Vetëvrasjet në shifra alarmante, të futen psikologët në shkolla

429
Sigal

Rritja e numrit të vetëvrasjeve ka alarmuar strukturat e shtetit dhe shoqërinë civile. Është një fenomen që për çdo vit shkakton dhjetëra viktima dhe kurba e tij vazhdimisht pëson rritje. Ky fenomen me bazë problemet sociale ka prekur në mënyrë tragjike edhe fëmijët vitet e fundit. Nxënës shkollash me moshë 10 apo 12 vjeç gjenden të vetëvarur në mënyrë makabër me rripat e pantallonave nëpër dritaret e banesave apo plevicat e lopëve në një kohë që ata duhej të ishin duke lodruar me bashkëmoshatarët e tyre. Vajza të reja apo nëna me fëmijë pinë helm vdekjeprurës prej të cilit nuk gjejnë shpëtim. Fostoksinë quhet helmi, të cilit dikur nuk i kemi ditur as emrin pasi ishte pjesë e punës e kimistëve dhe e jo e popullatës. Ky helm, -sqarojnë mjekët,- ka aftësinë që të shpërbëjë molekulat e oksigjenit në gjakun e njeriut e për pasojë organizmi mbytet. Me këtë helm dhjetëra gra e vajza i kanë dhënë fund jetëve të tyre duke lënë pas fëmijët, të cilëve ju duhet të përballojnë mbijetesën. Për të treguar përmasat e vetëvrasjeve dhe të vdekjeve aksidentale, mjafton të rendisësh në mënyrë dinamike ngjarjet e një muaji që sapo kaloi, ku Durrësi u trondit nga 4 vdekje prej të cilave 2 ishin vetë vrasje. Gjithashtu, u regjistrua edhe një tentative tjetër po për vetëvrasje, por që fatmirësisht nuk u realizua pasi mjekët arritën që ta mbanin në jetë viktimën. Sipas statistikave policore në qarkun e Durrësit në 2 vitet e fundit, dhe përkatësisht gjatë vitit 2013 i kanë dhënë fund jetës me vetëvrasje 17 persona, dy prej tyre kanë qenë fëmijë,10 femra dhe 5 meshkuj të rritur, ndërkohë që, krahasuar me vitin 2012 ky numër ishte 24. Punonjësit socialë dhe psikologët edhe pse në vendin tonë ata janë një kategori e re dhe pa eksperiencën e duhur nxjerrin si shkaktar kryesor të vetëvrasjeve situatën tranzitore që po kalon vendi. Sipas tyre, tranzicioni i gjatë po shoqërohet edhe me fenomenin e vetëvrasjes për shkak të vështirësive social ekonomike të cilat në disa raste janë të papërballueshme nga familje në vështirësi ekonomike. Nga ana e saj policia është dorëzuar përpara këtij fenomeni. Ajo ka mundur që të parandalojë në mënyrë të ndjeshme vrasjet për shkaqe kriminal por edhe numrin e aksidenteve automobilistike.. Por policia është krejtësisht e befasuar përballë numri të lartë të vetëvrasjeve. Duke i bërë një analizë më të hollësishme këtij fenomeni dhe duke mos u bazuar vetëm te shifrat, por edhe te elementë tjerë që i shoqërojnë këto ngjarje tragjike mund të arrijmë në disa përfundime. Kështu rezulton se 80 për qind e personave që vetëvriten janë vendosur në hapësirat e lira të qyteteve pas viteve ‘90. Pjesa më e madhe e viktimave janë femra, dhe prej këtyre të fundit gjysma janë nëna me fëmijë e gjysma tjetër vajza të reja. Hetuesit, të cilët merren me zbardhjen e këtyre rasteve në pjesën më të madhe i mbyllin këto dosje në mënyrë mjaft të thatë dhe nuk japin konkluzione për shkaqet pse ato kanë ndodhur. Për ata, viktimat marrin me vete edhe shkaqet e vetëvrasjeve. Asnjëherë nuk është thënë e vërteta bile edhe kur ajo është zbuluar. Dhe ajo është mbajtur e fshehtë për të mos lënduar sedrën familjare të viktimës. Por ashtu si në mjekësi thuhet se “po nuk u zbulua sëmundja është e pamundur që të gjendet ilaçi i duhur”, kështu ngjet edhe me këtë plagë sociale së cilës po nuk ju zbuluan shkaqet kurrë nuk do ti gjenden rrugët e shpëtimit. Megjithatë, disa OJQ, të cilat kanë në themel të punës së tyre mbrojtjen e grave dhe të vajzave, kanë arritur në disa përfundime. Sipas tyre, rezulton se pjesa më e madhe e nënave me fëmijë, të cilat vetëvriten, e ndërmarrin këtë akt për shkak se nuk janë në gjendje që të mirërrisin fëmijët e tyre dhe problemet e tjera bashkëshortore. Ndërsa adoleshentet kryesisht vajza në moshë shkollore vetë helmohen për shkak të kontradiktave që kanë nëpër familje me prindërit e tyre të cilët manifestojnë mentalitet anadollak dhe i privojnë vajzat nga mënyra e jetesës që bëhet në metropolet e mëdha. Shpesh lidhjet e kësaj kategorie vajzash të reja ( të cilat nuk arrijnë të as të arsimohen) me djem bëhen shkak për aktet ekstreme që ato ndërmarrin. Ndërsa shkaqet të cilat shkaktojnë vetëvrasjet te fëmijët e vegjël kanë mbetur krejtësisht enigma e për pasojë edhe pa përgjigje. Ky është fenomeni më i dhimbshëm i tranzicionit, dhe kërkon angazhimin maksimal të potencialeve intelektuale për na ndaluar dhe pse jo, edhe për ta parandaluar.