Akademiku arbëresh, Aleksandar Stipçeviq merr dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”

746
Sigal

Iu dorëzua solemnisht dekorata ilirologut Aleksandar Stipçeviq

 Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, dekoroi zotin Aleksandar Stipçeviq me dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, që u  jepet personaliteteve shqiptare dhe të huaja për ndihmesë të qenësishme ose kontribut madhor në mbrojtjen, forcimin apo përparimin e faktorit shqiptar kudo në botë. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i akordoi dt. 30.01.2015, nr. dekreti 8917 zotit Aleksandar Stipčević dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për kontributin dhe përkushtimin e rrallë në zbulimin dhe hulumtimin e rrënjëve ilire të popullit shqiptar krahas dijes dhe thjeshtësisë karakteristike të një albanologu të vërtetë”.Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani, dekoroi me dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” ilirologun e njohur me përmasa botërore, arbëreshin nga Arbanasi (Arbëneshi) – Zarë (Kroaci), Akademikun Aleksandar Stipçeviq. Dekorata iu dorëzua familjes Stipçeviq, bashkëshortes Angjelka dhe djemve të tij, nga Sekretari i Përgjithshëm i Institucionit të Presidentit, zoti Florjan Nuri dhe Këshilltari i Presidentit për Rajonin, zoti Flamur Gashi. Ceremonia e dorëzimit të dekoratës është zhvilluar në ambientet e Ambasadës së  Republikës së Shqipërisë në Zagreb. Në këtë aktivitet, ku u nderua dhe vlerësua puna dhe kontributi i akademikut, bibliografit, albanologut dhe ilirologut të shquar kroat, Aleksandar Stipçeviq, arbëresh i Kroacisë nga Arbanasi (Arbëneshi) i qytetit Zarë, morën pjesë përfaqësues të komunitetit shqiptar, nga Këshillat dhe Unionet shqiptare të Kroacisë, shoqata e studentëve shqiptarë, përfaqësues të komuniteteve fetare, Ambasadorja e Kosovës në Zagreb, Shkëndije Geci-Sherifi dhe mikpritësi, Ambasadori i Shqipërisë, Sh.T.Z. Ilir Melo, akademiku shqiptar Prof. Dr. Zef Mirdita, si edhe shumë të ftuar të tjerë. Në ceremoninë zyrtare të dekorimit morën pjesë tre djemtë e Profesorit Sipçeviq si dhe zonja Angjelka Stipçeviq. Në fjalën e saj, zonja Stipćević pasi shprehu konsideratën më të lartë për Kreun e Shtetit shqiptar, Presidentin Bujar Nishani, si dhe për popullin shqiptar për vlerësimin që iu bë Profesorit Stipçeviq, ndër të tjera theksoi: “Para dy ditësh e lajmërova në spital Shandrin (Aleksandrin) për dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu“, dhe ai me lot në sy më tha:  “Sa krenar do të ndihen me mua edhe në Shqipëri, tani arbanasit e mi …”.Është  kjo dekorata e dytë që Akademik Prof. Dr. Aleksandër Stipçeviqit i akordohet nga Presidenti i Shqipërisë, pas dekoratës që i akordoi ish Presidenti i Shqipërisë, Prof. Dr. Rexhep Mejdani, dekoratën e artë, “Naim Frashëri”, të cilën edhe  ia dorëzoi vetë president i Republikës së Shqipërisë, Rexhep Mejdani, me motivacionin “Për kontribut në zbardhjen e historisë së ilirëve” më vitin 2001.

 Dekorimi i profesor Stipçeviqit bën krenar çdo shqiptar

 Me rastin e dorëzimit të dekoratës së akorduar nga Presidenti i Shqipërisë, z. Bujar Nishani, akademikut, Prof. Dr. Aleksandër Stipçeviqit, ceremoni që u zhvillua në ambientet e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Zagreb, Ambasadori shqiptar, në cilësinë e mikpritësit-nikoqirit, z. Ilir Melo, iu drejtua të pranishmëve me një fjalë rasti: “Të nderuar pjesëmarrës,

Sot jemi mbledhur për të nderuar veprën dhe kontributin e Profesor Aleksandar Stipçeviqit, një shqiptar për nga origjina; akademik për nga përkushtimi profesional; shkencëtar për nga kontributi shkencor; aktivist shoqëror për nga angazhimi në forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe popujve tanë. Profesor Aleksandar Stipçeviq ka lindur në fshatin Arbanas-Arbënesh, afër qytetit të Zarës, në një familje me origjinë shqiptare. Profesor Stipçević ka një aktivitet të dendur shkencor dhe akademik dhe do të duhej shumë për të folur për të, por unë do të dëshiroja të veçoja disa aspekte: Profesori gjithmonë flet për origjinën e tij shqiptare për të cilën është ndjerë krenar. Kur ishte në Ulqin, disa vite më parë, ai iu drejtua pjesëmarrësve me fjalët “kam dëshirë të flas shqipen që di nga të parët e mi”. Dashuria dhe përkushtimi për punën akademike janë konstantja e angazhimit të tij njerëzor dhe shoqëror. Mjafton të përmend rreth 230 punime shkencore dhe profesionale, të cilat janë dëshmi e denjë vetëm për shkencëtarët e mëdhenj. Libri ka qenë dhe mbetet dashuria e tij e përjetshme, duke lexuar dhe duke shkruar shumë të tillë. Duke kaluar një jetë të tërë midis librave, ai është bërë një personalitet në fushën e bibliografisë. Arkeologjia është një drejtim tjetër ku veprimtaria shkencore e Profesor Stipçeviqit mbetet e spikatur dhe e rëndësishme, por çështja ilire dhe albanologjia janë fushat ku Profesori derdhi shpirtin e tij krijues të kombinuar me shpirtin e tij njerëzor”.

Zagreb-Strugë, 3 shkurt