Aleksia Velo: Skena është vendi që më përket!

1329
Sigal

Intervistoi: Biora Vojka

Në një intervistë për “Telegraf ”, balerina Aleksia Velo na rrëfen sfidën e saj përballë baletit, si dhe synimet për projektet, që do të na befasojnë në të ardhmen. Ajo thotë se “dashuria për artin e baletit ka ekzistuar pothuajse gjithmonë”, prandaj edhe kishte vendosur që këtë dashuri ndaj artit ta ushqente duke u ushtruar në shkollën “Internacional Dance Academy Albania”. Megjithëse vallëzimi ka qenë gjithmonë pasioni i Velos, ende vijon të jetë e dyzuar mes baletit në Teatrin e Operas dhe Baletit dhe studimeve të tanishme në Fakultetin e Shkencave të Natyrës për  Teknologji Informacioni dhe Komunikimi. Një sallë ku ushtrohet baleti nuk është vetëm kaq. Ajo ruan hapat e vegjël e të dobët, pastaj rritjen e tyre, forcën dhe në fund shkëlqimin e një trupi, që lëviz deri në përkryerje. Për këtë Aleksia punon fort afër limiteve të perfeksionit.Kjo është edhe arsyeja që ka shkëlqyer vite me radhë në shumë konkurse kombëtare dhe ndërkombëtare. Velo, e cila numëron tashmë 15 vite që kur hodhi hapat e parë për t’u bërë pjesë e rrugëtimit artistik të baletit, dikur si një fëmijë 5 vjeç që i pëlqente vallëzimi, por pa imagjinuar më shumë, sot ka arritur që ta prezantojë, madje në rolin kryesor më shumë se 12 premiera të baletit klasik.


Përse zgjodhe baletin?

Sepse është mënyra më e mirë për të treguar veten dhe për të shprehur ndjenjat.

Kush ka ndikuar më tepër nga familja jote, duke marrë rolin e mbështetësit më të madh gjatë rrugëtimit me baletin?

Të gjithë pa përjashtim kanë qenë një mbështetje e madhe për mua, por nëse më duhet të veçoj do ishte gjyshi dhe gjyshja. Që në vogëli pas kopshtit më shoqëronte për një pasdite të këndshme me nënën. Ajo ishte e para, që vuri re dëshirën time të madhe për të vallëzuar. Më motivoi duke mos më lënë vetëm për asnjë moment, nga fillimet e para gjatë ndjekjes së një kursi, tek çdo performancë brenda dhe jashtë shtetit. Madje është në të njëjtën kohë edhe kritikja ime më e madhe.(qesh, teksa sytë i shkëlqejnë kur flet për të)


Si e ndan kohën mes studimeve për TIK dhe baletit, sa e ngarkuar është një ditë e juaja?

Pas lindjes së diellit, nis aventura e vërtetë, ku me një hov duhet të nxitojë për të shkuar në shkollë dhe më pas direkt më pret salla e Teatrit të Operas dhe Baletit për orë të tëra. Në mbrëmje përsëritet cikli i rikthimit tek leksioni, pas tingujve që të ledhatojnë veshin teksa ushtrohemi për premierën e radhës.

Sa kohë ushtroheni në ditë?

5-6 orë në ditë, ushtrimet e klasës dhe provat për koncerte.

Kur u ngjitët në skenë si balerinë profesioniste, çfarë baleti keni interpretuar?

Jam aktivizuar menjëherë në Teatrin e Operës dhe Baletit ku  u mësova dhe trajnova nga Mimoza Bekteshi dhe Andrea Kokeri. U futa në skenë me rolin e parë në veprën “Bukuroshja e Fjetur”. Ishte fillimi im si balerinë profesioniste.


Cila ka qenë vepra e fundit që keni prezantuar? A ka qenë ajo dhe premiera që ua ka marrë zemrën më tepër ju dhe publikut?

Vepra e fundit ka qenë “Zhizel”, një balerinë që ta kërcejë atë duhet të jetë tepër e mirë teknikisht, sepse është e vështirë nga ana e aktrimit, duke qenë se është historia e një çifti që dashurohet më njëri –tjetrin, por personazhi vajzë merr vesh që princi është i fejuar dhe nuk e përballon dot prishjen e iluzioneve, gjë që e çon në kryerjen e  vetëvrasjes. Gjithë këto emocione të forta të dramës janë të vështira për t’u përcjellë me efektin e duhur të publikut. Fakti që kam ngritur sallën në këmbë më lumturon tej mase.

Çfarë mendon se nuk dinë ato, që nuk janë të fushës për botën e baletit?

Që pas atij produkti final, qëndron një punë e mundimshme dhe pasionante. Të jep ndjesinë që nuk do mund të ngopesh asnjëherë nga vetja.

Cilat janë disa nga aktivitetet ku ju keni marrë pjesë? Në cilat prej tyre keni marrë vlerësim?

Kam marrë pjesë në shumë aktivitete të ndryshme, jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj. Jam vlerësuar nga profesionistë kudo që kam shkuar. Po veçoj çmimin e parë si soliste në Danza Europa 2014 dhe atë më 2018 , ku u fitova kontratën për të qenë pjesë e trupës Fini Dance ^ Michael Mao Dance në New York si balerina më e mirë .


Çfarë të ka mësuar baleti?

Që nëse e do vërtetë diçka dhe punon fort për të, do të kesh sukses patjetër!

Keni një ideal apo një model që e ndiqni?

Sigurisht, prima balerina e teatrit në Bolshoi, Svetlana Yuryevna Zakharova.

Çfarë ju inspiron tjetër përpos baletit dhe cilat janë pritshmëritë e të ardhmes?

Më inspiron çdo gjë, që lidhet me të bukurën: arti në përgjithësi. Muzika dhe shfaqjet e modës. Më magjeps çdo skenë ku kërcehet baleti klasik brenda dhe jashtë Shqipërisë. Çdo projekt që ka lidhje me baletin dhe artin  do jetë i mirëpritur nga unë.

Faleminderit!