Artisti Xhevat Limani dhe teatri shqiptar në Amerikë

902
Sigal

Prof. Dr. Agron F. Fico, H.C.

Studenti i aktrimit dhe njëherazi edhe i gjuhës dhe letërsisë shqipe të universitetit të Prishtinës, Xhevat Limani, kishte ftuar për një vizitë në familjen e vet, në Strugë, një përfaqësi profesorësh të shquar, që kishin në krye profesorin Eqrem Çabej. Studenti i ri, bashkë më gëzimin e vizitës së miqve të nderuar, merakosej edhe se si i ati, një strugan i regjur në dertet e jetës, do të priste ketë elitë intelektuale.

Sapo makina u ndal para portës së shtëpisë së zotit Liman dhe shpura doli nga makina, tek hyrja e shtëpisë u shfaq një burrë shtatlartë, veshur me kostum kombëtar, të cilit i dukej në xhepin e xhamadanit një shami e kuqe me një shqiponjë të zezë.

-Mirë se vini, o mëmëdhetarë të nderuar! – u tha të sapo ardhurve, – dhe priu i pari në oborrin e shtëpisë plot lule. Nxori shaminë dhe hodhi hapin e parë të valles, një valle trimash.

Të ftuarit ngrinë në vend. Profesori, i lindur në qytetin e gurtë të Gjirokastrës dhe i shkolluar në Vjenë, qendrën botërore të muzikës dhe artit klasik, gati ishte ngurtësuar. Befasia ishte tronditëse. Për herë të parë ata priteshin, ose më sakte iu urohej “mirëseardhje”, me një valle hedhur nga i zoti i shtëpisë, që e shoqëronte me këto fjalë:

Ti more Konstandin,

Kostandin i bukur,

Ti more Kostandin

Gjatë s’na je dukur.

“Kjo këngë-valle ritual – shkruan zoti Limani, – më ktheu në historinë e largët të një kohe të shkuar, kur Kostandini ilir-dardan i lindur në Nishin (Nish, në gegnishte të Kosovës do të thotë Një, I Pari. Pra qyteti i parë ku fillonte Iliria”. (f. 107)

Në këtë mjedis, në këtë familje, me këto tradita, lindi dhe u ngjiz edhe talenti, karakteri tribun dhe artistik i aktorit, regjisorit, profesorit të gjuhës së bukur shqipe, Xhevat Limanit.

Artisti tribun

Xhevat Limani në aulat e universitetit të Prishtinës shquhej jo vetëm për rezultate të larta në mësime, por edhe si një tribun në gjirin e studentëve të Universitetit. Ai ishte një ndër organizatorët dhe drejtuesit e demonstratës së studentëve të vitit 1981 kundër regjimit kolonialist të Milosheviçit. Në Shkup ai shquhej si aktor i talentuar dhe si frymëzues i revoltës dhe qëndrimeve të forta kundër drejtimit nacionalist-shovenist të teatrit të Shkupit. Krahas roleve te panumërta si aktor dhe artist neper shfaqje dhe filma, Xhevat Limani u vu në krye të lëvizjes shqiptare kundër nacionalizmit shovinist maqedonas. Ishte në krye të demonstratave me Shkup, Tetovë Strugë kundër shtypjes dhe padrejtësive që bëheshin ndaj shqiptarëve në Maqedoni. I rrezikuar disa herë, i kërcënuar për vrasje, Xhevat Limani qëndroi i patrembur. Një ditë i shpëtoi vrasjes me ndërhyrjen e Ambasadës Amerikane në Shkup, e cila e paralajmëroi dhe e nxiti të shkonte në Amerikë.

Themeluesi i teatrit shqiptar në Nju Jork

Artisti rebel kundër diktaturës së Milosheviçit dhe Gruevskit u shpërngul në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe u vendos familjarisht në Nju Jork.

“Beautiful America” , vendi i demokracisë, lirisë së individit dhe i mundësive të pamasë, u bë atdheu i dytë i artistit, regjisorit dhe shkrimtarit Xheval Limani.

Ai u bë themeluesi i teatrit shqiptar në Amerikë, i cili u kthye në një institucion artistik dhe kulturor për mbarë shqiptarët e Diasporës dhe më gjerë. Rreth drejtorit të këtij institucioni, Xhevat Limanit, u grumbulluan mjaft të rinj të talentuar shqiptarë dhe u hodhën themelet e bashkëpunimit me artistë të shquar të Hollivudit.

Përveç pjesëve të vena në skenën e teatrit, aktori Limani u bë edhe “artist shëtitës” duke shpërndarë fjalën e bukur shqipe në gjithë shtetet ku banonin shqiptarë. Kudo ku organizoheshin veprimtari atdhetare-kulturore do të dëgjohej timbri i fuqishëm i zërit të Xhevat Limanit që do të recitonte vargje të zgjedhura për gjuhën shqipe dhe për figurën e Skënderbeut. Kam pasur fatin të bashkëpunoj me artistin e shquar Xhevat Limani dhe të jem pranë tij në këto manifestime entuziaste atdhetare-kulturore: në Uster të Bostonit ,një ndër çerdhet e shquara të fanolistëve veteranë dhe të rinj, në Miçigan , Filadelfia etj.

Shkrimtari dhe regjisori Xhevat Limani

Xhevat Limani është regjisori, producenti i filmit-epope “Ata nuk ishin vetëm” në katër seri, kushtuar luftës legjendare te shqiptarëve të Kosovës kundër pushtimit të egër ushtarak serb të Milosheviçit. Filmi është “Iliada” e kësaj lufte që solli krijimin e shtetit të dytë të pavarur shqiptar me shkurt 2008, krijimit të Republikës të Kosovës.

Xhevat Limani i si një maratonomak legjendar shkeli rreth 36 shtete te Amerikës për te mbledhur fakte dhe intervistuar me qindra shqiptare , që janë edhe personazhe te filmit. Por më parë ai kishte mbledhur fakte dhe dëshmi tronditëse të gjenocidit serb kundër civilëve dhe grave të pafajshme dhe fëmijëve, kundër masakrave serbe naziste. Regjisori i filmit, Xhevat Limani kishte intervistuar dhe biseduar me dhjetëra e dhjetëra luftëtare të UÇK-së. të heronjve të saj legjendarë, të familjes së kryetrimit Adem Jasharit.

Xhevat Limani është autor i mjaft librave dhe skenarëve për dokumentarë dhe filma. Në prag të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912 dhe ngritje së flamurit në Vlorë nga shtetari i madh Ismail Qemali, ai botoi librin “Artisti pa atdhe “.

Romani me një titull provokativ

Romani “Artisti pa atdhe” sjell para lexuesve një periudhë-kthesë në historinë mijëravjeçare të etnosit pellazg-ilir-arbëresh-shqiptar. Me guximin krijues, me ndërgjegjen historike atdhetare, autori nuk e njeh, nuk e pranon këtë një farë-atdhe, të shqyer, të copëtuar, të mohuar dhe të tkurrur e të rrudhur sa një grusht fëmije nga fqinjët, me bekimin e Evropës shtrigë e besë-shkelur. Historikisht dhe faktikisht artisti e bashkë me të edhe ne lexuesit jemi pa atdhe, sepse jemi të shpërndarë në pesë shtete, jemi të copëtuar e të nënshtruar nga këto shtete. Kemi mbetur vetëm rreth 28 mijë kilometra katrorë nga 74.000 km2 sipas Prof. Ahmet Gashit .(Cit. Agron F. Fico: “Rilindja e Shqipërisë Etnike” 2009, f. 29).

Në këndvështrimin tim ky roman është një dramë e mirëfilltë. Dhe nuk kishte si ndodhte ndryshe. Xhevat Limani është një aktor, regjisor, që ka vënë në skenë, ka krijuar vetë vepra teatrale, ka interpretuar me dhjetëra figura të dramave të njohura botërore dhe shqiptare.

Pra ky proces i vazhdueshëm dhe frymëzues i ka dhënë zotit Limani dhe aftësinë e natyrshme që marshimin magjepsës të struganëve, që kanë marrë nismën të përshkojnë gjithë Shqipërinë për të mbërritur në Vlorë, në festën e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, ta paraqesë si një dramë kombëtare.

Personazhet kryesore, ose aktorët e mëdhenj do të jenë Krye-heroi kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, interpretuar nga vetë artisti Xhevat Limani, i dyti do të jetë Ismail Qemali, ati i shpalljes së Pavarësisë luajtur nga Ylli Hana dhe i treti Adem Jashari , luajtur nga Pajazit Murtishi. Bashkësia shqiptare e Strugës, me rreth 100 veta, do të përbente shpurën, popullin që do të shoqëronte krye-aktorët e këtij udhëtimi biblik.

“…Marshi mori përmasat e Drinit. Karvani kombëtar ecte me krenari dhe me fytyra të buzëqeshura që u lexohej haptazi si abetare. Ishin tepër të lumtur që marshonin për herë të parë lirshëm si shqiptarë”. (f. 76) – shkruan autori.

Elemente kryesore të dramës, dihet se janë monologët dhe dialogët. Romani “Artisti pa atdhe” është plot monologë, fjalime të zjarrta dhe entuziaste për ngjarjet dhe reflektimet për to, me plot dialogë vëllazërorë dhe miqësorë.

Ai nuk bën histori. Ai historinë e kthen në art, edhe pse në qendër të romanit janë struganët e paraprirë nga aktorët e mëdhenj -Skënderbeu, Ismail Qemali dhe Adem Jashari, që kanë ndërmarrë këtë marshim maratonomak që të shkojnë në Vlorën e 100-vjetorit, Autori nuk bën fotografinë dhe biografinë, por jep përjetimet e tyre emocionale dhe estetike.

Veçoria kryesore dhe befasuese në mënyrën se si Xhevat Limani gatuan brumin jetësor në këtë roman është se ai ka vënë në qendër personalitetin e vet publik, artistik dhe tribun, ai flet në vetën e parë.

“I try to write about myself as if I were writing for someone else… All history is subjective”. Arthur Schlesinger Jr. – mendimtar i shquar amerikan.

(Përpiqem të shkruaj për veten time si të shkruaja për dikë tjetër… Çdo histori mbetet subjektive.) Cit. Agron Fico: “Profesor në tre kontinente”, Nju Jork 2004, f. 4.)

Libri “Artisti pa Atdhe” është libri i dhimbjes së madhe, është libri i dashurisë së madhe...

Në të gjithë veprimtarinë e pamasë krijuese artistike-kulturore-letrare Xhevat Limani shfaqet si mjeshtër në të dy kahet – horizontale dhe vertikale.

Një vlerë tjetër në romanin “Artisti pa Atdhe” është fjalori i pasur gjuhësor-poetik. Autori sjell dhe krijon mjaft fjalë-formime të tipave dhe mënyrave të ndryshme: kompozita përcaktore, këpujore, përngjitje, të përziera etj. (Akademia e Shkencave të Republikës së Shqipërisë – “Gramatika e Gjuhës shqipe”, Tiranë 1995, f. 70-79). Ja pak shembuj: vetë-çarmatosje, krye-ditë, krye-dollibashi, fytyrë-menduar etj. etj.

Libri “Artisti pa Atdhe” është Meshari i shqiptarizmit në epokën digjitale. Autori i këtij libri është artisti dhe tribuni Xhevat Limani, që ka përqafuar programin madhor të bashkimit të shenjtë kombëtar, që do të kurorëzohet me formimin e Shteteve të Bashkuara të Shqipërisë, të Shqipërisë Etnike.

Një gjuhë, një komb, një shtet dhe një flamur

“Shqipëria etnike – thotë Profesor Ahmet Gashi – shprehja më lakonike dhe më e bukur e idealit më të lartë të çdo shqiptari të denjë për këtë emër fisnik, është Shqipëria e vërtetë me kufijtë saj të drejtë, e cila përmbledh në gjirin e saj të gjithë shqiptarët. ( Agron F. Fico “Rilindja e Shqipërisë Etnike” 209, f. 29).

Këtë strategji mbarë-kombëtare Xhevat Limani e shpall pikërisht nga ai ballkon ku 100 vjet me parë Ismail Qemali shpalli “Mëvetësinë e Shqipërisë”.

“Po vëllezër!Ne të gjithë jemi, por duam veç një Shqipëri Etnike.” (f. 155)

Këtë ëndërr-dëshirë uron Xhevat Limani dhe e shpreh poetikisht me vargjet:

Mos harroni viset e tjera,

Treg-Luginë e Malësi.

Mos u zëntë Pranvera

Pa Iliridë e Çamëri!

Epilog: Figura e Skënderbeut, ëndrra e Xhevat Limanit “Shqiptari”

Të shumta kanë qenë rolet dhe personazhet që ka interpretuar artisti-shekspirian –Xhevat Limani – Shqiptari, por dëshira e zjarrtë , ëndrra e tij ka qenë roli i Skënderbeut. Këtë magji artistike e mishëroi tek poema dramatike “Gjergj Kastriot Skënderbeu”, që e shkroi dhe e shfaqi madhërishëm në Nju Jork, Prishtinë, Tetovë. Arbëreshët e Italisë dhe me 26 nëntor edhe ne Tiranë, në prag të 550-vjetorit të vdekjes së Heroit tonë kombëtar-Skënderbeut. “Në Tiranë -më kumtonte Liria, gruaja,-shfaqja u prit me duartrokitje pothuajse pas çdo monologu, që Xhevat Limani recitonte, shoqëruar nga e bija, Era, soprano e talentuar. Një jetë kushtuar kombit shqiptar si tribun publik, artist, shkrimtar, regjisor e ka bërë Xhevat Limanin të dashur edhe të nderuar në gjithë hapësirën shqiptare, prandaj kam shtuar në identitetin e tij edhe epitetin, “Shqiptari” pra Xhevat Liman Shqiptari, simbol i “Nderit të Kombit”.