Rreth 1.2 milionë euro pasuri dhe rreth 1 milionë euro në llogaritë bankare të Erjon Kasmit dhe Xhulian Xhafës kërkohet të konfiskohen nga SPAK. Organi i akuzës i është drejtuar gjykatës së Posaçme me kërkesën që këto pasuri ti kalojnë shtetit pasi janë krijuar nga aktiviteti kriminal. Kasmi është dënuar me 11 vite burg, por disa ditë më parë, Apeli i Posaçëm e prishi vendimin duke kërkuar rigjykimin e dosjes me tjetër trupë gjykuese.
Prokuroria e Posaçme i është drejtuar GJKKO-së me kërkesën për konfiskimin e pasurive të shtetasve Erjon Kasmi dhe Xhulian Xhafa, vetëm pak ditë pasi Apeli i GJKKO-së vendosi prishjen e vendimit të dënimit ndaj tyre dhe rikthimin për gjykim.
Kasmi e Xhafa po hetohen prej 2021 edhe për pasurinë, teksa akuzohen për mashtrim kompjuterik, grup i strukturuar kriminal dhe organizatë kriminale. 22 pasuritë e sekuestruara më herët të bosit të call centerave, dhe që tani kërkohet konfiskimi i tyre, kapin një vlerë prej 1.9 milionë euro dhe 33 milionë lekë të reja, ku përfshihen llogari bankare, 8 apartamente, një vilë tre katëshe, një subjekt tregtar, një njësi, 5 garazhe, 5 pemtore, 4 prej të cilave në Borsh të Sarandës, dhe vlera monetare prej mbi 588 mijë euro dhe rreth 20 milionë lekëve të rinj. Ndërkohë që 240 mijë euro i janë sekuestruar dhe kërkohet ti konfiskohen shtetasit Xhulian Xhafa.
Të dy këta shtetas janë nën hetim për mashtrim kompjuterik dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal pasi akuzohen se mbi 2 mijë shtetasve europianë u kanë grabitur nëpërmjet mashtrimit rreth 7 milionë euro.
GJKKO, me vendim të datës 8 korrik 2024, dënoi me 11 vite burg, Erjon Kasmin si është organizatori i skemës mashtruese të call center ku iu zhvatën 7 milion euro qytetarëve gjermanë. Në aplikim të gjykimit të shkurtuar dënimi zbriste në 7.4 vite. Ndërsa Xhuljan Xhafa u dënua me 10 vite, por iu ul me 1/3 nga gjykimi i shkurtuar duke u dënuar përfundimisht me 6.8 vite.
Më 23 prill 2025 Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Igerta Hysi (kryesuese), Saida Dollani (anëtare) dhe Nertina Kosova (anëtare), prishi vendimin për dënimin e Erjon Kasmit dhe 12 të pandehurve të tjerë për dosjen e “Call Centerave”, duke e rikthyer sërish çështjen për rigjykim në GJKKO me trupë tjetër.
Njoftimi i SPAK
SPAK kërkon konfiskimin e pasurive të një grupi të strukturuar kriminal
Prokuria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më 25 prill 2025 ka dorëzuar në Gjykatën e Posaçme kërkesën për konfiskimin e pasurive të shtetasve Erjon Kasmi dhe Xhulian Xhafa, në kuadër të procedimit pasuror nr.13 i vitit 2023.
Shtetasit Erjon Kasmi dhe Xhulian Xhafa janë subjekte të hetimit pasuror, pas regjistrimit të procedimit penal nr.300/2021*, me akuzat për kryerjen e veprave penale:
“Mashtrim kompjuterik” e kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme të bashkëpunimit të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 143/b/2, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Mbi bazën e dispozitave të Ligjit nr. 10192 datë 03.12.2009 “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar, Trafikimit, Korrupsionit dhe Krimeve të tjera Nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë”, ndryshuar me ligjin nr.70/2017, janë kryer hetime në kuadër të hetimit pasuror dhe si rezultat janë identifikuar dhe sekuestruar pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme të personave nën hetim pasuror dhe personave të lidhur me ta.
Në përfundim të hetimit pasuror nr.13/2023, rezulton se pasuritë e sekuestruara janë të pajustifikuara nga burime të ligjshme dhe prezumohet se janë rezultat i veprimtarisë kriminale.
Vlera e pasurive të sekuestruara për të cilat kërkohet konfiskimi është rreth 1, 937,145 Euro dhe 33,089,854 lekë:
Pasuritë:
“Apartament” i tipit 2+1, me sipërfaqe totale 110 m2, me adresë në Yzberisht Tiranë, në pronësi të Erjon Kasmi.
Vilë banimi 3-tre katëshe + bodrum, me sipërfaqe perimetrale prej 420 m2 dhe sipërfaqe totale të ndërtesës + veranda prej 342 m2, me adresë në Selitë Tiranë, në pronësi të Erjon Kasmi.
Njësi, me sipërfaqe 167 m2, me adresë: Rruga e Kavajës Tiranë, pronësi të Erjon Kasmi.
Garazh, me sipërfaqe totale 19 m2, me adresë në rrugën “Margarita Tutulani”, Tiranë, pronësi të Erjon Kasmi dhe L. Leka,
Apartament, i llojit Apartament (3+1) me sipërfaqe 146.12 m2, me adresë në Rrugën “Margarita Tutulani”, Tiranë, pronësi të Erjon Kasmi dhe L. Leka.
Apartament, me sipërfaqe 66.96 m2, me adresë rruga “Margarita Tutulani”, Tiranë, në pronësi të Erjon Kasmi dhe L. Leka.
Apartament, me sipërfaqe totale 96 m2, me adresë Bulevardi “Bajram Curri”, Tiranë, pronësi të Erjon Kasmi.
Garazh, me sipërfaqe totale 16 m2, me adresë Bulevardi “Bajram Curri”, Tiranë, në pronësi të Erjon Kasmi.
Truall, me sipërfaqe 2750 m2, nga e cila 750 m2 ndërtesë, me adresë Mazrek Tiranë, në pronësi të Erjon Ylli Kasmi.
Apartament, me sipërfaqe 57 m2, me vendodhje në lagjen Nr. 13 Durrës, në pronësi të Erjon Ylli Kasmi dhe L. Leka.
Pasuria: ‘Apartament’, tipi 2+1, me sipërfaqe totale 117.05 m2, në pronësi të L. Leka, me adresë të pasurisë, në ‘Rruga e Dafinave’, Ish Fusha e Aviacionit Tiranë.
Garazhe 2 (dy), me sipërfaqe totale 40 m2, në pronësi të L. Leka me adresë të pasurisë, në ‘Rruga e Dafinave’, Ish Fusha e Aviacionit Tiranë.
Pemëtore 100 m2, në pronësi të Erjon Ylli Kasmi, në Borsh Sarandë.
Pemëtore 1000 m2, në pronësi të Erjon Kasmi, në Borsh Sarandë.
Pemëtore 1000 m2, në pronësi të Erjon Kasmi, në Borsh Sarandë.
Pemëtore 1000 m2, në pronësi të Erjon Kasmi, në Borsh Sarandë
Subjekti tregtar ‘Ëood Land’ Shpk, në pronësi të Erjon Ylli Kasmi, me qendër në Kashar, Mazrek Tiranë.
Apartament, me sipërfaqe totale 67.73 m2, në pronësi të Xhulian Etem Xhafa me adresë Kryemëdhenj, Kavajë,
Garazh, në pronësi të Xhulian Etem Xhafa dhe S. Tila, me sipërfaqe 16.30 m2, me adresë rruga “Ndre Mjeda” Tiranë.
Apartament, me sipërfaqe 79.42 m2, në pronësi të Xhulian Xhafa me NID J20623112M dhe S.Mustafa Tila, me adresë rruga “Ndre Mjeda”, Tiranë.
Apartament” me sipërfaqe totale 93.8 m2, në emë të Xhulian Xhafa dhe S. Tila, me adresë në rrugën “Ndre Mjeda”, Tiranë.
Vlerat monetare të sekuestruara në llogari bankare janë në shumën 588,225 euro dhe 19,789,854 lekë.
Për shtetasin Erjon Kasmi, vlera e pasurive të paluajtshme sipas kontratave është 1,108,920 euro dhe 13,300,000 lekë.
Vlera e pasurive te paluajtshme sipas kontratave për shtetasin, Xhuljan Xhafa është në vlerën 240,000 euro/ Njoftimi i SPAK/