Rama dhe Veliaj përurojnë zyrën e re të ISSH tek “Myslym Shyri”

1134
Sigal

TIRANE -Instituti i Sigurimeve Shoqërore në rrugën “Myslym Shyri” në kryeqytet, prej vitesh të tëra pa asnjë investim, tashmë ka ambiente të reja të gjitha të rikonstruktuara.
 
Nga zyrat e reja të pritjes së pensionistëve, kryeministri Edi Rama dhe ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Erjon Veliaj shpërndanë për të moshuarit mes tyre edhe ish-ushtarakë, pensione të llogaritura sipas skemës së re.
 
Rama e quajti vlerësim ndaj kontributit që ata kanë dhënë për vendin, shërbimin cilësor që do të ofrojnë zyrat e reja të pritjes. “Nuk do të rrinë më në radhë qumështi dhe të shtyhen”, theksoi Rama.
 
Ndërsa ministri Veliaj, veçoi pensionet e ish-ushtarakëve ku tha se këtë vit për herë të parë ata marrin pensione me mbi 300 mijë lekë.
 
“Për herë të parë në këtë vit po mbajmë disa premtime. Disa ish-ushtarakë do të marrin për herë të parë pensione mbi 300 mijë lekë, vitet e tyre po shpërblehen realisht. Rreth 100 mijë lekë më shumë sesa pensioni tavan që kishim vitin e kaluar”, tha Veliaj.

“Pensionistët meritojnë të begenisen në mënyrë të edukuar, qytetare, në mënyrë që sidoqoftë dhe sadoqofshin problemet e jetës së tyre të përditshme në kontaktin me shtetin të ndihen të respektuar për atë që kanë bërë në vite për këtë vend. Ky është vetëm hapi i parë, në këtë mjedis shërbehen rreth 100 mijë pensionistë gjatë vitit, por do të sjellë hapa të tjerë në mënyrë që zyrat e pensionit të mos jenë strofulla të errëta pisllëku, por mjedise të pastra ku reflektohet mirësi, edukatë dhe ku reflektohet vetëdije për shërbimin publik. Nga ana tjetër nuk mund të rri pa e thënë që kur hyra dhe pash këto vajzat e mrekullueshme që na rrethojnë nuk mu duk dhe aq e errët perspektiva port ë dalë në pension se është vërtete kënaqësi të marrësh pensionin dhe të ndeshësh këto fytyra të pastra të bukura dhe të buzëqeshura.

Është rasti për të ripërsëritur se reforma e pensioneve është një nga gjërat më të rëndësishme, në transformimin e Shqipërisë në një shtet ku secili kontribuon sipas mundësisë dhe shpërblehet sipas kontributit. Duke hequr tavanin e pensioneve maksimale ne çelëm një horizont të ri mundësish për njerëzit që punojnë duke i dhënë një perspektivë të re, e cila sot është e mundur sepse nuk ka më tavan. Gjithkush vendos për pensionin që dëshiron të ketë dhe përcakton me kontributet e tij nivelin e pensionit që merr. Sot të gjitha llogaritë na bëjnë krenar që një reformë të vonuar 20 vjet e realizuam dhe të gjithë përfitojnë një pension më të lartë falë kësaj reforme”, u shpreh Rama. 

Rama: Mësuesi me 35 vjet sigurime deri vjet merrte 245 mijë lekë pension, sot 297 mijë lekë
Kryeministri mori konkretisht shembullin e një mësuesi me 35 vite sigurime duke bërë diferencën me 51 mijë lekë më shumë në pensionin e llogaritur sipas formulës së re.
 
“Mësuesi i shkollës së mesme me 35 vite sigurime me skemën e vjetër deri në dhjetorin e vitit të shkuar, do të merrte 245 mijë lekë. Pensioni me reformën është 297 mijë lekë, prek 300 mijë lekëshin me një rritje 51 mijë lekë më shumë. Ne kemi rivlerësuar me rritje të ndjeshme progresive kontributet e mësuesve në 35 vite dhe ato 35 vite pune të siguruara muaj pas muaji nga rroga sot kthehen në një shpërblim tërësisht të befasishëm për këtë kategori, që do të thotë se për mësuesit është rritja më e madhe e pensioneve në 20 vite. Formula e re e pensioneve na çon në kushtet e një Shqipërie shumë më të drejtë, më solidare dhe më të vetëdijshme se shoqëria u detyrohet më shumë respekt dhe vlerësim financiar”, tha Rama.