Zbardhet dëshmia e italianit, policia e ndaloi me një pajisje të dyshimtë në port

604
Giambattista Intrini është 47-vjeçari italian i cili u shoqërua në Policinë e Durrësit pasi dyshohet se po kalonte një port një pajisje përgjimi. Që nga koha që shtetasi Italian u shoqërua në polici, nuk e ka pranuar faktin që pajisja ka funksion përgjimi.
Bazuar dëshmisë që Intrini ka dhënë para grupit hetimor, pajisja sipas tij shërben vetëm për të matur cilësinë e ujit. Ai e përdorte këtë pajisje vetëm për këtë funksion, pasi edhe vetë ishte inxhinier i kësaj fushe.
47-vjeçari po hetohet në gjendje të lirë nga Policia e Durrësit, ndërsa pajisja elektronike është dërguar për ekzaminim në Policinë Shkencore. Giambattista Intrini dy ditë më parë do të largohej nga Shqipëria nëpërmjet Portit të Durrësit, ndërsa ndodhej në shoqërinë e një femre. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se shtetasi italian kishte hyrë disa ditë më parë në vendin tonë.
Gjatë marrjes në pyetje, italiani është shprehur se është inxhinier uji, ndërsa kjo pajisje shërben për të matur cilësinë e ujit. 47-vjeçari nuk ka pranuar të tregojë se nga është kontraktuar për të ofruar shërbimet e tij.
Dëshmia
“Në Shqipëri kam hyrë disa ditë më parë, bashkë me zonjën Ana Maria Tevertini. Erdhëm me mendimin se do të negocionim me një firmë uji, pasi jam inxhinier uji. Pajisja që më keni sekuestruar nuk është ashtu siç mendoni ju, pra nuk ka funksion përgjues por mat cilësinë e ujit. Ajo është një pajisje që më shërben mua në profesionin tim”, është shprehur 47-vjeçari.


Sigal