Anila Lilaj: Jam pro tradicionales, fustanit të bardhë, puthjes së babait në ballë, ngjyerjes së gishtit me mjaltë

720
Sigal

Personazh/ Flet këngëtarja e suksesshme shqiptare, Anila Lilaj: “Nuk kam idhuj dhe nuk do të doja të kopjoja askënd”

Një këngëtare që për çdo ditë rrit numrin e simpatizantëve falë zërit, por dhe sjelljes korrekte të saj. Inteligjente, simpatike,  e sjellshme, që nuk duron padrejtësitë, por ecën në rrugën e vështirë të artit me kujdes dhe me punë. Sipas saj, kënga është një ëndërr që, ka filluar realizimin e saj që në fëmijëri. Është në korent të çdo zhvillimi në fushën e muzikës dhe asnjëherë nuk tërhiqet në nismën që merr. Nuk e tepron në ushqime, por veshja e bukur sipas saj, është respekt për simpatizantët.

 Prezantimi

Falënderim dhe përshëndetje për stafin dhe ju të dashur lexues të gazetës “Telegraf”. Tashmë u bënë shumë vite që, merrem me muzikë dhe kam nxjerrë shumë klipe në treg si: “Rastësia”, “Kafe e muhabet”  etj.. E them me plot gojën se jam laçjane dhe e them me krenari këtë gjë. I përkas shenjës së Akrepit.

 Problemet jetësore janë të shumta. Shumë vetë në rrugëtimin jetësor pendohen për profesionin që kanë zgjedhur, po ju?

Asnjëherë, nuk ka qenë një përzgjedhje momentale, nuk jam bërë këngëtare rastësisht. Ajo është një ëndërr që, ka filluar realizimin e saj që në fëmijërinë time.

 Kur flasim për përditshmërinë.  Si është e ndërtuar një ditë e juaja e zakonshme?

 Si nis dita? Plot energji dhe vitalitet. Zgjohem me dëshirën për të marrë maksimumin e mundshëm nga dita dhe për të dhënë gjithashtu, maksimumin tim më të mirë në punë e në shoqëri. Dita nis me ballafaqimin me trafikun problematik të Tiranës, kafenë e mëngjesit me miq e kolegë etj..

 Suksesi këngëtarëve varet nga klikimet.  Po me klikimet në internet a je e fiksuar ?

Klikimet janë një mënyrë për të kuptuar suksesin e një kënge dhe unë padyshim që, i kontrolloj , por nuk e jam e fiksuar.

 Si është mashkulli ideal për ju dhe çfarë cilësish duhet të përmbushë ?

Mashkulli im ideal është pikërisht bashkëshorti im, një njeri i kompletuar.

 Jeni për martesë, apo bashkëjetesë ?

 Mendoj se triumfi i këtij rrugëtimi pikë së pari është gjetja e njeriut të duhur që të bën të ndjehesh mirë, ofron mirëkuptim, tolerancë dhe dashuri. Unë parapëlqej martesën. Jam pro tradicionales, fustanit të bardhë, puthjes së babait në ballë, ngjyerjes së gishtit me mjaltë. (Qesh) Përsa i përket bashkëjetesës, këtij modeli të brishtë, mendoj se ky term që në zanafillën e tij është keqkuptuar dhe keqinterpretuar në vendin tonë. Kjo si rrjedhojë e moskuptimit në mënyrën e duhur e ardhjes së demokracisë në vitin 1990, këtu e 24 vjet më parë. Bashkëjetesa është perceptuar si një iluzion lirie duke i dhënë martesës ngjyrime të errëta dhe kufizime.

Veshja juaj e preferuar ?

Edhe pse themi që njerëzit nuk duhen gjykuar nga veshja gjithsesi përshtypjes së parë nuk i anashkalon askush. Pa harruar fjalën e urtë që “Qyrku e bën njerinë”. Mua më pëlqen stili klasik si në punë ashtu edhe jashtë saj, ndaj mund të them se bëj pjesë në grupin e femrave që vishen klas. Mendoj se është stili më i përshtatshëm për të treguar feminilitet. Parapëlqej ngjyrat e ndezura por nuk heq kurrë dorë nga e zeza, moda së cilës nuk kalon kurrë. Bëj kujdes që të balancoj veshjen klasike dhe t’i përshtatem ambienteve që frekuentoj dhe eventeve, ku marr pjesë.

 Sa rëndësi i kushtoni pamjes tuaj ?

I kushtoj rëndësinë e duhur, sipas këndvështrimit tim

 Klipi juaj më i fundit …

Titullohet “Jam me ty” dhe është një prodhim i “Max Production”. Kënga është një bashkëpunim me një djalë shumë të talentuar, Gesin.

 Pro, apo kundër Kirurgjisë (ndërhyrjeve) Estetike ?

Të transformosh një vepër arti të një Artisti (zoti) të madh është gjynah për Artistin dhe tregon mosrespekt ndaj vetes si edhe komplekset që ke. Nuk jam kundër kirurgjisë estetike në ato raste, kur njeriu ka deformime, të cilat i vështirësojnë jetesën, por të fryhesh për të qenë më e bukur në sytë e të tjerëve më duket absurditet. Kësaj i thonë “më pëlqe për atë që dukem e jo për atë që jam”. Pa llogaritur faktin që shumica e atyre që kanë guxuar, më shumë janë shëmtuar sesa zbukuruar. Sondazhet e shumta brenda edhe jashtë vendit kanë treguar se origjinalja është mbi transformimin. Unë mendoj se Perëndia i ka krijuar që të gjithë njerëzit e bukur, ajo që duhet të bëjmë është të dimë të ruajmë dhe të kujdesemi për këtë vepër arti, pa harruar që mendja e bukur i ka gjithmonë sytë plot nur.

  E kënaqur nga bashkëpunimi i fundit me Gesin?

Patjetër që po, por jo vetëm nga Gesi, por nga i gjithë bashkëpunimi . Them se kemi bërë një punë të mirë.

  Personazhi shqiptar, i veshur më mirë sipas jush, është …

 Ka shumë, por do të cilësoja Ilva Taren . Është karizmatike dhe vishet me shumë shije të hollë. Komplimente.

 Pjata juaj e preferuar ?

Të gjitha gatimet e shtëpisë. Më pëlqejnë prodhimet e detit por, nuk heq dot dorë nga brumërat. Kuzhina ime preferuar është ajo mesdhetare, por  më pëlqen të provoj e shijoj nga të gjitha kuzhinat.

 Cili është sekreti i formave të bukura fizike?

Mundohem të ushqehem shëndetshëm dhe të konsumoj sa më shumë ujë e sa më pak ëmbëlsira. Për shkak të mbingarkesës, këto kohë kam lënë pas dore aktivitetet fizike, por gjithsesi nuk e ekzagjeroj në të ngrënë. Nuk jam përpjekur kurrë të bëj dieta dhe nuk besoj tek jetëgjatësia e tyre. Dieta më e mirë janë aktivitet fizike dhe ushqimet e shëndetshme.

  Cilat janë problemet më pikante të femrës shqiptare sot ?

Ende të përhumbura në atë çfarë kërkojnë dhe dëshirojnë të arrijnë. Sigurisht që, janë ndërgjegjësuar për pozicionin e tyre në shoqëri dhe kanë evoluar, por mund të japin edhe më shumë. Megjithëse, mendoj se krahas problemave të femrës shqiptare fshihet gjinia mashkullore, e cila nuk pranon dot emancipimin femëror. Femrat janë të betonizuara nga maskileteti egër dhe frustrues, të pafuqishme të zbërthehen dhe lirohen nga këta zinxhirë frymëmarrës. Gjithmonë, në garë për të fituar barazinë me meshkujt duke harruar faktin që nuk kanë përse të barazohen. Të gjithë i dimë shumë mirë fuqitë që kemi, pozicionin që na takon në familje, punë dhe shoqëri, ndaj dhe nuk kemi përse të luftojmë për barazi gjinore.

 Ku preferon t’i bësh pushimet ?

Brenda dhe jashtë Shqipërisë.

 Familja juaj përbëhet nga …

Bashkëshorti im i mrekullueshëm dhe dy fëmijët e mi.

 Cili është idhulli juaj?

Nuk kam idhuj dhe nuk do të doja të kopjoja askënd.

Albert Z. ZHOLI