Zjarri shkrumboi zyrat e “Raiffaisen Bank” tek Komuna e Parisit

Panik tek qytetarët: “Dëmet do ishin më të pakëta nëse zjarrfikësit s’do kishin vetëm një tub uji”

Një zjarr masiv përfshiu katin e katërt të një pallati paraditen e kësaj të hëne tek zona e “Komunës së Parisit” në kryeqytet.Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:05 në rrugën “Tish Daija” në kompleksin e banimit “Kika2”, teksa ambientet që u përfshinë nga flakët shërbenin si zyra për bankën e nivelit të dytë “Raiffaisen Bank”.Siç shihet edhe nga pamjet e mëposhtme shtëllynga të mëdha tymi përfshinë zonën, duke shkaktuar panik, jo vetëm tek banorët që banonin në pallatin e përfshirë nga zjarri, por edhe tek qytetarët e tjerë. Burime bëjnë me dije se fillimisht punëtorët dhe qytetarët nuk e kishin kuptuar se kishte rënë zjarr, pasi alarmi nuk kishte punuar dhe shumë prej tyre kanë mbetur brenda.Është dashur ndërhyrje e efektivëve të zjarrifikësve për të bërë të mundur evakuimin e plotë të të gjithë banorëve nga pallati. Ndërkohë, për vënien në kontroll të flakëve dhe shuarjen e tyre, forcat zjarrfikëse kanë punuar për rreth 1 orë e gjysmë.

NOA

Flakët janë përhapur përmes tubave të aspirimit, ndërsa një zyrë e “Raiffaisen Bank” ka pësuar dëme të mëdha dhe është shkrumbuar plotësisht.

Nga hetimet paraprake dyshohet se shkak për rënien e zjarrit është bërë një shkëndijë në paketën elektrike të një zyre që ndodhej në pallat, gjithsesi, do të jetë ekspertiza ajo që do të bardhë shkakun e saktë.Dyshohet se zjarri u përhap edhe në tre katet e mësipërme, përveç zyrës së “Raiffaisen Bank” në katin e katërt. Grupi Hetimor po punon për përcaktimin e saktë të shkakut të rënies së zjarrit.Banorët e këtij kompleksi, por edhe qytetarët që ishin dëshmitarë të kësaj ngjarje thonë se dëmet do ishin më të vogla nëse zjarrfikësit do kishin ndërhyrë në kohë dhe me mjetet e duhura.Sipas tyre, zjarrfikësit kishin vetëm një tub uji dhe mungesa e presionit ndihmoi në përhapjen e flakëve me shpejtësi. Tani flakët janë vënë nën kontroll dhe e gjithë godina e përfshirë nga flakët është evakuuar.Ndërkohë që grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.