Vrasja e katërfishtë, Gjykata: 35 vjet burg Kostandin Xhuvanit

482
Sigal

TIRANE – Gjykata e Tiranës ka dënuar me 35 vjet burg Kostandin Xhuvanin, për akuzën e vrasjes së 4 personave, mëngjesin e 4 nëntorit të 2014 në lokalin “Ante Grand” në kryeqytet.

Në seancën e sotme gjykata vendosi të pranojë kërkesën e Prokurorisë duke e dënuar Xhuvanin me 4 dënime të përjetshme për çdo vrasje të kryer në lokalin “Ante Grand”. Por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar i Xhuvanit shkon në 35 vjet heqje lire, dhe jo burgim i përjetshëm.

Gjatë leximit të vendimit, gjyqtari Sokol Tona bëri të ditur gjithashtu se gjykata ka vendosur të vendosur të mos pranojë edhe rrethana lehtësuese për Xhuvanin, duke theksuar se dënimi do të kryhet i plotë nga ana e Xhuvanit.

Sipas këtij vendimi, Kostandin Xhuvani nuk mund të përfitojë kërkesa për liri me kusht apo edhe ulje të dënimit për sjellje të mirë. Po ashtu dënimin Xhuvani do ta vuajë në një burg të sigurisë të lartë, në bazë të vendimit të marrë nga togat e zeza.

Një ditë më parë në seancën për mbrojtjen e tij, Kostandin Xhuavin kërkoi që të mos gjykohet si kriminel, por si një person i cili ka kryer një veprim të papërgjegjshëm në rrethana të caktuara.

Çfarë ndodhi më 4 nëntor 2014
Më 4 nëntor të vitit 2014, Kostandin Xhuvani, i biri i regjisorit Gjergji Xhuvanit dhe aktores dhe njëkohësisht ish-deputetes Luiza Xhuvanit, do të vriste me armë shokun e tij Arbër Demiraj, si dhe Edison Jahon, Enea Xhajin dhe shtetasin italian Giampaolo Azzolo.

Vrasja ndodhi rreth orës 04:00 të mëngjesit pas një konflikti të çastit ndërmjet Xhuvanit me Edison Jahon dhe Enea Xhajin në ambientet e lokalit të natës në Rrugën e Elbasanit. Nga të shtënat do të humbiste jetën edhe shoku i Xhuvanit, Arbër Demiraj, djali i ish-Prokurorit Skënder Demiraj dhe shtetasi italian Giampaolo Azzolo.

Madje gjatë arrestimit të tij, Kostandin Xhuvani do të mundohej të largohej nga vendi i ngjarjes, duke bërë edhe kundërshtim me armë ndaj forcave të policisë. Vrasja do të trondiste opinionin publik, çka do të sillte edhe dorëheqjen nga posti i deputetes së Luiza Xhuvanit.