Në ditën e dytë të panairit të librit “Tirana 2016”

567
Sigal

Biseda me
drejtuesit e Shtëpive Botuese prestigjioze, “Morava”,  “Bota Shqiptare”, “Argeta –LMG”

 

 

Dita e dytë e panairit të librit “Tirana 2016”, ka rezultuar më e suksesshme se një vit më parë. Sipas
botuesve numri i vizitorëve vërshoi drejt stendave qysh në orët e para të
mëngjesit. Sipas tyre ,mund të thuhet, se kishte nga të gjithë grupmoshat, po
rinia është grupmosha e cila ka rritur vëmendjen ndaj librit në raport me vitet
e tjera. Kjo është një shenjë e mirë. Kjo ka qenë dhe tendenca e botuesve për
vite me radhë. Kjo dyndje drejt librit nga ana e rinisë tregon qartë, se tashmë
rinia do t’i shkëputet botës së internetit dhe i është kthyer kapjes me dorë të
librit. Panairi ka dhe një gjë specifike, pasi mundëson të gjithë dashamirësit
që të marrin pjesë  në promovimet e autorëve
që kanë për zemër, ose t’i takojnë ata dhe të marrin autograf në stendat ku kanë
ekspozuar librat e tyre. Siç e theksuam dhe një ditë më parë, këtë vit në shumë
stenda shikon ulje çmimesh që  ka bërë që
për të njëjtën sasi lekësh që kanë planifikuar për librat këtë vit lexuesit të mund
të blejnë më shumë libra. Pra kjo ulje e çmimeve ka bërë që shtëpitë botuese të
tërheqin më shumë vëmendjen e lexuesve por edhe dëshirën për të blerë më shumë
libra.
Kjo nismë është bërë për arsye, se numri i blerësve
rritet dhe dëshira e Shtëpive Botuese është të kënaqin të pasionuarit e librit.
Kjo ulje ka marrë formë sidomos 5 vitet e fundit duke pasur parasysh kërkesat e
blerësve në raport me pamundësinë e blerjes së të gjithave atyre librave që
dëshirojnë. Ky lloj komunikimi me blerësin ka bërë që të rritet shitja, por
njëkohësisht të kënaqet dhe lexuesi.

 

 

Organizimet

 

Z. Petrit Ymeri, kryetar i Shoqatës së Botuesve
Shqiptarë gjatë
ceremonisë së Panairit të 19-të të librit “Tirana 2016”,  u shpreh se,
Panairi i librit është me të
vërtetë një festë e bukur e kulturës shqiptare dhe mund të them pa hezitim, që
është aktiviteti më i madh kulturor që bëhet në Shqipëri. Ky panair do të ketë
shumë aktivitete, shumë risi dhe shumë promovime librash. Do të organizohen
seminare, konferenca, mbi problemet e përkthimit dhe botimeve në gjuhën shqipe
“.
Tashmë të gjitha Shtëpitë Botuese kanë shpërndarë dhe kanë bërë prezent se gjatë
panairit do të organizojnë rreth 60 aktivitete të ndryshme, ku kryesisht janë
promovime librash.  Në këtë panair marrin
pjesë 90 shtëpitë botuese nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe më gjerë të
cilat këtë vit kanë hedhur në treg librat që kanë mundësi për promovim dhe që
janë në kërkesat e lexuesve.

 

Tradita

Ky Panair,
në edicionin e vet të 19-të, tashmë është kthyer në një traditë në
kryeqytet. Lexuesi kryeqytetas e ka të fiksuar në mendje, se javën e dytë të
nëntorit në pallatin e Kongreseve do të zhvillohet Panairi i librit. Kjo
veprimtari e madhe kulturore, mbetet një prej ngjarjeve më të rëndësishme për
jetën kulturore, artistike. Si çdo vit edhe ky panair pati të veçantat por
pjesëmarrja ishte më e vogël. Disa shtëpi botuese u larguan në momentin final. Këto
ditë janë të ditët e një angazhimi tërësor 
lexues-botues, pasi lexuesi e ka më të lehtë të kërkojë atë çka dëshiron,
ndërsa botuesi e ka më të lehtë të paraqesë atë çka mendon se kërkohet. Panairi
plotëson atë boshllëk të lexuesit, i cili për shumë arsye nuk afrohet në
libraritë e Tiranës gjatë muajve të tjerë të vitit. Vitin e kaluar sipas
Kryetarit të Shoqatës së Botuesve Ymeri në Tiranë janë mbyllur shumë librari në
Tiranë dhe rrethe të tjera, ndrysa këtë vit ka më pak Shtëpi Botuese në Panair.
Pra kjo tregon se diçka nuk shkon me librin. Leximi dhe libri dalëngadalë po
kthehen në traditën e dikurshme të lexuesve shqiptarë. Ky Panair nisi me mot të
keq, ku ndoshta dhe përmbytjet dhe ndalimi i mësimit në shkolla për dy ditë,
pati pasojat e veta tek lexuesi, pasi u bë thirrje për lëvizje të kufizuara,
por megjithatë, të pasionuarit e librit nxituan nëpër stendat e Shtëpive
Botuese. Ndoshta kurioziteti, ndoshta reklama, ndoshta debatet mes njerëzve,
ndoshta dëshira për të kaluar një ditë ndryshe, po bëjnë që njerëzit në Panair
të dynden në këtë ditë të parë për të thyer kureshtjen. Pallati i Kongreseve dje
ditë filloi të gumëzhijë si asnjëherë tjetër, ku të gjithë punonjësit do të
punojnë pa orar. Ditë feste, ditë libri, ditë të mezipritura nga lexuesit
shqiptarë.

 

Agron Morava, Shtëpia Botuese
“Morava”

Panairi i Librit “Tirana 2016” ka më pak
pjesëmarrës, por më shumë tituj librash se 1 vit më parë. Këtë vit disa Shtëpi
Botuese si
“Morava”,  ka rritur numrin e titujve si dhe cilësinë e
tyre. Kemi vënë re se nga viti në vit, lexuesi kërkon dhe cilësi botimesh, pra
kopertinë të bukur, letër të mirë, dizenjim të mirë si dhe ambalazhim perfekt.
Lexuesi që është pjesë e panaireve i njeh librat me vështrimin e parë, pra është
bërë lexues i kualifikuar. Shtëpia jonë botuese si pjesëmarrëse e rregullt në
panaire, çdo vit rrit kërkesat ndaj vetes, duke rregulluar mangësitë e nj viti
më parë. Çdo vit ne kemi një eksperiencë më shumë dhe një detyrim më shumë ndaj
lexuesit. Ky vit na gjen me rreth 20 tituj më shumë të gjitha të autorëve që
janë në kërkesat e lexuesve,

 

 

Genti Gjonaj, Shtëpia Botuese,  “Bota Shqiptare”

 

Ky panair
ka si risi përfshirjen në vizitën e stendave të të gjithë grupmoshave. Koha e
keqe nuk i ka penguar dashamirësit e librit të jenë vizitorë qysh në orët e
para të mëngjesit. Ne si botues këtë vit i kemi dhënë përparësi librit për fëmijë.
Kjo për shumë arsye, pro së pari kishte vite që tregu i librit për fëmijë ishte
disi bosh. Kërkesat për këtë lloj libri ishin në rritje çdo vit. Për të kënaqur
fëmijët ne hodhëm në treg autorët më të mirë shqiptar dhe ata të huaj me botime
cilësore. Për të qenë të sinqertë me lexuesin tuaj dua të theksoj se botimet
cilësore i kemi bërë në Indi, e cila ka një teknologji tepër cilësore në këtë drejtim.
Bota e fëmijëve është e çuditshme po aq sa dhe e bukur. Pra për të kënaqur këto
shije ne u munduam të sjellim atë çka ata kanë shprehur vitin e kaluar. Por për
më tej dua të theksoj se kemi hedhur në treg romane të autorëve të huaj që janë
ndër më të lexuarit në botë. Romani mbetet roman, pra është gjinia më e lexuar
e krijimtarisë letrare. Romancierët e huaj mbeten ende më të preferuarit për
lexuesin shqiptar dhe pse romancierët shqiptarë nuk bien më poshtë. Kjo është çështje
shijesh.

 

 

Mehmet Gëzhilli,
Shtëpia Botuese  “Argeta–LMG”

 

Panairi i
19
-të i libri mbetet një ngjarje e shënuar në jetën kulturore të
lexuesit kryeqytetas. Mund të them se lexuesi i rregullt për çdo vit vjen në
rritje. E them me gëzim këtë, jo si tregtar, por edhe si krijues, pasi gëzohem
me vërtet kur shoh të rinj që blejnë libra. Libri është dituri, kulturë, emancipim,
tregues i lartë inteligjence. Nuk ka gjë më të bukur kur sheh rininë me libra
në duar, në vend të cigares apo gotës me wiski. Këtë vit ne si Shtëpi botuese i
kemi dhënë përparësi librit publicistik historik. Për në ky lloj libri ka
fituar terren pasi vetë zhvillimet e fundit botërore nxisin dëshirën e lexuesit
të njohë mirë, historinë, ngjarjet, figurat historike. Ka shumë zhvillime në
botë që të detyrojnë të kthehesh pas në histori për të parë, se si janë
zhvilluar ngjarjet për një  shtet, rajon
apo kontinent. Por edhe librat enciklopedikë krahinorë apo monografitë për
personalitete që nuk janë zhbiruar dhe kanë dritë hije në jetën e tyre janë
pjesë e dëshirave të lexuesve. Për mendimin tim panaire të tilla duhet të bëhen
në çdo qytet të Shqipërisë dhe të bëhen më shpesh. Më mirë një panair libri, se
një mbrëmje dëfrim i pa fund mes alkoolit dhe tymit të duhanit.

 

Sondazhi, librat më të kërkuar

 

“Vajza e
zhdukur” roman, “
Për gjithë djemtë që kam dashur më parë” roman,
“Më shiko” roman, “Vajzat” roman, “Vajzat e fshehta të Kabulit” roman, “I
14-ti, mëkat i mallkuar” roman, “E 13-ta e pafat”, “Intervista”, Xhevat Lloshi.

 

Romani “Martesa e dytë” i shkrimtarit Flamur Buçpapaj, ndër
librat më të shitur në Panairin e librit Tirana 2016

Pas ditës së parë të Panairit Tirana 2016, romani i sapo botuar
i shkrimtarit Flamur Buçpapaj: “Martesa e dytë”, rezulton të jetë ndër librat
më të kërkuar dhe të shitur në Panair. Një roman që zë vend në prozën tonë më
të mirë bashkëkohore. Romani trajton dramën e divorceve si një plagë sociale e
shoqërisë sonë, si një problem i fortë social që po rrënon çdo
ditë familjen shqiptare, përveç të tjerash i nxitur edhe nga emigracioni i
burrave. Bora, një grua e cila kishte sakrifikuar çdo gjë për dashurinë e jetës
së saj, i jep fund jetës pas ndarjes nga i shoqi Jetoni, një fund tragjik i
cili stimulohet edhe nga ambienti, paragjykimet familjare dhe shoqërore si dhe
zakonet e të shkuarës, sipas të cilave familjes i duhet një djalë si
trashëgimtar, çfarë Bora nuk po e sillte dot në jetë, për shkakun e thjeshtë,
se ajo nuk mund të lindte fëmijë. Personazhi kryesor Bora, një grua e fortë, e
ditur dhe krenare pranon që të bëjë punë si një skllave për disa vjet më radhë
vetëm për t’i ruajtur nderin burrit në emigracion, mbajtur shtëpinë dhe
familjen në një fshat të veriut të vendit dhe për paradoks merr në fund si
shpërblim vetëm mosmirënjohjen, braktisjen dhe ndarjen. I shoqi Jetoni e
braktis dashurinë e tij të jetës Borën, për t’u martuar me një tjetër vajzë të
panjohur, me shpresën se do t’i sjellë në jetë trashëgimtarin, dhe shpëtuar
prej presioneve të familjes së tij, por po atë natë Bora zgjedh vetëvrasjen
duke e rrënuar edhe ish- të shoqin, i cili vetëm atëherë arrin të kuptojë
dobësinë e tij dhe zgjedhjen e gabuar si rezultat i presioneve familjare dhe
rrethit të gjerë të saj. Fundi tragjik i Borës është një tjetër dëshmi në botën
e letrave se egoizmi, krenaria e sëmurë dhe rënia prej e traditave të egra mund
ndëshkojë edhe dashuritë më të mëdha, madje edhe në kohët tona moderne. Romani
është shkruar me një stil fantastik, me një gjuhë të zgjedhur dhe origjinale,
me një fabul që të mban të mbërthyer deri në fund të tij. Romani ka 200 faqe
dhe kushton vetëm 500 lekë të rinj. Për më shumë ejani në stendën Nacional për
të blerë librin më të mirë të 25 vjetëve të fundit në prozën tonë të gjatë.