Vrasje, marrje pengjesh, grabitje është kronika e zezë e ditëve tona

948
Sigal

Krimi trondit sërish opinionin shqiptar, ndërsa ligji dhe forcat e policisë nuk bëjnë asgjë për mbrojtjen e qytetarëve

Duket sikur është ironi e fatit, që brenda pak orësh vriten 3 qytetarë, merren pengje dhe grabiten me dhunë qytetarë të tjerë, ndërkohë që ministri i Brendshëm, Flamur Noka, ka të tjera halle personale. Ministri Noka nuk shqetësohet aspak që krimi po vret çdo minutë, çdo orë, çdo ditë sigurinë dhe jetën e qytetarëve, nuk alarmohet dhe nuk aktivizon Policinë e Shtetit që të ndeshet me krimin e kriminelët, nuk bën asgjë, që qytetarët të ndjejnë siguri për jetën dhe pronën e tyre, por, përkundrazi. Ministri Noka merret me akuza dhe padi për të “mbrojtur” egoizmin e tij politik, ndaj kritikave të drejtpërdrejta që i bëhen.

Kronika e zezë e ditës

Tre të vrarë brenda katër orësh, por edhe brenda pak minutash janë shënuar një seri ngjarjesh të rënda. Një kazino është grabitur në Tiranë, kurse në Fier një 18- vjeçare është rrëmbyer në lagjen “Liria”. I dyshuari për rrëmbimin e saj është një 23- vjeçar, sipas burimeve të policisë është Elis Dine. Në Durrës një taksist është marrë peng dhe është dhunuar barbarisht. Autorët e krimit e kanë mbajtur peng 31- vjeçarin Isa Xhamani për disa orë, duke e dhunuar. Aktualisht ai ndodhet në spitalin e Durrësit për trajtim mjekësor. Autori i këtij krimi është Sabri Veterniku, që e ka grabitur dhe keqtrajtuar taksistin. Veterniku, person me precedentë penal, mësohet se i ka telefonuar taksistit nga banesa e tij në lagjen 14 në Shkozet të Durrësit duke i kërkuar që të vijë ta marrë pasi ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore dhe donte të shkonte në spital. Taksisti Isa Xhumani ka shkuar në banesën e Sabri Veternikut dhe sapo ka është futur në banesë është qëlluar me levë në kokë, ndërkohë që agresori i ka prerë dhe njërin vesh me thikë dhe më pas e ka mbështjellë më pas në tapet. Veterniku pasi e ka dhunuar taksistin i ka vjedhur sendet personale, si unazat, portofolin dhe çelësat e makinës për t’u larguar më pas në drejtim të paditur me automjetin tip  ‘Benz Mercedes’, ngjyrë gri, targë ‘Dr 2983 D. Ndërsa në Shkodër ka ndërruar jetë biznesmeni që u qëllua disa ditë më parë. Besnik Fagaj u qëllua nga persona të paidentifikuar pranë banesës së tij më 19 prill. 45- vjeçari u qëllua me katër plumba në lagjen Zdrale. Policia ende nuk ka mundur që të hedhë dritë mbi atentatin dhe nuk ka arritur që të identifikojë kriminelët. Një 15-vjeçar ka mbetur i plagosur dje rreth orës 14:00 në afërsi të shkollës “11 Janari” në kryeqytet.  Mësohet se pas sherrit me një 18-vjeçar, 15-vjeçari është plagosur me thikë në këmbë.
Një ngjarje e rëndë është regjistruar paraditen e djeshme në fshatin Lekbibaj të Tropojës.
Një 18-vjeçare është vrarë me armë zjarri nga një punonjës policie, kushëri me të. Nga të dhënat e para dyshohet se ngjarja ka ndodhur për shkak të sherri të nisur për vijën e ujit. Fillimisht sherri për vijën e ujit ka nisur mes grave të dy familjeve dhe më pas ka precipituar, ku 18 vjeçarja Gjyste Paplekaj është qëlluar me armën e shërbimit nga kushëriri i saj Fran Paplekaj, duke mbetur e vdekur në vend. Atentat me armë zjarri në Tiranë, ku ka mbetur i vdekur ish-boksieri, Adrian Levanti. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në zonën e ‘Unazës së Re’ mesnatën e djeshme. Vrasja mësohet se ka ndodhur në katin e shtatë të një pallati. Vetë Levanti banonte në katin e dytë të të njëjtit pallat, por u detyrua të ngjitej në katin e sipërm pasi po ndiqej nga autorët. Ndërkohë në orët e para të mëngjesit të djeshëm një tjetër vrasje ka ndodhur në Lezhë. Sipas burimeve të policisë ngjarja ka ndodhur në fshatin Torovicë, ndërsa viktima është shtetasi Marash Ndreu 65-vjeç. Mësohet se ky i fundit është qëlluar me armë sapo ka dalë nga shtëpia.

Policia e Shtetit, e inkriminuar me botën e krimit

Në të shumtën e rasteve, ndodh që krimet nuk zbulohen kurrë, sepse njerëzit e krimit të organizuar kanë lidhjet e tyre me drejtues dhe punonjës të policisë të Shtetit. Kohët e fundit janë bërë publike, me emra konkrete dhe me fotografi e video, që drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit dhe ministrisë së Brendshme janë bashkërisht, në vende publike me njerëz të cilët kanë precedentë penale dhe kriminale, mirëpo nuk ka patur asnjë reagim pozitiv. Krimi i organizuar “guxon” të vrasë edhe komisarë të policisë, sepse ka mbështetje dhe mbrojtje të Policisë së Shtetit dhe, assesi mund të thuhet se është paaftësi profesionale e policisë,  që autorët e vrasjeve, të paktën, të komisarëve të policisë, ende nuk janë vënë përpara drejtësisë.