janë dhjetëra, qindra e miliona përpjeke për t’u lidhur çdo mëngjes me telefonin e emisionit “Koha për t’u zgjuar”! Por vetëm mesatarisht 15-20 telefonata në ditë, realizohen brenda 30 minutave kohë telefonike që i është caktuar komunikimit të çdo mëngjesi me qytetarët! Në arkivin e emisionit “Koha për t’u zgjuar”, mund të thuhet pa asnjë mëdyshje, se gjenden gjithë problematikat social-ekonomike të pensionistëve, veteranëve të luftës, ushtarakëve, fëmijëve, jetimëve, invalidëve, grave të dhunuara, prindërve me fëmijë të trafikuar e të zhdukur, dhimbjet për tragjeditë që kanë ndodhur në det e në tokë, hasmëritë që kanë ngujuar familje të shumta, dhuna që ka goditur mijëra gra, prindër e fëmijë, varfëria ekstreme, papunësia, pagat lëmoshë, lypjet, endacakët, abuzimet që bëjnë shtetarët e gjithçka. Këto halle e probleme dëgjohen lirshëm te emisioni “Koha për t’u zgjuar”, nëpërmjet telefonit të hapur që prej 20 vitesh ofron mirësia, qetësia, profesionalizimi dhe guximi i gazetarit Bashkim Hoxha për të realizuar këtë ballafaqim publik popull-politik-qeveri… 
“Alo Bashkim”, u ideua në mbrëmjen e 20 marsit 1997, në një kioskë në Durrës
Emisioni “Koha për t’u zgjuar”, u ideua në mbrëmjen e datës nisi në datën 21 mars 1997, në marsin e tërbimit të shqiptarëve të ngritur në rebelim “anti-shtet” për shkak të humbjes së lekëve në firmat piramidale. Por u u ideua në mbrëmjen e 20 marsit 1997, së bashku me Gëzim Domin. Nisi në atë mars të tmerrshëm, kur nuk shkoje dot as për të blerë bukën e fëmijëve, nuk ngjiteshe dot as në çati nëse futej shiu, nuk guxoje as të shkoje në ceremoni mortore të familjarëve, nuk guxoje të shkoje as në spital për urgjencë mjekësore jetike. Gazetari Bashkim Hoxha guxoi e nisi publikisht, komunikimin me qytetarët, nga ekrani i “TV-Teuta”. Sipas dëshmisë së bërë në një intervistë të dhënë për gazetarin Roland Qafoku, në një media të shkruar me rastin e 15 vjetorit të këtij emisioni, Bashkim Hoxha ka deklaruar: “Koha për t’u zgjuar”, ka nisur rrugëtimin e tij në qytetin e Durrësit, brenda një kioske të vogël, ndërkohë që jashtë “kioskë studios televizive”, bëhej luftë pa asnjë kuptim, ndërkohë që shkollat ishin mbyllur, mediat ishin bllokuar me urdhër qeverie, kudo shikoje turma e njerëz që edhe në kafene dhe spital futeshin të armatosur, që zyrtarët çoheshin në punë me tanke! ishte një televizion dhe emision që nisën si një mendim, ide, dëshirë dhe vullnet rastësor që vazhdoi. Në datën 13 mars 1997, sipas Bashkim Hoxhës, së bashku me kameramanin Gëzim Domi, me një antenë të marrë borxh, ai nisi sinjalin e parë të transmetimit nën logon “TV-Teuta”. Ndërsa vetëm 7 ditë më pas, në mbrëmjen e datës 20 mars 1997, që është fiksuar edhe si data e “lindjes” së emisionit “Koha për t’u zgjuar”, nisi ky emision, që sot mbush 20 vjet pa u ndalur qysh prej mëngjesit të datës 21 mars 1997! 
Sigla televizive “Koha për t’u zgjuar”, zgjon miliona shqiptarë çdo ditë
Në vend të ziles së sahatit, sigla e emisionit të Bashkim Hoxhës, “Koha për t’u zgjuar” i tregon të gjithëve, se ora 7:00 e mëngjesit, mban brenda melhemin, që u duhet njerëzve për të shëruar pasigurinë dhe për të gjetur, në trafikun e autostradës, gurin e kilometrazhit të shpresës. Të gjithë ata që kanë pësuar infarkt gjatë natës, kanë përfunduar në reaminacion, por shumica e atyre që ndodhen në mes të ngërçit shpirtëror, e kanë një foltore, ku të qetësojnë pulsin e tronditur. Disa thonë, se duke mos qenë mjek, ai është kthyer në një psikolog që i bën psikoterapi shoqërisë shqiptare, por në thelb Bashkim Hoxha është më tepër se kaq. Ai është një pjesëtar i familjeve tona, një mik a një i afërt, që çdo mëngjes shkon tek ekrani dhe telefoni, për të dëgjuar dhe përcjell hallin e secilit që telefonon. Sa herë që dikush e ka përgëzuar për këtë emision, ne e kemi mbështetur me zë të ulët. Sa herë që dikush e ka pyetur për ndonjë problem, ne kemi mbajtur qetësi për të dëgjuar një mendim të mençur dhe sa herë që ndokush i mërzitur me veten e vet, ka lëshuar fyerje ndaj tij, ne kemi kafshuar buzën. Sot mbushen 16 vjet që “Koha për t’u zgjuar”, përzihet me pagjumësinë tonë, për të na kristalizuar, dyshimet, dilemat, apo paqartësitë tona të përjetshme. 

Profili
• Shkrimtar, skenarist, gazetar. moderator, drejtues Institucioni Kulture
• U lind: Më 2 Shkurt 1954
• Shkollimi: 
• Universiteti i Tiranës, dega Gazetari 
• Kualifikime
• Specializim në Universitetin e Londrës, në programin: “Për një gazetari të re”
• Specializim në SHBA, në programin: “Media, në një sistem të ri”.
• Vlerësime 
• Titulli “Qytetar Nderi i Durrësit”
• Çmimi “Aleksandër Moisiu”, për dramën më të mirë “Unë dhe Mefistofeli”, viti 1988 
• Çmim për “Këngë dashurie me korba”, viti 1996
• Çmimin e Parë, në konkursin e dramës shqipe “Katarina Josipi”, që zhvillohet në Kosovë, me dramën “Askushi”, mars 2016
• Çmimin “Romani më i mirë” në Panairin e Librit në Fier, me veprën “Gruaja e shiut”, viti 2016
• Titulli “Mjeshtër i Madh”, akorduar nga Presidenti i Republikës, viti 2010
• Pozicion pune, aktual
• Drejtor i Teatrit “Aleksandër Moisiu”-Durrës
Krijimtaria e Bashkim Hoxhës
Skenarë filmash
1. NË ÇDO STINË
2. NJË VONESË E VOGËL
3. PLUMBA PERANDORIT
4. ZEMRA QË NUK PLAKEN
5. KRONIKË E NJË NATE
Pjesë teatrale
1. VËRSHIME PRANVERORE
2. UNË DHE MEFISTOFELI
3. KËNGË DASHURIE ME KORBA
4. HERONJTË E VIAGRËS
5. NE TË GJITHË KËNDUAM MARGARITËN
6. UDHËTIMI PA VIZË I NJË ALIENI
Vepra në prozë
1. NJË LOLO DHE NJË MBRET
2. NJERIU TJETËR
3. GROUND ZERO
4. HOTEL BALLKAN
5. MOT I KEQ PËR DASHURI
6. LAKURIQ
7. MBRETI I VESËS
8. SAKRIFICA
9. ROMANCË NË DITËN E KRIMIT
10. HERONJTË E VIAGRËS
11. MISSING
Sigal