Bashkia e Korçës nxjerr në shitje 3 ton libra, revista dhe periodikë

560
Sigal

Kryetarja e Këshillit të Qarkut, Irena Nika kërkon përgjegjshmëri për çdo titull që do të tenderohet. Shqetësimi qytetar: Mos na ndodhë si me pikturat e Vangjush Mios

KORÇË- Shumë shpejt Bashkia e Korçës do të nxjerrë në shitje 3 ton libra, të cilat aktualisht rezultojnë të jenë pjesë e inventarit të bibliotekës “Thimi Mitko”. Librat do të shiten nëpërmjet një tenderi të hapur. Gjithçka do të konkretizohet pasi të jetë mbledhur Këshilli i Bashkisë në mbledhjen e tij të radhës, gjë që mund të ndodhë muajin tjetër. Librat që do të dalin nga qarkullimi do të tregtohen për prodhim letre (karton). Gjithsesi, kjo gjë nuk është vendosur përfundimisht se si do të procedohet më tej.  Deri më tani janë përcaktuar titujt e librave, kategoritë e tyre, revistat, gazetat, dhe mjaft materiale të tjera të cilat do t’i bëjmë të njohura më poshtë.  Që të gjitha librat janë koleksionuar nga një komision i posaçëm i ngritur për këtë qëllim, i cili pretendon se janë respektuar të gjitha ligjet dhe rregullat në fuqi. Por, ndërkaq, edhe opinioni qytetar ka kërkuar të dijë çfarë po ndodh konkretisht me librin, me këtë pasuri të paçmuar të shumë brezave.

Shqetësimi qytetar

Fill pas përhapjes së këtij lajmi, qyteti i Korçës u përfshi nga shqetësimi dhe habia se si mund të shiten 3 ton libra, pasi një sasi e tillë do të thotë një numër i konsiderueshëm titujsh, vlerash historike, shkencore, kulturore etj. Për këtë arsye nga ana e qytetarëve u hodhëm shprehje të tilla si  “barbarizëm”, “vrasje e kulturës”, “atentat dijes së akumuluar në breza”, e të tjera si këto. Madje, ndërkaq, u mësua gjithashtu  edhe fakti se Kryetarja e Këshillit të Qarkut Irena Nikaj kishte kërkuar që çdo titull libri të kontrollohej me përgjegjësi dhe lista përfundimtare të vinte e firmosur nga personat përgjegjës. Që të gjitha këto bënë që edhe interesi i qytetarëve për informacion të vinte në rritje. Dhe është kjo arsyeja pse Këshilli i Bashkisë në mbledhjen e ditës së mërkurë nuk ngulmoi të dilte me një vendim përfundimtar për tenderimin e 3 tonë librave, por ta lërë atë për në mbledhjen e ardhshme. Gjithsesi, ajo që duhet theksuar për këtë rast është përgjegjësia e treguar nga ana e qytetarëve të qytetit të Korçës, pasi këta të fundit kanë një përvojë të hidhur me vlerat kulturore, siç ishin ato të galerisë së arteve “Guri Madhi” në Korçë, të cilat u zhdukën pa lënë gjurmë

Librat që do të tenderohen

Nisur nga shqetësimi real i qytetarëve, gazeta “Telegraf”, mundi të informohet përmes burime të sigurta dhe të hedhë dritë mbi librat që do të shiten. Sipas burimeve në fjalë, nxjerrja e librave nga qarkullimi është një rutinë e zakonshme e bibliotekave. Nga inventari dalin të gjithë titujt që kanë pësuar dëmtime të pariparueshme për shkak të përdorimit për një kohë mjaft të gjatë. Këto materiale seleksionohen në çdo inventar, i cili zakonisht bëhet në çdo 5 vjet. Megjithatë, në bibliotekën “Thimi Mitko” në Korçë, edhe pse ishin bërë inventare, sërish nuk ishte nxjerrë jashtë qarkullimit kjo sasi materialesh të dëmtuara, gjë që bëri të mundur të grumbullohet një sasi e madhe librash, revistash dhe gazetash. Tashmë kur sasia e tyre ka shkuar në 3 tonë dhe bashkia po nxiton t’i hedhë në treg shqetësimi qytetar e ka një pyetje: sa e mirëmbajtur ka qenë kjo pasuri e çmuar e qytetit të Korçës. Megjithatë edhe për këtë pyetje gazeta “Telegraf” e ka një përgjigje konkrete, por gjithsesi edhe shqetësimi qytetar duhet marrë parasysh

Revista të huaja

Nga materialet e shumta që do të dalin jashtë përdorimit një sasi të konsiderueshme zënë dhe revistat e huaja shkencore, të cilat u përkasin botimeve që nga vitet 1945 e këtej, të cilat përgjithësisht trajtojnë problemet e  prodhimit bujqësor dhe bujqësisë socialiste, të cilat sot nuk kanë asnjë vlerë përdorimi. Veç kësaj, ka një ligj për bibliotekat që bën fjalë për ato materiale që nuk qarkullojnë, pra, që nuk kërkohen nga lexuesi apo studiuesit dhe për rrjedhojë mbeten stok, mund të dalin nga biblioteka, pasi mund të konsiderohen si materiale pa vlera. Është vetë koha që i nxjerr ato nga përdorimi. Megjithatë, për çdo rast të tillë, materialet seleksionohen nga një komision që ngrihet posaçërisht për këtë qëllim gjatë inventarizimeve. Lirimi i hapësirave nga këto materiale, krijon mundësi për pasurimin e bibliotekës me materiale bashkëkohore. Megjithatë, tashmë qytetarët kërkojnë që gjithçka të jetë transparente për gjithkënd që dëshiron të informohet

Periodiku

Gjithashtu nga burime të gazetës “Telegraf”, mësuam se një pjesë të konsiderueshme të sasisë së përgjithshme zë edhe periodiku i kohës së monizmit, ku pothuajse të gjitha gazetat dhe revistat ruheshin në disa kopje. Për këtë arsye nga vetë biblioteka është menduar që kopjet e dëmtuara, por edhe ato të panevojshme mund të hiqeshin, dhe për gazeta apo revista të veçanta të mbahej vetëm nga një kopje. Kjo sasi materialesh zë një peshë të madhe, pasi për lidhjen e tyre ( në kohën e monizmit) tregohej kujdes i veçantë dhe kapakët ishin të trashë, gjë që rrit peshën e librave që do të tenderohen. Ndërkaq mësuam gjithashtu se nga shitja e materialeve që do të nxirren nga biblioteka, me fondet që do të grumbullohen të blihen materiale për ngritjen e rafteve të reja e të krijohen kushte më të mira për sistemimin e librit që vërtet ka vlerë dhe është i kërkuar

Librat për fëmijë

Një kategori tjetër librash që do të nxirret nga përdorimi janë edhe librat për fëmijë, të cilët gjendeshin te biblioteka “Thoma Turtulli”. Nga kjo bibliotekë është nxjerrë vërtet një sasi e madhe librash. Sigurisht, gjithçka është kryer nën saj të komisionit, por megjithatë edhe ky lajm shqetësoi jo pak qytetarinë korçare. Gjithsesi, edhe pse marrja e vendimit nga ana e Këshillit të Bashkisë Korçë, u la për mbledhjen e ardhshme, ndjeshmëria e qytetarve është rritur edhe më tej. Dhe kjo e ka një arsye: në qytetin e Korçës janë vjedhur dhe zhdukur pikturat e rralla të Vangjush Mios, ashu sikurse sot nuk ekzistojnë më disa nga muzetë e dikurshëm të këtij qyteti. Kërkesa e kryetares së Këshillit të Qarkut, Irena Nikaj, për të treguar më shumë përgjegjësi në nxjerrjen nga përdorimi të çdo libri, është pritur mirë nga qytetarët e Korçës. Gjithsesi, pritet që të mësohet më shumë në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Bashkisë.

Vepror Hasani